top of page

NIKO KACALIDHA AKOMA SHKRUAN POEZI

Updated: Dec 14, 2022


NIKO KACALIDHA AKOMA SHKRUAN POEZI Një intermexo me poezine e tij në gjuhën greke.

Nga Timo Merkuri I- Niko Kacalidha nisi të shkruajë qysh në moshë të re poezi “të ndrojtura” me një hero lirik të sinqertë gjer në naivitet, të frymëzuara nga leximet greke, që ja afronte gjyshja dhe i ati,. Këto poezi të herëshme sigurisht i shkruante greqisht, pasi gjuhën shqipe nisi ta mësojë në shkollën fillore, e zgjeroi në shkollën tetëvjeça-re dhe gjuhën letrare shqipe nisi ta mësojë dhe përdorë në shkollën e mesme, ku nisi të shkruajë poezitë e para shqip. Në Universitet ai jo vetëm që e zotëroi gjuhën shqipe të folur e të shkruar, por krijoi suksesshëm[1]poezi shqipe, gjë që dëshmohet me vëllimet e tij poetike të botuara dhe vlerësimin që ato patën nga lexuesi dhe qarqet krijuese të vendit. Natyrshëm gjatë kësaj kohe kishte dëshirën që të shkruante në gjuhën greke, të cilës ai i njihte dhe i ndjente muzikalitetin dhe ngjyra. Niko Kacalidha krahas botimeve të pakta në gazetën e minoritetit etnik grek Laiko Vima (gr: Λαϊκό Βήμα), ka botuar te Shtëpia Botuese Naim Frashëri në Tiranë librat poetikë në greqisht: 1-Shtrati i lumit tim, (Η κοίτη του ποταμιού μου)(Poezi) 1982, 2.Lirikë diellore, (Λιόφωτο λιανοτράγουδο) (Poezi) 1985 dhe 3.Refleksione, (Ανταύγειες) (Poezi)1989 por që jehonën e patën vetëm te lexuesit dhe shtypi i minoritetit grek në Shqipëri.

II-Niko Kacalidha fliste, mendonte, kuptonte e ndjente poetikisht qysh në moshë të njomë, kjo falë përkundjes në përralla, lexime, tregime apo këngë popullore greke të gjyshes së tij, të cilat krijuan një botë-parajsore pemësh, zërrash e ngjyrash poetike në përfytyrimin e tij, botë në të cilën ai vazhdon të jetojë ende. Këtë botë nuk na e jipte dot ne shqiptarëve në gjuhën e tij, për arsyen e thjeshtë se ne nuk e kuptonim greqishten dhe se dëshira për t’a mësuar atë ishte minimale. Ishte Niko Kacalidha ai që ngjiti gurin e Sizifit duke shkruar poezi në gjuhën shqipe, madje poezi shumë të arirra, gjë që duket jo vetëm te vlerësimet zyrtare por edhe te simpatia e lexuesve, kryesisht lexuesit e rinj. Këtu duhet të themi se poezia e Niko Kacalidhës është një poezi e krijuar direkt në gjuhën shqipe, pa kaluar nëpër filtrin e përkthimit si një poezi e krijuar fillimisht greqisht e më pas e përkthyer në shqip. Po të ishte greqishtja gjuha e krijimit të poezive të Niko Kacalidhës, kjo poezi detyrimisht do kishte “firo” arti, stili ee ritmi gjatë përkthimit dhe për pasojë, poezia e tij “e përkthyer’ nuk do arrinte atë sukses që e cilëson. Gjithashtu fenomeni “përkthimi” do kishte rrënë në sy të studiuesve të letërsisë, përkthyesve apo edhe ne, miqtë e tij do ta kishim ndjerë, në mos kuptuar.

Ka dhe një arsye tjetër pse Niko Kacalidha nuk e krijoi poezinë e tij në greqisht gjatë periudhës së monizmit, ai nuk harronte që ishte minoritar dhe krijimi i poezisë së tij vetëm greqisht nuk do kishte hapësirën shqiptare që meritonte, gjë që u vërejt te tre vëllimet e tij të botuara greqisht. Po ashtu dhe vlerësimi e suksesi i saj i pretenduar prej tij dhe i merituar prej artit të tij poetik, do krijonte interpretime politike nga elementët nacionalistë në administratën e shtetit monist dhe atëherë: suksesi i tij do ishte fundi i tij.

