top of page

NDODH EDHE KËSHTU! PROBLEMI ËSHTË PSE NDODH?


Sot, si çdo ditë, po ndiqja lajmet, shtypin e ditës dhe informacione të internetit. Jemi mësuar tashmë, se nuk mund të njihemi në të shumtën e rasteve me lajme apo ndodhira serioze, sepse tregu në mediat dhe shtypin e lirë, ka orientim dhe ndikim drejt perfitimeve materiale vetiake "pa frena", dhe pak, shumë pak drejt përfitimeve morale shoqërore. E kalojmë këtë temë, jo të pranuar nga shoqëria, por të pëlqyer nga ata që përfaqësojnë mediat dhe shtypin. Kthehemi tek arësyeja e këtij shkrimi. Rastësisht u njoha me një shkrim të botuar në shtypin italian ku lexohej: "La profuga ucraina multata alla frontiera con l’Italia: aveva 35 mila euro in contanti. La guerra, la fuga e la multa". E shqipëruar: "Refugjatja ukrainase e gjobitur në kufi me Italinë: kishte 35 mijë euro cash. Lufta, arratisja dhe gjoba". Në këtë shkrim trajtohet rasti i një refugjateje ukrainase, së cilës i është vendosur një gjobë prej 3,800 euro. Arsyeja? Mos deklarimi i parave me të cilat po udhëtonte gjatë arratisjes nga konflikti. Një fatkeqësi e veçantë, thuhet në artikull, që më 23 mars (2022 -FD) për herë të fundit si protagoniste një grua e arratisur nga lufta, e cila, sipas Qendrës Evropiane të Konsumatorit në Itali, u sanksionua nga zyra doganore e Comos, teksa po përgatitej të kalonte kufirin drejt Zvicrës…, në provinca e Komos. Sipas Qendrës, gruaja kishte pak bagazhe dhe kursime jete, para të gatshme që kishte arritur të ruante nga lufta dhe me të cilat udhëtoi për në Gjermani, ku do të gjente mikpritje me një mik. Sipas Legjislacionit "kundër pastrimit të parave", i cili parashikon detyrimin për të deklaruar të gjitha tepricat mbi 10 mijë euro; kërkohet të plotësohet formulari përkatës. Refugjatja ukrainase kishte 35.000 € kesh me vehte. Kjo sasi parash, sipas legjislacionit evropian dhe atij italian "kundër pastrimit të parave", e kalonte shumën e lejuar, por refugjatja nuk e dinte se duhej plotësuar dokumenti që mund të shkarkohej. —----------- U njohëm me ligjin dhe mos veprimin e refugjates, e cila u gjobit me 3.800 €. Artikulli i shkruar në shtypin italian, sipas këndvështrimit tim, këtë problem e trajton jo kritik, as për vendosjen e gjobës nga autoritetet, as për mos deklarimin që, ndoshta zonja nuk ishte në dijeni se duhej ta plotësonte. Artikullshkruesi italian ndalet tek "Arsyetimi i nxitimit dhe kushtet e emergjencës nuk do të mjaftonin për të shmangur gjobën". Që do të thotë se ligjzbatuesit duhet të jenë të aftë në interpretimin e ligjeve, sipas kushteve, rrethanave në të cilat na duhet të ndeshemi. Kërkohet thellim, llogjikë dhe bindje të sigurtë për çdo rast ngjarjesh në përballje me shkeljen e ligjit. Kjo duhet kuptuar thellë se kushdo qoftë zbatues i ligjeve, duhet të jetë njohës shumë i mirë i ligjeve dhe interpretues i zoti në përshtatje të çdo rasti shkeljesh ligji, të rrethanave konkrete të shkelsit. Ligji në vetvete përmban një sistem rregullash dhe normash shoqërore që njerëzit duhte të ndjekin në një shoqëri apo vend. Ligjet vendosen dhe zbatohen nga institucionet dhe organet ligjore përkatëse të shoqërisë. Të gjithë e dimë se ligjet hartohen dhe zbatohen në përshtatje me zhvillimet e shoqërive, ashtu si bletët zgjedhin nektarin edhe ligjvënësit zgjedhin përvojat më të mira për zhvillim apo mbrojtje nga të ligjtë dhe të ligat që rrjedhin nga veprimet dhe mos veprimet njerëzore; ashtu dhe për t'u ruajtur nga fenomenet e ndryshme natyrore. Por përvoja njerëzore tregon se ashtu siç "e verteta" nuk është absolute dhe e ndryshme në kohë dhe hapësirë edhe ligjet, si ato objektive dhe subjektive ndryshojnë në kohë dhe hapësirë. Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, në fjalimin e tij në një nga konferencat e mëngjesit të së dielës, mes tjerash ka theksuar:"Dhe ngaqë e vërteta e tij vjen prej përvojës vetjake, secili ngul këmbë që ai di çfarë ai di". Kështu ndodh dhe me ligjet. Kushdo që gjykon sipas ligjeve, ngul këmbë se ai/ata kanë zbatuar ligjet; por praktika rajonale dhe ndërkombëtare tregojnë se jo pak raste ndodhin që vendimet ligjore janë bërë të pavlefshëm dhe janë rrëzuar, nga që ligjzbatuesit nuk kanë konsideruar rrethanat dhe kushtet që kanë vepruar tek ky apo ata shkelës. Tek ne përdoret shprehja: "Ka ligj, por ka dhe Maliq". Shprehje e gjetur me mençuri nga populli, por që përdoret si për rastet negative, ashtu dhe pozitive. Pa hyrë në detaje, për fat të keq në këto tre dekada "Ligji i Maliqit" ka dëmtuar rëndë sistemin e drejtësisë, si rrjedhojë ka ndikuar në përkeqësimin e çdo njësie strukturore të shoqërisë. Një përvojë aspak e dëshiruar. Por me "Ligj të Maliqit", nëse veprohet me qëllim jo negativ, me llogjikë e gjykim në marrjen parasysh të rrethanave dhe kushteve, dhe jo siç thuhet: "Zbatm ligji si kal karroce", atëhere ligji kishte një zbatim të drejtë, korrekt edhe ndaj refugjates ukrainase. Ajo mund të mos gjobitej, por kushtet, rrethanat në të cilat pozicionohej, brenda kornizave ligjore, mendoj se ajo duhej të korigjonte veprimin duke i ofruar plotësimin e formularit të deklarimit. Në ato kushte, ligjizbatuesi duhej të përdorte klauzolat ligjore në zbatimin e ligjit. Ngjarja është në shtetin Italian, por është një rast përvoje të vyer edhe për shoqërinë tonë. Kjo mbasi po ecet duke fetishizuar vendimet gjyqësore dhe jo vetëm ato, sikur ato janë të padiskutueshme, të pa revokueshme. Këto vlerësime i shohim dhe i dëgjojmë në praktikë. Vendimet gjyqësore, e sidomos kur vendosen nga një gjyqtar, kanë vlera zbatuese, duke rrëzuar edhe vendime kolegjale të institucioneve të ndryshme edhe në rastet kur gjykuesit janë në konflikte interesi. Ky artikul synon në mundësinë e përmirësimeve të nevojshme ligjore për rastet kur vendimet gjyqësore janë objekt debatesh mes palëve, cilatdo qofshin. Studiues Fahri Dahri. 03/04/2022.-


12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page