NËNË DAFINA


Liri Bele

I

Dafina, banuese në fshatin më të largët të krahinës, ishte lindur e rritur në një shtëpi përdhese, fare pranë grykëderdhjes së gjerë të lumit Seman. I qetë dhe i pastër, lumi përshkonte përmes disa fshatra dhe derdhej në ujërat e detit me pamje të ranishtes, e cila sa vinte zgjerohej më tepër, derisa përzihej me ujërat e kaltra të detit.

Bukuria e Dafinës tërhiqte vëmendje qysh kur ishte ende fëmije. Në adoleshencë pamja tërheqëse nuk po e respektonte raportin përkatës me vitet në rritje, për faktin se midis vajzave të reja moshatare me të, bënin diferencë tiparet e spikatura të fytyrës vezake me lëkurë të lëmuar e të ndritshme, e cila nuk mund të ndahej nëse flokët e dendur, të verdhë e me forma të dallgëzuara, mbasi mbulonin gjithë sipërfaqen e ballit të lartë, shpërndaheshin mbi supe, duke i tejkaluar mes shpatullat. Shikimi i ëmbël që rrezatonte një mirësi shpirtërore të brendshme, përhapej nëpërmjet syve të bukur, si të ishte një dhuratë e veçantë, veçse ngjyra e tyre ishte e pamundur të përcaktohej saktë, për vetë faktin që ishte një përzierje midis të gjelbrës, nuancës blu dhe lehtësisht ngjyrës së zezë. Pa mundur ta kuptonte e ta shpjegonte as Dafina vetë, sipas momenteve të veçanta në të cilat mund të ndodhej, ngjyrat ia lëshonin vendin njëra-tjetrës; në shumicën e rasteve vezullonin gjithë nuancat e së gjelbrës, ndërsa, kur përjetonte ndjesi të hidhura, dilte në pah e errëta e shprehur me intensitet.

Përgjatë gjithë viteve të moshës rinore, derisa mbushi të 17-tat, Dafina belhollë, vajza me trup mesatar dhe me zhdërvjelltësi të skajshme, ishte pjesëmarrëse pranë të ëmës në të gjitha punët e shtëpisë; njëkohësisht shoqëruese aktive e dy vellezërve, motrës në punët bujqësore në arat larg shtëpisë. Mund të dallohej së largu të ishte dy-tre rreshta para të tjerëve gjatë procesit të prashitjes, ujitjes, vjeljes së perimeve dhe përmendej si vajza më e bukur në fshat. U martua sapo hyri në vitin e 18-të të moshës me djaloshin Niko, banues në fshatin përmatanë lumit, të cilin e njihte qysh nga vitet e fëmijërisë, duke e parë së largu sepse rastësisht banesat ishin të ndërtuara në fund të dy fshatrave, pozicionuar përballë njëri-tjetrit e që përshkoheshin nga rrjedha e tij. Dafina e kishte spikatur Nikon midis shokëve në bregun tjetër pothuajse çdo ditë, me përjashtim të stinës së dimrit, kur “luanin me një top prej lecke,” mësonin të notonin brenda ujërave të pastra, organizonin gara në grupe fëmijërore… Flisnin me aq zë të lartë, sa mund të dëgjohej çdo fjalë, sikur Dafina të ndodhej atje. Shatgjatësia, trupi muskuloz, vrapimi i shpejtë pothuajse i pamundur të arrihej nga bashkëmoshatarët, e dallonte Nikon në kohën kur laheshin apo vraponin në cektësirë. Sa për kohën dhe mënyrën e të vrapuarit në fusha, stilin e të notuarit mes ujërave të detit, ajo nuk e kishte parë dhe nuk ishte e sigurt në talentin e tij.

