top of page

NË RRËZOMË


PËRGJATË LUMIT TË KALASËS, NË RRËZOMË (TË RRETHIT TË DELVINËS).


Nga Ideal Serjani

Zona e Rrëzomës është një nga zonat më të goditura nga diktatura e për rrjedhojë, edhe nga më të prapambeturat nga ana ekonomike e kulturore. Të shtatë fshatrat e kësaj zone, shtrihen përgjatë krahut të majtë të rrjedhës së lumit të Kalasës, me përjashim të fshatit Kalasë, ku lumi e ndan në dy lagje: Frataj dhe Fshatarë, duke i kaluar mespërmes. Këto fshatra shtrihen në luginën e lumit dhe kufizohen nga perëndimi me malin e Lavanit dhe nga Veriu e verilindja me malin e Lucës, Sinovarfit, Gramatisë, Qafës së Skërficës, Pilloit, Vuzhës e deri në Kamenicë, nga ku lartësitë ulen në Bajkaj drejt fushës së Delvinës. Përmes këtyre vargmaleve, në drejtim të kundërt me rrjedhjen e lumit është gryka e Galishtit që fillon në Tatzat e mbaron në fshatin Fterrë, rreth 4 orë e gjysmë në këmbë. Qafat që e rrethojnë janë qafa e Frashërit, e Kumbullës dhe e Ovlës (që nxjerrin në zonën e Bregdetit të Jonit), si dhe qafa e Stravoit, e Skërficës që të nxjerrin në Fushëbardhë të Gjirokastrës dhe thellë në Labëri. Hyrja për në Rrëzomë, për nga ana e Delvinës, bëhet nga Palavlia.

Ky fshat në masën 90% u godit keqas nga diktatura. Dautajt, Sinanajt, Hadërajt, Kucajt, etj, ishin nga fiset që u bënë pandërprerë, pre e burgjeve, internimeve, pushkatimeve dhe denigrimeve të gjithfarëllojshme gjatë gjithë jetës. Fatos Dauti, mësues i histori – gjeografisë në shkollën 8 – vjeçare Bajkaj: “Do të ishte e pamundur të dilja mësues, po të mos kish ardhur demokracia”, shprehet Fatosi. Në Palavli për këtë të flasin Edi Dauti, Petrit Dauti, Rakip Hadëri, Pelivan Hadëri, Sinan Kuci, etj. Mbi Palavli shtrihet gërmadha e fshatit të vjetër Kamenicë, banorët e të cilit janë shpërngulur në Greqi e Itali, pas luftës së përgjakshme që u zhvillua në këtë fshat dhe në Palavli më 1847, midis lebërve dhe turqve nën komandën e kapedan Hodo Nivicës. Tek përroi i Gjovrakut, tek çezma lart shtrihet fshati I Kopaçezës, nga njëra anë fshati i vjetër dhe nga ana tjetër, lagjia e re në pllajën rano – argjilore. Të dy këtyre fshatrave u jep një pamje piktoreske, mikrobregdetare, liqeni artificial që kanë përpara. Edhe Kopaçeza, jashtëzakonisht e goditur nga diktatura, me ndikim të forte të Ballit Kombëtar dhe të teqesë së Zallit në Gjirokastër. Në qoftë se në rrethin e Korçës ka qenë Bozhigradi kundër komunizmit, në rrethin e Vlorës Dukati, në rrethin e Sarandës dhe Delvinës, në këtë pozicion ka qenë edhe Kopaçeza. Për këtë të flasin të gjithë: më kanë shpjeguar Njazi Kuçi, Nuri Draçi, Mero Çako, Hamid Duka, Nustret Duka e deri tek Xhemil Xhelili, Qatip e Ajaz Çako, mësues Limoz Kuci e njeh mirë, jo vetëm fshatin e tij, por gjithë zonën ku ka punuar. Si qendër e komunës është fshati Vergo. Për herë të parë, shkolla fillore në këtë fshat u hap me shumë vonesë më 1945. Por me mjaftvonesë u shtri edhe arsimi 7 e 8 – vjeçar në gjithë zonën, pale ai I mesëm.

