top of page

NËSE PATJETËR TË DUHET E VËRTETA






Në kuadër të botimeve të QKSH ”Migjeni” nga Borås i Suedisë, mund të keni në dorë edhe ”Zog në furtunë” përmbledhje poetike e poetit mergimtar Rizah Sheqiri, shtypur në Shtypshkronjën Lena Graphic në Prishitnë.


NËSE PATJETËR TË DUHET E VËRTETA

“Zog në furtunë”, përmbledhje poetike që dëshirojmë ta rilexojmë


Lexova përmbledhjen poetike “Zog në furtunë” dhe përforcova më tej mendimin vlerësues dhe konsideratën për talentin e poetit të mirënjohur Rizah Sheqiri. Vëllimi më emocionoi me origjinalitetin, bukurinë e shprehjes dhe mesazhet poetike që përcjellë, por edhe më befasoi me figuracionin e gjetur artistik, me sinqeritetin që karakterizon thuajse të gjithë krijimtarinë e poetit Sheqiri, i cili përpos të tjerash tregon kujdes deri në detaj për vargun e tij, për paraqitjen bukur të mendimit poetik, duke tentuar gjithnjë përsosmërinë. Duke lexuar, e ndjeja poetin fare pranë dhe më dukej se ai ka diçka të përbashkët me bahçevanin shpirtmirë që të zgjatë dorën e miqësisë dhe të tregon me shumë dashuri gjithë bimët e kopshtit të tij, të tregon llojshmëri lulesh, bukuri ngjyrash dhe aromash, teksa ti dëshiron t`i mbledhësh të gjitha ato në një buqetë të vetme dhe t`ua rrëfesh me gëzim edhe të tjerëve.

Bukuri artistike dhe vërtetësi

Që në fillim poeti na emocionon kur shkruan se këtë vëllim ua kushton prindërve të tij, “nënës dhe babait, të cilët ballëlartë i qëndruan kohës, krenarë përballuan çdo 80

furtunë...” Ndërkohë që, në parathënien e shkruar në vargje, ai shpreh thelbin e përmbledhjes poetike, duke e krahasur veten me një “zog në furtunë”. Rizah Sheqiri e nis vëllimi me poezinë “Lagjja ime”, si të dojë të na tregojë një pjesëz të atdheut, të stërmunduar, të lënë mënjanë dhe të papërfillur dhe të mbajtur në erësirë të plotë nga të huajtë sundimtarë, por që për poetin dhe banorët, lagjja e tij “ka mjaft dashuri”, ka mjaft befasi të pazbuluara, ka të panjohura me bukuri të rrallë se atje është jeta, jeta e vërtetë. A nuk po befason botën Kosova me njerëzit e mëdhenj të muzikës, të artit skenik, të kulturës, të sporteve, të shkencës? A nuk po e nderon dhe po i përkulet me mirënjohje e nderim bota Nënës së Madhe, Terezë? Ndaj, poeti himnizon me të drejtë atdheun e tij, tokën dhe vendlindjen e tij, “lagjen” e tij:

Kur t`ia marrë dielli anën e pandriçuar, /Rrota e historisë do të skuqet,/E do ta ulë kokën,/Në të gjitha dritaret e saj,/ Do të rriten lulet”.

Më tërhoqi vëmendjen veçanërisht trajtimi artistik që i bën poeti Sheqiri misionit të poetit, duke nënvizuar se poeti krijon jo për vete, po për të tjerët, sepse ky është misioni i tij, që rrjedh natyrshëm nga talenti dhe zemra e madhe që prodhon pareshtur vlera shpirtërore e njerëzore. Te poezia “Anatemë për kohë”, ai i drejtohet historisë, që ajo të jetë realiste, të mos “shoh” si e verbër, apo siç thotë Gëtja, “të mos qep lecka e të prashit në ujë”, por të jetë gjithnjë objektive dhe e vërtetë. Njeriu jeton njëherë në këtë botë, ndaj te poezia “Urtia ime” poeti përcjellë mesazhin se njeriu duhet të jetë i çiltër dhe i sinqertë, të mos gënjejë e mashtrojë, të mos e shtrembërojë të vërtetën e jetës, sepse e vërteta është gjithnjë aty, siç është drita e diellit.

