top of page

Nga errësira në dritë, jo për të gjitha gjërat flitet njësoj


Nga errësira në dritë, jo për të gjitha gjërat flitet njësoj

Nga Fatmir Terziu

 

Mendova se do ta takoja diku tjetër. Është fjala për ndërrimin e viteve dhe natyrshëm njeriu në ditë të tilla, brenda mundësive të paktën mund të gjendej diku tjetër. Me këtë, diku tjetër, nuk dua t'ju lodh. Por unë jam shqiptar, dhe po flas nga tradita ime. Unë përshembull do të gjendesha në ndonjë supermarket ku shiten gjela deti, ose… le ta lëmë këtë temë, se varet si e gjykoni vetë. Atë e takova në Holland & Barrett. Kur përmend Holland & Barrett, menjëherë dua të ju bëj me dije se aty shkohet të blihen gjëra për një jetë të shëndetshme. Aty shiten ilaçe jo të ngjashme me ato të farmacive dhe vitamina të ndryshme, cilësira të tilla jete për përmirësime të dukshme e të padukshme, saqë unë besoj me gjithë qenien time të them publikisht, se sa i pavdekshëm mund të jetë një njeri, përderisa ha, pi, lyhet, pastron dhe përkujdeset për fytyrën, fërkohet në kokë, trup dhe në çdo cep të lëkurës dhe masazhon pluhurat e tij me të gjitha, kremrat, solucionet, pomadat dhe ngatërresat e tjera që ka. Dhe unë mund të mendoj për oferta të volitshme, më falni, çmime të volitshme! Me siguri në këtë pikë faraonët e Egjiptit do të kishin shpërthyer, që mos ta them pëlcitur nga zilia, nëse do ta dinin se sa ka përparuar mumifikimi këto ditë.

Shkurt ka përmirësim! Nuk duhet të jesh i vdekur që të dukesh i gjallë. Mjafton vetëm të presësh zbritjet dhe më pas të shikosh me gëzim faturën që të shfaqet para teje për shkak të dëshirës së çmendur, mos ta them të mallkuar për të qenë më, i, ose e bukur se kurrë. Pastaj rrudhat shtrihen, buzët rrumbullakosen në një buzëqeshje si një krap fotogjenik dhe flokët ngrihen si pas prekjes, se unë në fakt i kam dhënë prej vitesh me qira. Për të mos përmendur sytë! Ah, ata sy të papërmbajtshëm, që kërcejnë nga bazat e tyre në një vitrinë tjetër të paarritshme që i bën të përloten, sepse po të mos ishte ajo fatura idiote këtu, ajo veshje atje me stilin babilonas do të...

Por unë nuk shkova në Holland & Barrett për këto mrekullira, unë shkova se aty më dërgoi telefonata që më bëri Rusta. Dhe për shkak të bojës së preferuar të flokëve, sigurisht. Kush thotë se një person nuk mund të pëlqejë një dyqan për shkak të përputhjes së produktit dhe preferencave të atyre që gjenden në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend pas një telefonate? Dhe Rusta është i mahnitshëm! Që në takimin e pas-telefonatës. Më tha se ishte tashmë i kënaqur. Kishte filluar punë në Holland & Barrett. Dhe si i punësuar në këtë dyqan sikurse ju a përshkrova, kishte filluar dhe të bënte punën e propagandës së vetë dyqanit.

Ai më fliste ndërsa rregullonte gjithçka përreth në atë mënyrë që raftet të marrin jetë. Kur e takova dhjetë vjet më parë, ai kishte flokë të gjatë dhe të mbushur plotë me thinja.

- Duaje bardhësinë - më tha ai - kështu e quajta veten kur e pashë thinjën e parë në pasqyrë. Ngjyra të bardha në hijen e pasionit.

Pastaj flokët i preu shkurt dhe iu bënë kafe të thekët. Ishte rikthyer tek një vjeshtë e zbutur, më shpjegoi pasi i preu. Ai në atë kohë po lexonte disa ese filozofike, ndaj vendosi ta ndryshonte lukun e tij, që ta siguronte një punë. Iku dhe fitoi një intervistë pune. Dhe e gjithë kjo në një komunikim gjysma-gjysma në anglisht, se ai kishte vetëm dy muaj që kishte ardhur nga Maqedonia e Veriut, sepse ai ashtu u prezantua edhe me mua, fill pasi më dëgjoi duke biseduar me një shok nga telefoni im në supermarketin turk ku unë bëj mjaft nga blerjet e përditësisë. Dhe pasi unë i tregova se i blej këtu ushqimet, pasi na përshtaten, ai heshti dhe nuk foli, por …, pas disa minutash ma ktheu, e sheh, ose më saktë i sheh ato dy karrocat atje, janë të miat. Më duket se bleva gjysmën e dyqanit, sepse kisha ndjenjën e çmendur dhe m'u duk që i kisha folur shpirtit. Rusta sikur nuk shkonte shpesh për të blerë aty, por jetonte me atë ndjenjë të dëgjimit të gjuhës shqipe, qoftë dhe nga telefoni, dhe ndaj takoheshim aty thjesht për ta frymëzuar njëri-tjetrin. Puna e tij ishte të kujdesej për familjen e tij të madhe. Kishte dy gjyshërit, dy prindërit dhe shtatë fëmijë. Kishin ikur nga vendlindja në një vit krize të politikës vendase. Nejse këto janë punë personale.

