top of page

Nderim Suedisë dhe popullit të saj mikpritës!





Pasthënie nga Viron KONA për librin studimor të Fatmir Terziut: Influenca diskursive e krijimtarisë shqiptare në Suedi


Faleminderit Fatmir Terziu!


Nderim Suedisë dhe popullit të saj mikpritës!


Kur mbyll dhe faqen e fundit të këtij libri, mendimi i parë që të vjen në mendje është respekti dhe konsiderata që ndjen për Suedinë dhe popullin e saj human, i cili na ka qëndruar pranë dhe na është gjendur ne shqiptarëve në ditë të vështira, siç na u gjend fundshekullin e kaluar, kur gjenocidi serb ra egërsisht mbi Kosovën martire dhe popullin e saj të pafajshëm. Suedia, jo vetëm që e ka merituar vazhdimisht respektin dhe mirënjohjen tonë si mikpritëse e rrallë, por bijë të saj: intelektualë, gazetarë, shkrimtarë, artistë, udhëheqës politik etj., janë përkushtuar thellësisht ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, madje janë sakrifikuar e deri dhe kanë rënë dëshmorë për çështjen shqiptare, siç është rasti i ish-ministres së jashtme të Suedisë, Anna Lindh, e cila u vra barbarisht nga një ekstremist serb, sepse mbrojti lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kontribute që duhen vlerësuar

Fatmir Terziu është një emër shumë i njohur në Shqipëri,Kosovë, në trojet tona shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi e Greqi, e veçanërisht në mërgatën shqiptare në botë, si një lajmëtar dhe përhapës i fjalës së lirë, si një poet, shkrimtar, studiues dhe vëzhgues i hollë i gjendjeve social-politike që kalon bota, i krijimtarisë letraro-artistike shqiptare. Nga tempulli i tij në Londër, nga institucioni famëmadh që ai drejton prej dekadash “Fjala e Lirë“, Fatmiri ia ka arritur që të na dhurojë vëllime tëra librash me vlera të rralla, mes tyre një sërë veprash letrare-artistike: romane, novela, tregime, skica; vëllime poetike plot ritëm e ngjyrime figurative, që përcjellin tek ne si lexues ide, mesazhe, stile, metoda dhe figuracion të hollë dhe elegant; sikurse dhe vepra të shumta analitike, studimore, kritikë letrare, por edhe reportazhe, ese, intervista, skenarë filmash kinematografikë, dhe, së fundi, edhe këtë libër mbresëlënës, me ese, analiza letrare dhe fakte, ku përpos të tjerash portretizohen emra krijuesish dhe personalitetesh, ku shfaqen episode, skena, rrëfime, studime për krijimtarinë e begatë të dhjetëra krijuesve, që koha e solli të ndodhen në Suedi, në këtë vend mik ku së bashku me aurorat polare, prijnë demokracia, të drejtat dhe liritë e njeriut.



Nëpërmjet këtij libri, i mirënjohuri Fatmir Terziu tij na ka ofruar respekt dhe ndjenja të bukura për motrat dhe vëllezërit tanë të shpërndarë nëpër botë si dallëndyshet, që kurrë nuk e harrojnë folenë, por vjen një ditë dhe kthehen në rrënjët e tyre, në shtëpitë, familjet e fisin, në adheun që i lindi e ku ata mësuan shkronjat e para të gjuhës së bukur shqipe, ku dëgjuan ninananat e nënave dhe gjysheve të vuajtura, kur i pret vazhdimisht ëmbëlsia, freskia dhe aroma e dheut, e detit, e ajrit, e fushës, e malit, e luginave e gjithçkaje shqiptare. Në këto përsiatje, sikur më ledhatojnë fjalët e lashta të Lukianit të madh kur thotë:“..qoftë se emri i atdheut është i shtrenjtë për vetë zotat, si të mos jetë edhe më i shtrenjtë për njerëzit? Se edhe Diellin çdo njeri e ka parë në fillim në atdhe”.

Faleminderit Fatmir Terziu për përkushtimin tënd human, për gjithçka që ti mik i dashur dhe i ditur na ofron përherë! Faleminderit, që energjitë e tua i ke shkrirë vazhdimisht për atdhe e flamur, për fjalën e lirë, për shqiptarët dhe jetën e tyre në atdheun tonë të shenjtë, të bekuar nga natyra dhe Zoti.

