top of page

Në njëvjetorin e ikjes në amshim të Prof. dr. Murat Gecajt



IN MEMORIAM

Në njëvjetorin e ikjes në amshim të Prof. dr. Murat Gecajt



(29 mars 1940 – 16.07.2020)

MURAT GECAJ – EMËR VLERASH ME VIRTYTE TË LARTA


Nga Xheladin MJEKU



Ditëdhimbja e 16 korrikut të vitit 2020 mbetet përgjithmonë Dita e lamtumirës për njeriun që e deshëm dhe do ta duam, poaq sa do ta kujtojmë me pietet të lartë e respektin prej njeriu të devotshëm, i cili la mbresa të pashlyera në shoqërinë dhe botën intelektuale duke na dhuruar shumë vepra, si: studime, monografi, publicistikë, etj. të cilat e rrjeshtojnë në mesin e inteklektualëve të atdheut, krah emrave të dëshmuar të jetës shkencore dhe kulturore.


Në këtë ditë kur po kujtojmë Prof. Murat Gecajn, nuk mund të mos e shprehim ndejnjën se kemi në zemër një emër dhe personalitet të dashur për të gjithë brezat. Ai takoi shumë miq e krijues nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata, dhe asnjërin nuk e harroi, duke i vënë një shenjë në miqësinë, apo në librat e tij aq të veçanta që krijoi. Për ta brumosur denjësisht këtë miqësi nuk harronte për asnjë çast të dhuronte librat që kishte botuar, duke i stolisur me një kaliografi të veçantë përkushtimet për akcilin prej miqëve, gjithnjë të shoqëruara me dhurata modeste, por të vlefshme, si stilolapsa të zgjedhur, bombone e ndonjë dhuratë - befasi tjetër, që e veçonte, sipas rastit.

Vërtetë, ai ishte gjithmonë i veçantë, meqë e shquante për shumëçka veçantia e tij shpirtërore, duke krijuar miqësi brezash të ndryshëm, që pastaj të kultivonte dashurinë e tij shpirtërore te çdonjëri që në njohjen dhe takimin e parë fizik. Gjithmonë do ta kujtojmë me pietet për mikpritjen, këshillat dhe zemërbardhësin e tij prej fisniku të devotshëm e bujar.

Edhe në kujtimet e përziera me mall e dashuri të pashuar në këtë përvjetor, Prof. Murat Gecajn do ta mbaj krah meje, me shpirtin e tij fisnik, me urtësinë dhe bujarinë prej malësori, virtyte këto që e përcollën gjatë gjithë jetës, për të mbetur pjesë e pandarë e personalitetit prej intelektuali e atdhedashësi, deri në përjetësi!



Prof. Dr. Murat GECAJ

Dy fjalë biografie në kujtim të veprimtarisë


Prof. Dr. Murat Gecaj, studiues e publicist shqiptar, ka lindur në fshatin Bujan, të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), më 29 mars 1940, në një familje me tradita atdhetare. Pasi kreu studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, punoi redaktor në gazetën javore të fëmijëve “Pionieri” gjatë viteve 1963-1965. Ka studiuar e botuar punimet e tij për historinë e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, veçanërisht nga Kosova.

Në vitin 1992, mbrojti disertacionin e doktoranturës dhe mori gradën “Doktor i shkencave pedagogjike”. Në vitin 1996 iu dha titulli shkencor “Profesor i asociuar”, derisa në vitin 2011, është përfshirë në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë, me detyrën përgjegjës i sektorit të shtypit e i marrëdhënjeve me publikun.

Në një periudhë më shumë se pesë dekada, është autor i mjaft shkrimeve e studimeve, të publikuara në gazeta e revista shqiptare. Sidomos veçohet për mbajtjen e një kumtese në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972).

Prof. dr. Murat Gecaj është autor i disa zërave për arsimin e shtypin, në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (Tiranë, 1985) dhe në ribotimin e vitit 2010; pastaj bashkautor i veprës “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar” (Tiranë, 2002), si dhe bashkautor në botime të tjera: arsimore, historike, folklorike, etj.

Një vit pas luftës, për herë të parë e vizitoi Kosovën. Përshtypjet e tij nga kjo vizitë i botoi në librin “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000), i cili mori vlerësimin “Mirënjohje e Kombit”.

