Ndodh qe ka dhe MIRËNJOHJE
tregim nga Kristaq Turtulli
Nuk e kuptoj përse më acaron nervat ajo femër e panjohur që vjen vërdallë edhe pse i vë fytyrës një shprehje mallëngjyese! S’më hyn në punë ky mallëngjim i pavlerë nga një femër që s’e kam ndeshur kurrë më parë në jetë. Mund të jem sa gjysma e moshës së saj. S’është as e re dreqi ta hajë, që... Përnjëherësh më erdhi turp nga vetja që mendova ashtu, si një zarbë. Eh, e njoh mirë veten. time Ah moj zonjë, s’jam nga ai brumë që mund të mendosh. Gjithsesi, do gjej mundësinë dhe të ta them me edukatë të më lesh rehat dhe, aq më tepër jam një copë hallexhi. E ngrita me borxhe këtë barakë, të nxjerr kafshatën e gojës, prandaj s’do ta lejoj mendjen të bredhë në shtigje të verbëta. Po sikur të jetë provokim? Djall o punë, si s’mu ndanë provokimet përgjatë jetës sime.
Ja, përsëri qëndron mbështetur në njërin nga gurët rrethues, të bustit. Në pellgjet e vegjël të trotuarit lëvizin me plogështi tre trumcakë, ndërsa ajo mbërthyer nga mëdyshja e mundimshme e lëvizjes. Tre trumcakët u afruan pranë gruas, i çukitën këpucët e vogla, të kafenjta. Gruaja uli sytë, vështroi krijesat e brishta dhe s’lëvizi. Dikush mund të mendojë që s’lëvizi ngaqë s’do të trembte zogjtë, ndërsa për mua është ndryshe. Gruaja e panjohur dhe dje kreu të njëjtin veprim; u mëdysht një copë herë, në trotuarin përballë, pastaj kur s’e prisja më mbiu përpara. Më nguli sytë mallëngjyeshëm. U mat disa herë të fliste, por kur pa shikimin tim të bezdisur, ndërroi mendje. Hapi çantën me vrull, bleu çokolatën ‘Hilal’ dhe iku me ngut.
‘S’është e nevojshme të vijë përsëri,’ u grinda me vete dhe vështrova nga ajo me bezdi, si t’i thosha: ‘Moj ti, e kupton, më shqetëson dhe pikë’.
Trumcakët fluturuan. Gruaja u shkëput me nervozizëm, ndoshta e ftohu guri ku qe mbështetur dhe, lagur nga shirat. Shtriu pa qenë nevoja fustanin e gjatë, të errët, të modës së vjetër. Ajo ka trup mesatar, flokë gjysmë të zbardhur, të mbledhura topth prapa kokës. Duket vërtet e shkuar në moshë.
Gruaja qëndroi pa lëvizur në cep të trotuarit, shtruar me pllaka betoni dhe, pellgore të vogla. Ngriti krahët, i kryqëzoi lart mbi kokë dhe futi një karficë të plotë në topthin e flokëve, ndoshta me ndjesinë e shpupuritjes së papritur të flokëve.
-Ç‘është e vërteta, klientë dua,- murmurita si të qetësoja veten dhe vendosa në raft çokollata dhe mastika të tjera.
Përgjoja me bisht të syrit nga ajo. Gruaja qëndroi buzë të trotuarit. U ngurtësua si busti i Naum Veqilharxhit. Era mëngjesore luante shkujdesur me cullufen e zbardhur të flokëve të gruas.
S’ më shqiten nga mendja fjalët që tha para dy javësh i dehuri, ithtari i një partie. U ngul si gollozdrum përpara derës, shpërndau cërka pështyme dhe hungëriti:
‘Hej ju të përmbysurit, me këtë një palo barakë keni ndërmend të mëkëmbeni. Ha, ha ç’ju gënjen mendja; u thanë lumenjtë e vjetër u ngritën përrenjtë e rinj!’
‘ Lumi, lumë mbetet,’ i thashë dhe mezi përmbajta inatin. Çdo fitoja në e godisja me grusht.
‘Ha, ha, ha!