Mërgimtarët si zogj shtegtarë


Shqiptarët e Suedisë, si dhe shqiptarët e mërgatës në përgjithësi janë larguar nga atdheu për arsye nga më të ndryshmet, por më shumë i kanë detyruar të largohen nga atdheu, vetëm e vetëm sepse janë shqiptarë me themel, sepse kanë guxuar të shfaqin hapur mendimet e tyre dhe vlerat e shenjta të lirisë dhe të demokracisë së munguar; sepse kanë qenë njerëz që nuk e kanë duruar dot sundimin e egër të diktatorëve, uzurpuesve e pushtuesve; sepse kanë treguar veten si njerëz që e duan shumë lirinë, madje duke u sakrifikuar për të; sepse kanë qenë njerëz në zemrat e të cilëve kanë vluar ndjenjat e bukura të humanizmit. Në librin e Terziut ne njihemi me emra shqiptarësh që kanë shkuar ndër të parët në Suedi, aty na rrëfehen mundimet e vajtjes dhe të emigrimit, por dhe të integrimit të tyre, teksa marrim njëherazi dhe informacionin për mbështetjen e madhe që na ka dhënë Suedia dhe populli saj mikpritës dhe me civilizim e qytetërim të lartë. Në Suedi jetojnë rreth 70 mijë shqiptarë, ndonëse ndonjë shifër zyrtare nuk ka. Ata kanë ardhur në këtë shtet mikpritës kryesisht në vitet 90-të të fundshekullit të kaluar, më shumë nga Kosova, por edhe nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe më pak nga Shqipëria. Ata, kudo, në çdo qytet të Suedisë shprehen me fjalët më të mira për mikpritësit suedezë dhe ata skandinavë në përgjithësi, por dhe ndihen më mirë sidomos kur janë të organizuar në shoqata të ndryshme kulturore e arsimore, që mbajnë emra personalitetesh shqiptare, emra festash kombëtare, emra qytetesh, emra malesh e detesh, emra heronjsh e dëshmorësh, emra legjendarë: “Skënderbeu”, “Nënë Tereza”, “Migjeni”, “28 Nëntori”, “Papa Klementi XI Albani” ”Teuta”, “Ilirët” “Tirana”, ”Dardania”, ”Illyria”, “Rinia”, ”Flaka”, ”Unioni”, “Jusuf Gërvalla”, “Adem Jashari”, ”Kastrioti”, ”Naim Frashëri”, ”Drita”, ”Rilindja”, ”Atdheu”, ”Mërgimtari”... Pse në shoqata? Sepse liria e shoqatës është në “Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut”, sepse nëpërmjet shoqatave ata përfaqësohen më mirë si komunitete shqiptarësh, sepse nëpërmjet tyre ata përhapin kulturën, traditat, talentet, dëshirat dhe pasionet; sepse nëpërmjet tyre ata mund të ruajnë dhe përsosin në kushtet e emigracionit veshjet dhe kostumet tradicionale shqiptare; sepse nëpërmjet tyre ata mund ta ruajnë të shenjtë gjuhën e bukur shqipe, që ata vet, por sidomos fëmijët e, më pas nipërit e mbesat, brezat që vijnë të mos e harrojnë asnjëherë, sepse ajo është “testamenti” më identifikues dhe më i trashëgueshëm, sepse ajo është “pasaporta” e atdheut, sepse me atë gjuhë mund të komunikojmë me atdheun (mëmëdheun):“Pa shihni ç'gjuh' e mirë!/Sa shije ka e hije,/ Ç'e bukur'edh'e lirë,/Si gjuhë perëndie!”( Naim Frashëri).