Me një buzëqeshje dashamirëse, shoqet pyesnin se sa kohë iu desh Dafinës, veshur me rroba nusërie, të kalonte me dhëndrin e dasmorët nga njëra anë e lumit në tjetrën përmes ujit në pjesën më pak të thellë, emërtuar “vahu”, por detyrimisht verifikuar nga një djalosh dasmor i përzgjedhur, që mbante në duart e veta “një çomange”, sinonim i emrit të një shkopi prej druri të gjatë, udhërrëfyes, të trashë dhe të sigurt, kur mbështetej mbi të për të njohur shkallën e përafërt të thellësisë, përkatësisht vendkalimit. Vlerësimi i tij ishte njëherazi edhe garanci në ruajtjen e jetës së personit që e ndiqte besimplotë një hap më pas brenda ujit të lumit, në sektorin e kalimit të mundshëm, pra ,një udhërrëfyes i njohur, i miratuar dhe provuar qindra herë nga banorët pranë bregut, veprim që përmendej si njëri nga mençuritë e zbatuara në praktikë, përgjatë jetës së fshatarit myzeqar me shtëpi buzë lumit. Sigurisht, krushqit erdhën ta merrnin nusen e re nga fshati përmatanë duke ecur mbi urën e vjetër lidhëse, ndërtuar shumë kohë më parë. Një tjetër arsye kishte të bënte me këngëtarët dhe sazexhinjtë, të cilët duhet të tregonin aftësitë e tyre duke shpërndarë hare në të gjithë fshatin. Pra, absolutishtrruga nuk do të shkurtohej përmes lumit, edhe pse ndjenja e vetëmbrojtjes mbizotëronte kur lumi kalohej në vah, po këngët e bukura të krahinës, a do mund t’i përhapnin?

Çifti i bukuroshëve Niko-Dafina po prisnin urimet e përzemërta nga bashkëmoshatarët e të afërmit, që nuk duhet të pakësoheshin në ujërat e lumit e të përfundonin në ato të detit. Familjet vendëse të dy të rinjve njiheshin, respektoheshin për faktin se banesat ishin përballë njëra-tjetrës në të dyja anët e lumit, jo larg në vijë të drejtë. Nëse mund ta përqendronin shikimin te njëri-tjetri, ata i drejtoheshin shokut me një përshëndetje të pazëshme, shoqëruar me tundje të lehtë të dorës së djathtë ngritur lart. Dafina, qysh në ditët e para mbas martesës, njohu afërsinë njerëzore, mirësinë, gatishmërinë për t’u ndihmuar nga familja e burrit, sjellje të njëjta me ato që la pas, të cilën, duke e zëvendësuar me një tjetër, po shijonte pa vonesë lumturi dhuruar nga bashkëjetesa me Nikon. Sapo krijuan familjen e re, po prezantonin shkallën më të lartë të mirëkuptimit, dashurisë së vërtetë burrë-grua, gjë që shihej me admirim, respekt dhe shpesh përmendej si pikë referimi nga bashkfshatarët .

Në shumicën e rasteve, shkëmbimi i shikimeve mes tyre realizonte mjaftueshëm transmetim, përcjellje mendimesh, aprovim të radhës së veprimeve, pa qenë i domosdoshëm shqiptimi qoftë i një fjale të vetme. Shpjegimi i këtij mirëkuptimi të rrallë mund të ishte kohëzgjatja e qëndrimit pranë njëri-tjetrit, sepse, në aktivitetin brenda shtëpisë e jashtë saj, përfshiheshin fizikisht e psikologjikisht, duke ecur në të njëjtin drejtim; një bazë mbështetëse ishte dhe qëndrimi objektiv dhe i natyrshëm ndaj problemeve të jetës së përditshme. Shprehur thjesht, ata përpiqeshin të njihnin paraprakisht mundësinë e plotësimit të një synimi të paracaktuar , në të kundërt nuk hidhnin asnjë hap në rrugën drejt tij.