Më 1976 u miratua një shkollë e mesme bujqësore, por që kurrë nuk u ndërtua dhe u pajis sipas projektit dhe kërkesave pedagogjike të asaj kohe. Vetëm një njësi e shërbimit social ndodhej në këtë fshat dhe në gjithë zonën, i cili hapej dy orë në mëngjes, në drekë dhe në darkë. Kuadrot, por veçanërisht mësuesit, e kishin shumë keq për t’u ushqyer. Nxënësit e shkollës së mesme, gjithashtu më këmbë nga Palavlia në Vergo. Vetëm në një fshat nuk u zgjidh kurrë dhe vazhdon edhe sot ende gjendja mizerabël e godinës shkollore. Këtu, në Kalasë, në fshatin më të madh të zonës, nuk bie erë asnjë gjurmë ndërtimi i kohës, si nga diktatura komuniste, ashtu edhe nga qeverisja e sotme. Duke kaluar Gurrën e Vergoit mbërrijmë në Fushëvërri, një fshat tërësisht me prejardhje nga Fushëbardha. Por edhe fshatrat e tjerë kanë familje me origjinë nga fshatra të ndryshme, por Fushëvërria ndryshon. Këta kanë pasur fillimisht haurët në anë të lumit të Kalasës, ku dimëronin gjatë dimrit me bagëti, por mbillnin arat me grurë e miser dhe me bimë të tjera. Gjatë verës shkonin në Fushëbardhë për të beharuar. Rruga që lidhte ishte Qafa e Skërficës, pesë orë më këmbë nga Fushëvërria. Me kolektivizimin e bujqësisë më 1955, fshati u shpërngul dhe u ndërtua aty ku është sot. Gjëja më e shtrenjtë që kanë ruajtur këta banorë nga e kaluara, janë shkurret e përrallave, të cilat arrijnë lartësinë e 10 m dhe kurrë nuk u mendua që, ky shesh i bukur të bëhej një qendër e hijshme me drurë dekorativë e me një shkollë estetike. Në krah të djathtë të rrugës këmbësore Fushëvërri – Fushëbardhë, ndodhet fshati Senicë, një fshat arsimdashës dhe vendlindja e njërit prej rilindasve, Spiro Gjikës (i pari), i cili u përpoq për përhapjen e gjuhës shqipe me librat dhe alfavetarët që binte fshehurazi nga Misiri. Mbi fshat, tek kisha ndodhet vendi i quajtur Shpella e Besës, ku më 1770, krerët e bregdetit dhe Kurveleshit lidhën besën për luftë kundër Turqisë. Këtu lindi, u rrit dhe punoi për një kohë të gjatë mësuesi i vjetër dhe i apasionuar i matematikës, po edhe I apasionuar pas violinës, Anastas Xuxi. Pasionin e tij e vazhdoi edhe i biri Kostaqi dhe nipi Genti, që janë edhe ata mësues sot e kësaj dite në Vergo, jo vetëm mësues tëmirë, por edhe muzikantë të apasionuar. Mësues të vjetër, të apasionuar kanë qenë dhe janë në këtë zonë Nimet Abazi, Nimet Selimi, Riza Haxhiu, si dhe pasardhësit e tyre Hysni Hadëri, Spiro Nani, Foto Çabiri, Andrea Gjika, Gjino Xuxi, Dhimosten Peko, Zeko Kullai, Shaide Kullai e shumë e shumë të tjerë. Megjithatë problem mbetet Kalasa. Kalasa përshkohet mespërmes nga lumi me të njëjtin emër. Në këtë fshat dhe më lart në Tatzat, ka një toponomastikë mjaft me interes.

Në këto dy fshatra janë gjetur edhe objekte antike me vlera historike dhe kulturore. Ky është fshati me prodhim më të madh bujqësor e blegtoral, ujëra të bollshme. Këtu shteti, agrobiznesi, por edhe vetë fermerët, nëpërmjet shoqatës së tyre, duhet të përpiqen për zhvillimin e larmishëm të drejtimeve bujqësore e blegtorale, për partneritete më të gjera e më të suksesshme. Së fundi, arrijmë në Tatzat, fshati i fundit i zonës. Një fshat me profil perëndimor, qysh nga fillimet e shekullit të kaluar. Tri palë shtëpi bien në sy që përkundruall fshatit: shtëpitë e Leskajve, të Hadërajve dhe të Ramajve. Kanë qenë të dëgjuar Karafil e Ahmet Lesko, Qani e Ismet Lesko, etj. Avdulla Rami, Hasan e Hysen Rami, Sadik Rami me kafene në Llogara, në kohën e Zogut, me emërtim “Kafe Kumi” (sepse e ziente në rërë). I pari ka qenë me studime për jurist dhe mbaroi plotësisht në Monpelje së bashku me Enver Hoxhën, por ky i fundit e kalbi burgjeve, sepse i kishte frikën e demaskimit publik. Në shtëpinë e Hadërajve, kemi dy figura të larta: Ismail Haki Tatëzatin dhe Tek bej Tatëzatin.

