Dyshimi ynë duhet të rrijë aty me çdo mënyrë. - Për kaq u mërzite ti?! Ma prishe gjumin. Në mes të natës, toka më tërhiqte poshtë nga një e çarë e mendjes. Duhet të kuptoja se ç'të punova. Sa orë të prita, dyshimi se dhe ti më prisje njësoj po zbehej. Ti po vonoheshe jashtëzakonisht shumë . Doja të më lije gishtërinjtë mbi fytyrë, më nxehet gjaku ashtu. Grishja që më le, nuk iku. Të bëra vend. Ti më depërtove brenda dhe fillove të më grije. Fillimisht më rrëzove. Shtrirë më the: - Është më e lehtë të merresh me zemërimin. Ma vure gjurin mbi gjoks, ishe zjarr, digjeshe nga tërbimi. Më masakrove. Ndejta me orë të tëra shtrirë përballë tërbimit tënd dhe asnjëherë nuk desha të më falje. Shpika një kind fustani të bardhë, me të shtypja gjakun që s'bindej. E doja veten, ndaj shpika shërimet e mia. U ktheva pas në kohë. Kur nuk dija se ç'të bëja me ty, qepa mu në gjoks një hajmali bosh nga brenda, për t'u gënjyer. Kjo nuk është paqe, por se mos ma tregoi njeri seç heq njeriu për ta gjetur. Dëshira që kisha për ta parë veten të lumtur, u shtriq dhe iku me llastiqet që gjuajta mbi fytyrën time. Me femrat nuk kam raporte të mira, janë hipokrite në ndjenjat e tyre. Sa herë e lënë të hapur derën dhe nxjerrin nga një mashkull të gënjyer. Atyre u vezullojnë sytë sapo kthejnë shpinën. Në majë të gishtave zgjas kokën në brendi, dhe, pa më parë njeri, sajoj një bisht për të plotësuar djallin. Sot do të kisha bërë namin për të marrë vëmendjen tënde. Gëzimi im është marrëzi që nuk ka fytyrë.
top of page
bottom of page
Nje konceptim teper i fresket, befasues dhe origjinal, qe ne me te vjetrit ne letersi, na bene te mendohemi, se po vjen nje letersi ndryshe, koncize, meditative dhe brilante, jo vetem me kete tregim, por dhe me te tjere, qe kam lexuar nga ju. Faleminderit, suksese.
Me respekt, Myslim Maska.