“Zeri I Rinise”, e Merkure, 24 KORRIK 1991
Gjithandej: Në parlament, qeveri, komitete, gazeta qendrore dhe lokale, madje në 100 për qind të bisedave të lira të qytetarëve të lirë, diskutohet e flitet vetëm për dy Kategori Qytetarësh: Ata që kanë qenë në BLLOK (të privilegjuarit ekstremë) dhe ata që kanë qenë në BURGJET POLITIKE (të privuarit ekstremë)...!
Merret vesh pse: Blloku i Tiranës (Byro-Blloku) dhe anëtarët e tij me korrespondencë në rrethet, duhet të përgjigjen për zhvillimet tyre. Më e pakta, ata duhet të largohen prej vend-privilegjeve të deri-tanishme! Dhe, ata po “lëvizin” prej andej.
Për shembull, familja Hoxha është zhvendosur nga qendra e Bllokut për në skajin e tij! Marrim vesh se katin e parë të vilës e ka akaparuar ish-shoku Rita Marko, katin e dytë e veja e Enver Hoxhës, dhe të tretin ndofta Rakip Balla (flitet se ai do të këmbehet vullnetarisht me familjen e të shoqit të P. Hoxhës!).
Me po këtë mënyrë dialektike të lëvizjes kanë lëvizur edhe bllokistët e tjerë, të të gjitha niveleve. Thonë, se këto gjysma-vilash u janë dhënë derisa të zhvillohen hetimet apo proceset përkatëse... Mbase, POR, unë dhe homologët e mi, që s'kemi qenë në Bllok si do bëjmë deri atëherë...?!
Lexuam në gazetën “Bashkimi” se Sokol Hoxhën po e vret ndërgjegjja shumë për ato që paska marrë vesh vitin e fundit. E paskan marrë në qafë të shkretin! As që e paska ditur se të shkuarit jashtë shtetit, qoftë edhe për vizita mjekësore (të detyruara nga mjeku i familjes sipas tij!) u paguaka me valutë aq të madhe! Fëmijë të pafajshëm, por edhe Demokracia ç'merret me ta! Më kot u vardisemi për t'i bërë fajtorë!
Sokoli me sinqeritet deklaron se bashkë me gruan e fëmijët e tij, nuk ka patur veçse një ‘komoditet mesatar’ dhe jetojnë ‘në nivelin social ekonomik të të gjithë popullit’(!). Akoma edhe sot e kësaj dite, zoti drejtor i përgjithshëm i PT, nuk e njihkeni popullin tuaj të mrekullueshëm, të cilit nxitoni t'i shfajësoheni vetëm duke i kërkuar të falur për të kaluarën?!
Ende nuk e kini parë ndonjëherë tregun e Tiranës, nuk dini çfarë hanë fëmijët tanë. Meqë ra fjala te furnizimet, kush ua bën ato këto kohë, se nuk ju kanë parë të ngriheni në mesnatë për të zënë radhën e qumështit? Ende e quani të natyrshme mbetjen edhe më tej në qoshe të Bllokut të privilegjeve?
Mirë për të shkuarën që Ju (dhe A. Kamberët e A. Alushanët) bëni fajtor Ligjin (sikur Ligji të kishte rënë nga qielli dhe jo nga vetë Ju dhe ministrat tuaj të bindur!), po për “naivitetin” tuaj si do mendojmë ne, populli?! Me se qenka marrë shoku Enver kur as ju s'qenkeni edukuar si shërbëtorë të popullit?!
Ju, vëllezërit Hoxha, luteni që ne të kemi edhe pak durim...! DURIM, akoma?! Pra, ju ende në vila dhe ne, që s'kemi qenë as në Blloqet, as në Burgjet, që s'kemi as mundësi banimi as mundësi të ushqyeri, të gjejmë qetësi për t'u mashtruar edhe më tej?!
Nuk besoni që PERSERI po na mashtroni, Sokol?! (Në të vërtetë nuk keni faj: Kur s'kuptuat dot abuzimet tuaja të deritanishme, si mund të revoltoheni ndaj a-tyre të tanishme...!).
