NDËSHKIMI



Resmi Osmani

Kur Nënëmadhja, e pruri në shtëpi, ishte kotele e vogël që sa i kishte hapur sytë. Mashkull, i bukur, me gëzof të butë, larush me të bardhë e të përhinjtë dhe turiçkën të bardhë me njolla të kafejta rreth syve. Por aq i vogël sa një grusht. Ditët e para ai qau e u mjaullit që e kishin ndarë nga e ëma aq të vogël.Më së shumti për ardhjen e tij u gëzuan fëmijët. E ushqyen me qumësht të vakur nga nje shishe me biberon që ai e thithte si të ishte sisa e s’ ëmës, gjersa barku i mbushej pllëckë.Për të ndenjur e fjetur i sajuan një kuti kartoni me shtroje leshi. Rritej dita ditës. I rrethuar nga kujdesi dhe dhimbsuria e Nënëmadhes dhe fëmijëve që luanin me të si të ishte kukull, hodhi shtat.U bë gazi i fëmijëve, kanakari i nënëmadhes dhe tmerri i minjve që u futën vrimave.Të gjithë e donin, përveç Rukies, nuses së shtëpisë ,nënë e fëmijëve. Asaj i dukej se i ndotëte enët dhe se i binte shtëpia era mace. Nuk ndodhi që ta mirrte me të mirë. Kur ishin vetëm, ajo i rrëfente edhe bishtin e fshesës.

Ndjehej i tërfuqishëm në mbretërinë e shtëpisë së tij.Emrin ia vunë Pasha

Çastet kur Nënëmadhja e mirrte ne prehër dhe e ledhatonte dhe e kruante lehtësisht pas veshëve i falnin prehje dhe lumturi të vërtetë.Netëve flinte mbi jorgan prefund këmbëve në shtratin e nënëmadhes.

Vitet shkonin dhe Pashai kuptoi se në shtëpi kishte ndodhur një mynxyrë. Hynin e dilnin shumë njerëz, dëgjoheshin të qara ofshama e rënkime, të gjithë të shtëpisë ishin të pikëlluar.Ai pa sesi një tufë burra mbanin mbi supe një gjë të madhe e të rëndë por nuk e kuptoi se çfar ishte.Ditë me radhë, pasi rreshtën hyrje-daljet, ai kuptoi se nënëmadhja kishte shkuar diku, nuk ishte në shtëpi dhe shtrati ishte bosh.

Erdhën ditë të vështira. Askush nuk po kujdesej më për të. Fëmijët ishin rritur.Mbeti në dorë të Rukies. Herë ngrënë po më së shumti i pangrënë, i uritur, erdhi e u dobësua dhe shkëlqimi i gëzofit të bukur iu zbeh.

Një ditë nga ditët, duhet të ishte prag dimri se ai po e ndjente të ftohtit, uria iu bë e padurueshme dhe ndjeu boshllëk të madh në bark që i sillte pafuqi dhe këputje si një lëngatë.E kishin lënë pa ngrënë. Nga dollapi i ushqimeve vinte aroma e këndshme e peshqve. Si t’ia bënte? Duhej të merrte një vendim, por po ta mendonte gjatë nuk do të vepronte, andaj s’u mendua dy herë. Brofi mbi dollap dhe me çaponj tërhoqi rrjetën e hollë të telit të kanatës së dollapit. Kanata u hap. Me putrën e zgjatur shtyu pjatën e alumintë dhe ajo bashkë me peshqit u rrokullis në dysheme. Hëngri si i babëzitur dhe i shijoi shumë. I nginjur doli të shullëhej nën diellin vjeshtak. Ekuptonte, me aqë sa mund të arsyetonte, se kishte bërë faj, por uria ishte e padurueshme dhe faji nuk ishte i tij.E kishin lënë pa ngrënë.

Kur Rukia u kthye nga vizita te komshija sa për një kafe e ca muhabete, me mendimin se duhet të gatuante peshqit për drekë, shqeu sytë për atë që kishte ndodhur dhe i hipi tërbimi. Maçoku kobash e kishte tepruar zullumin.I duhej të sajonte drekën, por edhe t’i rrëfente vendin Pashait. Ç’të bënte me të? T’i jepte një dru të mirë, apo t’a helmonte me bar miu? Hall I madh.I shoqi e shihte Pashain si një amanet të së ëmës, dhe, fëmijët si pjestar të shtëpisë. Për të shfryrë dufin, iu turr me bishtin e fshesës, por ai hovi mënjanë,iu shmanga goditjes dhe ia theri vrapit nëpër kopsht.