Vese njerëzore në ”kudhrën” poetike

Te ky vëllim, Rizah Sheqiri vendos në “kudhrën” e tij poetike disa nga veset njerëzore, të cilat ai i skanon poetikisht me art e profesionalizëm dhe i paraqet ashtu siç janë, me gjithë dritëhijet dhe gjembat e tyre. Kështu ai skanon dhe shigjeton “Buzëqeshjen e rreme”, të cilën e takojmë shpesh herë në jetë të shoqëruar me hipokrizi dhe me keqdashje, kurse poeti, duke qenë i çiltër dhe i sinqertë, duke mos menduar të keqen te njeriu, befasohet, zhgënjehet dhe shpërthen me gjuhë poetike:

“Dikush dheun nën këmbë/ ma paska pas gërryer/ Duke më buzëqeshur/ më paska pas urryer.”



Në këtë “kudhër” poetike Rizah Sheqiri shigjeton njeriun që ndryshe flet e ndryshe vepron, njeriun që me një dorë të ofron bukën, në tjetrën, pas shpine mban thikën. Ai përdor artistikisht një antitezë të fuqishme, duke vënë përballë njëra-tjetrës dashurinë dhe urrejtjen, dy koncepte, dy mendime të kundërta, që i japin forcë shprehjes e, ndërsa njëra, “dashuria është magjia,/që e bën zemrën të amshimtë”, tjetra, ”Urrejtja nuk është gjë tjetër,/Veçse krimb,/Krimb që e kthen zemrën,/Në një mollë të kalbur”.

Në tufën e veseve poeti godet dhe smirën, si ves ku shfaqet hapur ndjenja e lakmisë së njeriut, i cili kur shikon dikë më të mirë se vetja, zemërohet e xhindoset, “e sheh atë me smirë”, “i flet atij me smirë”. Smira shkatërron dhe dëmton tjetrin, por ajo shkatërron edhe vet njeriun që e ushqen atë brenda vetes, e, siç thuhet në popull, për shkak të kësaj të keqeje, vet njeriu “plas nga smira!”. Kësisoj njeriu me smirë, duke mos gjetur qetësi dhe rehati për shkak të suksesit që ka arritur tjetri, s`e përmban dot veten por egërsohet, humbet logjikën dhe nis e thur intriga, ngre kurthe dhe sulmon atë që është më lartë apo më përpara tij. Autori gjen ilaçin dhe antidotin për shërimin nga kjo e keqe, që helmon mendjen e njeriut: ilaçi dhe antidoti më i mirë ndaj këtij helmi,-thotë poeti-është “dielli i mirësisë”.

Po aq interesante dhe befasuese shfaqet poezia “Me gurët në bregdet”, ku ndër të tjerash poeti shkruan: “Vështroj gurët në bregdet/ Dhe valët e tërbuara/Tek thyejnë qafën në ta./Gurëve u flas:/Në ju u përplasën valë pas vale,/Sa shumë!/Dhe të gjitha u shndërruan në shkumë./Ju s’ndryshuat kurrë,/Të patundur – gurë,/Sa shumë m’i ngjani fisit!”

Përpara karakterit të fortë, përpara njeriut të drejtë, njeriut që mbron vazhimisht të vërtetën, thyhen, copëtohen dhe thërmohen mashtrimet dhe gënjeshtrat, njëlloj siç vijnë fuqishëm dallgët e mëdha, që thua se do bëjnë gjëmën me madhësinë e pamjes dhe gjëmimit, por ato, sapo përplasen në gur e shkëmbinj, thërmohen e kthehen në shkumë.

Tjetrin shihe me zemër, / Peshoje me dashuri!

Më mbeti thellë në mendje poezia “Porosia e nënës”, e cila për çdo njeri simbolizon dashurinë më të madhe, respektin dhe nderimin e pakufushëm për dashurinë që nëna na jep që nga lindja e gjatë gjithë jetës, madje edhe kur nëna nuk jeton më, portreti i saj është në mendjet dhe përfytyrimet tona të përditëshme, edhe atëherë ajo na “vjen e na qëndron” pranë me sytë e saj të dashur, të malluar e të merakosur:

Nisu bir,/Veç kij kujdes,/Të ndjekin hijet e vjeshtës,/ Macazezat ta prejnë rrugën,/Të lehin qentë e padukshëm,/Kij kujdes bir,/E mos iu ndaj rrugës së harruar,/ Ku dielli të bëhet busull,/Hëna fanar,/Mos iu ndaj rrugës së harruar bir,/ Që të çon tek vetja.” Nëna i jep porosi birit të saj në udhëtimin e tij të jetës, që të jetë i drejtë dhe të mos ecë shtrembër, që të mos u nënshtrohet hijeve, paragjykimeve dhe pandehmave, kurtheve të padukshme që të përthithin e të kafshojnë si pakuptuar, pa i ndjerë dhe pa i kuptuar se nga të vijnë; nëna e orienton birin e saj drejt diellit e drejtësisë, ajo e porosit që dielli dhe drejtësia të jenë busulla e tij, ai të mos tjetërsohet, të mos shfaqet me maska dhe të vesh lëkurën e gjarprit përdredhës, të krokodilit zvarritës, të grerëzës thumbuese, të merimangës së zezë. Por të jetë vetvetja, të jetë njeri i vërtetë.