E përzura me gjakftohtësi nga baraka. Doja t’i thosha atij qelbësire; Në përrenj vegjetojnë krimbat dhe zhabjakët. Heshta. Mos vallë e kjo femër është mike e ithtarit të partisë dhe anëtare e grupit mynxyrës së vjedhësve. Qëllimisht shfaqet me mallëngjim të trishtuar. Gruaja të bënte mirë të ndiqte rrugën që çon lart në këndin e lojnave me dorë. Ndërtuar me gurët e gdhendur nga prishja e katedrales së Shën Gjergjit, por tashmë braktisur.
Nëse dëshiron, le të vazhdojë rrugën në të djathtë, mes pallateve pesëkatëshe me tulla të kuqe, gati të ronitura, të ndërtuara me kontribut vullnetar, duke përfunduar në varrezat e qytetit, të Shën Triadhës.
Gruaja e panjohur u shkëput me mundim prej trotuarit dhe eci me hapa të ngadalta. U ngreha dhe sa për tu gjendur në punë, lëviza, rregullova në raft çokollatat dhe mastikat. Raftin e kisha vendosur përpara barakës së vogël, të ngritur shpejt e shpejt me llamarina të vjetra, gjetur në pazarin e vjetër. Një grup fëmijë të zhurmshëm kërkuan të blinin mastika. Më përshiu puna dhe nuk pata kohë të mendoja gjë tjetër. Çamarrokët e këndshëm vinin çdo mëngjes dhe kërkonin të blinin mastika me lodra brenda.
Silueta e gruas së panjohur lëvizi pjerrtas disa metra larg meje. Kur u ktheva vrulltas me bezdi të dukshme u ndesha me shprehjen mallëngjyese vizuale dhe pafajësi çarmatosëse. Më acaroi. E pashë i ndërkryer. Ajo u përskuq në fytyrë nga vështrimit im dhe, për të mposhtur turbullimin duar dredhur hapi çantën e madhe, zbërtheu me zhurmë zinxhirin dhe gërmoi në kuletën e vogël. Prej andej nxori një njëqind lekëshe dhe, e zgjati drejt meje kartëmonedhën e palosur më dysh:
-Ju lutem një çokollatë Hilal.
Pa vështruar nga ajo i zgjata çokollatën dhe tërhoqa kartëmonedhën e qullur. Sa shpejt u qullkan lekët nga gishta të hollë dhe delikatë! Gruaja e panjohur më falënderoi por s’ u largua, pa më ndarë shikimin e lagësht që më acaronte aq tepër. Më kot shpresova në ikjen e saj.
-Ju lutem, mund tu pyes diçka?- dëgjova zërin e ulët të gruas.
-Pa hë,- i thashë me ton të akullt.
-Djali i Petros dhe Artemisisë jeni?
-Po- u përgjigja mbytur.
-Ah sa gëzohem!- u ngazëllua ajo e lehtësuar dhe shtoi:- S’më njihni. Keni të drejtë.
Drejtova trupin, u ktheva ballas dhe e pashë ngulët gruan e panjohur. Ajo uli sytë dhe, me plogështi futi kuletën e vogël në çantën e madhe, mbylli zinxhirin. Çokollatën e blerë e mbajti në dorë, pa e pasur mendjen grisi letrën e kuqe, të ndritshme, ndau çokollatën në mes dhe, një copë më zgjati mua. E vështrova i habitur dhe bëra me dorë lëvizje kundërshtimi.
-Ju lutem merrni çokollatën,- më tha ajo:- S’ është keq të ëmbëlsohesh.
Gruaja zgjati kokën dhe i brodhi sytë brenda barakës së varfër të izoluar me letër plastike ngjyrë të kuqe për të mos lejuar erën të hynte, ngaqë kornizat metalike ishin salduar shkel e shko. Fytyra bardhoshe i mori shprehje të ngrirë dhe kafshoi çokollatën me majat e dhëmbëve të përparme. Më erdhi turp edhe inat prej varfërisë banale së barakës, letra plastike e kuqe ishte shqyer në disa vende prej rrëmetit të papritur dhe ngjitur me ngut. Më shumë më acaroi kurioziteti i tepruar i saj. U bëra nervoz por s’kisha ç’ të bëja.