Mbrëmanet,kur pjestarët e familjes u mblodhën në shtëpi, Pashai, me droje e frikë hyri Brenda. Rukia bëri sikur se pa dhe e kishte harruar atë që kishte ngjarë. Por ajo e kishte marrë vendimin e saj.

Nuk kishte kaluar java, kur Pashaj dëgjoi se po e ndillnin.Ishte Rukia me tasin e ushqimit. Ai u afrua.Rukia bëri sikur do ta përgëzonte, por e kapi fort dhe Pashai e pa veten te rrasur ne një thes.Rukia i lidhi grykën dhe e rrasi në një shportë. Pashai mjaulliti i zemëruar, u përqall, e grreu me çaponj thesin, por pa dobi, si të mos mjaftonte, ai ndjeu një goditje të fortyë grushti në kokë sa u trullos. U bind se asgjë s’bënte dobi heshti dhe iu nënshtrua fatit.

Rukia shkoi në stacionin e trenit.Pashai ndjeu vërshëllimën e njohur të lokomotivës dhe rrapëllimën e rrotave mbi shina. Nuk e dinte sa udhëtuan, por në stacionin e partë, Rukia zbrit hapi grykën e thesit dhe i tha: ”Shporru, hiqmu sysh!”Pashait që i vrau drita sytë dhe s’dinte ku ishte, brofi dhe zuri vrapin pa ditur për se ku.Teksa Rukia, e lehtësuar,priti trenin e linjës që të kthehej në shtëpi.

Për këtë ajo s’vuri në dijeni askënd.Kur u vu re mungesa e tij në shtëpi, u bënë merak se ku kishte shkuar.” Mos kini gajle,- tha Rukia-si ashik i përvëluar ka shkuar pas ndonjë maceje që të shtojë rracën e tyre”

Pashai u step. Ku gjendej? Ç’ishte ky vend?Pse pikërisht i braktisur këtu?Dukej që ishte qytet i vogël. E përshkonte nje rrugë mespërmes, ku herë pas here kalonin makina. Pashai u hodh në këmbësore që t’u shpëtonte makinave.I hutuar, i lodhur, i dërrmuar.Njerëz,makina,zhaurimë e zhurmë. Pallate dhe më larg shtëpi të ulta. Mbi udhë ngrihej kodra dhe shtëpitë me kopshte. Lëvizte me kujdes, frikë e droje. Një rrugicë e nxori në tregun e mbushur me tezga dhe njerëz. Atij nuk I kishte rastisur herë tjetër të shkonte në një treg. Shitësit thërrisnin blerësit dhe lavdëronin mallin.Pranë një tezge e tërhoqi aroma e salçiçeve dhe sallamit. I lëshoi goja lëng dhe në stomak ndjeu atë boshllëkun e urryer të urisë.Ishte e kotë. Uria nuk shuhet duke nuhatur, mendoi ai dhe doli nga tregu e u ngjit rrugicës së kodrës. Një vilë e bukur, me portë, mur rrethues e kopsht. U afrua. Kaloi nëpër një plasë të anës së portës.Rrugica ishte e shtruar me pllaka, anash postate me lule që zgjateshin deri te shkallët e mermerta.Aty e priti një dac i zi si nata, vetëm sytë i ndrinin.

-Ndal aty, mjaulliti plot autoritet ai-ku shkon ?

-Më ra rruga aty pari, dhe thashë të shoh një herë se kush rron këtu.

-Ja e pe.Kjo është mbretëria ime.

-Nga vjen, ç’e mirë të solli.

-Nuk e di, por është një qytezë e vogël. Nuk më pruri e mira por halli- Nuk deshi t’i thoshte sepse e kishin zbuar nga shtëpia.

-Si të quajnë?

-Pasha.

Daci i Zi u gajas gazit.

-Po ty?

-Mua? Sulltan- dhe ai u ngrefos, nxori gjoksin përpara dhe vështroi serbes.