Ka një mesazh mbresëlënës poezia(apo epigrami) “Nëse”, ku poeti mjeshtërisht kumton mesazhin e madh të bashkëjetesës dhe marrëveshjes mes njerëzve, të cilët asnjëherë nuk janë njëlloj: në pamje, në formim e qëndrueshmëri, në gjuhë, në racë, në karakter, në sjellje, në tradita e zakone, në huqe:

Nëse s’don të jesh i verbër,/ Dhe emrin don ta mbash Njeri,/ Tjetrin shihe me zemër,/ Peshoje me dashuri!” Është ky një mendim i madh humanist, që ka lindur nga mendje gjeniale të filozofisë, të historisë, të artit, të shkencës e letërsisë së shekujve. Bazuar në këtë ide kaq humane janë ndërtuar ligje dhe marrëveshje të përparuara, që vendosin ekuilibrat e shoqërisë, madje edhe ekuilibrat për ekzistencën e të gjitha llojeve të gjallesave në natyrë, e që nëse zbatohen gjithnjë mirë, garantojnë të ardhmen e sigurt dhe paqen që njerëzimi e dëshiron aq shumë. E pra, Tjetrin shihe me zemër,/ Peshoje me dashuri!” Bukur, shumë bukur, apo jo?

Nata e gjatë e mërgimtarit

M`u dukën interesante poezitë që pasqyrojnë jetën e mërgimtarit. Ka një këndshikim origjinal poeti Sheqiri për emigracionin, më të thellë dhe më tronditës, duke shprehur mesazhe të forta që s`i heq dot nga mendja:

Në mërgim – në vetmi,/Me mallin për atdheun në gji, /Digjem – tretem si qiri,/Një natë e gjatë sa njëmijë,/Vallë kjo natë sa e shkretë,/Sa natë e gjatë në mërgim kjo jetë !”

Ndjeshmëri dhe një indiferencë të pafalshme njerëzore shfaq poezia “Pyetëse çuditëse”, që duket se e shigjeton mprehtë dhe i bën apel botës dhe shoqërisë njerëzore, që të jetë më humane, të jetë më e ndjeshme ndaj jetës së tjetrit, e veçanërisht ndaj fëmijëve që janë ardhmëria, edhe kur ata janë bijë mërgimtarësh. Duke përshkruar sytë e pafajshëm që lotojnë të fëmijëve të mërgimtarëve, poeti trondit me pyetjen poetike:

...E bota/PSE/S’i sheh lotët/ Vallë/Në sytë/E fëmijëve mërgimtarë?”

Mendoj se ky fat i keq i mërgimtarit, poetikisht bëhet edhe më i mprehtë te poezia “Faqe ditari e një mërgimtari”, ku ndjenjat dhe “biseda” e përfytyruar e mërgimtarit me nënën e tij dhe me atdheun që i ka larg, zhvillohet shumë prekëse, mallëngjyese, teksa përshkohet nga një dhembje e thellë shpirtërore. Dua të mendoj se kjo poezi nuk është shkruar, por është gdhendur:

“Nënë po e puth diellin në faqe,/ E ti puthe të puthurën time,/Nënë sytë i kam të drejtuar kah ti,/ Dhe me një rreze grindem si fëmijë,/ Që nga atdheu s’më solli pak dashuri,/ E të dehem, të dehem ngrohtësi,/Ju për mua sy e zemër i keni plot mall,/ E unë bredh botës, qyqe mërgimtar,/As gjumin s’e bëj si gjumë,/As diellin s’e ndjej si diell,/As hëna s’më duket si hënë,/ Gjithmonë me një lot të ngrirë në sy,/ Me dy fjalë të ndrydhura në zemër,/ Me më të ëmblat fjalë:/ Atdhe e Nënë !/Nënë puthe diellin në faqe,/ Unë ta puth të puthurën tënde!”

