NGA TAKIMI ME TË URTIN VISAR ZHITI


Thanas L. Gjika

NGA TAKIMI ME TË URTIN VISAR ZHITI

Këto ditë pandemie, duke ndjekur shpërthimin e pakënaqësive (të drejta e të padrejta) të shumë njerëzve këtu në Amerikë, të cilët po shprehen kundër padrejtësive të vjetra e të reja që janë bërë prej qeverive të të dy krahëve, mu kujtua një bisedë që kisha bërë me Visar Zhitin më 2018 gjatë vizitës në Tiranë.

Ishim ulur në një kafene anës rrugës së Elbasanit pranë Fakultetit Histori Filologji Visari me Edën dhe unë. Pasi këmbyem mendime për letërsinë e sotme ra fjala dhe për pasojat e sistemit diktatorial. Visari, pasi më dëgjoi se si po flisja me një farë urrejtjeje ndaj regjimit komunist, tha:

– “Të përndjekurit politikë kanë arësye ta urrejmë e kritikojmë atë regjim se ua mori pasuritë, i dënoi me burgje, i flaku nëpër kampe internimi, ku kaluan shumë vjet, ose gjithë periudhën e viteve 1945-1991, po ti nuk ke vuajtur si ata, ti more shkollim të lartë, t'u dha mundësia të punoje në një institut shkencor ku mbrojtje dhe grada e tituj shkencorë...

Me një fjalë desh të mësonte pse unë nuk isha si shumica e studiuesve të shkencave shoqërore, të cilët për të mos hedhur poshtë artikujt e studimet që kishin hartuar gjatë atij regjimi, mbronin me nostalgji atë regjim duke thënë se në atëhere u bënë shumë vepra të mira, se letërsia e shkencat shoqërore kishin pasur zhvillim pavarësisht nga disa të meta e dobësi...

– “Unë, u justifikova, e urrej dhe e kritikoj regjimin socialist sepse nuk më la të bëhesha trim, t'i thosha së bardhës e bardhë e së zezës e zezë. Se nuk më dha mundësi të formohesha si shkencëtar objektiv, por më dha një formim gjysmak sa për të vlerësuar e lëvduar arritjet e letësisë e të studimeve letrare të Shqipërisë, madje dhe këto jo të gjitha. Unë dhe kolegët e mij nuk lejoheshim dhe as kishim formim që të vlerësonim autorë madhorë si Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, etj”.

Visari ma preu urtë e butë:

“Trimi nuk bëhet, trimi lindet. Trimin nuk e formon qeveria ose sistemi shoqëror. Ti ke të drejtë ta kritikosh atë sistem për politizimin e skajshëm dhe për krimet që ai u bëri njerëzve”.

E kuptova se nuk kisha lindur trim dhe se trim nuk mund të bëhesha as tani që jetoja në Amerikë. Trima janë ata që nuk pyesin për pasojat, po e thonë hapur atë që ndjejnë e mendojnë. Mua dhe kolegëve të mij na lejohet të kritikojmë veten për gabimet e krimet që bëmë dhe sistemin për gabimet e krimet e tij...

59 views

Shkrimet e fundit