top of page

NËNË TEREZANGA PLAGËT TEK YJET…




Nga fjala e shkrimtarit Visar ZHITIT


Të mbledhurit sërish së bashku për Shenjten Nënë Tereza më ngjan me një misionin. Eshtë fuqia përbashkuese e Saj. Jemi në Beratin e lashtë, biblik, me ordodoksë e myslimanë, mbi të githa me qytetarë të denjë, me ikonat e famshme të Onufrit dhe Kodikët e vyer, që, atë të Purpurtin, kur e kanë çuar të ekspozohet në Vatikan, e kanë venë në shtrat topi…

Nuk jemi larg bibliotekës së qytetit që mban emrin “Vexhi Buharaja”, poet e përkthyes nga bota e orientit, plot shpirt dhe ajo.

Për më tepër, ky takim bëhet afër Muzeut “Solomon”, që dëshmon përndjekjen dhe dashurinë njerëzore, thelbin e shenjtë të Nënës tonë Tereza. Por unë dua të kujtoj ideatorin e këtij muzeu, të urtin, me të gjitha kuptimet, Simon Vrusho, poet, humanist juaji, një nga miqtë e mi më të mirë e besnik, që kur u njohëm student e deri tani vonë, kur ai çeli këtë muze dhe bisedonim për vështirësitë që do të kishte për ta mbajtur, që aq denjësisht po e vazhdon këtë detyre humane bashkëshortja e tij, zonja Angjelina Vrusho.

Unë besoj te fuqia e Shenjtes Nënë Tereza që na mblodhi sot këtu, edhe me ata që janë në Qiell, që i duam dhe na duan…

Erdha në 5 shtator në aeroportin që mban emrin e Shenjtes tonë Nënë Tereza në Tiranë, pra, në ditën e shenjtërimit të saj, që është dhe festë zyrtare, por nuk pashë ndonjë shenjë që të na e përkujtonte, një pllakat a drita, as lule të freskëta në shtatoren e saj, aq të trishtë.

Mësomë të dua! - lutej Nënë Tereza. Të mësojmë të duam. Dhe më ngazëllen së brendshmi Berati me këtë takim dashurie.

U bënë 5 vjet nga dita kur u shenjtërua Nënë Tereza. E kujtoj atë ditë të madhe, meshën e shenjtë të kanonizimit, isha atje, në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Po si arritëm deri atje? Rrugëtimi drejt Nënë Terezës, i gjeneratës time, ndoshta është i njëjtë a i ngjashëm për ne, shqiptarët këtej…


* * *

Po, po, në burg dëgjova për herë të parë emrin Nënë Tereza, kur isha në Spaç, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për poezitë e mia. Kujtoj me nderim bashkëvuajtasit e mi beratas, Prof. Luan Myftiu, Shkëlqim Kurti, Dane Zdrava, Adriatik Mustafaraj, Ushtar Çobo, Protoduarin, Rajmond Sejkon… Një pasdite, ishim një grup të burgosurish te shkallët, po shplodheshim nga puna prej skllavi në minierë, kur na afrohet një i burgosur i porsaardhur, që s’ishte i ri në burg, e kishin dënuar prapë, Gjonzeneli e kishte mbiemrin, nga Vlora.

Ç’ka ndodhur ndonjë gjë jashtë? - e pyeti njëri që e njihnin që më parë.

Para se të më riarrestonin, dëgjova fshehurazi në televizorin Italian se çmimi Nobel për Paqe iu dha një murgeshe shqiptare.

Vërtet?

Po, e dëgjova vetë. Madre Tereza. – dhe na i thoshte dhe italisht lajmin. Të burgosurit përreth u mahnitëm, por nuk po guxonin ta besonim. Mos duan të sfidojnë regjimin kështu, duke krijuar lajme të bukura? Se ndodhte dhe kështu.

Jashtë telave me gjëmba ishte viti 1979, brenda televe me gjëmba nuk hynte koha, por antikoha. Kështu erdhi Nënë Tereza së pari tek unë burg.

Por ajo ishte e ndaluar në atdhe. Edhe si emër.


Ndërkaq, më vonë, edhe pse shumë vonë, kur do të binte perandoria komuniste e do të ndryshonte bota, edhe ne njohëm Nënë Terezë, nga shenjtëria e Saj. Donin të dinim sa më shumë për të dhe si vazhdim i asaj që dëgjova në Spaç, në leximet e mia gjeta diçka nga ceremonia e Çmimit Nobel, ç’kishte ndodhur në Oslo, në kryeqytetin e Norvegjisë në ato ditë.

