top of page

NEXHI BAUSHI DERDH GJITË DASHURINË E SAJ PËR VENDLINDJEN E TË PARËVE


SHPENDI TOPOLLAJ



(Rreth romanit “Mall që djeg”)


Pas botimit të disa librave me poezi, monografi dhe vështrime letrare, autorja Nexhi Baushi, paraqet para lexuesve romanin e saj, bazuar në kujtime, studime dhe legjenda, titulluar “Mall që djeg”, të cilin ja dedikon dy personazheve, babait të saj Ajdin dhe katragjyshit nga nëna Salem Tamizi. Ngjarjet pak a shumë janë kufizuar në trevën e vendlindjes së tyre, Steblevë, për të cilin edhe ajo vetë ruan me fanatizëm dhe romantikë bashkë, kujtimet më të bukura nga koha kur shkonte atje gjatë pushimeve shkollore. Stebleva është pjesë e atdheut dhe dashuria për të, është dashuri për Atdheun. Gëtja, duke folur për kuptimin e kësaj dashurie, ka thënë se “Atdheut nuk i shërbejnë të gjithë në të njëjtën mënyrë, por secili bën atë që e di ç`i ka dhënë natyra”. Atij që natyra i ka dhënë talentin, pa tjetër që do t`i shërbejë atij, duke shkruar, pavarësisht moshës, sikurse bën dhe Nexhi. Shumica e shqiptarëve e kanë origjinën nga fshati. Dhe shumica e kësaj shumice, atje kishin edhe gjyshërit e tyre. Nga dashuria dhe respekti që prindërit tanë kishin për ta, por edhe nga nostalgjia për vitet që kishin jetuar atje, ata do t`i çonin herë pas here edhe fëmijët në ato mjedise. Jo se fshati shqiptar, kishte ndonjë standard jetese për ta pasur zili, jo se banorët atje nuk kishin një pafundësi hallesh, mungesash e vështirësish, por virtytet e njerëzve, ruajtja e zakoneve, respekti për të moshuarit, ngrohtësia e dashamirësia e banorëve, madje edhe bukuritë e natyrës që i mungonin qytetit, bënin që edhe ata të ruanin mbresat më të mira e më të pashlyeshme. Dhe dua të besoj se nuk jam vetëm unë që shpesh herë sjell ndërmend me një ngazëllim të veçantë, gurgullimën e ujit akull të kroit, shijen e papërsëritshme të frutave e gatimeve të atyre nikoqireve, erën e tymit që dilte nga oxhakët, zhurmën e dybekut që tundte dhallën, lehjen e qenit në oborr, zërin e këndezit mëngjeseve, thirrjen e çobanit: “nxirrni bagëtinë, ore!”, larjen e rrobave nga gratë në lumë, harenë e shirjes së grurit në lëmë, shkuarjen te mulliri për të bluar bereqetin, gëzimin e pafshehur kur vinin për darkë mysafirë, kuvendimin me hënën natën, kur na lejonin të dilnim edhe ne luadheve për të kullotur kuajt, e deri djersën e tyre kur ngjisnin rrugët e përpjeta me kalldrëm. Këtë dashuri e gjeta edhe te libri i autores Nexhi Baushi, të cilës vetëm kënga e babait “A më dëgjon e shtrenjta nënë”, apo zëri i kavallit të tij e bëjnë të pohojë se “… zhytej nën ata tinguj aq të ëmbël, aq sa i dukej se gjithë fëmijëria e saj ishin përkundur nën ata tinguj, që rridhin ngadalë prej bjeshkëve të largëta e të magjishme të vendlindjes së të parëve”. Por a ka ndonjë ndryshim të madh fshati të parëve të saj nga fshatrat e tjera? Kuptohet që jo. E shumta, ndryshimi mund të jetë te ndodhitë në shekuj, kurse gjithkujt fshati i tij i duket më i bukuri. Pikërisht për këtë, kur ajo përshkruan mrekullinë dhe shkëlqimin e fshatit të babait, gjithkujt i duket sikur flet për fshatin e tij. Kjo, dhe sinqeriteti me të cilin ajo flet, ndofta është dhe arsyeja kryesore, që libri të tërheq kaq shumë. Dhe jo vetëm sinqeriteti, por edhe thjeshtësia e të shkruarit i jep këtij romani vlerat e duhura. Pastaj, s`duhet harruar informacioni i madh që merr prej tij për karaktere njerëzorë dhe ngjarje, shpesh të pabesueshme. Shkimtarja - poete Vllasova Musta, në fjalën hyrëse është shprehur se: “Në prozën e Nexhi Baushit ka lirizëm, ka ngrohtësi, ka emocion sepse ajo është poete në shpirt, ka thagmën e së bukurës dhe di ta përcjellë këtë me finesën e fjalës dhe dritën e mendimit”. Nexhi di të shkrihet dhe të bëhet njësh me dëshirat e shijet e lexuesit. Ajo e ka të qartë se çfarë i bën përshtypje atij dhe çfarë e ngacmon thellë