Familja e re e Nikos i forconte themelet nga dita në ditë, përballej me një gjendje ekonomike të dobët, por thelbi i filozofisë së përballimit të jetës gjendej në bashkëpunimin e tyre, të ndihmuar nga prindërit e Nikos. Ata ishin dy fshatarë të përkushtuar në punë, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, përgjatë gjithë viteve të jetës, sigurisht shoqëruar me ndihmesën modeste të vajzave në rritje. Natyrshëm, familja tashmë më e shtuar në numër, e prezantonte vetveten ndershmërisht. Dafina ndihej mirë brenda familjes së re, për më tepër i vjehrri kishte natyrë të qeshur, të shoqëruar me ndjenjën e një humori të këndshëm, sidomos kur rastiste të ishte i pranishëm në episode të tilla si të vetmet mundësi tëkohës. Babai i Nikos, i quajtur Llazi, një ditë pranvere u shkëput nga puna shumë më herët se zakonisht, hyri rrëmbimthi në oborr, dhe me zë të lartë kërkoi të shoqin e Dafinën dhe u tregoi i emocionuar se kishte diçka të rëndësishme për të informuar familjen:

- Sot u takova me një shok të fëmijërisë së largët, Leun. Ai jeton prej gati 40 vjetësh në Amerikë e në Francë. U gëzova pa masë dhe e ftova sonte për darkë. Dua ta nderojmë, t’i rikujtojmë zakonet e krahinës; për këtë duhet patjetër në sofër të jetë kaposhi i detit i pjekur, përsheshi me bukë misri, revania… Sa për të tjera gjëra, ju e dini më mirë se mua, jeni të njohura për mikpritje, - i shndrinin sytë, mori frymë gjithë kënaqësi dhe vazhdoi të fliste sërish:

- U rritëm bashkë edhe me Kiun, banues përmatanë lumit, si të ishim tre vëllezër. E ke parë, Dafina, kur takohemi dhe qëndrojmë me orë pranë portës, duke biseduar gjatë? Fati e solli që xhaxhai i Leut, ndër emigrantët e pakët të asaj kohe, të interesohej për nipin, ta merrte me vete, edhe pse në moshë të vogël. Prej shumë kohësh ne nuk ishin takuar, duke mos ditur asgjë rreth jetës së tij. Vite më vonë mësova se banonte në Francë. Takimet e pëmallëshme ,përqafimet vijuan dhe…

Darka kalonte këndshëm për të gjithë. Pak afër mesnate, në një moment Leu iu drejtua Nikos, episode të cilin Dafina e përmendte shpesh më vonë, shoqëruar me humor kur e tregonte:

- Të lutem Niko, - i tha xhaxhi Leu, - më duhet harta e fshatit, të gjej shtëpinë e Kiut. Më ka marrë shumë malli dhe dua ta takoj, por nuk e mbaj mend shtëpinë...

Për të pranishmit ishte diçka e papritur, kryesisht Llazi vjehrri im, i cili nuk e njihte përmbajtjen e fjalës “hartë“. Po shihte rrotull, në mënyrë pyetëse, tepër i shqetësuar se mos i mungonte diçka darkës. Nikua, - sqaronte me krenari Dafina, - e kuptoi i pari dhe i tha:

- Xhaxhi Leu! Ne nuk e njohim nevojën e përdorimit të hartës në fshat. Shtëpia e Kiut është përmatanë lumit, nuk ka lëvizur as ajo dhe as lumi. Të nesërmen në mëngjes, nisu ngadalë, mund të pyesësh edhe ndonjë banor të fshatit se dielli në perëndim nuk largohet pa u përshëndetur me ta, sikurse herët në agim. Shko takoje shokun.

- Të më falni, - iu drejtua Leu me seriozitet, - por atje ku jetoj unë, ne nuk lëvizim pa e verifikuar më parë në hartën përkatëse…

Qeshëm me çiltërsi. Po kalonim çaste të bukura, pa e kuptuar sa kohë qëndruam ulur pranë sofrës. Në një moment, pasi e kuptoi kërkesën e tij, Llazi u ngrit me vrull, e përqafoi mikun me dashuri dhe i foli ëmbël:

- Nuk di për ç’them, Leu. Ne këtu nuk përdorim letra, kemi vetëm mendjen tonë drejtuese. Në rast se na duhet ndihmë, pyesim pranë…

Mbas darke, Nikua e shoqëroi Leun I cili ndihej i tjetërsuar nga kënaqësia që ndieu në atë shtëpi, ç~ka kuptohej qartë nga fjalët që tha:

- Nuk arrij ta shpreh dot mirënjohjen për darkën e sotme. Njëkohësisht, ju falënderoj, se më dhuruat kujtime të vyera të së kaluarës së largët!