I pari i pajisur me një kulturë tejet progresive për kohën. Mbaroi Akademinë Ushtarake në Turqi e më pas edhe në Paris e në Berlin. Një nga aleatët më të mëdhenj të Zogut, ministër i Luftës në vitet 1921 – 1924 dhe më pas (sa që aeroplanit qeveritar i vuri emrin “Tatzati”), por edhe kundërshtar i tij në disa pikpamje u pushkatua nga diktatura më 1945. Teki bej Tatëzati, ish – nënprefekt i Sarandës, në vitet 1921 – 1924, intelektual i afirmuar, me vizione perëndimore, humanist i rrallë, kundërshtar politik me Myfit bej Libohovën, i cili pagoi njerëz duke i bërë atentat. Pas kësaj shiti pasurinë dhe emigroi në Zvicër, ku edhe vdiq pa lënë trashëgimtarë. Mithat Shabani (Hadëri), I shkolluar nga natyra dhe nga familja në Egjipt, punoi në administratën shtetërore si nënpunës dogane, sekretar komune, më 1941 – 1942 në Piqeras. U burgos pas çlirimit, por u lirua i pafajshëm. Ishte nacionalist dhe bektashian. Ishte burri i hallës sime, hallë Gjyles, që nuk u bezdis kurrë, kur Mithati pinte shumë kafe në ditë; pinte aq shumë sa gurë kishin tespihet e tij. Nejse “huqet” e Mithatit përbëjnë një margaritar më vete, por i famshëm ka mbetur për debatet në Gjykatën e Prefekturës së Delvinës, kundër Mynyr Halimit, pronar kullotash dhe bagëtish nga Atëherë që i shkruajta këto radhë, më dolën përpara Totua (Hysniu) dhe Fejzo Jahua, duke më vështruar drejt e në sy dhe më thonë: “Bravo!”. Më tutje duket Gëzim Çiraku, i biri i Xhelilit dhe të famshmes Shaide, me atë ecjen e qetë karakteristike dhe atë gulçimën e lehtë, përzier me të qeshurën: “Hë-hë, hë-hë!”. Deri këtu mbaron edhe udhëtimi ynë përgjatë Rrëzomës me z. Hasan Uzeiri, I goditur nga diktatura, nga një derë e dëgjuar.

Duke e mbyllur këtë reportazh, nuk mund të lëmë pa përmendur shoferët e ish-kooperativës bujqësore, që ata e dinë sesi kanë punuar në ato rrugë, natë e ditë me rrezik koke. Të qeshurën karakteristike të Dukë Dukës nga Senica. Është shumë i dhimbshëm një fakt. Xhevat Xhango, pasi ishte kthyer në fshat nga një rreth I veriut, shofer, me përbërje të keqe politike për atë regjim, u nis edhe ai për në Vergo, sepse pas kaq vjetësh do të bënte një vizitë Adil Çarçani. Përveç Gardës së Republikës ishin në këmbë i gjithë efektivi i Degës së Punëve të Brendshme të Sarandës, si edhe ai i Divizionit “Labëria” të Delvinës. Xhevatit, duke qenë i piketuar më parë dhe duke u spiunuar nga komunistët e fshatit, i afrohet një operativ dhe i thotë: “Se mos I afrohesh e i flet shokut Adil a i jep ndonjë letër, se do të të hedh në Gurrë!” I ziu Xhevat, u zvogëlua edhe aq sa qe! Për 40 vjet rresht regjimi e la pa komunikacion këtë zonë. Mbi 12.800 kv drithëra buke prodhohej në këtë zonë, por si kudo, fshati prodhonte grurë e hante misër! Mbi 33 mijë bagëti të imta shkoi numri, por ende ndalohej therja?! ... Iku ajo kohë, theu qafën, por të kish ikur më shpejt. Zona tani thith oksigjen të pastër. Njerëzit punojnë, lëvizin. Demokracia I prin jetës, zhvillimit, paqes dhe lirisë.

83 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page