Para një pesë ditësh ndodhi vjedhja e dytë, në harkun kohor tre mujor. Thyen çelësin e trashë të derës së barakës. Nga frika e vjedhjes së paralajmëruar çelësin e futa brenda kasës së trashë metalike, aq sa disa miq nënqeshën me mëndje shkrepjen time. Duke u zgërdhirë më thanë:
‘Dhe depo e armëve të socializmit të ishte, s’do ia vlente barra qiranë për mbyllje hermetikë dhe jo për një barakë të rëndomtë e qoshkut të humbur, me mall qesharak.’
U fola për vjedhjen e parë të shëmtuar. Miqtë përdrodhën buzët me nënvleftësim dhe shtuan:
‘E para vjedhje ishte zhgënjim dhe pësim për hajdutët e rinj, prandaj përsëritja e vjedhjes do jetë mendjelehtësi’.
Por thyesit mafiozë të kasës së trashë metalike nuk ishin të kësaj mendje. Ata qenë durimmëdhenj, nuk çanin kokë për hollësira banale. Duhet të kenë qenë hajdutë qejflinj monistë dhe pasiononte ndaj barakave varfanjake, sidomos ndaj përfaqësuesve të klasës fisnike të përndjekur. Kur e dinin fort mirë që mbaja pak mall, ngaqë e fillova tregtinë nga hiçi, por përsëri nuk përtuan të harxhonin kohë nën dritën e mekur të hënës, të shkatërronin kasën e trashë metalike dhe të thyenin çelësin. Shkulën me zhurmë llozin, hapën derën dhe hynë brenda. Kjo gjë kërkonte kohë dhe shkaktonte zhurmë të madhe. Shqyen me sende të forta letrën plastike si hakmarrje kur gjetën pak mall. Hajdutët nuk u ligështuan për misionin e vështirë të paramenduar, por përlanë pa ceremoni varfërinë time dhe humbën nëpër natë, duke lënë përdhe një barominë, si një paralajmërim ogurzi për një vjedhje të tretë. Ky paralajmërim më bënte të dyshoja në këtë femër të panjohur.
Eh, ç’të bëja, s’ munda të kënaqja hajdutët fanatikë! Mallin që kisha në barakë e huajta te një i njohur në pazarin me shumicë. Hajdutë fanatikë joshen lehtë prej vështirësive me thyerje e nxirosje kundrejt lehtësive të kollajshme që kanë dyqanet qendrore, të mbushura me ushqime dhe veshmbathje, shitës me eksperiencë të gjatë në tregti. Me ekonomi të siguruar, depozita bankare dhe, stabilitet shumë vjeçar në politikën moniste.
Ngaqë isha brokë nga paratë, qysh në fillim bëra marrëveshje jo fort të këndshme me të njohurin, pronarin e mallrave me shumicë; kur të shisja mallin do ktheja paratë me një përqindje fitimi dhe ai do më jepte mall tjetër. Hajdutëve s’u interesojnë hollësitë, përdorën leva të forta të thyenin çelësat e mëdhenj, dhe asnjë nga komshinjtë s’ u tund nga vendi të shihte çfarë bëhej jashtë në rrugë, ose të lajmëronte policinë. Në inat e sipër ua thashë në sy, por ata ma prenë shkurt:
-Hej, akoma s’e di që policia ka frikë nga hajdutët.
Dikur komshinjtë kundërshtuan ashpër në lagje për ngritjen e barakës sime, sidomos për shfaqjen mes tyre të filizit delikat të tregtarëve të djeshëm, që quheshin të fshira njëherë e përgjithmonë prej listës së ekzistencës. Lumenjtë e mëdhenj të ngritur në qindra vjet u thanë bërë qilizmë, prej më se dyzet e pesë vjet dhe atyre nuk ua pranonte arsyeja të shfaqej një rrëkezë e vogël në atë tokë të tharë. Të zhbërët nuk mund të bëheshin më. E pranonin me zë plotë dhe botërisht se lumenjtë e rinj që bënë shtrat në monizëm tashmë e kanë shtegun dhe ujin e bollshëm për tu të shtrirë më gjerë.