Suedezët, popull unik i globit


Suedezët janë një popull që ka vujatur shumë: për shkak të pozicionit gjeografik në veri të Evropës me pjesë në Arktik; për shkak të betejave për mbijetesë me mjedisin e ashpër, me akujt e ngricat, me stuhitë dhe furtunat e fuqishme veriore... Një popull si ai suedez, që ka vuajtur shumë e ka kuptuar shqiptarin dhe shpirtin e tij më mirë se askush tjetër. Ata kanë parë se shqiptarët kanë jetuar historikisht në një vend me pozicion gjeografik të shkëlqyer, por gjithnjë të lakmuar, ku shtete të fuqishme të botës dhe fqinjët kanë dashur ta kenë për vete. (Për t`i treguar „dikujt“ babëzinë për pushtime, shenjti ynë kombëtar, Ismail Qemali, hodhi një copë mishi mes një lukunie qenësh dhe, në çast, kafshët iu sulën asaj „cope mishi“ me britma e ulërima, duke e copëtuar e duke i nxjerrë dhëmbët njëri-tjetrit për të marrë secili pjesën më të madhe...“). Makutëria grabitqare dhe uzurpuese ndaj trojeve shqiptare, ka bërë që jeta e shqiptarit të kalojë nga lufta në luftë, nga beteja në betejë, gjithnjë për të mbrojtur territorin, lirinë dhe pavarësinë. Njohja e fakteve historike, si dhe njohja e karakterit trimëror dhe të papërkulur të shqiptarëve, dëshira për liri e pavarësi, ka qenë një nga simpatitë e forta pse suedezët e kanë dashur dhe e kanë respektuar shqiptarin dhe Shqipërinë, pse na kanë mbështetur historikisht. Ndërkaq, krahas vlerave tona atdhetare dhe atyre për lirinë, suedezët, ndonëse larg gjeografikisht, por afër shpirtërisht, kanë njohur edhe ndjenjat e bukura e të holla të krijimtarisë sonë letrare dhe artistike, kanë njohur artin tonë, prejardhjen tonë ilire dhe lashtësinë e gjuhës shqipe. Ishte Johan Erich Thunmann (1746-1778), gjuhëtar, historian dhe teolog, profesor filozofie, një nga autorët më të rëndësishëm të hershëm që ka shkruar për gjuhën dhe origjinën e shqiptarëve, ai është i pari që studioi, argumentoi dhe publikoi në nivel akademik ndërkombëtar tezën se prejardhja e shqiptarëve është nga ilirët...Gjatë luftës së Kosovës, në vitin 1999, Suedia mirëpriti dhjetëra mijëra shqiptarë, të cilët tashmë janë integruar në shoqërinë suedeze, janë me të drejta të siguruara pa asnjë lloj diferencimi, me të drejta për t’u përfaqësuar me arritjet e tyre më të mira. Mbështetur në librit e Fatmir Terziut mësojmë se në këto dekada mërgata shqiptare në Suedi ka përfaqësuar vlera të shenjta shqiptarie, si ato të traditave, të arsimit, të ruajtjes së gjuhës shqipe, të mikpritjes, të besnikërisë dhe të respektit reciprok në të gjitha fushat e jetës dhe të punës. Nëpërmjet librit mësojmë se ka qenë gjithnjë një fakt domethënës që motrat dhe vëllezërit tanë shqiptarë në Suedi, kanë merituar përkujdesjen e Mbretërisë dhe të popullit human suedez. Ata nuk kanë ndenjur kot, thjesht për të fituar një mbijetesë sociale, por i janë bashkuar fuqisë së madhe ndërtimtare dhe zhvillimore të Suedisë dhe suedezëve, të cilët gjithnjë në kërkim të të rejave dhe të begatisë, kanë synuar përherë përparime dhe përmirësime të vazhdueshme të standardit të jetesës. Energjitë shqiptare nuk janë shpenzuar kot, ato i kanë shërbyer jetës së vetë shqiptarëve dhe familjeve të tyre, por edhe janë bërë pjesë e përparimeve të vetë Suedisë.