Rrugëve endeshin mijëra e mijëra njerëz me pishtarë drite në duar, përflakeshin xhamat, dyndeshin te hoteli ku kishte bujtur Nënë Tereza, kudo ku mund të ishte ajo, donin që ta shikonin. Në pallati mbretëror, Mbreti i Norvegjisë, Ollavi V, do t’i thoshte Nënë Terezës:

- … po sikur të mos vij nesër në ceremoni?

- E pse? – ia kthen Nënë Tereza shkujdesshëm.

- Që të mos jem unë në qendër të vëmendjes, - kishte buzëqeshur Mbreti.

- E ke gabim, në qendër s’jemi as ti, as unë, - e ndërpreu Nënë Tereza, - por Zoti...

Mbretërve, presidentëve, sundimtarëve, kujdo Nënë Tereza guxonte, duke mos e ndjerë si guxim, t’u drejtohej secilit me “ti”. Ajo beson te natyrshmëria, te vlera dhe barazia, që Zoti i ka dhënë gjithsecilit.

Si përherë në raste të tilla siperane, ishin gazetarët që do e rrethonin Nënë Terezën, që do ta pyesnin dhe fjala e Saj do të përhapej në të gjithë botën, përveçse në Shqipërinë e saj të mbyllur si një burg.

Dhe aty, si i dërguar nga Zoti, do të ishte dhe një meshtar shqiptar, i ri dhe i përunjur, vëlla shpirtër i Nënë Terezës, që e kemi midis nesh sot në Berat, Dom Lush Gjergji, që do të bëhej dhe biografi më i mirë shqiptar i Nënë Terezës. Ai e dinte më mirë se kushdo se cila ishte Nënë Tereza, nga vinte, ç’kishte qenë ajo, i dinte dramat e familjes së saj dhe të popullit të saj, që siç duket iu përshkëndijua që në atë çast se ç’do të bëhej me Nënë Terezën, sikur ia pa aureolën, breroren mbi krye. Dhe pati frymëzimin, s’dihet nga ç’tallaze parandjenjash për të ardhmen dhe aty bëri pyetjen më të thjeshtë që mund të bëhet, po aq dhe të çuditëshme për atëhere dhe sa e vlefshme për më pas:

Kush jeni Ju? - Ishte për të mbajtur frymën dhe të dëgjoje ç’do të thoshte botërisht Nëna Tereze: Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht Zemrës së Jezusit”.

ARDHJA NË ATDHE


…mundi të vijë në atdheun e saj 10 vjet pas marrjes së çmimit Nobel, në 1989, pra 32 vjet më parë, në gusht, kur në tetor do të shëmbej Muri i Berlinit, që kishte ndarë vëndet dhe njerëzit, pak më parë se të binte perandoria komuniste. Sundimtarët e Tiranës, ata që nuk e kishin lejuar të shkelte tokën e saj, të takonte nënën dhe motrën, që ia vdiqën me pengun më të madh, tani i dhanë leje të shkonte dhe të vinte lule në varret e tyre.

Por dhe te varri i diktatorit. E kishin ftuar vejusha e diktatori dhe pasuesi i tij. Ç’ishte kjo, frika e Tiranës politike nga mëkatet dhe krimet e veta, që ndërkaq po përgatitej e detyruar të ndërronte sistem?

Nënë Tereza me sundimtarët e Tiranës, dëshmohet që nuk ka folur shqip.

Mendoj, jo nga që nuk po e përdorte më shqipen e saj të familjes nëpër punërat në botë, por duhet të ketë qenë dhe si një lloj qortimi i heshtur për ata që vranë shqipen e hershme liturgjike, ndërkaq Nënë Tereza mund të fliste me ta dhe me ndonjë nga gjuhët sllave, që dinte dhe që mund t’u shkonte më për shtat sundimtarëve në Tiranë, por përdori gjuhën e saj të misionit, anglishten, të kultures Perëndimore.

Kam lexuar në gazetën e madhe katolike italiane “Avvenire” një dëshmi të një shkodrani, autor librash, Marçel Hila, mik dhe imi, që thotë atë që pak veta e dinë, se varri i Enver Hoxhës dridhej në atë kohë sikur të kishte djallin brenda dhe ushtarët e shërbimit tmerroheshin e i ndërronin menjëherë.

Që Shqipëria e tërë dridhej nga djalli Enver Hoxha e dinë të gjithë. Nënë Tereza u thirr kështu dhe si ekzorciste. Dora e Saj mbi mermerin mortor është e sigurtë që i qetësoi drithmat e Shqipërisë që po i kthente fytyrën e vet të rreshkur Zotit.