Sigurisht kjo femër duhet të jetë njëra nga pjesëtarët e grupit mynxyrës së hajdutëve, dërguar qëllimisht të shohë me kënaqësi makabre rezultatin e falimentimit total? Mezi e binda të njohurin, pronarin e mallit me shumicë të më jepte mall tjetër duke i dhënë fjalën, do ia ktheja të gjitha lekët në fund të muajit. Ai me turinj varur urdhëroi hamallin të ngarkonte karrocën. Para se të ikja më bërtiti nga pas:
-Do më sjellësh dhe dy për qind më shumë.
S’ i ktheva përgjigje. Nga ta gjeja atë dreq dy për qind më shumë, nga dhjetë përqindëshi që i jepja. Tregtarët e rinj janë të zellshmit e mëdhenj të lekut. I qava hallin për vjedhjen e dytë, ai lëshoi pa mëshirë dy përqindëshit shtesë të kamatës. Dhe ata pak miq s’janë më të parë, të ndjeshëm dhe zemërgjerë. Elementet e para të ekonomisë së tregut i ka tjetërsuar qysh kur filluan të prekin dhe të ndjenë pranë fërfëritjen, vlerën dhe fuqinë e parasë. Hajdutët janë pehlivanët e ekonomisë së tregut, qëndrojnë me mes, të ndehur në dy skaje dhe kanë ndryshuar formë dhe takt.
Ardhja e gruas së panjohur më shtiu në mendje mendimin se hajdutët nuk mjaftuakan vetëm me vjedhjen, por duan të shohin sa i aftë është njeriu, të përballojë ngjarjen dhe sa kohë do të rimarrë veten për tu vjedhur përsëri.
-Të rrojnë prindërit?- Më pyeti gruaja.
- Jo,- i fola ftohtë. Çfarë lidhje kishte vjedhja e dyqanit me interesimin ndaj prindërve të mi! Ndoshta kënaqet akoma më shumë në përvuajtjen e tejskajshme prindërore ndaj vjedhjes dhe rropatjes sime?
-Ah, sa keq!- ia bëri ajo:- Vite... që kanë ndërruar jetë?
-Nëna më vdiq vjet në prill, ndërsa babai shumë vite më parë:-As vetë s’e kuptoja përse duhet t’i flisja kësaj të panjohure për vdekjen e prindërve të mi, kur më kish mbërthyer keqas krimbi i dyshimit të pjesëmarrjes së shpifur në vjedhjen e afërme të barakës, me paralajmërimin e lënies së qëllimshme të barominës.
-Ah,- ia bëri ajo. Palosi pa kujdes çokollatën dhe e futi në xhep.- Shpresoja të takoja prindërit e tu, së paku nënën, Artemisi.
-Kush jeni ju?- nuk mu durua më dhe ngrita zërin. Ndaj prindërve të mi qysh në mesin e vitit 1945 s’ kish më interesim dhe respekt, por mohim. Miqtë e vjetër u shmangeshin prindërve të mi dhe familjes sime. U rralluan vizitat, dera e madhe nuk hapej dhe mbyllej si më parë. Shtëpia u mbush me qiraxhinj që na përgjonin çdo hap. Menteshat e derës së dhomës lëviznin me përtesë, si me ankim, përshëndetjet u ftohën, derisa u harruan, ndërsa qytetarët na shikonin shtrembër. Kështu rrodhën vite dhe vite, të lidhura mbas litarit të vuajtjes.
Pas dy vjet e ca demokraci të mbarsur me zhgënjime, vjedhje të pështira, më shfaqet dikush dhe kërkon të takohet me prindërit e mi!
-Një mike e vjetër,- tha ajo:- Prindërit e tu ishin miq me prindërit e mi. Erdha enkas nga larg të takohesha me ta. Në pamundësi, dua të vë një buqetë me lule në varrin e tyre?
-Ashtu,- ia bëra me mëdyshje. Jeta më kishte bërë dyshues në gjithçka dhe, kur kishte vetëm disa ditë që më thanë krahun me vjedhjen e dytë të ndyrë. Më futën deri në fyt në borxh.
-Ju lutem, -dëgjova gruan të fliste:- Mund të më shoqëroni në varreza?