Ndërkohë ish të burgosurit politikë po priten nëpër zyra, ndokujt prej tyre po i hapet rrugë për të jetuar, ndokujt po i jepet punë e shtëpi. Ndokujt...
Midis tyre ka jo pak që “duhen privilegjuar”, pse jo, deri në vënien në dispozicion të kateve të vilave! Flas gjithnjë për të burgosurit e vërtetë politikë, për ata që kanë luftuar dhe janë ndëshkuar si kundërshtarët politikë të Kreut dhe rrethit të parë të Diktaturës.
E përse duhen quajtur si të tillë disa që janë rrëzuar në garën e egos për pushtet? Ç’gjë të përbashkët kanë me demokratët këta njerëz? Përse duhen rikthyer ata në privilegjet e kohës së mëparshme, kur edhe vet ata kanë qenë instrumente dhe madje, ideologë të diktaturës? Themi kështu se edhe kështu po ndodh.
“Jemi të burgosur politikë!”, thonë edhe demokratët e ndëshkuar, edhe demokratët rastësorë dhe thërrasin në ndihmë të drejtat e Njeriut, të cilat ata vetë i kanë marrë nëpërkëmbë, në kohën kur përpiqeshin të mbaheshin në kurorën e Diktaturës.
Do të kërkonim ndjesë të menjëhershme, nëse këto rreshta do të ngjallnin qoftë edhe ekuivokun më të vogël rreth “krimit dhe ndëshkimit” të çdonjërit prej të burgosurve politikë. Ata hynë në kampet e “riedukimit” si pjesa jonë. Diktatura nuk mund të na burgoste të gjithë!
Ashtu siç nuk mund ta mbante përgjithnjë në burg një njeri si Petro Markon, për shembull. E “falte” Petron, dhe Petroja shëtiste i vetëm, i braktisur për shkak të emrit “rebel” që gëzonte në opinion. Edhe “i falur», por i vetmuar në shëtitjen e mbrëmjes, Petroja, i pa-përgjunjur ndaj diktaturës, sikur përcillte kërcënimin e diktaturës: Po të doni, diIni si ky, dhe keni për të mbetur të vetmuar! Ky ishte “mesazhi i pushtetit”, jo i Petros, jo i njerëzve të lirë që megjithatë nuk u ndrynë dot brenda!
Një popull i tërë nuk mund të mbahet gjatë i verbër, as rob. Populli nga vetia e tij e brendshme është “rebel”. Ai pa-pushim përballet me dhunën, duke humbur e sakrifikuar pjesë të tij, por jo përfundimisht. Ai vazhdimisht rigjeneron pjesët e goditura të vetes, por s'ka si të mohohet se këtë rigjenerim e bën pjesa e mbetur shëndoshë.
Ata që ndryheshin burgjeve mbetën gjallë, se shpresa rronte jashtë telave me gjemba. Rinia luftonte, me ulje-ngritjet e veta, por prapë luftonte dhe fitonte, edhe pa e shpallur. Fitorja e demokracisë u fitua jashtë burgut edhe për “pionierët” e ndëshkuar, por jo vetëm për ata.
“Burgu i madh, e përfshin burgun e vogël…”, do të shpreheshim me fjalët e Sherif Merdanit. Le ta respektojmë njëri-tjetrin edhe më tej, në marrëveshjen e demokracisë…
Ne që s'kemi qenë as në Bllok as në Burg...si të bëjmë ne?! Ka kaq muaj që askush nuk na pret të qajmë hall. Komitetet Ekzekutive dhe funksionarët e lartë, presin dhe zgjidhin vetëm hallet e ish shefave të vet (të privilegjuarve) dhe të viktimave të tyre (“universitarëve të Burrelit” etj.). Qeveritë ndjekin njëra-tjetrën dhe, duke luftuar për njërën apo tjetrën, ne mbetëm për vete pa paqe! S'qenkemi demokratë, se s'kemi qenë as në Burg, as në Bllok?! Mbase vetë e kemi fajin: Mirë që në Bllok nuk hynim dot, por në Burg s’ishte e vështirë të shkonim...
Comments