Na ndodh të udhëtojmë në mes të dritës dhe errësirës. Na ndodh! Dhe harrojmë që ne nuk jemi thjesht protagonistë që udhëtojmë, por dhe oportunistë që krijojmë udhëtime të tilla në mes të dritës dhe të errësirës, duke u rrethuar nga të dyja nga brënda. E në këto raste ne i quajmë ëndrra?! (Fatmir Terziu)
1- Alfabet i gruas
Fatmir Terziu
Thashë të të flisja si gjuhë. Goja
rrëshqiste dhe mblidhte zanoret e tua të ëmbla
bashkëtingëlloret e ndjeshme, të zëshme, të buta
luanin me mua:
sa larg dhe sa afër janë ëndrrat,
pa Ty e dashur grua.
Madje të gjitha ëndrrat përhumben në një gjuhë
largësitë nuk të bëjnë thjesht perceptim,
një medalion,
që varet në gjumin tim,
ndërsa mendja pushon, lodhet, rrëshket
deri në (pa)zgjim
jemi një dhe vetëm një Alfabet.
2 - E vërteta e Njeriut
E kam parë krisjen e ëndrrës ndërsa:
Bota lëviz,
qesh, harliset, midiset, shastohet,
jeta përhumb,
vishet, mbathet, zhvishet, fle dhe zgjohet,
vetja tretet,
bymehet, faroset dhe shfaroset,
Tjetri hyn, del, vjell dhe përvjell
e gjitha ekziston me frymën
që ia merr padashje e vetvetiu
ndjesisë, vetë Njeriu.
E kam parë krisjen e ëndrrës ndërsa:
Lulja çel
si të gjitha lulet edhe në shkëmb,
puthja mahis,
çast mbjell, përskuq
trupi lëviz,
më lart, më dlirë, më lirë,
qielli mbledh
dhe shpërndan retë
atëherë edhe sot si në përrallën e ariut,
më shpjerr të kërkoj mjaltë në këtë dhe atë botë të qetë
dhe e vërteta e Njeriut,
është më shumë se një e vërtetë …
3 – Konfuzion: je duke vrarë dritën
Vetëm një çast. I vetmi çast
të ngre vetëtimthi,
të zgjon nga gjumi
mes ideve që dikur ke ngritur,
sharrjeve nën buzë e në tru të asgjësë,
në zhgjëndjen tënde të fikur.
Vetëm një çast. I vetmi çast
e bën gishtin tënd të vogël, të mesëm, a të madh
të shtyp çelësin e të thërrasë errësirën
duke harruar se është duke vrarë dritën.
Comments