Qenka bela me gratë kur të qepen si rrodhe, s’i shkul dot. Do të vendosë lule në varreza, të qetësojë shpirtin dhe të nesërmen të vijë të më vjedhë përsëri. Kur vdiq babai vetëm pak njerëz erdhën në varrim. Prapa kortezhit na ndiqnin këshilltarët shembullorë të lagjes së bashku me operativin e zonës. Ata ishin në përgjim të ndonjë fjale të pandërgjegjshme në çastet e dhimbjes së madhe. Vdekja e tim ati ishte e diskutueshme për shkak të operacionit të tretë të bërë në qeskën e ujit. Një miku im më tha, operacioni nuk u bë vetëm në qeskën e ujit, por në gjithë pjesët e barkut dhe të stomakut, ngaqë në operacionin e dytë u harrua një gërshërë operacioni. Ne familjarët ishim të bindur se gjithçka ishte bërë e qëllimtë, eliminim fizik në kuadrin e luftës së klasave. Mbasi dhe vetë operacioni i dytë ishte i panevojshëm. Babai im ishte burrë i fortë. U harrua gërshëra, e nxori radiografia sendin metalik të fshehur midis zorrëve, përvuajti mjeku fytyrën. Duhej operacioni i tretë, vendimtari, të parandalonte hemorragjinë e madhe dhe shkuljen prej trupit të sëmurit sendin e metaltë.
Në momente dëshpërimi zbërthehen zorrët e barkut, pa qenë nevoja të fshihen në to sende të forta, të mprehta metalike. Dalin në shesh pakënaqësitë e radhës ndaj partisë dhe pushtetit. Uji po nuk u turbullua nuk pastrohet. Ne ecnim pas arkivolit të babait dhe nuk dëgjonin hapat tona, na buçiste koka. Këshilltarët dhe operativët përgjonin me kujdes kuisjen rrotave të pa vajosura të karrocës, dënesen, kollitjen e hamejve, hapat tona dhe hapat tyre.
-Ju lutem,- dëgjova.
Kërkesa e gruas kishte të bënte me prindërit e mi. Futa mallrat brenda, mbylla dyqanin dhe shtyva raftin e drunjtë në cep. Më hante shumë kohë ta futja mallin brenda në barakë dhe ta nxirja. Qysh me vjedhjen e dytë bëhesha nervoz, i paduruar dhe i pavëmendshëm. Gruaja qëndronte pak më tej me vështrim të përhumbur. U kujtova, hapa dyqanin përsëri, mora një tufë me lule dhe ia zgjata gruas.
-Dale, prit të paguaj, - më tha ajo. Lëvizi me zhurmë zinxhirin e çantës dhe nxori kuletën e vogël.
-Bëhet fjalë për prindërit e mi,- i thashë.
-Ju lutem,- ia bëri ajo.
Si ktheva përgjigje. Gruaja më zgjati lekët, nuk bëra asnjë lëvizje. Ajo me mëdyshje i futi lekët në kuletë.
Ecëm pa folur deri në varrezat e qytetit të Shën Triadhës. Ngandonjëherë kërkesat e të tjerëve, janë si sapun mbi gunë më acarojnë më duken paradoksale. Dyshimi nuk më ndahej në çdo hap që hidhja. Shpejtova hapat. Pas treçerek ore, dilnin në pushimin e madh nxënësit e shkollës tetëvjeçare që ishte përkarshi barakës sime. Me ta bëja xhiro të mirë, fëmijët i pëlqejnë mastikat dhe çokollatat. Një luks i njohur tani vonë në vendin tonë.
Gruaja ecte në krah dhe merrte frymë me vështirësi. Balli iu mbush me djersë. Nxori pompën e vogël nga xhepi i xhaketës, i fryu disa herë. U qetësua, vazhdoi ecjen. Ajo vuante nga azma. Në hyrje të varrezave ngadalësoi hapat. Në kishën e rindërtuar, të pa suvatuar dhe pa xhama të Shën Triadhës bleu disa qirinj të vegjël. Është viti i dytë që u lejua feja, pas një mohimi të gjatë dhe çdo gjë po rinis nga e para. Në këndin e majtë të kishës, për tu mbrojtur nga era një plakë e fishkur shërbente mbështjellë me pallto të vjetër. Bleva disa qirinj dhe hodha monedha metalike në kutinë prej kartoni të ndihmave. Plaka ndiqte me vëmendje veprimet e mia, më falënderoi zë ulët.
