top of page

Në vijim të shqetetësimevetë Profesorit Resmi Osmani


Prof.dr. Eshref Ymeri


I dashur Profesor Resmiu, intelektual i nderuar nacionalist nga Çamëria martire,

Në Portalin “Fjala e Lirë” të ditës së sotme, lexova shënimin tuaj të shkurtër, me titull “Gjyqi në Hagë”, i cili më tronditi dhe më krijoi një gjendje ankthi për shqetësimet e drejta që ngrini. Në këtë shënim më lanë vragë të thellë dy pyetjet tuaja në vijim.

E para:

“Përse në tërë Kosovën, populli nuk ngrihet në demonstrata dhe demaskim të të gjitha krimeve të përbindshme, të kryera nga Serbia, për t’ia bërë të njohura gjithë opinionit evropian e më gjerë?”.

Po si mund të ngrihet në demonstrata populli në Kosovë, ore Profesor i dashur, kur, deri dje, gati 70% e tij, ka pasë votuar kryesisht për partinë e Thaçit dhe të Mustafës, dy shërbëtorëve besnikë të Beogradit, të cilët veprën e tyre tradhtare në shërbim të Serbisë e demonstruan me rrëzimin e qeverisë Kurti? Përgjithësisht, populli shqiptar, duke e marrë edhe si komb, nuk ka pasë qenë dalluar absolutisht për solidaritet mbarëkombëtar, sepse i kanë munguar tërësisht aftësitë vetorganizuese. Vallë nuk e ka ditur populli shqiptar i Kosovës që tradhtarët që kishte në krye, gjatë bisedimeve të pafundme dhe krejtësisht të kota me Serbinë në Bruksel, asnjëherë nuk patën kërkuar dënimin e krimeve serbe dhe kompensimin e të gjitha shkatërrimeve që ajo pati kryer gjatë viteve të luftës? Populli shqiptar i Kosovës ka heshtur pikërisht për shkak të mungesës së solidaritetit mbarëpopullor. Kujtoni për një çast, Profesor i nderuar, periudhën e sundimit otoman: kur shpërthente ndonjë kryengritje në jug të trojeve etnike, në veri populli flinte gjumë, kur shpërthente ndon jë kryengritje në veri, populli në jug flinte gjumë. Po ta kishte pasur kombi ynë aftësinë e vetorganizimit gjatë sundimit otoman, nuk duhej ta kishte lejuar Stambollin të na ndalonte shkollat shqipe për më shumë se katër shekuj. Shovinizmi grekokriminal kreu gjithë ato krime të tmerrshme në Çamëri, por populli shqiptar i Shqipërisë Londineze shtroi kurrizin para një krimineli pa kurrfarë formimi intelektual, si Enver |Hoxha, dhe nuk u ndie për i gjallë për t’u vetorganizuar dhe për të ngritur zërin për vëllezërit tanë të Çamërisë. Pra, sipas mendimi tim, Profesor i nderuar, një komb, të cilit i mungojnë solidariteti dhe aftësitë vetorganizuese, do të shkojë pashmangësisht drejt vetëshpërbërjes ca nga ca. Kjo është e pashmangshme.

E dyta:

“... a nuk ka ardhur koha të ndërmerret nisma e bashkimit në nje shtet te vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës, si kundërpeshë e rrezikut të rikthimit të Serbisë në Kosove?”.

Ju, Profesor i çmuar, e dini shumë mirë kuptimin e fjalës së urtë të shqipes sonë hyjnore:

“Duhej puna që më parë, sa ish Muçoja pa vrarë”.

Ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë duhej të ishte bërë me kohë e me vakt. Vendimi i Kuvendit të Kosovës për shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, duhej të ishte shoqëruar më pas me dy vendime të tjera me rëndësi jetike.

Vendimi i parë: Pakoja e Antisaarit të hidhej në koshin e mbeturinave, sepse atje ka një pikë poshtëruese për Kosovën. Sipas asaj pike, Kosovës i ndalohet bashkimi me ndonjë shtet tjetër.

Vendimi i dytë: organizimi i referendumit për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Kuvendi i Kosovës nuk i mori këto dy vendime me rëndësi jetësore, sepse në krye të kastës politike kishte mercenarë, tradhtarë në shërbim të Beogradit, i cili, që para se të fillonte lufta, në Kosovë pati organizuar mjeshtërisht të njëjtin skenar, si edhe në Shqipëri pas 08 nëntorit të vitit 1941: në krye të partisë komuniste dhe në krye të ushtrisë vendosi argatët e vet, tradhtarë të kombit shqiptar, me qëllim që të realizonte me sukses përçarjen e popullit shqiptar nëpërmjet luftës vëllavrasëse dhe luftës së përbindshme të klasave, çka bëri që vendi ynë të mos ngrihet dot kurrë më këmbë, por të vazhdojë të tërhiqet zvarrë, si edhe deri tani, në sytë e mbarë Evropës. Kuvendi i Kosovës nuk e mori vendimin pë organizimin e referendumit për ribashkimin me Shqipërinë, por i lejoi vetes që populli shqiptar i Kosovës të mbetej në mëshirën e UNMIK-ut dhe të EULEX-it, dy struktura këto në mbrojtje të pakicës serbe dhe të interesave të Serbisë, sipas tekave të brukselizmit. Pra, zhvillimi i ngjarjeve në Kosovë ka qenë i parashikuar sipas skenarit të Beogradit, të Moskës dhe të brukselizmit. Nëse në përfundim të Gjyqit të Hagës, nuk do të ndahet veprimtaria kriminale e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga objektivi i asaj ushtrie në mbështetje të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga bisha serbe, atëherë do të dalë më së miri në pah thelbi i skenarit të lartpërmendur.

San Diego, Kaliforni

10 nëntor 2020

50 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page