Në vazhdim, publikoi librat: “Nëpër udhët e shkollës shqipe”(Tiranë, 2001), e ribotuar më 2008, “Pishtarë të parë të Normales së Shkupit” (Kumanovë, 2002), “Filologë që nuk harrohen” (Tiranë, 2002), “”Një jetë për Atdheun e arsimin tonë kombëtar - Salih Myftar Kolgeci-monografi” (Tiranë, 2006), ”Nëper udhët e shkollës shqipe” (ribotim, i ripunuar), (Tiranë, 2008); librin jetëshkrimor ”Ëndrrat e grisura” të jetës sime” (Tiranë, 2010), ”Bedri Dedja në kujtesën tonë” - përmbledhje kujtimesh (Tiranë, 2010), ”Rrahin zemrat arbërore” (Tiranë, 2011), ”Dorela”, (Libër publicistik-letrar për fëmijë), (Tiranë, 2012), ”Me zemër në vendlindje” (Shënime e mbresa nga Suedia), (Tiranë,2012), ”Qofsh e lumtur, mbesa Dorelë” (recensione), (Tiranë, 2013), ”Me shpirt atdhedashurie”, (Tiranë, 2015), ”Për ju, krijuese” (Antologj-1, për femrat krijuese), (Tiranë, 2015), “Kur fl asin zemrat…”(Antologji-2, për femrat krijuese), (Tiranë, 2016), “Si ujëvarë bjeshke…”(Antologji-3, për femrat krijuese), (Tiranë, 2017) dhe “Gjurmë, nëpër udhë…” (Jetëshkrimi nr.2), (Tiranë, 2018), që është libri i fundit i botuar për të gjallë të tij.

Kumtin për vdekjen e Prof Murat Gecajt e mora më datën 16 korrik të vitit 2020, ditën kur u shua fizikisht, që për mua ishte lajm tronditës dhe shumë i befasishëm, derisa prisja ta takoja që në rastin e parë kur do të krijoheshin kushtet e para të daljes nga karantina, që na kishte mbyllur Corona-19, një virus, sa enigmatik, poaq edhe i rrezikshëm e tinzarë.

Nga dhimbja për humbjen e një njeriu, miku e krijuesi të devotshëm, këtë ditë e pagëzova - Ditëdhimbje, që gjithmonë do t’më kujtoj një njeri të veçantë në jetën time!



Nga Kujtimet për Prof. Murat Gecajn


Nga evokimet e shumta të kujtimeve nga takimet me Prof Muratin, në këtë rast do të veçoja eseun “Vërtetë më mallëngjeve, Babush!”, të cilin ia kushtova atij, me rastin e botimit të librit të fundit “Gjurmë, nëpër udhë…” (Jetëshkrimi nr.2), në vitin 2018, si lexues i parë i dorëshkrimit të këtij jetëshkrimi. Këto mbresa të shprehura këtu për Prof. Murat Gecajn, sot e gjithë ditën mbesin ndër më mallëngjyeset, meqë aty takoj shpirtin dhe dashurinë e pambarim të tij.



1. Shpalosje kujtese…


Kaherë, kisha provuar të shkruaja pak fjalë për njeriun, që më së shumti meriton ta portretizojmë me fjalë zemre, me dashurinë që nuk mbaron kurrë dhe me ndiesinë prej urtaku, njeriun që frymon me ëmbëlsinë shpirtërore në çdo takim, nga çdo organizim vetanak ose institucional të krijuesve të artit dhe letërsisë.

Gjithnjë, kam ndaluar së shkruari nga pasiguria se nuk do t’ia dal ta shpreh me fjalë gjithë atë, që meriton të thuhet e të kujtohet për Profesor Murat Gecajn, që pastaj të ndihem i qetë, pa mos e trazuar imagjinatën në vazhdimësi, për ta plotësuar e rishkruar së dyti, së treti, … Në fakt, puna më e vështirë, që mund të ndodh, është ta portretizosh e ta përmbyllësh me fjalë vlerësimin për këtë erudit të letrave tona, meqë nga çasti në çastin tjetër, nga dita në ditën tjetër, në çdo kohë, ai vjen me diçka të re, me shkrime e informacione nga zhvillimet kulturore; sjell portrete krijuesish nga çdo vend, gjithnjë në kërkim dhe zbulim të talentëve e talenteve të reja, për t’i paraqitur sa më origjinal për opinionin lexues.

Në parim, Murat Gecaj mund të vlerësohet ndër më të veçantit, që i është qasur një pune poaq të veçantë, për të takuar e bashkuar në një sofër të madhe kombëtare krijuese të artit pamor, të dramaturgjisë, të letërsisë e historisë, të fushave të ndryshme të kulturës e shkencës sonë kombëtare gjithë botën krijuese të gjinisë së bukur. Askund më mirë e më të sigurta nuk ndihen këta emra e personalitete, sa në librat e Profesor Murat Gecajt.

Është emër i përveçëm Profesor Murati. Prandaj nuk është vështirë ta takosh e ta njohësh nga larg, gjithnjë në ngarendje, si bleta herake në pranverën e bukur, ku gjen nektarin nga çdo skaj i fushave të bleruara, për ta ëmbëlzuar pastaj çdo lexues e adhurues të botës letrare dhe artistike. Këtë nektar e kam shijuar prej vitesh dhe vazhdoj ta shijoj nga fjala në fjalën tjetër, nga botimi, në botimin e radhës dhe me kënaqësinë më të madhe i mbaj në vendin më meritor të bibliotekës sime vetjake, libër-dhuratatë nga Profesor Murati, për t’i lexuar e rilexuar në çastet kur më duhet të çlodhem e të relaksohem. Dhe sa më gjatë të jesh në shoqëri me Profesor Muratin, me fjalën dhe këshillat e tij, aq më i çlodhur e më I relaksuar do të ndihesh, padyshim!



