top of page

Nëse do ta rilexonim Tajar Zavalanin


Tajar Zavalani

Nëse do ta rilexonim Tajar Zavalanin


Dr Fatmir Terziu


“Nuk ka dyshim se dami ma i madh që komunizmi po i ban Shqipnís asht në lamin e kulturës dhe të traditave kombëtare”, shkruan nga Londra, në muajin Korrik të viti 1957, shkrimtari, gazetari dhe përkthyesi shqiptar, Tajar Zavalani, në një shkrim të tij që gjendet në arkivat britanike e që më pas do ta përfshinte në parathënien e librit të tij “Histori e Shqipnis” (Pjesa e Parë: Londër; “Drini Publications Ltd, 1961-66). Ky autor kishte përkthyer “Manifestin Komunist” të Marksit dhe që vetëm disa vite më parë, ashtu si shumë të rinj intelektualë shqiptarë të brezit të tij, kishte rënë në kontakt me idetë komuniste të kohës, dhe kishte mbetur një kohë duke ushqyer endrrën se komunizmi do të ishte rruga e shpëtimit të popullit të shumëvuajtur shqiptar, tashmë pasi kishte studiuar mjaft dhe kishte parë nga afër jetën britanike, i ishte kthyer një realiteti të dhmbshëm shqiptar dhe deklaronte qartë se komunizmi ishte ai që po e dëmtonte kulturën dhe traditën shqiptare.

Në fakt që më parë ai kishte provuar dhe parë nga afër se komunizmi ishte vrastar dhe shkaktonte dhimbje të mëdha. Duke qenë në Rusi, ai pa me sytë e tij vëllanë e tij Hysen Zavalani, të pushkatohej nga qeveria ruse për ngjarjet e vitit 1937-38 në Saratov, ngjarje të cilat ishin kundër diktatit të Stalinit. Kjo situatë dhe pamjet që i mbetën në sy dukshëm mund të thuhet se e parapërgatitën Tajarin në një rrugëtimin të ri, si një antikomunist të vendosur. Përpara se ai të vendosej në Londër kishte një udhëjetë të tendosur dhe mjaft angazhime. Pas vitit 1930 që e gjeti në Zvicër, ku qëndroi atje për gati tre vjet, ai shkoi te i ati në Selanik dhe më pas në vitin1933 ai mori vendimin të kthehet në Shqipëri nga ku punon si gazetar dhe përkthyes, ku dhe angazhohet dhe botohet në të përkohshmet shqiptare duke nisur që nga viti 1930 deri në vitin 1939. Shkruan në një kohë dhe në një rrjesht me të mëdhenjtë e penës shqiptare të kohës, Mitrush Kuteli, Branko Merxhani, Petro Marko, Ernest Koliqi, Migjeni, Vedat Kokona, etj. Ai ka qenë i pranishëm në shtypin e kohës “Illyria”, “Minerva”, “Bota e re”, “Përpjekja shqiptare”, “Koha e Re”, “Besa”, “Shtypi”, “Shkëndija”, “Leka”, “Vatra”, “Rilindja”. Ajo që mund të shënohet për profecinë e shkrimeve dhe ideve të tij mund të faktohet me kritikën që u pasuan me përkthimin “Nënës” në revistën “Leka” ku fjalët: “Përsa shihet përkthyesi asht tue e lyp të vërtetën edhe nji ditë do t'a gjejë”, vërtetuan dhe ende vërtetojnë edhe sot se ishin porsi fjalë të një profeti, sepse kështu edhe ndodhi. Po aq dhe atë që ai deklaroi në korrikun e vitin 1957 se “komunizmi po i ban Shqipnís” dëmin më të madh “në lamin e kulturës dhe të traditave kombëtare”.

Tajar Zavalani shprehet se “Komunistët e Tiranës kanë pranue thezën e Enciklopedis sovjetike si udhëzim në fjalimet dhe shkrimet e tyne mbi historin dhe letërsin shqipe”. Aty ai gjen dhe fjalët e kësaj enciklopedie për Faik Konivcën ku shprehet: “Pamfletisti dhe kritiku letrar Faik Konica bante apologjin e sistemit borgjezo feodal…”, apo edhe se aktiviteti letrar i Gjergj Fishtës pasqyron rolin që ka luajtur kleri katolik në përgatitjen e agresionit italian fashist kundër Shqipërisë. Këtu shkruhet për Gjergj Fishtën: “Tue qenë agjenti i imperializmit austro-hungarez, Gjergj Fishta, në vjetët e parë të veprimtarisë letrare të tij, duel me luftue popujt sllav, të cilët pengonin planet grabitqare të imperializmit austro-hungarez kundër Shqipnis. Në poemën e tij shoviniste anti-sllave “Lahuta e Malcis” ky spiun ka nxitë armiqësinë e shqiptarëve kundër popujve sllavë, tue ba apel për luftë të hapët kundër tyne.” (1957:4) Vend të posaçëm Zavalani i jep edhe vizitës së Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në Moskë, ku qas dhe një herë rolin negativ të komunizmit, që tashmë kishte bazë tribunën e Kremlinit.