-Mos u tall me mua

-E pse jo. Kur ty, një humbameno, të quajnë Pasha, e pse të mos më quajnë mua Sulltan që jetoj në një vilë me begati, dashurinë e zotrinjve dhe gjithë të mirat?

Pashai u ndje ligsht.Por, si thonë njerëzit: uria të shpie në derë të hasmit dhe turpi hahet në vend të bukës.

-Jam i uritur, ka që pardje që s’kam vënë gjë në gojë, mos të ndodhet ndopak ushqim, dobare edhe bukë thatë?

-Hiqe nga mëndja. Ne s’jemi qendër bamirësie. Hajt, zoti të dhashtë, ec në punë tënde.

Pashai doli në rrugicë. Po e linin fuqitë, në stomak ndjente të prera dhe molisje, i merreshin mendtë. Pas ca kohe hasi në një kosh të fshirash. Megjithëse i vinte ndoht, uria ishte më e fuqishme se qibra. Me siguri atje do te gjente gjesendi. U bë gati të hidhej brenda, kur si ta kishte pjellë dheu u shfaq një qen madhosh që i hungëroi:

-Ndal! Ku shkon! Të plasën sytë? Nuk e sheh tabelën ku shkruhet “Tokë e xanun”?

-Por…

-Ska por, do të ikësh me të mirë, apo do ndonjë çatall - I tha duke hungëritur, skërveshi buzët dhe zbardhi kërcënueshëm dhëmbët e mprehtë.

Pashai u gafrrua, shpina iu harkua, qimet iu ngritën drizë dhe iu hakërrye në turinj, me çaponjtë e këmbës të nxjerë për të goditur. Por e kuptoi, me të s’mund të hahej, me siguri do të dilte i mundur dhe i humbur.

Bëri tutje. E njëjta dukje.Në kazanët e të fshirave kishte zotdalës të tjerë.

Mbetej gjuetia. U afrua tinëzisht te një tufë harabelash që qëmtonin kokrrat e tërshërës në bajgat e kuajve. Sapo u gatit tu veërsulej, ata u ngritën vrik fluturim, qëndruan në degët e blirit dhe filluan ta përqeshnin.

Dita iku shpejt. Në mbrëmje koha u prish.vetëtimat çanin qiellin dhe bubullimat rrokulliseshin tatëpjetë shungulluese. Pa nisi shiu, i kithët, pikëmadh e i ftohtë. Pashai kërkoi një strehë. Hyri në një katua të shkretë, të errët. Binte era myk dhe kalbësirë.Zuri një qoshe dhe ra në gjumë. Kur u zgjua kishte rënë drita. Doli përjashta. Në qimet e lagura nga shiu I ishte ngjitur pluhuri dhe ndjeu teë kruara në trup. Kishte marrë pleshta. Por më e padurueshme ishte uria. Qëndroi në një brimë muri që duhet të ishte i një magazine. Ndjeu erën e minjve. Zuri vend anash që të mos dukej dhe priti se ku ta dish, ndonjë nga minjtë do të guxonte të dilte.Një mi i madh do të ishte një vakt i mirë. Po minjtë dinakë, që e kanë nuhatjen të hollë e ndjenë me nuhatje erën e maces, nxirnin te bira kokën me sytë e ndritshëm, e përqeshnin duke ciatur dhe brofnin brenda. Kishin gjetur me se të luanin. E pa që ishte e kotë dhe bëri tutje. Në një oborr, klloçka po ndillte zogjtë që të hanin ushqimin.Pashai e pa si rast që të mblidhte thërrimet, por klloçka e trembur, mori zogjtë nën krahë dhe ja dha kakrisjeve. Në mbrojtje u hodh Gjel Kokoshi, pendë kreshpëruar duke klithur që t’i nxirte sytë dhe i dha një goditje të fortë me sqep në kokë. Pashai i trullosur ia dha vrapit. E mbajti frymën në një lëndinë. Mbi bar kulloste një tufë karkaleca jeshil trupmëdhenj.U turr mbi ta, i vrau me putrë dhe nisi t’I hajë. Ç’ka, nuk ishin të këqinj. Duke lëpirë buzët eci më tej.Hasi në dy kërminj.Kur iu afrua, ata për tu mbrojtur e futën kokën në zhguall. Pashai e theu zhguallin me dhëmbë dhe i hëngri që të dy. Ishin të shijshëm e veshtullorë. E ndjeu veten më mirë. I erdhi krupë, por uria nuk pyet për fëlligështi e neveri, ajo nuk është buzëhollë.