Nuk kaloi shumë kohë dhe njerëzve të afërt në fshat apo në të tjera takime rinore të këndshme të organizuara, iu bë i njohur zëri melodioz i Dafinës në këngët popullore të krahinës. Por, ajo çfarë i habiste dhe mrekullonte të pranishmit, ishte fakti që Dafina shpesh herë thurte vargje të rimuara brenda një melodie të mirënjohur, teksa ishte duke kënduar në raste festash apo dhe teksa ishte duke punuar brenda oborrit. Nëse ndodhej në një situatë mortore, në çastin e përcjelljes së të ndjerit, vajtimi i saj mbetej mbresëlënës, prekës, i padëgjuar më parë, sepse ajo shprehej në vargje të sapokrijuara, improvizuar aty për aty. Të gjithë i përuleshin me respekt talentit të natyrshëm krijues, i cili, fatkeqësisht, nuk mundi të mbetej gjallë i shkruar me laps në faqe të panumërta veprash me poezi, sikurse të tjera talente të fushave të ndryshme nuk mundën të dilnin mbi sipërfaqe. Janë të njohura rrethanat që i kushtëzonin specialistët, njohësit e pakët të këtyre talenteve të rralla e të natyrshme; nuk i ndihmonte askush, nuk u jepnin dorën për t’i ngritur lart, për t’i larguar nga thellësitë e paimagjinueshme, të detyrueshme të atyre kohëve e për ta përcjellë talentin e tyre te pasardhësit, bazuar në të drejtën e pamohueshme botërore të adhuruesve të artit. Fatkeqësisht, tek ne u trashëgua pak pasuri artistike nga e kaluara.

Dafina u bë nënë e gjashtë fëmijëve me diferencë moshe të vogël midis tyre. Njëri ishte djalë, rrethuar me dashuri e përkëdheli nga të pesë motrat, që, së bashku me prindërit e Nikos, krijonin një familje me plot 10 anëtarë. Shtëpia përdhese, ndërtuar me mjeshtëri, rrjetat e dendura me kallama të trashë e të fortë, ishin mbushur me baltë të përpunuar, të ngjeshur e cilësore, sikundër edhe tabani; shtëpia kishte një çati me tjegulla, të rralla aso kohe në fshatra; hapësira përmbante dy dhoma të vogla dhe një tjetër të gjatë, të gjerë njëkohësisht, përfaqësuese të ambientit të mikpritjes, realisht e vetmja me oxhak e vatër katrore rreth 10 cm mbi sipërfaqe, vlera e së cilës shumëfishohej në ditët e ftohta. Një korridor i gjerë e përshkonte përmes shtëpinë, në fund të të cilit dukej një mulli bloje prej guri apo “mokra”, pranë thasët e grurit, pastërti dhe thjeshtësi; pusi me blloqe në mes të oborrit, rrethuar me një shtresë çimentoje në formë rrethi, rrezja e të cilit e kalonte njëmetërshin, pranë tij zhurma e çikrikut në futje-nxjerrjen e kovave metalike. Rrënjët e shumta të rrushit garantonin një kurorë të dendur mbojtëse nga dielli përvëlues i verës, teksa verigat e panumërta vareshin teposhtë dhe të ledhatonin flokët…