Një mrekulli kjo, dhuratë qiellore dhe prej lutjeve të Nënë Terezës dhe kthimit të saj.


* * *

Kur Shqipëria jonë po hapej, drejt perëndimit, lirisë dhe demokracisë, unë shkoj në Itali, në Milano si gazetar i opozitës për një specializim.

RAI jepte çdo mbrëmje para lajmeve një lutje, video, të Nënë Terezës nga libri i porsabotuar i saj në italisht. Kërkova librin dhe e nisa ta lexoja netëve në dhomën time, një herë, dy, tre… më mahnitën lutjet e saj, të thjeshta dhe të thella, gjeta lutje për të burgosurit, e si të mos më intrigonte, për gjykatësit, lutje për të mbjellat, për ata që do të martohen, për fëmijën që do të lindë, për të dehurit, për shoferat, për kafshët, për atë që do të vdesë, për të poshtëruarit, për kohën, për emigrantët, muzikantët, për mikpritjen, për buzëqeshjen, unë jam nusja e Krishtit, thoshte ajo, lutje për ata që s’dinë të luten… ishin si poezi dhe më lindi dëshira t’i them në shqip dhe nisi kështu përkthimi i tyre. S’ishte thjesht akt letrar, ishte zbulim i lutjes, i fuqisë së saj, teksa shpesh libri më mjegullohej prej lotëve.


* * *

Ëndrra e takimit tim me Nënë Terezën u realizua me ardhjen e Saj të dytë në Tiranë, kur diktatura qe zhbërë e në pushtet ishin ngjitur liderat e lëvizjes së demokratizimit të vendit. Ndërkaq Nënë Tereza kishte pasaportë shqiptare, diplomatike.

Ajo kishte ardhur më përpara në Pallatin e Kongreseve se të vinin kreu i shtetit dhe personalitete të tjera. Iu afrova dhe unë duke fërgëlluar para asaj bardhësie të qirinjtë qiellore. Më bënë përshtypje këmbët e zbathura në sandalet e saj pelegrine. Dhe më vjen keq që në foton që bëmë vura çantën time para tyre, si për t’i mbrojtur nga një varfëri që unë s’e kuptoja atëhere, ajo ishte pasuria më e çmuar. S’po dija ç’t’i thosha:

- Kam përkthyer nga lutjet e Tua… - mërmërita.

- Mir’ ke ba! - m’u bë se m’u përgjigj. Kaq. Edhe rreptë. Pse, pyesja veten.

Më pas zbulova se Nënë Tereza, grua e ditur dhe e lauruar, me master, etj, që mbante ditar, etj, lexuese e shquar, etj, nuk kishte lexuar asnjë libër nga ato që botoheshin për të, aq të shumtë e në shumë gjuhe e kudo në botë.

Kur ndonjë shkrimtar a gazetar, biograf i Saj, i jepte librin e vet a guxonte t’i thoshte se shih, ç’kam shkruar apo po shkruaj për ju, ajo e ndërpriste dhe i thoshte: mirë po bën, duhen për t’i sensibilizuar njerëzit që bëjnë mirë. Dhe s’pranonte të dëgjonte më tej për vete.


Kur Shqipërinë për herë të parë në historinë e saj do ta vizitonte një papë, Gjon Pali II, në 25 prill 1993, Nënë Tereza erdhi që ta priste këtu, si bija “në derë të t’et”, doli në aeroportin që do të merrte emrin e saj në Tiranë dhe që të dy, ecën dorë për dore, shenjtër që do të shpalleshin më vonë.

* * *

…duhet të them diçka për luftën në gjysmën tonë, në Kosovë. Nënë Tereza pa dyshim si katolike e madhe është kundër çdo lufte dhe kundër çdo lloj arme, që nga ato të abortit dhe deri te ato të lemerishmet që shfarosin njerëz në masë, njëlloj janë e te pandemitë, që I perhaps djalli.

Që të çlirohej Kosova, ndërhyri NATO-ja dhe bëri të parën luftë morale, të shpëtonte një popull që po kërcënohej nga përzënia, nga ai eksod si në bibël, nga zhbëria.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton do të dëshmont botërisht në qershor të vitit 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar, dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Kaq herë u kishte thënë Ajo të mëdhenjve të botës: Ndihmojeni popullin tim!

