Nga proza tregimtare e shkrimtarit Sotir Athanasi


Prof.dr. Eshref Ymeri

Duke lexuar çdo vepër artistike, lexuesi i vëmendshën rri e përsiat në heshtjen e vet. Dhe është e pamundur që lexuesi të mos bjerë në përsiatje kur lexon diçka nga krijimtaria artistike e shkrimtarit aq origjinal Sotir Athanasi. Krijimtaria e tij, sidomos në gjininë e tregimit, është fort mbresëlënëse.

Para do kohësh lexova përmbledhjen e tij me tregime, me titull “Romancë nën Harkun e Triumfit”.

Fati i shkrimtarit Sotir Athanasi dhe i vetë veprës së tij artistike, janë çelësi për zbërthimin e idesë së saj. Vepra e tij është gjithmonë unikale dhe origjinale: në të është ngjizur personaliteti i papërsëritshëm i autorit të saj. Pikërisht mbi këtë veçori të krijimtarisë së tij artistike mbështetet këndvështrimi i veçantë i interpretimit të saj, që shërben si mënyrë e leximit të kësaj përmbledhjeje me tregime përmes personalitetit të autorit.

Kur e mbarova së lexuari përmbledhjen në fjalë, më erdhi ndër mend një shprehje e bukur e Viktor Hugoit (Victor Marie Hugo - 1802-1885), i cili thoshte:

“… shkrimtarët duhen gjykuar… në përputhje me disa ligje të pandryshueshme… të artit dhe me disa ligje të veçanta që lidhen me personalitetin e secilit prej tyre”.

Dhe me të vërtetë: shkrimtari Sotir Athanasi e tërheq lexuesin si me magji me natyrshmërinë e rrëfimit. Ai mund të ndodhet në një kafene me miq apo të njohur, mund të gjendet duke shëtitur me ta diku jashtë qytetit, mund të jetë duke udhëtuar me makinë, me tren apo me avion dhe aty për aty, në vetëdijen e tij vjen e merr formë një subjekt tregimi me përmbajtje mjaft emocionuese.

Tema e çdo tregimi të tij është objekt i fantazisë krijuese të autori, çka e bën lexuesin të mos e lëshojë librin nga dora, deri në faqen e fundit. Tema të tilla, si ajo e dashurisë me ecuri fatlume apo me fat plot trishtim, tema e marrëdhënieve prindër-fëmijë, tema e ballafaqimit të së mirës me të keqen, tema e miqësisë, tema e tradhtisë, tema e kristalizimit të karakterit të njeriut, tema e mirënjohjes dhe e mosmirënjohjes, tema e luftës së klasave në kushtet e diktaturës komuniste, tema e dhimbshme e braktisjes së vendit pas vendosjes së pluralizmit, tema e vlerësimit të talenteve, tema e indiferentizmit të shqiptarëve, e mishëruar aq bukur në tregimin “Kompleksi Gjenoveze”,janë me të vërtetë mallëngjyese dhe herë-herë marrin nota prekëse, deri edhe ngashëruese.

Sotir Athanasi

Shkrimtari Sotir Athanasi, me mjeshtërinë e magjisë së fjalës artistike, e përcjell lexuesin nga njëri tregim te tjetri, duke ia mbajtur pezull kërshërinë për fundin e secilit prej tyre. Ai ka një talent të veçantë për ta bërë lexuesin përjetues të emocioneve të veta. Një dhunti të tillë e zotërojnë vetëm shkrimtarët e talentuar.

Tregimet e këtij shkrimtari bin në sy për teknikën e hollë letrare, për analizën e thellë të gjendjeve emocionale të personazheve, në bashkërendim me një subjekt befasues. Ai e njeh mirë botën e brendshme dhe shijen e lexuesve dhe di se si t’i ndezë emocionet e tyre. Prandaj me përmbajtjen e tregimeve të veta ai e trondit fantazinë e tyre.

Mjaft oigjinal është stili i tregimeve të shkrimtarit. Ai përdor dy mënyra për shtjellimin e idesë së tyre. Të parën ia përcjell lexuesit me mjete artistike, duke i krijuar përshtypjen, sikur shkrimtari “e ka arratisur veten” nga përmbajtja e tyre. Mënyrën e dytë, në vetëdijen e lexuesit, ai e rrezaton me gjuhën e personazheve ose me përsiatjet e veta fort tërheqëse. Pra, në tregimet e tij ai është herë “i arratisur”, herë i pranishëm.

Ky lloj stili në rrëfimtarinë e shkrimtarit Sotir Athanasi më kujton një thënie fort kuptimplote të shkrimtarit realist francez Gustav Flober (Gustave Flaubert - 1821-1880), cili theksonte:

“Ashtu si puna e Hyjnisë, shkrimtari në librin e vet duhet të jetë kudo dhe askund, i padukshm dhe i kudondodhur’.

Këtë ide të shkrimtarit francez e çon më tej shkrimtari rusoamerikan Vladimir Nabokov (1899-1977):

“... në veprat, në të cilat autori është i padukshëm në një mënyrë ideale, prapëseprapë ai është i pranishëm në të gjithë librin dhe mungesa e tij vjen e shndërrohet në një prani plot shkëlqim”.

Në prozën tregimtare të shkrimtarit Sotir Athanasi të lë mbresa të fuqishme strukturimi i saj, thënë ndryshe, kompozicioni, pra, ndërtimi i tërë elementeve të përmbajtjes së saj. Përshtypje të veçantë i bën lexuesit kompozicioni i brendshëm i tregimeve të tij, i mishëruar mjeshtërisht në vizatimin e portreteve të personazheve apo në përshkrimet e mjedisit.

Tregimi me titull “Mbi një diskutim në kohën… e Konicës” të zhyt në vramendje të thella. Heroinë kryesore e atij tregimi është ajo fshatarja angleze dyzeteshtatëvjeçare, Susan Boyle, që ishte paraqitur para jurisë për të konkurruar me këngën e një këngëtareje të madhe amerikane. Paçka se jurisë ajo ju duk një profane hesapi, kur filloi ekzekutimin e këngës, atë dhe sallën i ngriti peshë nga entuziazmi. Dhe shkrimtari Sotir Athanasi, i cili Shqipërinë e do si jetën e tij, e vazhdon rrëfimtarinë me nota tejet emocionuese:

“Ishte hera e parë që atë sallë e atë juri ne e pamë, jo vetëm për të mbushur kohën me një program që përfundoi në diçka, lidhja, e cila, ndonëse me dhimbje, trokiste në atë “institucion” me emrin MENDËSI.

Sa shekuj larg qëndrojmë ne?

Domethënë shoqëria jonë shqiptare nga gjëra të tilla, të cilat jemi mësuar t’i gjejmë vetëm nëpër përralla…