Disa metra larg shtëpisë ndodhej një kasolle e ndarë në dy pjesë: më e madhja ishte stalla e dy lopëve, tjetra për dhentë e qëngjat. Pas saj, koteci i pulave të detit, ndërtuar me thupra. Shtëpia, rastësisht e ndërtuar në fund të fshatit, kishte një përparësi të vetme: ajo ndodhej shumë larg qytetit, por fare pranë detit. Nëse ecje jo gjatë, i afroheshe sipërfaqes së pafund kaltëroshe, ndarë në formë fashash të gjera, rrëzëllitëse, intensiteti i të cilave kushtëzohej nga reflektimi i rrezeve, në vartësi të pozicionit të lëvizjes së diellit në hapësirën qiellore. Koha e takimit të rrezeve të diellit me sipërfaqen e pafund vezulluese të të gjitha nuancave bojëqielli, që kthehej në blu të thellë, sa më e madhe të ishte largësia me bregun, prezantohej si një përkëdhelje e lehtë, e shkurtër, e përmalluar midis tyre, të cilën e përjetoje këndshëm brenda vetes, nëse fatmirësisht ndodheshe diku pranë, natyrisht duke mbajtur sytë gjysmë të mbyllur e me qepallat në përpëlitje, për të lehtësuar sadopak forcën përvëluese të diellit të atyre ditëve të nxehta. Këtë bukuri të rrallë, shoqëruar me një ndjenjë të këndshme, pothuajse një tjetërsim të lehtë brenda vetes, si të ishte një dhuratë e çmuar falur nga nëna natyrë, mund ta shijoje pikërisht atje në momentin kur ta kapte syri, por me kushtin e vetëm pasi të kishe përshkuar me kujdes hapësirën e gjerë të ranishtes, të mos kishe provuar ndjesinë e shpimit të papritur, të dhimbshëm të zhukave të panumërta, që dukeshin se të vëzhgonin dhe prisnin çastin provokues të të vlerësonin shkallën e rezistencës, durimin. Pra, po ndodheshe në “mera”, emërtesa e ranishtes në përmasa të mëdha.

Djathtas rrugës zigzage, vëmendje tërhiqte gjelbërimi, gërshetuar me praninë e luleve natyrale të panumërta, të shumëllojshme, të rritura deri afër gjurit, njëherazi, duke të bërë një ftesë të sinqertë, të nënkuptuar të uleshe e të shtriheshe një copë herë në atë pjesë parajse tokësore, paraprirë me një paralajmërim të rreptë: të mos i dëmtojëe në ecje e sipër, të këpusje sa më pak prej tyre dhe, duke i rezistuar tundimit për të formuar tufa të mëdha. Bukuria e pishave të ulëta qëndronte në formën e veçantë të pjesës së trungut të përdredhur pas, me degët të shpërndara në formë kupolash, paksa të spostuara anash, si t’i bindeshin forcës së erës edhe në çastet kur ajo nuk ishte prezente. Çuditërisht, renditja e tyre në anën e majtë të rrugës i afrohej bregdetit, ndërsa djathtas, në pjesën përkundrejt, shihej një sipërfaqe moçalore e emërtuar “Shëllira”, e pranishme në më të shumtën e muajve të vitit me ujë të kripur të koncentruar. Ishte e pamundur të kaloje përmes saj për t’u gjendur pranë detit, se, ndonëse përgjatë verës së nxehtë ajo pellgaçe mund të mos përmbante ujë e të konsiderohej e tharë, tashmë dukej e përvijuar nga vazhda të thella dhe sërish mbetej e pakalueshme.

