Në varrin e motrës Tina
Nga SOTIRAQ SPIROLLARI (RICHI)
Si ndjehet Dielli mbi varrin tënd Motër,
Shpirti jot gatitur nga engjëjt?
Unë, ti e di, mbushem me zbrazëtinë e një zemre të thyer prej gjumit tënd.
Me ty flas mes të vdekurve
ku vetëm mizat grimcojnë heshtjen.
S’gjej dot asnjë ngushëllim,
që të jetë i mjaftueshëm
në këtë zbrazëti ku është vonë të lutesh,
dhe ngushëllimet kthehen në lot!
Është vështirë të shpjegoj labirintin e heshtjes ku takohen shpirtrat krahë thyer
në gjumin me flatra të errëta,
e në ajër ecin fantazma të vjetra e s’ka më rëndësi askush.
Heshtja shurdhuese, lakuriqe
hidhërimet i bën gur pa sy,
e vjen si luftë me shpirtin e rrënuar prej gjithë kësaj bote shterpë mermeri e pluhuri,
që fle nën dritën e hënës si portreti i një gënjeshtre.
Motër më mungon buzëqeshja jote si mendimi i fundit,
sa herë kam dhimbje më shfaqet shpirti jot me ndriçim të bardhë.
S’mundet të mbajë një var i vogël, dashurinë e madhe të një motre.
Sa herë vij tek ty,
ti qan e unë qaj, duke mallkuar fatin si e zeza në oqean.
Për fatin tënd hakmerrem,
kujtoj dashurinë tënde që buzëqeshje i shtonte botës.
#SOTIRAQ #SPIROLLARI (RICHI)
Comments