Njohja e një vendi mik



Interesante se si e nis Fatmiri që në hyrje këtë libër, duke shtruar pyetjen: si e njohim një vend? Me këtë pyetje tunduese, ai sikur na fton edhe ne si lexues që të shprehemi, të rrëfejmë përjetimet tona sesi e kemi njohur dhe kemi dëgjuar për Suedinë. Sepse, për një vend mik, doemos që të gjithë kemi mendime të mira, pasi prej andej rrjedh edhe ndjenja e respektit dhe e mirënjohjes, sado larg gjeografikisht që të jetë. Edhe unë po shkruaj diçka për t`iu përgjigjur asaj pyetje: Mbaj mend që, fare i vogël, mbase 7 apo 8 vjeç isha me temperaturë të lartë. Ata në shtëpi gjetën me vështirësi një termometër dhe më matën temperaturën. Dëgjova dhe fiksova fort fjalët: 39.5 gradë Celsius. „-Shpejt leckat me uthull, me ujë, me.. !„ Në ethet e temperaturës, kushedi pse përsërisja me vete: Celsius, Celsius,... Më kishte bërë përshtypje emri Celsius, pa e ditur se përmendja emrin e një suedezi të madh, Anders Celsius. Kur më ra temperatura gjyshja e mori termometrin, e futi në baulen e saj ku mbate rrobat e nusërisë dhe flamurin tonë kombëtar dhe tha: „-Ai që e ka bërë këtë gjë (termometrin), do të jetë ndonjë shenjtor, kështu që edhe kjo gjë, është shumë e çmuar dhe e shenjtë...“ Kurse, mësuese Ollga e botanikës, në klasë të pestë, na fliste shumë për botanistin e madh Karl vonn Linne. Kur një ditë erdhi në klasë drejtori i shkollës për kontroll, ajo na bëri një pyetje: „Cili nga ju, të dashur nxënës do të më thotë: Kush është ai shkencëtar i madh që i ka kushtuar jetën bimëve dhe luleve?“ Dhe, ndërsa ajo priste që të përgjigjej njëri nga ne, dëgjoi një kor të fuqishëm të të gjithë klasës: „Ai është shkencëtari i madh suedez Karl vonn Linne, mësuese!“ Kur unë isha 22 vjeç dhe punoja si drejtues sektori në hekurudhën Librazhd-Përrenjas, humba një dokument sekret të Partisë së Punës dhe prisja të ndëshkohesha me „përjashtim nga Partia e Punës“, që atëherë i thoshin „pushkatim politik“. Dibrani Sadik Elezi, që ishte sek. i org. së partisë e mori përsipër fajin dhe tha: „atë dokument e humba unë!“. Ata e gjykuan, por nuk e dënuan me „përjashtim nga partia“, Sadikun, vetëm se i dhanë një vërejtje të rëndë. A e dini pse? Sepse ai ishte i vetmi njeri që manovronte „Promeksin suedez“, makinën shpuese të tuneleve ardhur nga Suedia. Kështu, ai shpëtoi edhe veten, por më shpëtoi edhe mua nga „pushkatimi politik“, që atëherë ishte me pasoja të rënda...Unë thashë disa gjëra, të tjerë mund të thonë më shumë. Për të bërë biseda të tilla, ne na ngacmon shumë edhe ky libër. Fatmir Terziu me aftësinë e tij si studiues e shkrimtarë e nxit dhe e vë natyrshëm në lëvizje mendimin tonë. Dhe ne themi: Po, ne e njohim Suedinë: e njohim nga Anders Celsius, nga Karl vonn Linne, nga Nobeli, nga Selma Lagerlof, nga Astrid Lindgren, nga August Strindberg, nga Greta Garbo, nga Ingrid Bergman, nga Ingmar Bergman, nga grupi ABBA, nga albanologët Tunnman dhe Ullmar Qvick, nga Ibrahimoviç, nga...Druaj se nuk do të mbaroj dot, por po vijojë e po përqendrohem më shumë te libri i mrekullueshëm, që na ka ofruar miku ynë, i mirënjohuri Fatmir Terziu...

Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni“

E pra, Fatmiri shkruan me fjalë që burojnë nga zemra dhe shpirti i tij i bukur. Mendoj se ai është ndalur me të drejtë e më gjerë tek Qendra Kulturore Shqiptare „Migjeni“ e qytetit Boras, të cilin edhe unë e kam vizituar disa herë. Pikërisht aty ndodhet dhe një nga tempujt e Migjenit tonë të madh, ku përkujdeset dhe bën dritë Sokol Demaku, me miqtë e tij të pandarë: Hamit Gurguri, Bahtir Latifi, Riza Sheqiri, Hakif Jashari, Gladiola Busulla...