Me ardhjen e Tajarit në Londër, veç ideve dhe tashmë mendimit ndryshe të tij për komunizmin, pos dhe punëve të tjera, filluan edhe transmetimet e para në gjuhën shqipe me anën e Radio BBC-së, në nëntor të vitit 1940, ku ai ishte si përkthyes dhe spiker në Seksionin Shqiptar të Shërbimit për Europën, së bashku me diplomatin Dervish Duma dhe Anton Logorecin.


Libri “Histori e Shqipnis


Ky libër i ndarë në dy pjesë u shtyp në shtypshkronjën e emigrantëve të Latvisë në Londër duke porositur “apostafat një “ë” të pazashme, që nuk ekzistonte në maqinat linotip të zakonshme”(1961:6). Materialin e paraqitur nga Zavalani, e përkujdesi dhe e përgatiti për shtyp, kolegu i tij, Viktor Çami, por problemi i shtypshkruesve latvianë, që nuk dinin Gjuhën Shqipe e solli edhe në përfundim librin me mjaft gabime ortografike dhe drejtshkrimore. Libri u ndihmua nga albanalogu At Giuseppe Valentini, S.J., i cili natyrisht i dha autorit dhe

“Histori e Shqipnis” (Pjesa e Parë: Londër

dorëshkrimin eveprës së tij “Appunti di Storia Culturale albanese”, i cili ishte dhe mbetet një thesar i paçmueshëm informatash mbi Ilirët dhe periudhëne e sundimit Romak në Shqipëri. Autori dhe ndihmësit e tij brenda ligjeve britanike të kohës themeluan dhe një shtëpi botuese me emrin “Drini Publications Ltd”, që në fakt mbetet dhe e para shtëpi libri e themeluar nga shqiptarë dhe për Gjuhën Shqipe në Britani të Madhe. Adresa e kësaj shtëpie botuese ishte atëkohë, pikërisht ku sot ndodhet dyqani “SUBWAY”, në 66 Queensway, Bayswater të Londrës. Ndërsa adresa e shkrimeve funksiononte në 14 Chepstow Crescent.


Kush ishte Tajar Zavalani


Lindi më 1903 në qytetin e Manastirit 15 gusht të vitit 1903. Zavalanit ishin një familje me tradita të shquara atdhetare e patriotike. Meqë në atë kohë nuk kishte shkolla shqipe, i ati e dërgoi në shkollën franceze, të cilën e kishin hapur në Manastir misionarët katolikë, të ashtuquajturit “Vëllezërit Maristë”. Megjithatë, i ati u përpoq t’i japë edhe njohuritë në gjuhën shqipe nga një anëtar i familjes Qiriazi, anëtarët e të cilës më vonë hapën në Korçë Shkollën Femërore Shqipe. I ati ishte kryeredaktor i gazetës “Bashkimi i Kombit” botuar në Manastir më 1907-1908. Gjatë Luftës së Parë Botërore (1916), kur francezët bombarduan dhe dogjën Manastirin, me shumë të tjerë edhe Tajari la vendlindjen dhe shkoi në Selanik. Aty u hapën disa shkolla franceze, rreth të cilave u mblodhën nxënësit refugjatë. Tajari i dha të gjitha provimet gjatë gjithë viteve që mësoi aty, ku mbaroi edhe studimet në degën e letërsisë. Sipas dëshmisë së konsullit francez, i cili i kishte dorëzuar diplomën, Tajari në atë kohë ishte laureati më i ri që kishte kryer studimet në universitetet franceze.