Ndjeja topitje të pakuptimtë të pyesja më gjerë këtë grua të panjohur që ecën në krah dhe vuan nga azma. Ngado zotëronte një heshtje e thellë e rëndë. E udhëhoqa gruan në rruginën e ngushtë mes varreve deri në varrin e thjeshtë të prindërve të mi. Gruaja mblodhi duart në gjoks dhe u ul në gjunjë. Puthi gurin e lagësht dhe vendosi lulet tek kryqi. Mbështeti ballin dhe qëndroi disa minuta në heshtje. U ngrit ngadalë, sy përlotur. I zgjata shaminë të fshinte lotët. Kush ishte kjo grua e panjohur që qante në varrin e prindërve të mi? Babai dhe nëna s’ më kishin folur për të afërm të tjerë, të dashur. U ndjeva bosh.
Gruaja përkëdheli kryqin. U përkula dhe unë në gjunjë. U fala. Putha kryqin, ndeza qirinj, qëndrova një copë herë. Ndjeja një shtrëngim në gjoks. Prindërit e mi vdiqën të varfër, në trusni, duke pasur mbi krye kosën e tmerrshme të luftës së klasave dhe të mohimit të çdo vlere të qenësishme.
-Keni cigare?- më pyeti gruaja.
Futa dorën në xhep dhe nxora paketën e cigareve, i zgjata. Ia ndeza. Ajo e thithi fort, me neps, e mbyti kolla.
-Më fal. Kam vite që s’ pi duhan,- më tha ajo. Flaku cigaren dhe shtoi: - Le të njihemi, më quajnë Margarita. Prindërit e mi kishin miqësi me prindërit e tu. Emrin dhe jetën e kam prej Petraqit, babait tënd. Dikur jetonin në lagjen e vjetër të Rrotës. Nëna përmendte gjithnjë me shume respekt se çfarë bëri familja juaj për ne dhe qytetin. Babai punonte nallban, por e pëlqente pijen dhe paratë që nxirrte me mbathjen e kafshëve i bënte rrush e kumbulla. Nena u sëmur kur ishte shtatzënë me mua. Babai me lot në sy iu lut Petros ta ndihmonte të çonin nënën e sëmurë në klinikën mjekësore të një specialist me përvojë në Follorinë. Moti ishte i ftohtë me erëra dhe shi. Kamionët qenë shumë të paktë, administroheshin nga firma ‘Shqiponja’ i Stefos dhe Ndrekos. Duhej të paguaje një grusht me të holla, të bindje Stefon të lëvizte kamionin. Babai yt pagoi Stefon dhe u nisën për në Follorinë. Lindja ime ishte e vështirë, me operacion, më kishte mbërthyer në fyt kordoni. Babai juaj më vuri emrin Margarita iu duka si margaritar në atë mot të ftohtë të Follorinës. Në korridor të spitalit Stefoja grindej, ju bllokua kamioni për një javë dhe ortaku Ndreko do ta bënte për qepë dhe kripë.
“Sa të bën vonesa e kamionit o Stefo?” e pyeti babai yt.
Stefo pa e zgjatur ia pat:
“Një qese me flori o Petro, një qese me flori.”
“Do ta kesh atë qese me florinj, mos u mërzit,” i tha thatë babai yt.
Vitet rrodhën shpejt, u rita u bëra gjashtëmbëdhjetë vjet. Më kërkoi për grua një djalë që e doja, ishte shumë i mirë dhe prej familje të mirë. Babai si gjithnjë i prishte lekët në taverna, s’ kishin me se të blinim fustan dhe të bënin dasmën. Prindërit e djalit donin të merrnin nusen me pajë dhe muzikë, ndryshe nuk bëhej martesa. Nëna ankohej bërtiste, babai tundte kokën dhe s’fliste. Prindërit e djalit ikën të mërzitur, pa pirë rakinë dhe dasma ishte në prag të prishjes.
“Ti lutemi Petros,” tha nëna e trishtuar:“ Ndryshe na mbeti vajza në derë.”
“Jeni borxhli deri në grykë me të. Më vjen rëndë. Harxhoi kohë, para, shpëtoi jetë njeriu, i pagoi Stefo maniakut një qese e gjysmë me florinj dhe sot e kësaj dite s’më ka rënë në sy.