Sokol Demaku, jo vetëm e meriton të përmendet, por është vepra e tij që e lartëson atë përherë e më shumë. Ajo është vepër shumëplanëshe: humane, poetike, në prozë dhe mësimore. E lartëson atë vepra si përkthyes i palodhur, si eksplorues vlerash kulturore, shkencore, botuese e artistike shqiptare, vepra e tij në gjininë e romanit, që vitet e fundit e shfaqin Demakun një romancier të spikatur;e lartësojnë Sokolin vlerat si organizator i përsosur veprimtarish kulturore, artistike, tradicionale; si organizator festivalesh poetike, deri dhe me karakter ndërkombëtar... Sa shumë ka për të folur për këtë njeri shtatëlartë nga fiziku, por edhe më i lartë nga shpirti i tij i pastër dhe i larë me dritë krijimtarie, poezie, dashurie dhe humanizmi. Sokoli sapo erdhi në Suedi, mësoi me themel gjuhën e vendit, jo thjesht si një nevojë komunikimi, por ai mësoi gjuhën letrare kombëtare suedeze në mënyrë që të shkruajë dhe të botojë në atë gjuhë. Ai mbaroi studimet universitare në Goteborg, duke mbështetur kështu profesionin e tij si mësues në shkollën “Fjardingskolan” të Borasit. Ndërkaq, duke qenë nismëtar, së bashku me shqiptarë të tjerë, ai ngriti Qendrën e njohur Kulturore Shqiptare “Migjeni”, e cila është ndër qendrat dhe shoqatat kulturore shqiptare më të shquara në Suedi. Kjo Qendër, nën drejtimin e Sokolit, ka përhapur dhe ka ngritur lart emrin e Migjenit tonë, e ka bërë atë të njohur në vlerat e tij të madhërishme. Nëpërmjet kësaj Qendre Migjeni shfaqet i gjallë dhe rrezaton si yll i ndritshëm. Ndërkaq në qytetin Boras të Suedisë, të njohur si qytet i lindjes së tekstilit suedez, Sokoli i dha jetë edhe revistës kulturore për fëmijë dhe të rinj “Dituria”; një radioje që transmeton suedisht dhe shqip “Dituria”; sikurse dhe një TV po me emrin “Dituria”… Sokoli përkthen suksesshëm nga suedishtja në shqip dhe nga shqipja në suedisht vepra të njohura letrare e artistike. Fusha e përkthimeve është një projekt i madh i tij, që ai e realizon me vullnet dhe pasion. Lista e librave të përkthyera nga Sokoli po e kalon numrin 50. Kontributi i Sokolit është i dukshëm në ngritjen e urave kulturore të miqësisë ndërmjet dy shteteve mike, por edhe në fushën e arsimit, ku ai ia ka arritur të binjakëzojë shkolla suedeze me shkolla shqiptare, qendra kulturore të shqiptarëve të Suedisë me ato të Shqipërisë, të Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare si në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Greqi etj. Janë të shumta arritjet e këtij njeriu largpamës, të cilin Lidhja e Shkrimtarëve të Suedisë e ka pranuar si njërin prej anëtarëve të saj më aktivë. I lumtur kush njeh nga afër Sokol Demakun, por edhe më i lumtur kur njeh fuqinë e tij krijuese, miqësinë dhe personalitetin e tij shumëplanësh.

Fatmir Terziu në librin e tij analizon libra të Sokol Demakut, poezi, prozë, përkthime, studime; analizon libra të Sadulla Zendeli-Dajës, që „shkrin“ veten si qiriri i ndezur për arsimin shqip në Suedi; analizon vepra të Hamit Gurgurit, romane dhe studime, shkruar në shqip dhe në suedisht; flet për libra të shkëlqyer poetikë dhe në prozë të Ibrahim Abedinit; për libra me botë të madhe arsimore, shpirtërore, studimore e tradicionale të atdhetarit të flaktë Fetah Bahtirit; për libra të Riza Sheqirit, poet i shquar, që zbukuron faqet e krijimtarisë poetike shqiptare në Suedi, veçanërisht në letërsinë për fëmijë; libra poetikë të poetes së talentuar Yllka Sheqiri; libra poetikë të Emine S. Hotit, të Gladiola Busulla Jorbus, të Anxhela Ziso, Adem Pllavci, Aleksandër Ziso, Elhame Zhitia Krasniqi, Muhamet Krasniqi, Remzi Basha, Edona Sejdiu, Idriz Gashi,...