Poeti, atdheu dhe dashuria në piedestal

Vëllim poetik “Zog në furtunë” pasqyron mesazhe nga më të llojllojshmet dhe nga më mbresëlënëset, ku ndjenjat dhe kumtimet poetike shpalosen gjithëherë të bukura, origjinale, të sinqerta dhe të besueshme. Rizah Sheqiri beson se poeti, mendimi dhe fjala e tij s`të lënë asnjëherë në baltë, sepse fjala e tij është fjalë shpirti dhe zemre, sepse poeti është i vërtetë dhe e vërteta është si rrezja e diellit, që pa zhurmë e bujë depërton dhe shpërndan si me magji edhe errësirën e natës së zezë. Ndaj dhe poeti Sheqiri e ngre në piedestal shpirtin dhe fjalën e poetit:

Le të thyhen/ Pasqyrat mashtronjëse,/Copë e grimë le të bëhen,/Ky nuk është/Fillimi i qametit./Nëse vërtetë,/Të duhet e vërteta,/Përdore në vend të pasqyrës/Fjalën e poetit.” Sikurse, te poezia “Dashuria” poeti i ngre himn dashurisë; ai shkruan: “Është valle ndjenjash/E bukur vërtet/Të ngopesh/Me ritmin e saj të ëmbël/ Aq të bukur/S’të mjaftojnë as njëqind jetë!”

Lidhjen e ngushtë me atdheun, poeti e percjellë me disa nga poezitë e këtij vëllimi, por po veçoj poezinë “Fatnjëjtët”, ku autori sjell në vargje idenë se njeriu është i lidhur ngusht me atdheun ku ka lindur dhe është rritur; ai aty e ka fuqinë dhe madhështinë, ashtu sikurse e vërteton më së miri edhe legjenda e Anteut. Kur pëson atdheu, pëson edhe njeriu, kur gëzon atdheu, gëzon edhe njeriu, ata janë të lidhur pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin, janë dy trupa në një të vetëm; njeriu e merr fuqinë, së pari nga atdheu. “Njeriu pa atdhe, si shqipja pa fole”-thotë populli. Kurse poeti Sheqiri, shkruan:

“Sa herë doli miu i urrejtjes,/ Të ma helmojë bukën,/ Nuk më kujtohet./Sa herë doli,/Gjarpri i pushtimit,/Të ma helmojë gjakun,/ Nuk më kujtohet./Sa herë/U orvat merimanga e nënshtrimit,/ Të ma mbysë shpresën,/Nuk më kujtohet./Mund ta pyesni,/ Atdheun,/ Të dy kemi të njëjtin/ Fat”.

Poezi të vyera, të pashkëputura nga jeta

dhe vepra e Rizah Sheqirit

Poeti Rizah Sheqiri, është një emër i nderuar që rrezaton edhe në emigracion. Edhe vetëm vlerat poetike të tij apo botimet e shumta në shqip e suedisht do të mjaftonin për ta nderuar si personalitet krijues, por ai është edhe një dritëpërhapës i shquar në aftësi, talent e atdhedashuri; njeri modest dhe me ndjenja të thella njerëzore. Biografia e tij rrezaton edhe në arsim, ku ai si mësues ka merituar vazhdimisht vlerësime speciale nga bashkëkombësit shqiptarë, nga mikpritësit suedezë, nga nxënësit e tij të shumtë, të cilëve ai u ka dhënë dhe u jep mësim duke u mësuar me themel gjuhën e bukur shqipe. Rizah Sheqiri rrezaton si aktivist i palodhur i traditave dhe vlerave shpirtërore shqiptare, i kulturës dhe i artit; ai mbështet dhe ndihmon në organizimin cilësor të veprimtarive të gjera që zhvillojnë shoqatat kulturore shqiptare në Suedi, sikurse është edhe një anëtar i merituar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë. Rizah Sheqiri nderon veten, emrin dhe veprën e tij, nderon atdheun me botimet e shumta artistike, të mbushura me art e mesazhe tejet njerëzore; tek ai shohim modelin e njeriut të mirë, miqësor, fisnik dhe me bukuri shpirtërore. Ndaj them që edhe poezia e tij e spikatur, edhe kjo e paraqitur në këtë vëllim, është njëherazi shprehje dhe pasqyrim i emrit të tij të nderuar, talentit dhe personalitetit të tij krijues e atdhetar.

Faleminderit poeti ynë!


50 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page