Më 1922 ai vjen në Tiranë për të filluar punë në Ministrinë e Jashtme. Në fillim qe emruar sekretar i Komisionit Shqiptar për Çështjet e Kufijve, të cilin e kryesonte Ali Pashë Kolonja. Ky Komision merrte pjesë në grupin e përfaqësuesve ndërkombëtar të shteteve të ndryshme, që kishin mbi vete këtë çështje. Në fakt kufijt ishin të caktuar në Konferencën e Paqes, mirëpo ky Komision kishte për detyrë t'i zbatonte përfundimet e bëra që të ishin sa më të natyrshme. U emërua Sekretar i Legatës Shqiptare në Romë. Ashtu si shumë të rinj intelektualë shqiptarë të brezit të tij, ra në kontakt me idetë komuniste të kohës, duke ushqyer endrrën se komunizmi do të ishte rruga e shpëtimit të popullit të shumëvuajtur shqiptar. Në vitin 1925 shkon për të vazhduar studimet e larta për ekonomi politike në Rusi, megjithëse donte të studionte elektroteknikën, mori dhe diplomën e shkencave politike. Bënte pjesë në Grupin Komunist Shqiptar në Bashkimin Sovjetik me nofkën “Zoniev” ishte dëgjues në akademinë “Tolmaçevski”.

Më 1933 kthehet në Shqipëri nga ku punon si gazetar dhe përkthyes. Më 1935, ai ka qenë editor i revistës “Jeta dhe Kulltura”. Pas një kohe të shkurtër merret në Ministrinë e Financave, ku kryen detyrën e Drejtorit të Statistikave. Në këtë detyrë mbeti deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, për përkthimin e “Nënës’ së Gorkit, dhe artikujt e tij therës, Tajari bashkë me zonjën e tij internohen në Itali, ku kalojnë përdhunazi kufirin dhe shkojnë në Francë. Me një letër iu drejtua Mehmet Konicës, i cili në atë kohë ishte një nga anëtarët e Këshillit Mbretëror, madje iu drejtua edhe Mbretit, duke ia shfaqur me plot sinqeritet mendimet, dëshirat, idetë e idealet e veta. Mbreti jo vetëm që “e fali”, por u përgjigj se për Tajarin ka pasur një dashuri e simpati të posaçme, sepse e njeh mirë zemrën dhe thjeshtësinë e tij, ndaj në Francë qe emëruar prej Madhërisë së tij si atashe i shtypit i Oborrit Mbretëror. Kur Mbreti Zog gjendej në Francë, e cila në atë kohë kapitulloi, qe ftuar prej Mbretit të Anglisë, George VI (Xhorxhit VI), që të kalonte në Britaninë e Madhe. Në Londër Tajar Zavalani ka mbajtur një varg konferencash nëpër institute të ndryshme mbi Shqipërinë. Tri vjet ishte Sekretar i Përgjithshëm i Pen Clubit të shkrimtarëve në mergim, që vinin nga shtetet e robëruara. Pothuaj se tërë një numër të “Arena’ (revistë letrare e klubit të përmendur) ia kushtoi letërsisë shqipe, ku botoi edhe përkthimin e “Gjeniut’ të Atë Gjergj Fishtës në gjuhën angleze, që ai e përgatiti. Me formimin e Degës ACEN për Europë (Komiteti i Kombeve të Robëruara), ishte delegat i Komitetit Shqiptar. Në këtë detyrë ishte deri në fund të jetës. Në fakt, vitin e fundit ishte kryetar i Degës ACEN në Londër. Në janar të vitit 1962, si delegat shqiptar, merr pjesë në Këshillin e Evropës në Strasburg. Prania e Tajarit ishte më se e nevojshme, meqë shumë intriga e dredhi të huaja dolën në dritë dhe kështu ai vetë me anën e miqve e tha të vërtetën mbi Shqipërinë. Vdiq po në muajin e lindjes, në mëngjes herët të 19 gushtit të vitit 1966.


Vepra letrare


Po përmendim përkthimet më kryesore, të bëra gjatë veprimtarisë së tij me një rend kronologjik: "Sonata e Krojcerit" dhe "Ana Karenina" të Tolstojit, "Novelat" e Çehovit, "Nëna" e Gorkit, "Zonja me kamelje" e Aleksandër Dymas - të birit, "Tartarini e Taraskoni" të Dodesë e "Gobsekun" e Balzakut. Si përkthim të përgatitur për shtyp la në Shqipëri kur qe i detyruar të ikë, "Jeta e Napoleonit" prej E. Ludëig, e gjithashtu një pjesë bilingue të të famshmit Larousse (frengjisht-shqip), pjesën shqip.