SHENJTËRIMI DHE LIDERSHIPI SHQIPTAR

(Pjesa që s’u lexua dot në kuvend)


…Sa dritë kishte ajo ditë! Në një nga dritaret e pëfaqësisë, në katin e dytë të një pallati të vjetër në Rrugën “Ottaviano” 43, kishim vënë një portret të madh të Nënë Terezës, që dukej sikur e qeshura e saj e bënte më të ëmbël ajrin dhe pelegrinët apo turistët e shumtë ndalnin, e fotografonin dhe vazhdonin në turma të shkonin për te sheshi më i bukur i të gjithë botës katolike, para Bazilikës “San Pietro”.

Isha vetëm në ambasadë, bashkëpunoja me time shoqe, punonim deri pas mesante, dërgonim relacione të shpeshta në Ministrinë tonë të Jashtme, në Tiranë dhe në Sekretarinë e Shtetit të Vatikan.

Do të mblidhej e gjithë bota atë ditë të shenjtë. Vendet që lidheshin më shumë dhe drejtpërsëdrejti me Nënë Terezën, Shqipëria e para me Kosovën, Maqedonia e Veriut, për ne, Maqedonia e Jugut dhe India do të kishin delegacionet më të mëdha shtetërore, edhe mbi 20 veta. Vendet e tjera jo. Do të vinin kryetarë shtetesh, president, mbretër, nobelistë…

Ambasadori i Maqedonisë së Veriut më tha një ditë pas njërës nga meshat në Bazilikë se s’dinte nga t’ia mbante, ata të qeverisë së tij donin që të vinin që të gjithë në ceremoni, po me të tutë si i keni punët ju, - më pyeti.

Edhe unë s’di nga t’ja mbaj, - i thashë, - s’do të vijë asnjëri…

Lejomëni të rrëfehem, ndjehem si midis miqsh në Beratin dhe të prindërve të mi.

Nga Presidenca s’kishte përgjigje a do të vinin. Edhe nga Parlamenti. Kryeministri do të vinte, por jo delegacion shtetëror, ja ashtu vetëm, me grupin e tij. Me Ministrin e Jashtëm, mbase. Nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit donin të dinin sa vetë do të vinin, nga Shqipëria, cili do të ishte kryetari i delegacionit shtetëror? Nëse nuk vinte presidenti? Kabineti i tij absurdshëm po bashkëpunonte me nunciaturën, jo me ambasadën e vet. Erdhi në kohë një listë nga Kryeministria, do të vinte Kryeministri, bashkëshortja, Ministri i Jashtëm dhe nja dy drejtorë të asj ministrie. Pastaj më vjen një listë e gjatë, ku presidenti i Republikës, si kryetar delegacioni do të ishte në krye të nja 25-30 vetave, bashkëshortja, stafi i tij, këshilltarë, roje, vetura. etj. Pra s’kishte vend më për të tjerë, sipas tyre. Një ditë a dy para ceremonisë dëgoi listen e vet parlamenti, do të vinte Kryetari pa bashkëshorten, me një këshilltar e nja dy deputetë. Nga opozita asnjë lajm për pjesëmarrje.

Sekretaria e Shtetit të Vatikanit më mirëkuptonte dhe priste e qetë çdo sugjerim timin, kërkesë apo shkresa që anullonin njëra-tjetrën, siç më vinin nga atdheu.

Dhe mbërriti delegacioni shqiptar, tre krerësh, presidenti me të vetët, sa shumë, që s’donin të kishin punë me askënd, veç me piceritë e Romës, kryeparlamentari, jo dhe aq shumë në grup, kryeministri – korrekt me pjesëtarët e dërgatës së tij. Ishin vendosur në hotele të ndryshme, pa paqe midis tyre.

Ndërkaq Dioqeza e Prizren-Prishtinës kishte organizuar një koncert të madh në Romë, i ndihmova dhe unë, në një kishë të famshme me artistë shqiptarë nga e gjithë bota, që vërtet ishin të shkëlqyer. Na mblodhi dhe na frymëzoi Nënë Tereza, thoshim. Mes spektatorëve pafund ishin të gjitha copërat e delegacionit tonë, edhe nga opozita, por kurrsesi bashkë.

Dhe ja, mëngjezi i 5 shtatorit, me emocione të mëdha e me shqetësime ende më të mëdha. U kërkua nga policia italiane dhe protokolli që makinat e delegacionit shqiptar si për çdo delegacion shtetëror, të ishin në rresht bashkë. Ata të presidencës, vetë presidenti u alarmuan se makina e tyre nuk ishte e para, i sqaruan se para tyre nuk ishin as makinat e Kryeministrit e as të Kryetarit të parlamentit, por ato të policisë dhe ajo e ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, sipas protokollit. Mezi u qetësuan.

