top of page

Ndryshe nuk është nam...


Blerina Kanxha

Unë kam lënë edhe nam, por kjo besoj është çështje fati. Tipi prsh kur ke qimen e derrit. Kësoj lloj fati kam. Para dy verash, në Elbasan, takoj mësuesen time të parë të gjuhës e letërsisë. Mësuese Lutfija kishte dorën e hekurt. Nëse nuk ia qëndisje mësimin me fjalë si e donte ajo nuk të vinte notën që ti mendoje se doje. Mësuese Lutfija nuk ma përkëdhelte sedrën kur shkruaja poezi. Madje njëherë ma grisi një poezi para klase. Unë isha klysh 10 vjeçar që kisha stisur ca fjalëbashkë me rimë dhe ajo ma dha shijen e parë të hidhur të kritikës letrare. Frap frup u gris letra, më pa e zhgënjyer dhe më tha mos shkruaj më budallallëqe. Unë asokohe qava. Por mirë m'u bë. Fundja, kisha shkruar një paçavure. Mësuese Luftija ishte nga ata njerëz që flisnin me formula të tilla: Blerina, ti je blerimi i klasës. Dhe unë nuk dija në ta merrja për kompliment apo ironi. Po ashtu ishte nga ato mësuese që të bënin të recitoje gjithë rilindasit sa herë të donte ajo. Qejf e kishte Naim Frashërin, aq qejf e kishte sa mua ma nxorri nga qejfi saqë i kam shpallur luftë Naimit përjetë. Po ama, sado që unë shtrëngohesha e bëja çmos të isha sa më mirë, nuk isha e preferuara e saj. Ishte dikush tjetër në klasë, një goc super yll dhe e zgjuar dhe me të drejtë ishte shumë e mirë.

Sidoqoftë, në Elbasan pra, dy vera më parë i turrem nga pas mësuese Lutfijes dhe e pyes në më mban mend. Kishte humbur pak shikimin, e ndërkohë që po i jepja detaje për veten më tha: Ah ti je Kanxha, po ty t'ka pas mësuesja shumë të mirë...nuk rrije rehat sikur kishe kryma te barku po ishe shumë e mirë, t'ka pas zysha ma t'mirën. Pas kësaj, i them, sikur kam bë arritje të madhe: kam mbaruar për gjuhë letërsi..

Më tha: Po ç'pate. Edhe në juridik mirë do ishe.

Dhe vazhdova: Tani do studioj në Itali..

Më tha: ah shyqyr paske shpëtu!

Aty vërtetova që është e vërtetë që kam kryma te barku dhe i thashë: E di që dhe aq shumë qejf s'më kishe.. doje më shumë atë gocën tjetër.

Kur e kapi për kë e kisha, më tha po edhe atë zysha e donte. Sakaq, nëse kisha edhe fijet më të vogla të dyshimit se karma nuk ekziston, provova të kundërtën. Nuk e di nga, si, qysh, tek por ish shoqja ime e klasës, atë që sapo i përmenda emrin vjen drejt nesh e po ashtu e takon zyshën.

Nervi duke qenë nerv, shpërtheu dhe i thashë shoqes pa pikën e turpit, ua fiks për ty po flisnim. Po i ndjeja krymat e barkut tek bënin vetëvrasje. Sado folëm gjithë siklet për klasën e pestë, zysha më tha në fund që më kishte xhan dhe ma uroi një fat të mirë. Pra burrë.

E bukura e gjithë kësaj ishte se bashkë me mua ishte dhe një tjetër shoqja ime, Ledia. Ajo pa gjithë skenën, dëgjoi gjithçka, jashtë vullnetit të saj, por ishte aty dhe mendoj se kjo ishte pika mbi i. Ledia duroi gjatë, e aty kuptova që nami duhet lenë për ta parë sa më shumë vetë. Ndryshe nuk është nam.

44 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page