Në mërgim përktheu nga rusishtja në gjuhën frenge librin e kolonelit G.A.Tokaev "Kujtimet e mia mbi parajasën e Stalinit" (Mes memoires - Le Paradis de Stalin), që u botua në Paris më 1957. Si vepër të posaçme publikoi në gjuhën angleze librin "Sa është e fortë Rusia?" (Hoë strong is Russia?), në të cilën dëshironte t'i tregojë botës se lirë se "Ariu i bardhë" nuk është aq i rrezikshëm sa u paraqitet të tjerëve, ku me argumente faktike ve në dukje dobësinë e Rusisë nga brenda, në çdo pikëpamje. Gjithashtu ka lënë në dorëshkrim përkthimin e papërfunduar të "Njeriu-ky i panjohur" të Aleks Karel. Një vend të posaçëm në veprimtarinë e tij si vepra më e mirë origjinale do të mbetet "Historia e Shqipnis" në dy vëllime, të cilën e botoi në Londër në vitin 1965. Pjesa e parë përfshin kohët prej Ilirëve e deri në Kongresin e Berlinit, kurse e dyta vazhdon e mbërrin deri në ditët tona (në vitet gjashtëdhjetë).


Mendimi i tij


“Rruga që duhet ndjekur për të modernizuar Shqipërinë është plot gjëmba, plot vështirësi të panumurta dhe lyp sakrifica të çdo çasti. Ata që do t’i përvishen kësaj pune duhet të mos ëndërrojnë jetën e një pallati por atë të kasolles, me fjalë të tjera mos kërkojnë konfort e dëfrime.”, shkruante Tajar Zavalani ( Populli dhe intelektualët)

Tajari ishte erudit i madh i cili në çdo kohë të tij brengosej për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve: “Qëllimi i qytetërimit është që gruaja të mos kufizohet në rolin e një kafshe shtëpiake por të marrë pjesë aktive në jetën e shoqërisë krah për krah me burrin. Qytetërimi i vërtetë fillon atëherë kur gruaja del nga rrethi i ngushtë i familjes dhe lartësohet shpirtërisht duke zhvilluar fuqitë e saj mendore dhe ndjesitë e saj të holla. Atje, në viset e qytetëruar ku gruaja është çkëputur nga robëria shekullore dhe ka vënë mendjen e saj të hollë dhe zemrën e ndjeshme në shërbim të shoqërisë, shohim që shkëlqejnë në të gjitha fushat e aktivitetit shoqëror sa e sa përfaqësonjëse të seksit, që jemi mësuar ta quajmë, të dobët. Shkrimtaret si

Tajar Zavalani ishte për një Shqipëri moderne dhe një grua moderne shqiptare, shkruan Fahri Xharra, duke sjellë “Kështu që dëmi me i math i pesë shekujve të sundimit osmanlli nuk është që na la më ditë të hallit ekonomikisht: pa rrugë, pa skela, pa ndërtesa, pa fabrika dhe me një bujqësi primitive e të çkatërruar, por është sidomos ky deformim i karaktereve humbja e atyre cilësive të çmuarshme që na duhen sot për të hyrë në rrugën qytetërimit të vërtetë. Pse po të dinim të punonim, po të dinim të bashkoneshim rreth një programi përparimtar, po të dinim t’i shtroneshim një disipline të hekurt dhe të pranonim me bindje autoritetin e atyreve që me zotësinë, kulturën dhe lartësinë e tyre morale do të na delnin si prijës, lulëzimi ekonomik dhe zhvillimi i kulturës do të arriheshin shumë shpejt. Djalëria shqiptare në qoftë se do me të vërtetë të lozë rolin që i ngarkon historia, duhet pikë së pari të edukojë veten e saj, të dale si një trup i disiplinuar, me muskulla të shëndosha, me idhe të qarta, me vullnet për punë dhe me shpirtin e sakrificës. (1933 )

“Një nga mbeturinat më të shëmtuara të botës së vjetër është pa dyshim ferexheja që mbulon gruan myslimane. Natyra hipokrite dhe e urryer e kësaj forme skllavërimi ishte kaqë e dukshme (ashiqare) sa nuk kujtonim të kishte nevojë të provohej. S’na shkon nga mendja se ka burra që i thonë vetes të dijshëm dhe duan të ecin hap më hap me kohën dhe guxojnë të dalin publikisht e të përligjin me argumente gjoja serioze, mshehjen e gruas myslimane mbrapa një perde të zezë. “ (Ferexheja dhe qytetrimi, 1930)

90 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page