
NË VENDLINDJEN TIME
Nga Naxhie Doçi
Në vendlindjen time perlë,
në Therandën e dashurisë së paskaj
ku më përkëdheli për herë të parë
rrezja e shpërndarë,
ku më stisi filli dhe vazhdimi im i përtërirë.
aty është rrënja ime e dëlirë.
Aty kam mal kujtimesh shkrirë në krenari shpirti
me mijëra sish veç nga fëmijëria
duke luajtur fushave e korijeve shkallore
në Rrëzëhisarin antik me shtresime lashtësie
me lisnaja e gjelbërime mrekullie.
në përqafim të diellit.
Në vendlindjen time,
cicërrimat magjike të zogjëve
simfoni e dehur përherë
e lejlekët e bardhë krahëhapur në foletë e tyre
shënjtëri e përsëritur për çdo pranverë e verë.
Me moshataret hirëplota hapëroja
edhe në rininë me buzëqeshje agu,
me portat e zemrës mbushur dashuri
shpresat të pashuara i kishim në vazhdimësi
e lutjet asnjëherë harruar
për sofrën e shtruar pa lotë përmallimi
për ata që na mungonin, rritën të na bekonin
labirinteve të trishta padrejtësisht ngujuar.
Për gjyshër e prindër pishtarë
që nëpër furtuna të acarta kohore
e dëshmuan trimërinë
burgjeve të trishta e sfidonin robërinë,
se nën pushtimin barbar serb
përdhunshëm frymonim.
Në vendlindjen time
në shkollë shkonim
me dashurinë sublime të derdhur
për të fituar dituri si një mrekulli,
fletoret mbushur përplotë me shkrime
me ëndërra të pashuara për agun e bardhë,
për lirinë me buzëqeshje pranvere flakëruar
që një ditë gjithësesi që do të vije
në tërë etninë e përkushtimit të mbarë
në hartën e përthekimit të trashëguar.
Naxhije Doçi
Kommentare