Sot, flokët e tij të shkurtër ngjajnë si biond platini, të stilit Roxette nga vitet e tij më të mira të koncertit, dhe ata flokë të tillë të tij disi dridhen nervozisht në pjesën e pasme të dyqanit, si një gërshetim infinit me kërcënim dhëmbësh nën buzë nga nervozizmi i një mosmarrëveshjeje me një grua të moshuar, dhe duke e parë atë hipnotike, si dragua. Dhe unë e dëgjoj këtë mosmarrëveshje:

- Nëse nuk më paguani deri sonte, mos llogarisni më të flini qoftë dhe një orë më shumë në këtë divan – këputi fjalët gjysma-gjysma ajo grua që ishte disi rreth të pesëdhjetave.

Pastaj e hodhi mbi supe një shall të gjatë, njësoj si ato të blerët diku në Siberinë ruse, dhe turfulloi vetëm për ta shtuar situatën:

- Ka lekë për t'i ndërruar flokët çdo muaj, por sa i përket qirasë, ende nuk ka. Por as këtë nuk dua ta duroj! Mjaft!

Cila është origjina, e pyes i shtangur?

- Çfarë duhet të bëj, ku nuk e di as vetë - për herë të parë në anglisht më përgjigjet. Kjo është jeta, dhe ti ke ardhur të blesh pak bukuri. Nuk ka asnjë pikë. Nuk ia vlen!

- Ka, ka - e ndërpres - hidhe bukurinë, jepi pak jetë. Dhe nuk është falas, apo jo?

- Ajo ishte pronarja ime - thotë Rusta i zymtë dhe fare troç - kërkon qiranë për divanin që jetoj prej dhjetë vjetësh në hollin e saj. Pesëdhjetë paund. Pikërisht sot. Dhe unë do të paguhem pas tre ditësh. Asaj nuk i pëlqen të presë. Është....

- Çfarë - belbëzoj - si mund të jetoni në divan në atë sallë? Pse po ma bëni këtë shaka budallaqe?

- Është një sallë hyrëse e madhe - shpjegoi Rusta - dhe divani është pas një ekrani. Ai është shumë i pashëm. Me elefantë të stampuar dhe me çadra ari.

Të gjitha bojërat, vitaminat shëndetësore, kremrat magjike dhe aromat janë aq marramendëse para syve të mi, saqë më vjen një ndjesi e pjerrët në stomak, që më përcjell poshtë si në një centrifugë, që vepron pa u kuptuar.

- Dhe pse - e pyes - pse dreqin jetoni në këtë divan tash e dhjetë vjet?

- Sepse qiraja është në xhepin tim - përgjigjet ajo - në fillim ishte shtatëqind paund, por tani për shkak të inflacionit është hedhur në njëmijë e shtatëqind e pesëdhjetë. Dhe unë e marr me qira edhe këtë divanin e saj në këtë sallë të hapur ku paguaj mjaft pak …

I heshtur si një jehonë e vdekur. Rusta më shikon si i zënë me turp dhe vërtet si i zënë ngushtë më shton:

- Unë jam në fakt, më fal që s'të kam treguar drejt, unë jam nga një zonë e thellë në Veri të Shqipërisë. Unë kam prindërit e moshuar të bashkëshortes sime në atë zonë. Ata nuk kanë fëmijë tjetër përveç gruas sime, dhe në atë kohë pagova që ti merrja me vete edhe ata, por kontrabandistët më gënjyen. Fundja deshi Zoti që solla gjithë familjen time. Unë tani u dërgoj atyre pothuajse gjithçka që fitoj këtu. Për ushqim dhe ilaç. Unë nuk jam kthyer atje tek ata për shumë vjet, se ende nuk i kam paguar borxhet tek ata që më sollën. Por unë jam i lumtur, ata janë mirë. Dhe kështu e bëj jetën thjesht. Edhe flokët…, flokët e bashkëshortes sime ia pres dhe ia lyej vetë. Unë nuk paguaj për një parukier. Në mbrëmje ulem në divan dhe lexoj një libër interesant. Kështu kursej. Kursej dhe punoj dy turne bashkë. Vetëm jeta ime nuk mundet të kuptohet. Apo e kam gabim? Edhe ju keni nevojë për bukurinë, apo jo?

E kap për shpatullash, ia fus me forcë një pesëdhjetë paundsh të djersitur nga shtrëngimi inatçor në xhepin tim dhe e lë në dorën e Rustës. Paguajeni qiranë për atë divanin. Pastaj u përhumba në bukurinë që vezullonte jashtë. Qyteti qeshte bashkë me ndërrimin e viteve në reklamë. Një koncert i madh diku po zhvillohet enkas- fola me vete. Një çadër aty afër shet kafe italiane ekspres, sheshi është i pikturuar si afresk, dhe dora e Rustës më duket siku po më ofron kafe. Pas dorës së tij, vitrina e një dyqani Holland & Barrett pozon me një etiketë shitjesh të vitaminave me zbritje. Dhe nervozohem duke kërkuar më shumë rreth kësaj, por nga errësira në dritë, jo për të gjitha gjërat flitet njësoj. Jo të gjitha tregohen drejt.

18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page