top of page

NGA DASHURIA


Gentjan Banaj

KAHJE


Ti, unë, bota lindi

Në udhën ku të verbërit përplasin dritën drejt pakuptimit.

Kryqëzimet gatuajne shtegëtarë te ngratë

Atje ku unë me hijen time ndahemi ne ide

Me lutje të sfilitura humbur nëpër natë


Lindëm,

mes së mirës dhe së keqes pa kod në shpirt

e qeshura dhe heshtja u ndalën në buzë

njeriu do të vazhdoj të vras me sy

drejtuar nga qielli me valixhen për udhë.


Dhe këtu zoti qesh

Për shpirtin që as ai vetë s`di c`kupton

Kufij të mbrapshtë ndërton mes gjakut dhe ujit.

Dallgë trazimi mbi shpirtra, natën vonë.


Dhe ai hesht.Unë dhe ti kafshojmë

Mbetur si kryqe përmbi gurë dhe fjalë

Midis qiellit dhe tokës mbetet dyshimi

dhe ëngjëjt që lindin në shkallë.?!




ART IMALLKUAR


koha i kthen brinjët në shpata

shpatat - zejtarët mallkojnë.

armë ...të gatitura për një akt të nëmur

si fundi i arsyes a fillimi etjes per stoli

që nga drita e botës....


qëndisur

nga duar të uritura të një arti mbijetese

mbi heliken e kryqtë të kohës

ngulur në gjakun e trazuar të një zoti

të paditur

vrarë në rrugën e përditshme të vdekjes

një mesdite....

midis së mirës dhe së keqes



KAMBANA


Kambana ra. Ora 7 : 00

Tingujt morën udhën.

Heshtja pjell kufij mbi fushën e pamatë.


… 3 pika kërkojnë ngjyrën në eter


Ne cakun e dy kohëve

E tashmja uli bërrylat mbi qytet

… gjysmë dritë, gjysmë terr…


… 3 rrahje u perulën mbi trini


Në eter,

Filli I mbetur I agut

Shuhet në agoni


… 3 here mbi çati dielli u nis


Nga honi I kambanës

Gjuhëza ra,

Strehuar nën një qiparis


3 herë rrugët morën kthimin


Dhe vete tingujt u kthyen natë.

Kambana ndali.

Ora 7 : 00




KOHA


Qëndroj ballë pergamenit të kalbur

Një molë e bluan pa të keq me tik-tak.


Hieroglifet heshtin nën gri harrimi…,

Në lëkurën time mbijnë nga pak


Koha shkel mbi kufoma dhe eshtra

Duke thënë me vete një postulat modern.


Qëndroj ballë testamentit si kohë që shkoj

Rrotullimi rreth boshtit shkon dhe vjen.


Avujt e frymës vizatojnë një ëndërr

Deri sa bie si gërmë mbi pergamen .


Mola kompozon në tretjen e tik-takut

Gërmat rriten si bimë të përflakura.


Koha na përdor, apo ne kohën tonë

Harxhojmë me kupa uji të përgjakura!?



MËNGJES ME KUMBULLA


Agu rodhi prej syve të natës

ëndrra në zemër dremit ende

Mëkatin e lan një dush rutinë

Sikur në lëkurë edhe ajo fle


Ca petale kumbulle ranë mbi këpucë.

…Lëkura ime gatuar për udhë

Ndër pore kushedi c`hapa vizatove

Që tash ëndërimin ka nisur të humb


Më joshin këto lulkëza pranvere

Si gjallime të brishta në pergamen

Ca kode e shtresa kujtimesh të kota

Mban kënga mëngjesore , rekuiem.


Mëkati u zgjua me fytyrë të ndryshuar

Zemra dremit në të humburën gjurmë

Ca kanone të lashta rikthejnë shumën zero

Duke mbushur castet e lira me zhurmë


Zanafilla e ditës erdhi e mbrapsht

Sytë shpërgjumen mbi petalen flutur

C`stinë naïve do të lindë mbi këpucën

Që bëhet varr për lulen e bukur.


Udhëkryqe ranë këtij agu të pikuar

Petalet u mbyllën me fjalët nën zë,

As shkrime, as tinguj nuk bien nga uji

Dhe ëndrra prej zemrës nuk u zgjua më





kitarat bien mbi heshtje.


heshtja tingëllon shigjeta

që shkojnë si metrote e mesnatës

në errësirë.


sa shumë vaje e gota derdhen mbi hon

ku bie një kitarë e vetmuar

sa një kraharor.


kaq shumë arsye për t`i shkundur telat !

kaq shumë meditime për një këngë të shkruar

që rend të të kujtojë dhe sytë, dhe ikjen dhe trishtimin?!

...........................

sa një kraharor përngjet kitara !

..............