Kishte dalë nga qyteti. Kur ra mbrëmja, bëri një strofull në një mullar sane dhe edhe pse trupi i kruhej nga pickimet e pleshtave fjeti si i vdekur.

E zgjuan të lehurat e qenve, blegërimat e qingjave ,kakarisjet e pulave dhe gagarisjet e patave. Ishte në një fshat .Doli në udhën që e ndante fshatin më dysh dhe i panë sytë një shtëpi të bardhë rrethuar me kopsht. Një zonjë plakë, e thinjur, ishte ulur në një karrige kashte kundrejt diellit dhe ngrohte eshtrat e mardhura. Pashait i kujtoi Nënëmadhen. Ai e dinte se siç kishin flokët ato kishin edhe zemrën. U afrua me drojtje duke u përqallur dhe iu fërkua pas këmbëve.

-Afrohu, mos kij frikë-dhe desh ta përgëzonte, ta fërkonte pas veshëve, por kur pa se sa pis e i ndotur ishte e mblodhi dorën.

-Të kanë neveritur, të kanë përzënë nga shtëpia? Po ti qënke kaq I bukur e madhosh. Do të kesh bërë ndonjë faj të rëndë.

-………

-Të ka marrë uria?

-Mjau, mjau –u përqall dhe e pa zonjën plakë me ca sy të përlotur e lutës në kërkim të mëshirës.

Zonja plakë dikë thirri dhe dha një porosi. Erdhi një çupëlinë që mbante në një pjatë alumini një copë gjevrek të zhytur në qumësht.

Pashai s’u besoi syve. Hëngri si i babëzitur. Ja që në botë paska edhe njerëz të mirë!

-I shkreti ti-tha Zonja Plakë- tashti hëngre, ikë në hallin tënd, se në këtë shtëpi s’ka vend për ty.Kemi qen e mace tonat.

Ah sa mirë do të ishte ta birësonin! Por jo. I thanë të ikte. Duke ikur, kthente kokën pas se mos e thërrisnin, por kjo nuk ndodhi. U gjend përsëri në rrugë. Dhimbjet e barkut iu qetësuan. Pamja e Zonjës Plakë dhe ngjashmëria e shtëpisë me atë të tijën, i zgjoi një mall përvëlues që e pushtoi të tërin dhe e mallëngjeu. E vendosi: duhet të kthehej në shtëpi. Përveç Rukies xhahile, që s’dinte të donte e të falte, aty ishin edhe i shoqi dhe tre fëmijët që ishin rrirur me të dhe e donin me shpirt, si një nga robtë e shtëpisë. Po si të kthehej? Rrugës së braktisjes s’kishte mundur të shihte asgjë, bash për këtë dinakja e kishte ndryrë në thes, se kishte dëgjuar që macet kanë kujtesë të fortë dhe e gjejnë udhën për tu kthyer! Ama, kur doli nga burgu-thes, vuri re se kishin udhëtuar nga perëndimi për në lindje se e kishin diellin përballë. U bind se duhet të udhëtonte drejt perëndimit,Dhe kështu bëri.

Ecte dhe ecte. Hasi fshatra, kapërceu një lumë, më së shumti pa ngrënë. Erdh e u dobësua, kockë e lëkurë, u ndot me pluhur e baltë, eshtrat i dhembnin, urija që si ndahej ia priste fuqinë dhe mezi ecte. Nisi tu shmangej njerëzve, qenve dhe maceve të tjera, duke mos i besuar askujt. Ujë pinte pellgjeve. Të ftohtit po shtrëngonte, netët u bënë të acarta. Kur ishte qielli I kthiellët me dritë hëne dhe i mbushur me yje xixëllues ai udhëtonte dhe natën.