Prakticiteti, shoqëruesi besnik i një mendjeje të panjohur me librin, si përherë e gjente zgjidhjen duke ecur në këmbë nëpër rrugëzat e sajuara, ku gurëzat e panumërta, me vështirësi dalloheshin nga rëra e nxehtë. Shumë shpejt të mundësohej soditja e sipërfaqes vezulluese të nuancve të panumërta të ngjyrës së kaltër tej në largësi, zëvendësuar me ngjyrën e natyrshme blu dhe mbi të vraponin rè të bardha në qiellin e pastër, si të ishin në ndjekje të njëra-tjetrës, çuditërisht duke formuar pamje shëmbëllyese të jetës së përditshme, si figura mbresëlënëse të krahasueshme me sende apo kafshë reale, por paqëndrueshmëria e atyre tablove fantastike në qiell nuk të lejonin ta shijoje plotësisht, qoftë vetëm njerën, midis atyre shëmbëlltyrave të panumërta. Frymëmarrja thellohej, teksa ajri i pastër të freskonte fytyrën. Shumë shpejt, këmbët ndienin përkëdheljen e dallgëve, që, pasi preknin bregun, shpërndaheshin të bulëzuara, të transformuara në gjysmë rrathë të bardhë shkumë, si t’u linin me kënaqësi radhën të tjerave, të sapokrijuara brenda ujërave të detit. Fatlumët notarë, më e pakta, e kalonin me not bregun ndjekur me shikime admiruese nga shumë persona në breg, por shumica guxonin vetëm të ndodheshin brenda ujit, derisa uji t’u afrohej gjunjëve, pa i lagur pantallonat e përveshura mbi to.

Dafina, edhe pse banonte në zonën bregdetare, kishte mundësi të shijonte freskinë, kënaqësinë e prekjes së ujit të vakët e me shije të kripur përgjatë një ditë të vetme të vitit, mirë e paracaktuar dhe zbatuar me korrektesi që veprimi të përsëritej tri herë: saktësisht në mesin e muajit gusht, ditën e shenjtë të Shën Mërisë, rituali i së cilës përfshinte edhe momentin e zhytjes së kokës së personit brënda detit, pa e tejkaluar të mundshmen kohë të ndalesës së frymëmarrjes, pavarësisht thellësisë së ujërave.

Si një nënë e ndërgjegjshme, Dafina iu përkushtua edukimit, formimit të karakterit të fëmijëve dhe shkollimit të tyre, brenda mundësive që kishte. Sa për veten, ajo nuk e kish pasur fatin të mësonte asnjë gërmë apo të lexonte një fjali të shkruar; përfaqësonte një femër të pa arsimuar, me shkallë të lartë zgjuarsie natyrale, njëherazi një talent letrar të panjohur e të pavlerësuar. Megjithatë, pamvarësisht mungesës së shkollimit, të gjitha këto cilësi, shkrirë në një subjekt të vetëm, do ta prezantonin Dafinën si njërën nga personalitetet femërore të vendit…

Atyre viteve, në fshatin e tyre funksiononte vetëm arsimi fillor. Shkolla 7-vjeçare ndodhej tri fshatra më larg, vështirësi të shumta për fëmijët, të cilët duhet të kalonin përmes gropave të thella të mbushura me ujë shirash të rrëmbyera apo dhe sipërfaqet e akullta gjatë dimrit.

Dafina ngrihej para lindjes së rrezeve të para të diellit dhe punonte derisa terri i natës të ishte shpërndarë gjithëandej. Drita e një llambe me vajguri ishte gjithçka brënda shtëpisë, duke mundësuar thyerjen e errësirës ndëemjet mureve të dhomës, në orët e natës. Ishte e angazhuar tërë kohës me punë, për të siguruar bukën e përditshme, duke e përpunuar brumin me duar, e mundimshme për të aq sa, përherë e mbulonin bulëzat e djersës ballin e lart, teksa lagnin kaçurrelat e flokëve mbi të. Përhapja e aromës së këndshme të bukës së pjekur në zjarrin e drurëve në oxhakun e kasolles së saj, funksionimit perfekt të çerepit prej metali mbuluar me një shtresë hiri të pastër dhe përzierja me aromën e fasuleve që zienin anash zjarrit në poçen e madhe prej balte, ishin informacione të mjaftueshme se dreka ishte përgatitur dhe sofrën e drunjtë duhet ta rrethonin të gjithë pjesëtarët e familjes pa vonesë. Asnjë çast nuk e kalonte Dafina pa e shfrytëzuar atë me punëdore, si: thurja me shtiza, qëndisje të thjeshta, pothuajse përditë vendosje arnash në rrobat e grisura të fëmijve apo të rriturve, për t’i bërë përsëri të përdorshme, pa lënë mënjanë dhe punime leshi a pambuku në tezgjah.