III-Rrënia e sistemit monist ishte një fitore e dyfishtë për Niko Kacalidhën, ai nisi të shkruajë me një ritmikë të shpeshtë libra në gjuhën e tij greqisht dhe ti botojë ato në Greqi. Dallandyshja e parë e pranverës krijuese dhe botuese në Greqi për atë ishte libri poetik: “Το μοιρολόι του βουρκωμένου βουνού”, Γράμμα, Θεσσαλονίκη 1994 (“Vaji i malit të vrenjtur”, Grama, Selanik. 1994). Emërimi Ministër për të Drejtat e Minoritetit (2001-2002) dhe sidomos emërimi Atashe për kulturën dhe Këshilltar për Kulturën (2004-2008) në Ambasadën Shqiptare në Athinë i vlejti për të “gjetur” shtegun ku do “vërshonte” lumi i krijimeve të tij letrare në gjuhën greke, të cilat janë: POEZI 1-Το μοιρολόι του βουρκωμένου βουνού, Γράμμα, Θεσσαλονίκη 1994 Vaji i malit të vrenjtur,Grama,Selanik 1994 2-Κι η Σφίγγα μίλησε, Μαγδονία, Θεσσαλονίκη 1995 Dhe Sfinksi foli,Magdonia,Selanik 1995 3-Τα πικρολέμονα, Βιολάρης, Λευκωσία, 1995 Limonj të hidhur, Violaris, Nikosia, 1995 4-Τα εκατό εκατόφυλλα της Πούλιας, Διαβαλκανικό Κέντρο Βιβλίου, Θεσσαλονίκη 1997 Njëqind trëndafila qindfletëshe të Pulias Qendra ballkanike e Librit, Selanik 1997 5-Η αμβροσία των βράχων, Κοντοσόρος, Κέρκυρα 1997 Ambrozia e gurit, Kontosoros, Korfuz 1997 6-Το δάκρυ του κυκλάμινου, Αθήνα 1998 Loti i ciklaminit, Athinë 1998 7-Η πύλη των βοριάδων, Κυριακίδης, Θεσσαλονίκη 1998 Dera e veriut, Kyriakidis, Selanik 1998 8-Χίλια κοχύλια, ΕΙΥΑΠΟΕ, Ιωάννινα 1999 Njëmijë guaska deti, EYAPOE, Janinë 1999 9-Η πρώρα των άστρων, Ιανός, Θεσσαλονίκη 2001 Bashi i yjeve, Ianos, Selanik 2001 10-Η μοίρα του αμάραντου, Ιανός, Θεσσαλονίκη 2003 Fati i amarantusit, Ianos, Selanik 2003 11-Η σέλα της σελήνης, Τυπωθήτω, Αθήνα 2007 Shala e hënës, Typothito Athinë 2007 12-Τα εραλδικά της κίχλης, Καστανιώτης, 2008 Heraldikët e mëllenjës, Kastaniotis, 2008 13-Τα σημεία της θλίψης, Eκδόσεις του Φοίνικα, 2009 Shenjat e pikëllimit, Botimet Foinikas, 2009 14-Ηλιακά ρολόγια, Μανδραγόρας, 2011 Orë diellore, Mandragoras, 2011 15- Όφις οικουρός, Eκδόσεις του Φοίνικα, 2012 Gjarpëri i shtëpisë, Botimet Foinikas, 2012 16-Ο παρακλητικός του ηλιοβασιλέματος, Eκδόσεις του Φοίνικα, 2014 Lutja e buzëperëndimit, Botimet Foinikas, 2014 17-Δαφνοπόταμο, Τυπωθήτω, Αθήνα 2015 Lumi i dafinave, Typothito, Athinë 2015 18-Μικρή Ανθολογία, Ακτή, Λευκωσία, 20017 Poezi të zgjedhura, Akti, Nikosia, 20017 19-Η χλόη της ανατριχίλας, εκδόσεις του Φοίνικα,2017 Bari i drithërimës, Botimet Foinikas 2017 20-Το ξύπνημα των κοιμωμένων οφθαλμών, Νίκας, 2020 Zgjimi i sythave të fjetur, Nikas, 2020 TREGIME 1-Νύχτας ανομήματα, Κέδρος, Αθήνα, 2006 Mëkatet e natës, Kedros, Athinë 2006 2-Θυμάρια των βοριάδων,Νίκας,2022 Trumzat e erërave, Nikas, 2022 ROMANE 1-Το άροτρο του φεγγαριοιύ, Ψυχογιός,2004 Plugu i hënës, Psyhogios, 2004 2-Περί ομονοίας και άλλων δαιμονίων,Νίκας,2018 (Βραχεία λίστα βραβείου The Athens Prize for Literature) Rreth harmonisë dhe demonëve të tjerë, Nikas, 2018 (Lista e shkurtër e The Athens Prize for Literature) 3-Ο νυχτοπαρωρίτης, Φίλντισι, 2019 Ëndërrtari i natës, Fildisi,2019 4-Η επέλαση των χιονιάδων,Νίκας,2021 Pushtimi i dëborës, Nikas, 2021 Sipas kësaj liste shohim se ai gati çdo vit realizon nga një botim libri, ku pjesa më e madhe janë vëllime poetike. Kjo bëhet edhe më e ndjeshme po të listohen dhe mbi 50 vëllime poetike të përkthyera nga greqishtja në shqip dhe anasjelltas, gjë që e bënte atë tyë pranishëm në botën letrare shqipe, ndërsa jetonte e banonte në Athinë familjarisht.