Nuk e dinte se sa kohë kishte që udhëtonte, ai vërtet dallonte ditët nga netët, por nuk dinte të numuronte.Dobësia dhe vuajtejt po ia sosnin durimin dhe ia davarisnin shpresat për të arritur në shtëpi, por ai ishte i vendosur dhe ecte e ecte. Dikur hasi shinat e hekurudhës. Vendosi të mos i ndahej.me siguri ajo do ta shpinte në qytet. Më në fund pa dritat e qytetit. Ishte i bindur që kishte mbrritur. Ju deshën dy dit, rrugicave të lagjeve deri sa dalloi shtëpinë. Qëndroi te porta. Po, nuk gabohej, ajo ishte shtëpia.Rrugica e shtruar me zhavor shkalla me bazamakët e mermertë, postatet e luleve dhe pemët e kopshtit. Ajo shtëpi ku ai ishte rritur dhe kaluar vite të lumtura deri sa Nënëmadhja u nda nga jeta. I edhi për të qarë. Ishte pasdite, me siguri të gjithë ishin në shtëpi.

Ngjiti shkallët dhe hyri në sallon, me druajtje e frikë.

E para e pa vajza e madhe, Etleva. Ajo, thirri e çuditur:

-O ma, o ba, u kthye në shtëpi Pashai!

Të gjithë dolën në sallon.S’u besonin syve. Ai ishte. Po si ishte katandisur në atë derxhe:? I pistë, kockë e lëkurë, me sy të perënduar, me ca vraja plagësh në turinj, që mezi mbahej në këmbë.Pashai i shihte me sy të përlotur në pritje të vendimit. Por tani aq i bënte. Më në fund ia kishte mbrritur të kthehej.Ishte në shtëpi.

“Ah ti rrugaç, kobash e zullumqar, si s’mu ndave, prap e solle kokën tënde të posaqisur”-I tha Rukia me vete pa guxuar të thoshte fjalë me zë.

Etleva ,edhe pse e dinte se nuk do të kishte përgjigje, e pyeti Pashanë disa herë se ku kishte qënë dhe ç’i kishte thënë mendja të ikte nga shtëpia. E di sa na ke mërzitur? Bashkë me të vëllanë, Dritanin, mbushi legenin me ujë të vakët, e mori Pashain dhe e lau disa herë me sapun dhe shampo, pastaj e fshiu dhe ia thau me tharësen e korentit trupin e lagur. Por qimja e trupit nuk e kishte më atë shkëlqimin e mëparshëm. Pashai në shënjë mirënjohjeje, u lëpiu duart.

Më pas erdhi ushqimi, salçiçe të ngrohta dhe nga ai ushqimi i gatshëm , i shijshëm që e blenin në treg dhe e hante gjithmonë.

U bind që e kishin falur, por ai dalloi mëri dhe keqdashje në sytë e Rukies dhe ju shmang sa mundi.

Kaluan disa dit,Etlevës, një mëngjes, para se të shkonte për në shkollë, nuk ia zuri syri Pashanë dhe nisi ta kërkonte. E gjeti në dhomën e nënmadhes, shtrirë mbi mbulesën e krevatit të Nënëmadhes. Dridhej I tëri.Kur I foli Etleva vetëm sa hapi sytë dhe i mbylli sërish. Ajo I thirri së ëmës

O ma, Pashai është sëmurë, ai po vdes! Thirr veterinerin.E bën dot? Po ta le sot shkollën dhe të kujdesem për të?

Jo. Shko se e kryej unë këtë punë-dhe u drejtua ne sallon te telefoni.

Në pritje të veterinerit, Rukia i hodhi një mbulesë. I erdhi keq, ngaqë ajo ishte shkaktare e kesaj lengate.U pendua,që ai kishte vuajtur nga ndëshkimi I saj. Nuk ishte aq zemërgure sa të donte vdekjen e tij.

Veterineri e shqyrtoi me kujdes dhe i bëri një inxheksion me antibiotic.I dha dhe disa hape qe do t’ia tresnin ne qumësht.Tha se do të vinte edhe të nesërmen dhe e siguroi se s’kishte rrzik për jetën.

Pashai, i rrethuar nga kujdesi i Etlevës dhe Dritanit e mori veten ngadalë dhe ju rikthye jetës.

Ishte një gëzim për të gjithë.

Tiranë, 21.12.2020

35 views1 comment

Shkrimet e fundit