NDERSHMËRIA E HAFËZ SABRI KOÇIT


SHPENDI TOPOLLAJ


Tregim


Në daç ta quaje burg e në daç ta quaje kamp, Spaçi për të dënuarit s`ishte tjetër veçse vetë Ferri. Ta kërkoje me qiri, vend më të përshatshëm për ta vuajtur deri në palcë ndëshkimin nga ai sistem, nuk kishe se ku të gjeje. Këtë, si për të kënaqur synimet e komunistëve, e kishte favorizuar edhe natyra, duke fshehur rezerva të mëdha minerali. Aty qenë rrasur e plasur si të burgosurit politikë, ashtu dhe ata ordinerët. Mes tyre, i dënuar me shumë vite burg, ishte dhe Hafëz Sabri Koçi nga Orenja e Çermenikës së Librazhdit, por që kishte studiuar në vitet 1933 - 1937 në shkollën “Hadrej” të Shkodrës, ku dhe kishte shërbyer së fundi. Një klerik i ulët musliman në xhaminë e lagjes Rus kishte qenë ai, por shumë i përkushtuar dhe i ndershëm, ndaj e kishin dënuar aq rëndë. Kishin frikë nga influenca e tij mes besimtarëve dhe as që donin t`ia dinin se ai do e shkonte jetën si mos më keq. Nga familja rrallë i vinin për njëmijëenjë arsye, se dhe të varfër ishin, ndaj shokët e përkrahnin sa dhe si mundnin atë. Kishte mësuar këtu në Spaç zanatin e hidraulikut dhe “Sabri këtu, Sabri atje” e urdhëronte kush të mundej.

<