Ullmar Qvick një emër i madh


Fatmiri shpalos bukuritë dhe vlerat e mëdha të Ullmar Qvick (Kvik), i cili e njeh gjuhën e bukur shqipe me themel, madje jep edhe mendime me vlerë për pasurimin e saj. E mësoi atë pas kontaktit të tij me Radio Tiranën, Radio Shkodrën dhe Radio Kukësin. Gjatë viteve 70-të ai ka pasur kontakte të dendura me arbëreshët e Italisë, me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe me shqiptarët e Kosovës. Ai ka ardhur disa herë në Shqipëri, ku ka zhvilluar tema dhe leksione me intelektualë, në universitete të vendit etj. Ullmari ka drejtuar si kryetar Shoqatën Suedezo-Shqiptare. Sa herë që përmendet emri i Kvikut, bisedat përqendrohen te personaliteti i Tij. Nga duart dhe mendja e tij kanë kaluar shumica e përkthimeve letrare nga shqipja në suedisht dhe anasjelltas. Ai i ka kushtuar kombit shqiptar dhjetëra artikuj dhe intervista me rëndësi të madhe historike, gjuhësore, letrare dhe kulturore, por ai ka shkruar edhe disa vëllime me përkthime, si dhe u ka kushtuar një vepër madhore shqiptarëve, të titulluar “Më shumë heroizma se sa grurë” (Një përshkrim dokumentar i historisë dhe jetës shoqërore të shqiptarëve gjatë shekullit XX, Prishtinë, 2013). Ky libër u mirëprit dhe u vlerësua nga lexues të shumtë: shkrimtarë, studiues, intelektualë dhe gazetarë shqiptarë. Ullmar ka dhënë kontribut për hartimin dhe botimin e fjalorëve suedisht-shqip dhe një gramatike të suedishtes në shqip. Ai ka mbështetur fuqimisht Kosovën dhe luftën e saj për liri e pavarësi; është suedezi më i njohur për shqiptarët, u është gjendur atyre në çdo kohë dhe në çdo situatë, ndaj dhe në shenjë dashurie dhe respekti ai është quajtur “Mik i Madh i Shqiptarëve”. Për Ullmarin në Suedi, në Shqipëri dhe në Kosovë janë shkruar artikuj të panumërt, atij i janë kushtuar libra dhe filma dokumentarë, që portretizojnë në mënyrë shumëplanëshe figurën dhe personalitetin e tij. Ullmar Qvick shprehet në mënyrë lapidare: “Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët.” Edhe në librin e Fatmir Terziut emri i suedezit Ullmar Qvick lartësohet, duke merituar nderimin dhe respektin e veçantë të kombit shqiptar.

Bindës në analiza dhe në konkluzione


Fatmir Terziu gërsheton dhe harmonizon bukur në këtë libër përjetimet e tij personale për njohjen e suedezëve në Shqipëri, njohjen e letërsisë së tyre dhe të vendeve nordike, por sidomos njohjen dhe analizën e disa prej veprave të poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë të dalluar dhe të njohur në mjedisin e mërgatës suedeze, ashtu dhe nga vet studiuesit dhe kritikët letrarë suedezë. Ai e mbështetet librin në referenca dhe burime të pasura e të rëndësishme. Me kulturën e tij të shumanshme, por dhe me aftësitë krijuese, Fatmir Terziu analizon me kompetencë, duke qenë shumë bindës në konkluzione e analiza si për poezinë, për prozën, por edhe duke shfaqur mendime që përfshijnë fushat studimore, sociale-poltike, historike etj. Ai përmend me respekt emra intelektualësh, shkrimtarësh, gazetarësh, madje edhe njerëz të thjeshtë suedezë... Ai i portretizon ata, duke bërë të njohura vlerat e tyre, si për të na thënë figurativisht se drita që na vjen nga yjet dhe nga dielli, përbëhet nga miliarda rreze, të cilat kur janë të vetme lëshojnë dritë të zbehtë, por kur bashkohen, shfaqin dritë të plotë dhe ndriçojnë gjithçka, natën e bëjnë ditë. Fatmir Terziu përmend me respekt Peter Ralph Prifti, një intelektual të shquar shqiptar; përmend marrëdhëniet e para diplomatike midis Suedisë dhe Shqipërisë, që kanë qenë vendosur në vitet 20-30... Ai flet për zhvillimet mbresëlënëse në shkencat, në industrinë dhe ekonominë suedeze, duke përmendur makinat e shpimit të tuneleve, makinat e tipit „Volvo“, fuqinë ndërtuese suedeze....Flet për zhvillimin e vrullshëm të demokracisë, model për Evropën dhe botën.