“Lëre vajzën pa martuar,” iu kanos nëna: “Zorra jote nuk ngopet me te flamosurën raki.”
Babai juaj ishte e vetmja shpresë për të ardhmen time. Një të shtunë, në mëngjes herët, së bashku me babanë, i shkuan Petros në dyqan.
“Ç’ e mirë të pruri o Pilo? Ke vendosur ta martosh çupën?” pyeti Petroja sa na pa që hymë.
“Nga e more vesh o Petro,” i tha im atë zë ulët, i zënë ngushtë.
“Çfarë do të marrësh për vajzën?’ pyeti babai yt.
Im atë ngriti supet, vështroi nga unë, rrëzoi sytë përdhe dhe pa majat e këpucëve të ngrëna.
“Mall e gjë do të veshësh vajzën apo për pajë?” Pyeti babai yt.
“Si të jetë më mirë o Petro,” ia ktheu zë ulët im atë: “Halli më ka zënë për fyti. Në dorë të zotit e kam lënë.”
“Zoti është në qiell, ne jemi në tokë o Pilo. Zoti na ka dhënë mendje dhe zemër,” tha babai yt, tërhoqi nga rafti një top të madh me plaçkë, me lule të mëdha dhe, preu disa metro. I palosi dhe i la në tavolinë. Pastaj tërhoqi disa lëmshe të mëdhenj me penj. Në fund nxori nga kuleta një tufë me kartëmonedha dhe mu drejtua mua.
“Bijë, ke karficë?”
“Kam,” iu përgjigja e hutuar.
“Shumë mirë. Futi këto të holla në xhep dhe mbërtheji me karficë. Janë të dasmës dhe të ardhmes tënde. Mos ja jep tyt eti ti pijë.”
Babai im i hutuar zbardhi dhembët dhe nxitoi të falënderonte...
U bë dasmë e bukur, prania e prindërve të tu më jepnin krahë. Më pas ndodhën ndryshime të mëdha. Lufta. Unë shkova luftova së bashku me burrin deri thellë në tokat Jugosllave. Burri u plagos rëndë e transferuan në spitalin e Shkodrës. Zura një dhomë me qira, pranë spitalit, shkoja çdo ditë e shikoja, përkujdesesha. Kur doli nga spitali, vendosëm të jetonin përgjithnjë në atë qytet me njerëz mikpritës dhe dashamirës. Zumë shtëpi pranë kështjellës Rozafa. Më mahniste legjenda e Rozafës, mbajtja e besës së vëllait të vogël dhe thyeja e besës prej vëllezërve më të mëdhenj. Mbi të gjitha më mahniste stoicizmi i nënës dhe amaneti i saj. Jetonim mirë, nuk kishim përse të ankoheshim. Të dy kishim nga një punë dhe merrnim rrogë të mirë. Linda dy fëmijë, djalë dhe vajzë. Mbas disa vitesh u përmbys gjithçka, burrin ma arrestuan me akuzën e puçit të shtetit në ushtri. Isha plotësisht e bindur që burri im akuzohej pa të drejtë, ne e donim vendin dhe shtetin, derdhëm gjak, s’mund të ngriheshim kundër tij. Unë së bashku me familjen time u internuam mes malesh, në fshatrat e thella të veriut. Kam disa vjet që u ktheva në Shkodër, në shtëpinë e vjetër, pranë kalasë së Rozafës. Nuk më rihej pa ardhur këtu takuar prindërit e tu, në pamundësi tu vendosja një buqetë me lule, në varr. Respekt për njerëzit e mirë.
U ndjeva vërtet mirë. Im atë flaku dikur me moskokëçarje në cep të qilarit, në lagështirë, dhjetëra dosje me kapak të trashë të zverdhur nga koha, ku qenë shkruar emrat e qytetarëve që ju dha borxhe, u ishte ndodhur pranë në momente të vështira. Por që askush nga qytetarëve s’u kujtua të thoshte një fjalë, në shenjë mirënjohjeje, por veçse përgjim, përndjekje dhe përbuzje...
Dhjetor 2009- 18 Nëntor 2019
Comentarios