Si shumë po vepron qoftëlargu mes nesh, thosha me vete këtë varg të Nënë Terezës. “Qoftëlargu” ajo i thoshte djallit shqip.

U futëm në Vatikan, vargan vaturash të zeza, nga portat pas dhe do të dilnin në shesh duke kaluar mespërmes brenda Bazilikës mahnitëse të Shën Pjetrit. Sheshi ishte plot, një det me njerëz dhe me flamuj nga e gjithë bota. Skuqnin flamujt u bukur të Shqipërisë. Ja, dhe ata të Kosovës. Rojet e palëvizura zviceriane me shtiza në dorë, me uniformën me ngjyra, të stilizuara nga Mikelanxhelo.

Delegacionet shtetërore po zinin vendet e caktuara për to afër altarit të madh, përballë kardinalëve.

Pa i folur njëri-tjetrit u ulën në rreshtin e parë presidenti shqiptar me bashkëshorten dhe pranë saj bashkëshortja e Kryeministrit me Kryeministrin, Në rreshtin e dytë – Kryetari i Parlamentit, ndërsa në vendin e Ministrit të jashtëm ishte ambasadorja në Romë. E zura e para, tha. Vendet tona si diplomat i kishin zënë ata të shpurës së klanit të presidentit dhe bisedonin me zë të lartë, aq sa delegacionet e tjera kujtuan se po grindeshin.

Nejse. Rëndësi ka dielli. Shkëlqente mahnitshëm. Në taracat sipër, mes statujave të shumta, kamerat e gazetarëve nga e gjithë bota, edhe nga Shqipëria e Kosova. Kori i madh kishtar, muzika gregoriane, po ngriheshin nëpër ajrin biblik. Erdhi procesioni i bardhë me Papa Françeskun. Një mallëgjim hyjnor na mbushte shpirtrat.

Filloi mesha e shenjtë. Kanonizimi i Nënë Terezes tonë. U tha që është shqiptare. Kur erdhi koha që, sipas ritualit në meshë, i duhej dhënë dora njëri-tjetrit në shenjë paqeje, në gjithe atë shesh me mbi 100 mijë veta, vetëm presidenti shqiptar nuk i dha dorën kryeministrit të tij dhe e anasjellta.

Ndërkaq do të ndodhte dhe një si incident, le ta themi, por me Maqedoninë. Në broshurën e meshes së shenjtë, të shpërndarë ndër të pranishëm, në biografinë e Nënë Terezës, në anglisht ishte shkruar që ka lindur në Shkup dhe bnë kllapa ishte shtuar Shqipëri. Ambasada e Maqedonisë së Veriut, e Jugut për ne, protestoi, Shkupi s’është në Shqipëri, por kur lindi Nënë Tereza, në 1910, Shkupi ishte Sanxhak shqiptar dhe ende s’ishte shpikur Republika e Maqedonisë. Zyrtarët e Vatikanit kërkuan ndjesë, broshura s’kishte kohë të rishtypej, pas fjalës Shkup, emri Shqipëri në kllapa, u nxi, por ashtu tërhiqte më shum;e vëmendjen. Nuk di si ndodhi ky gabim, që s’ishte aq gabim, nuk besoj se u bë qëllimisht, por e ndolli një e vërtetë historike.

Nuk po zgjatem. Rëndësi ka që shqiptarët i dhanë botës sërish një shenjtore, tani moderne, të shekullit XX, që u kanonizua 5 vjet më pare në shekullin që jemi.


Shenjta Nënë Tereza është shqiptare,

por sa janë shqiptarët të Shenjtes Nënë Tereza?


Kjo është çështje. Është pyetja që kam bërë më herët. Duhet të jemi optimist megjithë vështirësitë dhe zhgënjimet. Të shkojmë drejt saj. Është ikonë përbashkuese, mbarëkombëtare. Rruga e saj është nga plagët tek yjet. Se dhe yjet janë plagë dhe plagët janë yje në universin tonë.


* * *

Ende ëndërroj që shesheve të qyteteve tona si vepra skulpturore të ketë dhe libra të hapur, të mëdhenj prej guri a bronzi a mermeri, me porosira dhe vargje të gdhëndura, nga eposi, por dhe nene të Kanunit tonë madhështor, nga Naimi e De Radës e Samiu, Ismail Qemali, Fishta, etj, e Vexhi Buharaja në qytetin e tij, etj, por kudo mund të vihen lutje dhe nga Shenjtja jonë Nënë Tereza, patjetër, ashtu siç i ka shkruar me dorë, me ato shkronjat e bukura rilindase.

Sot, në ajrin e Beratit diçka gdhëndëm dhe ne!

21 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page