Gjatë gjithë 24-orëshit, aktiviteti brenda shtëpisë koordinohej me të tjera procese brenda oborrit, impenjime të shumta, në krye të të cilave renditej kujdesi për mbarështim shpendësh, kujdesi për copëza toke, thënë ndryshe ”lehe”, të mbjella me perime të shumëllojshme, si pjesë përbërëse tepër e rëndësishme në përgatitjen e vakteve të ushqimit për familjen me 10 pjesëtarë. Sigurisht, mundohej të gjente sadopak kohë të lirë gjatë ditës dhe me ecje të shpejtë, pothuajse duke vrapuar, shkonte të ndihmonte Nikon përgjatë kohës së mbjelljeve, prashitjeve, vaditjeve, korrjeve, njëherazi, pa iu shmangur sektorit të blegtorisë, duke u përkujdesur për dy lopët, gjashtë dhentë me qengjat e vegjël pranë. Gjithë sa u përmend, përfaqësonte bazën ekonomike të një familjeje të thjeshtë me banim në fshat.

Njihej dhe vlerësohej mikpritja e Dafinës sidomos gjatë stinës së verës, kur sofra e madhe e rrumbullakët prej druri të lëmuar, shtrohej pothuajse çdo pasdite që të uleshin rreth saj të afërmit nga qyteti, të cilët ndalonin të qetësoheshin përkohësisht pas ditës së nxehtë në bregun e detit dhe për t’u rikthyer sërish. Dy apo tre adolshentë, moshatarë me fëmijët e saj, qëndronin në fshat disa ditë dhe rastiste për dy-tri javë, që, të shoqëruar me kushërinjtë, kalonin nëpërmes sipërfaqeve të pamata me rërë të pastër emërtuar si “mera“ për t’u larë në ujërat e detit. Nuk e matnin kohën e qëndrimit shtrirë për disa orë nën rrezet përvëluese të diellit, mbrojtjen ndaj të cilave e mundësonin tenda të improvizuara nga copat e thasëve të boshatisur të grurit. Më të sigurta konsideroheshin tendat e thurura me zhuka të përpunuara, thënë ndryshe “të zhulatura”. Ktheheshin në këmbë mbasdite vonë, tepër të kënaqur dhe me fytyra të flakëritura, shtriheshin pranë njëri-tjetrit, drejtpërsëdrejti në rrogoz (çarçafët ishin të pakët), për t’u takuar sërish të nesërmen me ujin e freskët, si të kishin lënë një pikë e një orë takimi. Të rriturit largoheshin pas mesnate me disa çanta në duar, dhuratat e përhershme të Dafinës. Ishte pjesë e sjelljes së saj të veçantë ndaj miqve; ajo gjithmonë u jepte diçka dhuratë - tregues i vazhdimësisë së mikpritjes së saj të natyrshme, të rrallë e të papërsëritshme. Mysafirët përherë largoheshin duke folur me zë të lartë e të ngjirur, që dëgjohej në largësi, si pasojë e të kënduarit gjatë, njëherazi treguese e rrëkëllitjes së gotave me raki rrushi cilësore… ehuu, kushedi sa gota!

Vitet në vazhdim, koha e rritjes së fëmijëve, nisën ta ndryshonin disi gjendjen ekonomike; ajo nuk qëndronte më në parametrat e parë. U detyruan të pakësonin ndjeshëm shkallën e pritje-përcjelljeve, por mbeti mënyra e dhurimit e ngulitur brenda shpirtit të Dafinës. Për më tepër, vështirësitë po shtoheshin dita-ditës, njëra prej të cilave ishte rregullorja absurde e vendosur nga kryesia e kooperativës për të kufizuar numrin e shpendëve të rritur nga secila familje në fshat. A mund të kuptonte, të zbatonte një komandë të tillë zemërarta Dafinë?! Ishte diçka e përafërt me shkelmimin e zemërmadhësisë së shpirtit të saj, një ndërhyrje brutale në zemër, kur dikush e detyronte të mos shpërndante dhurata të siguruara me djersën e ballit, siç bënte ajo zakonisht: gjela deti për Krishtlindje apo, për Vit të Ri…