Shqiptarët e parë në Suedi


Nga shqiptarët e parë në Suedi që kanë ardhur si artistë apo si vizitorë janë: ardhja dy herë e aktorit të madh me origjinë shqiptare dhe me famë botërore Aleksandër Moisiu, i cili ka shkuar në Suedi me Teatrin e Vjenës, në vitet 1911 dhe 1932. Kanë shkuar në Suedi edhe: Faik Konica, Ahmet Zogu, Besnik Sykja, Vedat Kokona, Petro Marko, Sterjo Spasse, Mysine Kokalari dhe personalitete të tjera të kulturës dhe të artit, shkrimtarë e publicistë shqiptarë, të cilët pas kthimit në atdhe kanë folur dhe kanë shkruar me simpati dhe me shumë respekt për Suedinë dhe popullin e saj. Kurse për shqiptarët që kanë ardhur si mërgimtarë, Fatmir Terziu mbështetet te studiuesi, shkrimtari dhe përkthyesi Sokol Demaku, i cili ka bërë disa eksplorime të gjurmëve të shqiptarëve të ardhur prej shumë kohësh në Suedi. Duke iu referuar Demakut, ai shkruan se “koha kur ndoshta individët e parë janë vendosur në këtë qytet (Boras) duhet të jetë diku kah vitet 80-të e jo më herët sikur kemi të bëjmë me nacionalietet tjera nga ish - Jugosllavia, të cilat kanë arritur në këtë qytet dhe ende edhe sot jetojnë nga vitet 60-të, kur në këtë qytet ishte nevoja për fuqi punëtore në industrinë e tekstilit, sepse qyteti Borås është edhe qyteti i tekstilit në Skandinavi. Nga vitet 80-të paskesh jetuar familja Gashi në Borås dhe një djalosh nga kjo familje, me emrin Hysen, ka punuar një film do­kumentar lidhur me jetën dhe punën e komunitetit shqiptar në Borås... Përmenden me respekt në vazhdim edhe emrat e Kosovë-Rexha-Bala dhe Ramadan Rexhepi, të dy këta shkrimtarë, që kanë emigruar në Suedi gjatë viteve 60-të dhe kanë botuar në suedisht dhe shqip. Të dy studiuan në universitetin më prestigjoz të Suedisë, në Upsala. Përmendet gjithashtu poeti Hajdin Abazi, Shqiptar Oseku. Në tetor të vitit 1984, Shoqata Shqiptaro-Suedeze, në Stokholm botoi fjalorin e parë suedisht- shqip nën redaktimin e Ullmar Qvick dhe Lase Morin, ku autor i fjalorit 3500 fjalësh ishte Ismail Rugova. Në Suedi vepron dhe jeton një nga historianët e çmuar të kombit për periudhën e Luftës së dytë Botërore, prof. dr. Muhamet Shatri, sikurse përmenden me respekt emrat e krijuesve Rexhep Jashari, Qerim Kryeziu, Entela Tabaku, Qerim Raci, Teuta Haziri, Arjan Melmonashi, Fortesa Hoti,( aktore e njohur në Suedi), Fetah Bahtiri, që ka botuar prozë dhe poezi, njëkohësisht ka lekturuar mbi 40 libra, që ka botuar shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Suedi „Papa Klementi i XI Albani“,po edhe Ibrahim Egriu, i cili diku në fund të viteve 80-të, ka botuar gramatikën suedisht-shqip. Më tej Asllan Muharremi, përkthyes, ka botuar fjalorin suedisht-shqip në fund të viteve 80-të. Një emër tjetër shumë i respektuar, është Sadullah Zendeli-Daja, i cili ka botuar 5 fjalorë suedisht – shqip, njëri me 35 mijë fjalë, si dhe shumë libra me poezi e përjetime letraro-artistike e dokumentare. Nga viti 1985 e këndej, Shefki Ollomani ka botuar libra me poezi, libra me tematikë historike. Samir Hajdari ka botuar përmbledhje me poezi. Shyqëri Sejdiu, ish-gazetar i RTK-së, ka botur disa përmbledhje me poezi. Xhavit Çitaku ka botuar dy romane historike, ku i fundit është titulluar „Endrra të thyera“ etj.


Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani“


Ndalet veçanërisht Fatmir Terziu te Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, duke vlerësuar rolin dhe veprimtaritë që ajo kryen "si një urë lidhëse mes dy vendeve, Shqipëri-Suedi, po ashtu dhe me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi e kudo ku ka shqiptarë. Kjo shoqatë drejtohet me intelektualitet dhe me përkushtim të devotshëm nga shkrimtari, studiuesi, publicisti dhe organizatori i mjaft evenimenteve Hysen Ibrahimi. Kontributet dhe veprat e kësaj shoqate kanë emra konkretë. Ato janë qindra libra të botuara nga anëtarët e shoqatës, të cilat, të mbledhura bashkë, përbëjnë një buqetë lulesh të freskëta me aromë humanizmi e shqiptarie, ndërkohë që mes tyre lartësohet vepra madhore e shoqatës “Thesar Kombëtar”. Me 12 botimet e tij, ai i jep shkëlqim të dukshëm gjerdanit të artë shkrimor të shoqatës. Eshtë një vepër që mendoj se do t`u dëshmojë brezave shqiptarë të së ardhmes përpjekjet dhe dashurinë për gjuhën e bukur shqipe dhe për kombin... Në veprimtaritë e kryera nga shoqata bie në sy sidomos përkujtimi dhe nderimi i ngjarjeve të mëdha të historisë sonë kombëtare. Të zhvilluara me nivel të lartë, ato shtojnë vlerat e vyera të panteonit të artë të kombit shqiptar, i cili nis me ilirët, vijon me epokën madhështore të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, me veprat e rilindësve tanë të shquar që shpallën pavarësinë e Shqipërisë më 1912; vijon me heronjtë, dëshmorët, por dhe me personalitetet që i dhanë dritë dhe begati historisë sonë në rezistencën kundër copëtimit gjatë luftërave ballkanike dhe në të dy luftërat botërore të shekullit të kaluar, e, që kulmojnë me betejën e madhe e të ndritur të bijëve të shquar të Kosovës, Dardanisë sonë të shtrenjtë, të cilët, të bashkuar në radhët e UÇK-së, dhanë gjakun e tyre për triumfin e lirisë dhe të pavarësisë. Veprimtaritë e shoqatës janë të panumërta, përfshi këtu edhe ato festive të 100 - vjetorit të pavarësisë, ato folklorike dhe etnografike, që kanë burim popullin shqiptar në shekuj, veprimtaritë me karakter shkencorë e mëmëdhetarë, festivalet e poezisë, ekspozitat figurative, ato të veshjeve, të simboleve kombëtare, koncertet me raste festash, veprimtaritë e përbashkëta me institucionet suedeze në fusha arsimore e kulturore, ato me karakter integrues e dhjetëra të tjera, që tregojnë nivelin e lartë, zotësitë organizative dhe vizionet e përparuara të anëtarëve të shoqatës. Sjell në vëmendje edhe përurimet e veprës madhore “Thesari Kombëtar”, në Suedi, por dhe në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, në Mali të Zi etj., teksa më shfaqen ende të freskëta veprimtaritë përuruese të “Thesarit kombëtar” në qytetet Tiranë, Durrës, Kurbin, Vlorë, Lezhë, Tropojë etj. Merita, sigurisht është e çdo anëtari, e kryesisë së shoqatës, por veçanërisht e kryetarit të saj z. Hysen Ibrahimi, personalitet shqiptar i nderuar dhe i vlerësuar në Suedi dhe në mërgatën shqiptare. Ai ka drejtuar me përgjegjësi të lartë e me zhdërvjelltësi të gjitha veprimtaritë e shoqatës, por edhe ka shkruar mjaft libra me vlera atdhetare, shkrimore e kulturore, drejtuese dhe organizuese e, sidomos ato që përfshihen në kolanën “Arsimi Shqip në Suedi”, disa vepra radhazi që dokumentojnë gjendjen dhe arritjet e arsimit shqip në Suedi.


Njerëz si Ti, e pasurojnë me vlera dhe e begatojnë jetën dhe atdheun tonë


Sa shumë informacion, sa shumë fjalë zemre, sa shumë emocion dhe drithërima shpirti na krijon ky libër i Fatmir Terziut, i shkruar me stilin e shkrimtarit dhe studiuesit të madh, që e ngjyen penën në dashurinë për mëmëdheun dhe për bijtë shqiptarë mërgimtarë të shpërndarë në botë. Eshtë një libër ku shkruhet për flamurin, për shpirtin e papërkulur të shqiptarit, për zemrat dhe shpirtërat e malluar, për ëmbëlsinë dhe bukurinë e vlerave krijuese, për respektin dhe nderimin ndaj luftëtarëve të dijes dhe të lirisë...Faleminderit Fatmir Terziu, dritëpërhapës i fjalës së lirë! Njerëz si Ti, e pasurojnë me vlera dhe e begatojnë jetën dhe atdheun tonë.



125 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page