.................

kaq...

troku i territ mban ritmin e vetmisë

dhe mbrëmja bëhet tjetër kohë

ku gjithcka që ti kujton

është një copëz e jotja e mbetur pa zë dhe imazh.


heshtja nën hënë nxin sa një hon

akorde që vec pasthirma për ty më thone


hëna zbardh largësine midis nesh

qetësia e natës

prehet mbi akorde që nuk u luajtën kurrë

kitara vetmitare me jehonë mërzie

mbi sytë e mbushur me yje të shuar

rrugëve të mesantës ku zoti nuk ezkiston.


luan tek unë një serenatë...

një kitarë e vetmuar

sa një kraharor....


..................

................

akorde te trishta gjysmë errësire

veta e parë

minor


PAK PEIZAZH NGA VJESHTA E SAJ


Nje degëz

Si maja e një loti të rrokullisur në stinë


Avitet në xham.


Krah i venitur dega e tharë.


Vjeshtë...,

Vjeshtë e parë...


Me herët se stina e ikur

gjethja ra

si buzëmbrëmja

në shegën e përgjakur

të perëndimit te çarë.


Degë e avitur

me qiri përshpirtjeje

brinjë kishës sime të heshtur.

C`më kujton një ritëm ikjeje

me krahun tënd të tharë , mbetur



IKONA TË THYERA



Të pash në blicin e një krisme,

Diku midis humbjes dhe rënies

Anuar si rënkim i zemëruar

Në instiktin e epërm të qënies.


Të pashë në blicin e një kohe

Dhe ti më pe si bust të anuar

Tek zgjasnim duart marramendsh

Si arna të kohës sonë të arnuar.


E sërish në drita krismash

Zeusi na ndiqte në harresë,

Të ikur, të anuar, vajtueshëm

Diku midis humbjes dhe rënies.


KARMA


Mos shkruaj më fal, mbi letrën prej bore

As shpirtin zëulet mos e pëshpërit më,

Në fushë, minutat kapin fundin e një ore

E kohë ciklike s`do ketë mbi të.


Datat kalendarike do te vijnë sërisht

Si rekuiem i thjeshtë përkujtimor.

Atje, mbi puthje u heshtën dashuritë

U ndamë, askush se ka fatin në dorë.


Ik. Një tjetër qiell është ai, Dikush

Ose një yll me rrugën sa një lutje.

Dhe ti, si unë, vetmisht heshtja të mbush

Me petka pëshpërimash e përshpirtje.


Orët janë të gjata, ka ende mjaft kohë

Për të vrare edhe erën që të luante mbi flokë.

Pak copëza nga unë të kanë mbetur mbi lëkurë

Nxito pra, t`i strukësh dhe ato nën tokë.


Ti. Unë. Shumë heshtje shoh në ëndrra,

Dhe mbrëmja pas pak do të bjerë natë.

Harrimi vrapon të kapë të tjerë akrepa

... dashuritë e mëdha kurrë nuk kanë fat !



NGA DASHURIA



nga dashuria përvidhet pak nga ti

që tundon me rënien nga qielli

deri mbi qerpik,

si zjarr i sosur në hi


ku i dihet c`bën dashuria këtë mbrëmje

është hi që zhuritet në zemrën e mërzitur nga pritja,

apo lot humbjeje mbi fjalën “të dua"

a ndoshta është ulur përunjësisht

si Harrim i vetes

në gjunjet e tua ?!


ku i dihet c`bën ti këtë mbrëmje

ti që i jep qiellit flu të përndritur

dhe flakë të përmallshme nga koha "e shkuar"

ti që më nxit mendime per ty

kur më mbush plot me imazhin tënd deri tek

Hëna,

hëna që sonte më paska harruar.




Më përgjunj flaka jote

Aq të dobët më bën…

Re të ngarkuar deri në mërzi...

Iki si rrebesh ne perëndim, e përsëri

Ajo që s`ikën nga zemra je ti.


më dhëmb këtu mbi gjoks dicka që dua t`a them

ndërsa ti

hap krahët thjesht si për të spjeguar me gjeste

që unë më e jotja nuk do të jem,

që nuk do të vish

e që stinët ia lënë vendin njëra-tjetrës

e ndërtojne ikona të brishta kohësh e perëndish


m`i tundon qerpikët , ti,

që më bën edhe të përlotem

ti, që më bën

hi

robin tënd të djegur përbrenda

…e teksa sakaq mungon

kaq thjesht sa heshtja

më mbeten trishtimi

dhe hëna


një cast mendova

se dashuria

kjo mollë ndriçimi e kafshuar

ka ardhur në botë

si qerpiku yt që ndërton

castin tonë

atë cast të përjetshëm , të bekuar...


kështu mendova teksa ti pohove thjesht

kaq thjesht ngrite vetullat e mohimit e më puthe duke tundur lamtumirën në duar

ishte diku-dikur -dikush

tashmë s`je ti

zemra shkon në një tjetër ritem

zemra

kjo molla jote e mallkuar

159 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page