Si përherë, triumfonte prakticiteti i mendjes së Dafinës përgjatë kohës së kontrollit prej bashk fshatarëve të drejtuar nga kryesia e kooperativës dhe, njëra nga zgjidhjet ishte futja e shpendëve brënda rafteve të kuzhinës, një veprim i shoqëruar me ngritjen e tonalitetit në shkallën maksimale të mundshme të një stacioni muzikor të radios së vogël mbi oxhak, realisht e vetmja mundësi neutralizimi ndaj këngës së gjelave përgjatë kohës kur ushtrohej kontroll nëpër çdo shtëpi të fshatit. Sigurisht, këngëtari i panjohur do t’ia merrte fitoren zërit të gjelit në dollap…I cili të nesërmen do tu dhurohej miqëve…

Një problem serioz i familjes ishte rrënimi i mureve të shtëpisë, ndërtuar disa dekada më parë me rrjeta kallamash paralel, të mbushura me baltë të përpunuar; tavani me shëmbje vënde-vënde… Ishte koha kur të dy prindërit e moshuar të Nikos kishin ndërruar jetë. Ndërtimi i një shtëpie të re ishte financiarisht e pamundur, ndaj e gjykuan të arsyeshme të shpërnguleshin prej andej. Për më tepër, fëmijët, tanimë të rritur, po kërkonin një tjetër mënyrë jetese në qytet, po tregonin ambicie për një jetë të civilizuar në një banesë të thjeshtë, edhe pse vazhdimësia e jetës së deriatëhershme dukej e natyrshme. Një problem i vështirë po dukej para familjes. Kryesisht Dafina e shihte veten në mëdyshje; pikëpyetje të shumta e shqetësonin për Nikon dhe fëmijët. Ndonëse ishte e sigurt se të dy do të punonin me përkushtim, mendonte për sa më pak shpenzime në përgjithësi, duke shpresuar se do t’ia dilnin. E njihte pothuajse fare pak jetën qytetare, teksa ditëve të marta shkonin e ktheheshin me qerre deri në tregun e krahinës dhe ndonjëherë një përshkim i shkurtër në rrugët e qytetit, por jo më tepër…

Menduan gjatë dhe vendimin e mori Nikua. Sigurisht Dafina u bind saje argumenteve të shumta e të thella, renditur për ditë e javë me radhë. U sistemuan në një shtëpi të lagjeve periferike të qytetit. Ato pak mobilje të vjetëruara nuk mund të transportoheshin; rritja e vajzave, njohja me jetën qytetare shumë me ndryshe krahasuar me të mëparshmen në mes të ranishtes, prezantohej me një tjetër këndvështrim, me të cilin nuk ishte njohur më parë asnjëri prej anëtareve të familjes. I mendonte kushtet e vështira me të cilat do të përballej, por kur i njohu drejt përsëdrejti, atëherë…


II

Pavarësisht thjeshtësisë e ngushtësisë së mjedisit, banesa e Dafinës në qytet shpejt u kthye në një vend mikpritës, vetëm se tanimë ishin ndryshuar drejtimet e lëvizjeve. Në shtëpinë e saj vinin për të filluar jetesën në qytet të afërmit nga fshati; hapat e parë i bënin duke gjetur një strehë të përkohshme, sikundër i vëllai, pasuar më vonë nga të dyja motrat me familjet e tyre. Shpesh Dafina detyrohej të shtrihej për të fjetur mbi shtresën e çimentos, mbasi në krevatin e gjerë dhe në dy divanet e zhuritura të kuzhinës do të akomodoheshin miqtë. Për më tepër, ajo pranoi të ndihmonte kohëzgjatjen me vite për shkollimin e dy nipërve: njëri në g