Në symbyllje
Poezi nga Vera Istrefaj
Kur i mbyll sytë
më hapen portat e shpirtit
Vallëzueshëm
vërshojnë ndjesitë,
kalojnë caqet e mitit
Mendimet…
Ah, të shkretat mendime!
Enden aty-këtu
në ndërgjegjen time
Cdo qelizë
ma mbështjell ëndja
e indet lulojnë
plot jetë
Gulçimin s’e ndal
zemra djegur në mall
Qepallat
nuk guxoj t’i hap
Zgjimit
i iki me vrap
Flatra mori
ndjesia ime,
flatra ëndërre
e trupi
peshë pende.
Gjethnajë shpirti
Gjethnajës së shpirtit
fëshfërisin mendimet
Gjethe më gjethe
peshojnë dhimbjet,
e me pika vese
ujis sythe shprese
Puhizë e pranverës
freskon shpirtdjegien
Kohë mbi kohë,
dhimbje mbi dhimbje
mbjell fidanë të jetës
Me rrezet e diellit
përkëdhel ëndërrat
Pranverohet shpresa ime
çdo vit që ik!
Gjethnajës së shpirtit
fëshfërisin mendimet,
në pritje të vjeshtës
mbi gjethe mundimet
Me filxhanin e kafesë
Me këtë filxhan kafeje
ku rrufis ithtësinë e halleve
dhe forcën e jetës
për t’i dhënë jetë shpresës,
puthem çdo ditë
Në takim të buzës
me kafeinën,
e nis rutinën
Me tirngëllimën e monedhës
mbi tavolinë
i bëj thirrje vetes
të braktisë mërzinë
Comments