IV-Pyetja që na lind në këtë rast është se: si hyri Niko Kacalidha në botën letrare greke, a e jusitifikoi vazhdueshmëria krijimtarisë së tij poetike në gjuhën greke atë vlerësim dhe admirim që pati në gjuhën shqipe, apo hyri në letërsinë greke si një djalosh i drojtur, zbritur nga zonat rurale, që hutohet në zhurmërinë letrare të metropolit. Të mos harrojmë që poezia greke ishte një poezi me traditë qysh me Homerin dhe si e tillë ajo ishte idhull dhe shkollë për poezinë e shumë vendeve europiane, ndërkohë që poezia moderne shqipe ishte pa një përvojë krahasuese me atë. Duke qënë se poezia e Niko Kacalidhës e shkruar greqisht dhe e botuar në Greqi nuk është e përkthyer në shqip (as nga vetë Niko Kacalidha) përgjigjen e pyetjes sonë duhet ta kërkojmë te çmimet e marra në Greqi dhe vlerësimet e kritikës greke. Me këtë rast tregojmë se Niko Kacalidha në Greqi është fitues i disa çmimeve prestigjiozesi: “Çmimin i parë panhelenik” i “Alkionidëve” akorduar në vitin 1994, “Çmimi i parë ballkanik” për vëllimin “Njëqind trendafila të agullimit”, akorduar në vitin 2001, në vitin 2018, u nderua me çmimin e madh Eupoias nga Lidhja e Përkthyesve të Greqisë për përkthimin e Elitis dhe Uranis, Romani i tij "Për harmoninë dhe demonët e tjerë", 2019, u përfshi në listën e shkurtër për Çmimin The Athens Prize for Literature etj.

