Nexhbedin Basha: “Flamuri im” është një akt dashurie poetike
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 3 min read

“Flamuri im” është një akt dashurie poetike
Nga Nexhbedin Basha
Poezia “Flamuri im” e poetit Fatmir Terziu. është një himn shpirtëror, ku autori ngrihet mbi vetveten për t’u bërë pjesë e një simboli më të madh: Flamurit të Kombit. Në çdo varg, ndjehet një lutje, një përulësi e lartë dhe një krenari e thellë, të cilat ndërthuren me gjuhë poetike të pastër e të ndriçuar.
Autori kërkon të mos jetë thjesht një shikues i flamurit, por vetë përbërja e tij: emblema, molekula, himni dhe besimi i tij. Këto metafora e vendosin njeriun brenda simbolit kombëtar, duke e shndërruar në pjesë organike të tij. Flamuri nuk është vetëm një copë pëlhurë, por përbërje e ndjenjës e historisë së poetit.
Poezia është një dialog i vazhdueshëm me Atdheun. Ti drejtohesh flamurit si një qenie e gjallë, i jep vargut solemnitet, ndërsa kërkesa që ai të të mbështjellë e ngre aktin poetik në rit të betimit. Këtu gjendet thelbi i patriotizmit të pastër: dëshira për përkatësi, për njohje dhe për pavdekësi në kujtesën kolektive.
Në vargje "fshihet" nderimi i madh për historinë dhe sakrificën kombëtare. Referencat për shtyllat e Babilonisë, rrënjët ilire dhe memorjet e stërgjyshërve e kthejnë poezinë në një udhëtim të gjerë kohor, ku flamuri është dëshmitar dhe poeti është zëri që e ringjall. Ai bëhet kujdestari i vlerave të shenjta që kanë mbajtur gjallë arbërorin në shekuj.
Në këtë poezi gërshetohet theksi patriotik me dimensionin shpirtëror. Vargu “Jam krenar që jam Shqiptar!” nuk është thjesht deklarim, por vulë e identitetit. Flamuri është strehë dhe dritë, është fat dhe shpresë për çdo bir e bijë të këtij trualli.
Përmasën më njerëzore poeti e zbulon në fund: “Më bëj dikush..., thjesht Njeri, të të meritoj të më mbash në gji”. Kjo e ul madhështinë në zemër njeriu dhe e kthen krenarinë në ndjenjë të përulur dhe të sinqertë. Është zëri i çdo shqiptari që kërkon të mos mbetet i harruar.
Mall dhe dhimbje shfaqen në vargun “edhe pse jam i mërguar!”. Poeti sjell pranë flamurit shpirtin e shqiptarit që jeton larg atdheut, por që nuk ndahet kurrë prej tij. Kjo e bën poezinë të prekë zemrën e mbarë diasporës.
Përfundim
“Flamuri im” është një akt dashurie poetike ndaj flamurit, identitetit dhe kujtesës kombëtare. Është poezi që ngritë lart kombin, por edhe e ngjiz atë brenda njeriut. Këtu flamuri bëhet Atdheu vetë, Atdheu bëhet gjak, ndërsa poeti, dëshmi e pavdekshme e tij. Vargjet kanë rit himnor, gjuhë të zgjedhur dhe figura të fuqishme që e bëjnë këtë poezi të rrahë si zemra e një shqiptari krenar.
Nexhbedin Basha
Gazetar, poet e kritik letrar
FATMIR TERZIU: FLAMURI IM!
Nga Fatmir Terziu
Më bëj emblemën tënde,
duke më mbështjellur me frymëzim
mblidhmi ngjyrat më të mira
le të shihen
përmes veprave dhe vargjeve të mia.
Më bëj molekulën tënde, Flamuri im
më lart nga shtyllat e Babilonisë,
më shpurpurit me valëvitjen tënde me qëllim,
jam shpirti yt,
palitja e erës që përgjithmonë zgjat.
Më bëj himnin tënd
me të vërtetën mbi fjalë që duken aq të qarta
më këndo me zë të lartë dhe të vërtetë që merr dhenë,
këndo gjithmonë për të gjithë për të dëgjuar:
“Duaje Atdhenë, si shqipja folenë!”
Më bëj besimin tënd,
premtimin e strukur memorjeve të stërgjyshërve
bashkërisht të mbajmë gjithmonë
Emrin e pavdekshëm, të shkruar me ar,
m’a shkruaj me zemër e bardhësi atje lart:
“Jam krenar që jam Shqiptar!”
Më bëj palë me dashurinë tënde
strehëza ku nuk dallohet nata dhe dita
një strehë e sigurt për t’u kthyer mbi vargjet e një kënge
me fatin më të Shenjtë të arbërorit u rrita.
Ose thjesht ...
Më bëj dikush ..., thjesht Njeri
të të meritoj të më mbash në gji ...
Kështu që të paktën e di që unë ekzistoj
më bëj një dikë të thjeshtë në jetën tënde,
më bëj pjesë e Hymnit, pjesë e kësaj kënge,
jo vetëm një emër në një listë të harruar,
nga rrënjët Ilire, në atë mrekulli, mbi atë truall,
më zgjo me ninullën e nënës sime të shtrenjtë
edhe pse jam i mërguar!









Comments