top of page

NË ZEMËR TË KALABRISË


“NGA SOT KEMI NJË COPËZ KOSOVË NË ZEMËR TË KALABRISË”

Nga Frank Shkreli

Kështu u shpreh Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj këto ditë në Kalabri. Ajo gjëndet në mesin e Arbëreshve të Italisë me ftesë të komuniteteve të ndryshme arbëreshe të rajonit të Kalabrisë. Sipas portalit të zyrës së Presidentes Osmani, gjatë vizitës së saj në Kalabri, ajo zhvilloi takime veças me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, në Katanzaro, me kryetaren e Provincës së Kozencës, si dhe me kryetarët e komunave arbëreshë të atij rajoni, me të cilët do të diskutojë mbi mundësitë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me komunat arbëreshe të asaj zone. Ndërkohë që, në një ceremoni të veçantë, në komunën e Frasnitës, Presidentes Osmani do t'i ndahet çmimi “Gjergj Kastrioti”. Presidentja Osmani, në ditën e dytë të vizitës së saj në Kalabri, është takuar edhe me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, me të cilin bisedoi mbi shtrirjen e mëtejme të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Rajonit të Kalabrisë.


Presidentja Osmani ishte ftuar të vizitojë Universitetin Kalabria ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentët dhe mësimdhënësit e atij universiteti të njohur. Në të gjitha këto takime, thuhet në njoftimin e Presidencës së Republikës së Kosovës, se Zonja Osmani do ta shtrojë mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës me komunat e Kalabrisë ku jetojnë arbëreshët, si dhe mbi bashkunimin e institucioneve të Kosovës për të ndihmuar komunitetet arbëreshe për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhësor e kulturor. Mbledhja e traditës gojore arbëreshe, si dhe regjistrimi i pasurisë gjuhësore, si pjesë e ruajtjes së identitetit të tyre, do të jenë në qendër të vëmendjes së vizitës së Presidentes Osmani, thuhet në njoftimin për vizitën. Ndërkaq, theksohet se gjatë vizitës së saj në Kalabri, Presidentja e Kosovës mori pjesë në aktivitete të shumta me një përqëndrim në traditën, ritet dhe kulturën arbëreshe.


Zonja Osmani e ka cilësuar komunitetin Arbëresh në Itali si një shtyllë e kulturës dhe e identitetit kombëtar të shqiptarëve, ndërsa ka shprehur mirënjohjen e saj për mikpritjen që i bënë me këtë rast vëllezërit dhe motrat arbëreshe. “Për shekuj të tërë, ata e kanë ruajtur identitetin kombëtar e gjuhësor, traditën, ritet e kulturën e të parëve të tyre. Ideja e Rilindjes kombëtare dhe historia e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, e gjejnë burimin në tokën e arbëreshëve”, është shprehur Presidentja e Republikës së Kosovës, në takimet e saj me Arbëreshët.


Udhëheqsja e Republikës së Kosovës i shprehi falënderimet e saja komunës së Frasnitës për çmimin “Gjergj Kastrioti”, akorduar asaj nga kjo komunë arbëreshe. Ky çmim është një mirënjohje, para së gjithash, për betejën historike të Kosovës për liri dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar, ka thenë Presidentja Osmani. Gjatë qendrimit të saj në atë zonë, “në zemër të Arbërisë”, në praninë e shumë arbëreshëve të Frasnitës, është inauguruar sheshi, i cili tani e tutje, do mbaj emrin e Republikës sonë, sheshi, “Kosova” -- një copëz Kosovë mu në zemër të Kalabrisë, ka theksuar Presidentja e Republikës së Kosovës, Zonja Vjosa Osmani.


Presidentja e Republikës së Kosovës ka thenë se “Identiteti kulturor e gjuhësor është pjesë e çmueshme e identitetit dhe kulturës shqiptare, Prandaj, ruajtja e tij është jetike për gjithë Kombin tonë”, ka shtuar ajo duke theksuar se, “Festa e Valleve” gjatë vizitës së saj në komunat në komunat Çift dhe Frasnitë, është një dëshmi e ruajtjes së këtyre traditive shekullore ndër Arbëreshët, ka theksuar Zonja Osmani.


Kosova, Shqipëria dhe mbarë Kombi Shqiptar u kanë shumë borxhe Arbëreshve, të cilët për pothuaj 600-vjet, ata ruajtën gjuhë e tradita në Italinë mikëpritëse. Me në krye poetin e madh arbëresh, Jeronim De Radën – apostullin e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, shumë intelektualë arbëreshë, gjatë shekujve mblodhën dhe ruajtën vlerat, gjuhën dhe traditat, rezultatin e frutëshëm, e të cilave e shohim edhe sot të shpalosur gjatë vizitës së Presidentes së Kosovës në zonat arbëreshe të Italisë. “Pesë shekuj besnikërie të nji jete kalue në hullin e dokeve arbnore, larg trollit të dheut të të Parëve, u ligjuen në vepër të De Radës, e cila i dha veshtrim të lumnueshëm mërgimit shekullor të Arbëreshvet”, ka shkuar Ernest Koliqi, edhe ky vet një kontribues i madh i ruajtjes së kulturës, gjuhës dhe traditave në komunitetet arbëreshe në Itali, shekullin e kaluar. “Prandaj, na Shqiptarët, që muarme në dorëzim nga De Rada amanetin e lanun Arbëreshvet prej Skanderbegut, d.m.th fytyrimin e Shqipnisë së lirë, duhet t’i jemi mirënjohës, jo vetëm Poetit të Makjit (De Radës) por edhe vëllazënvet të nji gjuhe e gjaku që nën qiella të huaja, atë amanet ruajtën me besniki të patrandëshme”, ka shkruar Profesor Ernest Koliqi, në artikullin me titull, “T’u jemi mirënjohës Arbëreshvet të Italisë”, botuar në revistën e tij Shejzat, VIII, 1964. Kombi shqiptar u është borxhli dhe duhet t’u jetë mirënjohës Arbëreshvet, sepse sipas Ernest Koliqit, “Nepër poezi e apostullatë të Jeronim De Radës, Arbreshët e Italisë kryen atë vepër të mistershme shpërblimi njerzor e kombtar, që i Nalti Perendi u caktoi atyre, kur në nji stinë duhie e tmeri, kanë lanë brigjet e Atdheut dhe mërguan në vis të huaj, me ikonat (e tyre) fetare dhe me hire shqiptare.”


Këto hire, këto bukuri e hijeshi shqiptare, për të cilat ka shkruar Ernest Koliqi 60-vjete më parë në revistën Shejzat, përfshir identitetin kulturor e gjuhësor të Arbëreshve, e për të cilat foli edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Kalabri -- e që sipas saj janë, “Pjesë e çmueshme e identitetit dhe e kulturës shqiptare. Prandaj, ruajtja e tyre është jetike për gjithë Kombin tonë”, ka theksuar Presidentja e Republikës së Kosovës,


Ruajtja e identitetit kombëtar vërtetë është jetike, qoftë në trojet shqiptare, qoftë edhe jashtë tyre siç janë Arbëreshët e Italisë, për një të ardhme më të mirë për mbarë Kombin shqiptar, shpesh të gjunjëzuar gjatë historisë, por kurrë i humbur! Ky ishte edhe mesazhi i vizitës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në krahinat arbëreshe të Italisë, këto ditë por dhe simbolika e pritjes madhështore që i akorduan asaj vëllëzërit edhe motrat arbëreshe të “gjakut ynë të shprishur”!

7 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page