V-Kritika greke[2]është treguar tepër lavdëruese për krijimtarinë poetike dhe prozën e Niko Kacalidhës në greqisht, ku vlen të citojmë disa fragmente të tyre dhe respektivisht: “Niko Kacalidha është poet i "atdheut", i imazhit dhe peizazhit natyror, i elementeve dhe qenieve mitologjike të një bote primordiale, ku çdo gjë, madje dhe ato më elementare, dhe të pakapshme për syrin tonë të zakonshëm,(domethënë gjithçka që gjejmë mes përditshmërisë dhe jemi mësuar të mos dallojmë të veçanten), në poezinë e tij kanë kuptim thelbësor por dhe simbolik” shprehet Aleksis Ziras “Një gjuhë brilante, një thesar gjuhësor pa kallëpe dhe caqe , nga të gjitha lulet e kopshtit gjuhësor, homerike e lashtë, e kultivuar, e folur demotike veriore …si domosdoshmëri e brendshme, që në thurjen dhe qëndisjen e fjalës dhe stofit poetik në lojën e imazhit metaforik lirik të kujton Lorkën dhe Elitis ..” shprehet Jorgos Markopulos “Niko Kacalidha me një thesar të madh kulture në shpinë, te ‘Shala e hënës’, jo vetëm që nuk kursen fjalët, shfaqjet, komunikimin, mesazhet që asimilohen lehtësisht, po shumë më tepër i qaset në një kuadër tjetër nga jashtë lexuesit, duke i treguar madhështinë e natyrës…. për të mos prerë kështu papritur fillin që lidh poetin me prindërit e tij” na thotë Kristos Papageorgiu. “Zëri këngëtar i poezisë së Niko Kacalidhës rrjedh nga rrënjët primordialedhe është ngarkuar me misionin të mbajë një peshë më të madhe nga ajo që kërkon dikush në veprat e shumë poetëve bashkëkohorë së bashku”.Marios Mihailidhis “Gjuha e Niko Kacalidhës është e fuqishme dhe moderne, me një ritëm të dhe një muzikalitet që nuk pengon shpejtësinë e shqiptimit të saj, as kur ndërhyjnë elementë të traditës vendase, të cilën ajo e përqafon dhe e harmonizon me cilësinë e saj në një formë të kultivuar”. Ilias Qefalas “Lumi i dafinave” bashkëbisedon me Homerin, Vicenzo Cornaron, dhe Miguel de Servantes. Natyrisht, bashkëbisedon në mënyrë universale me mitologjinë e lashtë greke....Çdo poezi është një vazhdim nga e mëparshmja dhe siguron koherencën konceptuale, stilistike homogjene dhe konsistencen tematike të gjithë poezisë”. Jorgos Frangos “Gjithçka që kupton nga poezia e Niko Kacalidhës të trondit madje edhe ajo që nuk mund të shpjegosh gjithashtu, siç është e pashpjegueshme bukuria e një luleje, bukuria e një buzëmbremjeje”.Xhina Ksinojanakopulu “E mbyllim qasjen selektive ndaj “Lutjes së buzëmbrëmjes” me këto mendime : a. natyra animizohet ndërsa shoqëria mbetet pa jetë. b. kështu del një “shoqëri” pa komunikim. c. ndaj nuk përmendet askund miqësia, dashuria, festat, fqinjësia, dhe ndihma reciproke. d.Gjithë ligjërimi poetik “universal” ka dy pole: bashkësinë me natyrën e gjallë dhe komunikimi me prindërit (të gjallë ose të fjetur)”.Jorgos Jakumis “Që nga viti 1994, kur u shfaq në letrat greke me përmbledhjen e tij të parë poetike, Niko Kacalidha ka një meritë të madhe si ze i veçantë me krijimtarinë e tij, kryesisht në poezi, por edhe prozë. Zgjedh të flas për ‘Orët diellore’ të tij pasi, duke rilexuar veprën shtatë vjet më vonë, e shoh të fituar bastin e poezisë së tij përmes figurave shumë të gjalla, por edhe imazheve erotike”. Kostas Kremidas “Një krijues që ia doli dhe barra e qenjes së dyfishtë gjuhësore dhe estetike e ktheu në bekim. I balancuar midis dy gjuhëve të vjetra, autentike, të pasura, duket se ndihet i favorizuar me këtë, ndaj i respekton plotësisht, duke përdorur të dyja me sens dhe dashuri. Rezultati? Unikal! Pak grekë jashtë Greqisë e menaxhu-an këtë simbiozë” Eleni Iliopulu-Zaharopulu “Oshenari i poezisë moderne greke,pagani dhe i dashnori i marrë i gjuhës, Niko Kacalidha eksploron të gjitha aspektet e fjalës diakronike greke me natyrshmërinë dhe pafajësinë e një fëmije...”. Kostandinos Buras. “Ai përdor fjalë nga e gjithë pasuria e gjuhës greke. Fjalë homerike, antike, biblike, demotike, nga greqishtja modern me një transparencë dhe pastërti arketipi. Ai shkruan me një ndjeshmëri dhe dendësi të veçantë të fjalës.ozë kulturore në mënyrë kaq harmonike”. Maria Skiadharesi etj. të cilët për vetë numërin e tyre të madh dhe gjërësinë e analizave nuk po i përmendim në këtë shkrim. Duke lexuar mënyrën entusiazte të shprehjes së tyre për poezinë e Niko Kacalidhës ndjejmë dhe shohim se ky entusiazëm nuk është një fjalë “mirëseardhje” për sivëllain e tyre grek që hyn në letërsisë greke, por është një vlerësim dhe admirim i tyre për nivelin sipëror të poezisë moderne që afron Niko Kacalidha, madje edhe një farë “habie” e tyre për këtë nivel.