2. Pak fjalë, që prekin “Gjurmë, nëpër udhë…”


Edhe tash, kur po shfletoj librin jetëshkrimor “GJURMË, NËPËR UDHË…” nr. 2 (Biseda, portrete, poezi e mesazhe) kam po atë ndjenjë sa të gëzueshme, poaq edhe të pasigurtë se do të them sadopak një fjali a mendim që e shpreh përafërisht atë, që meriton emri dhe vepra e tij madhore; ta përshkruaj gjithë rrugëtimin e tij të pandalur në trajtimin e ngjarjeve dhe portretizimin e krijuesve të profi leve të ndryshme letrare dhe kulturore.


Derisa po kaloja nga faqja, në faqen tjetër të këtij libri, takova shumë dëshmi e argumente të pafund, që pasqyrojnë rrugëtimin e Profesor Muratit, portretizimin e të cilit e sjellin të skalitur saktësisht, me fjalë e vargje shumë krijues e bashkëveprimtarë të tij, duke pasqyruar një pjesë të mirë të jetës së tij, plot vlera e suksese të panumërta. I tillë ishte Profesori edhe në vitet e hershme, të tillë e njohim edhe nga shkrimet dhe librat e parë e këtej.Dhe, asnjëherë, nuk mund ta gjesh të fragmentarizuar veprimtarinë e tij, sepse zinxhiri i veprimtarisë së pandalur daton nga rinia e hershme, për të vazhduar, pashkëputshëm gjithnjë, deri në këto çaste, kur po sjell edhe pjesën e dytë të jetëshkrimit të tij.Por gjithnjë në bashkëveprim me miq e kolegë, nga gjithë bota shqiptare.

Lirisht, mund të them se, kujtesa e mirë, rrjedhshmëria e ngjarjeve dhe paraqitja kronologjike e veprimtarive të Profesor Murat Gecajt e bëjnë këtë libër shumë tërheqës për lexuesin, prej nga pamje e tabllo jete të tij vijnë të paraqitura si nga celuloidi fi lmik. Aty, numër i madh krijuesish, regjisorësh e aktorësh me përvojë do të kenë luajtur episode të panumërta, në pasqyrimin e jetës së bujshme dhe plot veprimtari të këtij personaliteti.

Është kënaqësi ta kalosh kohën me “rrugëtimin” e këtyre ngjarjeve, ku asgjë nuk mbetet për t’u zbërthyer më vonë, meqë lidhja spontane e tyre krijon një botë të paimagjinuar, plot art, kulturë dhe jetë, që shpërfaq realitetet kohore, kur janë shkruar e publikuar



3. Në vend të epilogut


Një stërzgjatje rreth këtij vlerësimi do të krijonte monotoni për lexuesin, kur kam parasysh mundësinë e prekjes dhe përjetimit shpirtëror të kësaj materje kaq burimore dhe plot jetë, me daljen në dritë të librit “Gjurmë nëpër udhë”, simbolika e të cilit shpërfaq, që në nismë, botën e vërtetë të jetëshkrimit të Prof. Murat Gecajt. Besoj që po këtë mendim do ta përqafojnë edhe lexuesit tjerë, dhe me kënaqësinë e pashembullt do të dëshirojnë ta kenë ndër librat e veçantë, në bibliotekat e tyre vetjake e familjare.

Në mbyllje të këtyre pak fjalëve, për librin e një personaliteti, që shpërndan rreze diturie gjithandej në breza e gjenerata, një emri që kaq fuqishëm qëndron në piedestalin e vlerave të pakontestuara të cultures sonë kombëtare, vërtetë ndihem shumë i lumtur që njoha dhe kalova kohë me veprat e tij, u frymëzova dhe përjetoj vëllazërisht çdo fjalë, bisedë e komunikim të ndërsjellë, që vijnë si mesazh i fuqishëm për jetë, krijimtari, punë dhe vlera…! Në çdo çast, kur qendroj në Prishtinë, edhe atëherë kur ndaloj në Tiranë dhe, padyshim edhe nga Nju Jorku i largët, do ta kem në shoqërim, do ta ndiej mesazhin e fjalës së Prof. Muratit, si një forcë e pandalshme motivuese për rrugëtimin drejt vlerave në krijimtarinë letrare dhe veprimtaritë tjera kulturore. Vërtetë e tillë është puna dhe vepra e tij, ndonëse i shtyrë në moshë, plot elan për punë e frymëzime, për të gjithë ne!

-Më mallëngjeve, Profesor Murati!– do të ishte fjala pëmbyllëse, për këto çka thash më lart, duke zbrazur sadopak atë ndryrje dashurie, në shpirtin tim për një temë.

112 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page