shpirtit. Gjithmonë e kam kujtuar atë bajamen e heshtur atje në oborrin e shtëpisë së gjyshërve të mi, në Novoselë të Kolonjës. Ajo m`u shfaq edhe te ky roman, te dardha për të cilën flet kjo autore. Ah! Të kishin gojë e të flisnin ato pemë të vjetra që s`i mposhti koha. Se kanë qenë dëshmitare të paanëshme të shumë historive të vogla e të mëdha. E thotë dhe vetë kënga: “Dardha shekull, / Gojë nuk ka, / Por, unë e di, / Sa breza kaluan, Rrugës poshtë saj, / Sa dasma, u bënë, / Sa bajraqe, u ngritën, / Sa lodra, u ndezën, / Sa valle, u hoqën, / Sa djepe, u përkundën, / Nën hijen e saj, / Sa ninulla, / Sa zënka e qeshje vogëlushësh, / Dardha me veshët e saj dëgjoi.” Pra, dardha nuk është vetëm metaforike, ajo gati - gati të duket si njëri, rreth të cilës vërtiten breza të tërë, me gëzimet e hidhërimet e tyre. Edhe pse konturimin e saj të plotë, lexuesi e ndesh aty nga mesi i romanit, përsëri i duket se ajo dardhë është strumbullari i të gjithë zhvillimit artistik të librit. Se ajo dardhë, dashje pa dashje është vetë historia. Ajo ka parë gjysh - stërgjyshët e vajzës së vogël Mija (autores), babait të saj, motrave, kushërinjve, bashkëfshatarëve dhe sidomos të Hallës Lime, gruas së mençur që kishte parë e hequr shumë në jetë, që kishte përjetuar vdekjen tragjike të katër djemve. Gruas që dinte që t`i zgjonte asaj vajzës së vogël kurioze, interesin teksa i rrëfente legjendën a të vërtetën tragjike të dashurisë së Dimjanës, vajzës së bukur të Risto Dumnicës të besimit ortodoks me djaloshin musliman Salem Tamizin, që e befason duke i thënë se ka qenë katragjyshi i saj. Jemi mësuar që rrëmbimin e gruas ta shihnim te mikenasi Menelau, i bërë mbret i Spartës, të cilit Paridi, edhe pse ky e priti me gjithë të mirat, ia mori gruan, Helenën e famshme, çka shkaktoi atë luftën e madhe. Por fundja, Helena deshi vetë të ikte me të dashurin e saj, kurse steblevasi Salem, që e kish rrëmbyer gruan e tij qysh kur qe vajzë, dhe që duheshin aq shumë, u hidhërua pa masë, kur atë ja morën nga magjja e gatimit vëllezërit e saj dhe e mbyllën në manastirin e “Vajzave mëkatare” në Selanik. Ai ju fut i vetëm disa bredhjeve plot aventura, deri në Bullgari, kurse Menelau shkoi me ushtri në Trojë, prej nga e mori përsëri gruan që e çoi në vendin e tij. Dhe të gjorit Salem i vajti mundimi kot, pasi përsëri vëllezërit e gruas nuk ju ndanë gjersa ja rrëmbyen sërish. Pra shihni si përsëriten gjërat, me përmasa të tjera, por me brenga njësoj të dhimbshme, me lot e psherërima, pavarësisht se njëri ishte mbret e tjetri një fshatar i thjeshtë. Në këtë libër, Nexhi Baushi rreket të shpjegojë edhe ndonjë gjë të diskutueshme, deri dhe etimologjike, si fjala vjen prejardhjen e emrit Steblevë, origjinën e ngujimit të banorëve të parë në atë fshat, rolin që luajti pushtimi bullgar, përdorimin e dy gjuhëve, nashki dhe shqipe, marrëdhënieve miqësore me vendet e huaja fqinje, etj. Vend të veçantë i ka kushtuar dasmave, festave, folklorit, mirëkuptimit të tyre me banorët e zonave rreth e rrotull, harmonisë në familje, dëshirës për arsimim të fëmijëve, ndihmës reciproke, kontributit në ndërtim anë e kënd Shqipërisë, vendosjes së tyre në Tiranë. Është ndalur gjatë te përshkrimi i punëve që ata kryenin aty te Pazari i Vjetër, për të cilin i vjen keq që bashkë me objekte të tjera që përbënin identitetin e kryeqytetit dhe që i përshkruan me radhë e kompetencë miku im shkrimtar Spiro Mhilli në librat e tij, u prishën. Për t`i mbyllur këto shënime, dua të theksoj se autorja e pasionuar Nexhi Baushi, e ka realizuar më së miri, qëllimin për të cilin e ka shkruar këtë libër, qëllim i cili synon të na kujtojë se asnjëherë nuk duhet harruar vendi nga vimë, sikurse na porosit edhe filozofi francez Volteri se “Vendi ynë është ajo pikë në të cilën zemra jonë është lidhur”.

55 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page