VI-Kemi thënë se Niko Kacalidha në poezinë shqipe pruri nga poezia antike dhe moderne greke aritjet e saj më të mira, ndaj natyrshëm na lind pyetja: po në poezinë greke çfarë mbarti nga poezia shqipe Niko Kacalidha dhe a u pa kjo ”prurje” e tij nga kritika greke?. Sigurisht që përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta gjejmë po te kritika greke. Ja si shprehet ajo: “Veçantia e saj (poezisë së Niko Kacalidhës. Shën. im T.M.) I detyrohet, besoj, edhe një fakti tjetër që bota e poezisë së tij nuk është e njëjtë me botën e poezisë së poetëve të sotëm grekë… nëse hyjmë në brendinë e saj, zbulojmë se kjo botë transfiguron përvoja dhe emocione të përjetuara në një hapësirë gjeografikisht diakronike me tonën, por jo sinkronike.”. shkruan Nasos Vajenas. “Çdo poezi e Niko Kacalidhës përbën në esencë një qasje ndryshe të një gjendjeje të qëndrueshme dhimbjeje, të një dhimbjeje të ylbertë nga emocionet e momentit që e lind” arin në përfundim të studimit të tij Kostas Papageorgiu “Shumë nga temat e poezive të tij të shkruara greqisht Niko Kacalidha i ka nga fëminia apo vendlindja e tij: “Shtylla kryesore dhe burimι bazal frymëzimi për poezinë e Niko Kacalidhës është fëminia, adoleshenca flora dhe fauna e vendlindjes ku imazhet kthehen në mesazhe estetike.” Jorgos Frangos “Lumi i dafinës” përbën një transfigurim të vendlindjes, me referenca dhe paraqitje figurative të cilat, nuk kufizohen në kufijtë e fushës pamore” shkruan Kostas Haxhiantoniu. “Liriku Niko Kacalidha vjen midis nesh si një poet që ruan të drejtën të shikojë me sytë e një të ‘huaji’ atë që në fakt është thellësisht e tija”. Qiriakos Harallambidhis

VII- Niko Kacalidha vijon të shkruajë në greqisht poezinë e tij dhe ne gëzohemi me suksesin e saj, aq më tepër se shumë poetë, pasi hyjnë në fushën e prozës, pas disa romaneve apo novelave e “harrojnë” poezinë, siç harrohet “dashnorja e parë”. Ndërsa shkruaj këto rreshta më kujtohet se në Panairin e fundit të librit në Tiranë, në momentin që do niste promovimi i përmbledhjes së tij poetike, një shkrimtar i shquar yni e pyet Nikon me shumë kuptimshmëri dhe humor:: Akoma vazhdon të shkruash poezi ti Niko Kacalidha? Ska rëndësi si ju përgjegj ky, rëndësi ka fakti që Niko Kacalidha akoma shkruan poezi!

Sarandë, më 9-12.12.2022

[1]Niko Kacalidha në vitin 1989 u dekorua me urdhrin “Naim Frashëri”, në vitin 2001 i jipet “Penda e argjendtë” nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë për përkthimin e Odiseas Elitis, në vitin 2012 i është akorduar nga Presidenti i Republikës titulli “Mjeshtër i Madh” [2] Për poezinë e Niko Kacalidhës në Shqipëri kanë shkruar Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Moikom Zeqi, Gëzim Basha,, Sadik Bejko, Timo Mërkuri, Jani Malo, Vangjush Ziko, Romeo Çollaku, Josif Papagjoni, Vasil Vasili, Ymer Çiraku, Perikli Jorgoni, Roland Gjoza, Alisa Velo etj

70 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page