top of page

Në Lisbonë


Kopi Kyçyku



(Kujtime)


Për nga bardhësia, vetëm kryeqyteti hashemìt, Amani, mund të hahet me Lisbonën…

Kam shkuar në Lisbonë me ftesë të Mario Soaresit, ish-President i Portugalisë, ish-Kryetar i Internacionales Socialiste, themelues e drejtues i Fondacionit që i mban emrin e që merret kryesisht me çështjet afrikane. Me këtë personalitet të shquar më lidhi ambasadori i Portugalisë në Bukuresht, poeti José Augusto Seabra, kundërshtar i regjimit diktatorial të Salazarit, profesor universitar, ish-deputet në Portugalinë demokratike, ish-ministër i Arsimit, ish-ambasador i Portugalisë në UNESKO, në Indi dhe në Argjentinë.

Në rrugën nga Spanja drejt Lisbonës, m'u desh të kaloja Malet e Pirenenjve, përgjatë një lugine piktoreske, a më mirë disa thellinash të qarkuara nga male të mbuluar me bredha e pisha, ndërsa në fundin e luginës gjarpëron uji, një xhade dhe një hekurudhë. Por pamjen më tërheqëse ta shpalos qyteti San Sebastian, që shtrihet në të dy anët, deri në lartësinë mbi dy mijë metra, me vila të kacavjerra pas shkëmbinjve, mes halorëve shekullorë. Është një pejsazh i ngjashëm me atë të Côte d’Azur , ku qyteti Monte Karlo ndehet shpateve të thikët të Alpeve franceze në kuota që i kapërcejnë të tri mijë metrat. Por vetëm në njërën anë; në tjetrën ndodhet Deti Mesdhe. Më tej kaluam nëpër stacionin spanjoll të Burgosit, qytet që krenohet me katedralen gotike më të madhe të Spanjës, me përmasa pak a shumë të ngjashme me ato të Toledos. Kjo e fundit ka qënë kisha e kurorëzimit të mbretërve spanjollë dhe nuk ia kalon asnjë tjetër në vlerat artistike të skulpturave. Madje udhërrëfyesit spanjollë thonë se katedralet e këtushme janë më të mëdhatë në Evropë, megjithse miku im Vinçenx Golletti Baffa, intelektual i shquar arbëresh, mbrojtës i palodhur e i paepur i shqiptarizmës, që më pat bujtur vite më parë në qytetin Hajdelberg, ku banonte dhe ku, i thjeshtë deri në harrim të vetvetes, në pranverën e vitit 2009 ndërroi jetë essen non vidare (pa rënë në sy, pa u ndjerë), më pat treguar se katedralja e Këlnit është, për nga përmasat, më gjigantja në Evropë, ndërsa Duomo i Milanos ua merr të gjithave, si nga madhështia, ashtu edhe nga arti. Gjithsesi, sipas meje, më sipër nga të tëra mbretëron, si mrekullia e tetë e botës, Katedralja e Shën Pjetrit në Romë, e cila nuk është ndërtuar në stil gotik, por në stilin e Rilindjes Italiane.

Kaluam pastaj stacionin hekurudhor të Salamankës, ku ndodhet universiteti më i vjetër i Spanjës, ndërsa, me të hyrë në kufirin me Portugalinë, përshkuam një relief kodrinor, për të vazhduar me vargmalet Sierra da Estrella, që të kujtojnë ca gonxhe shkëmbore me lartësi mbi një mijë metra, të mbuluara me pishëza detare me kërcell të trashë sa krahu i një burri të bëshëm. Edhe një stacion me emër jehues, Koimbra, qytet ku ndodhet universiteti më i hershëm i Portugalisë dhe sakaq ke përpara stacionin e Lisbonës Jugore, në bregun e estuarit të lumit Tejo. (Në Koimbra dhe në Salamanka mbahen herëpashere kongrese shkencore evropiane. Koimbra është kryeqyteti i dikurshëm i Portugalisë dhe për të është kompozuar një këngë e mbamendshme).

Lisbona është rindërtuar pas tërmetit të vitit 1755, nga markezi Pombal, shtatorja e të cilit, në madhësi natyrale, e mbisundon pejzazhin nga kuota më e lartë e kryeqytetit. Qëndra historike e Lisbonës u dëmtua rëndë nga një zjarr i madh që ra më 1988. Ashtu si Roma dhe Parisi, Lisbona është vendosur mbi disa kodra (thuhet se janë shtatë të tilla), nga të cilat shkela me këmbë vetëm katër. Qëndra e Lisbonës formohet nga një shëtitore e gjerë, - e qarkuar nga dy rreshta palmash, - që ze fill nga maja e kodrës mesore, zgjatet te këmbët e shtatores së markezit Pombal dhe ndalet, pingul, mbi shëtitoren tjetër, që vazhdon buzë estuarit të lumit Tejo dhe e ndjek këtë derisa derdhet në Oqeanin Atlantik, çka shënjohet nga e vjetra dhe përherë hijerënda Kullë e Belemit. Kjo kullë vazhdon të mbetet simbol i lidhjeve shpirtërore me atdheun të lundërtarëve dhe detarëve portugezë, të cilët kaptojnë dete, oqeane e vise të shumta. Nga anijet, të gjithë e këqyrin me nostalgji Belemin gjersa tretet në horizont, por e mbajnë thellë në shpirt si fijen më të qëndrueshme që i lidh me atdheun e shtrenjtë. Nën Belemin, që s’e tundi dot as tërmeti, prehen lundërtari zbulues Vasko de Gama (1469-1524) dhe poeti kombëtar i Portugalisë, Luiz Vaz de Camões (1524-1580).

Trotuaret e rrugët e gjera e të pastra, urat madhështore, ndërtesat moderne të banimit, muzeumet e pasura, shtatoret e katedralet hijerënda, tregjet tradicionalë, janë vetëm disa nga arsyet që banorët e Lisbonës thonë me mburrje: “Quem não viu Lisboa, não viu coisa boa” ("Kush nuk ka parë Lisbonën, nuk ka parë asgjë"). .

Në një rrafshnaltë rreth dy mijë metra të gjatë e nja gjashtëqind metra të gjerë, që, në të vërtetë është maja e kodrës më të madhe të Lisbonës, është ndërtuar një kështjellë mesjetare, me kulla, murana e pika vrojtimi. Quhet qyteza São Georges (Shën Gjergji). Që aty i ke si në pëllëmbë të dorës të katër pikat e horizontit dhe syri të kap jo vetëm rrethinat e qytetit, por edhe kopshte me ullinj e me agrume. Ullinjtë e Portugalisë janë dy-tri herë më shtatlartë se ata të Italisë e të Spanjës. Për të arritur në São Georges të duhet të ngjitësh një rrugicë-gjarpërushë, që e ka emrin São Bento. Në pikënisjen e saj ndodhen zyrat e Fondacionit “Mario Soares”. Kur mbërrita atje, - nuk njoftova datën e saktë, që të mos i shqetësoja për të më pritur në stacion, - vetë Soaresi ngarkoi një nga zëvendësit e tij të më shoqëronte deri në Rua Castilho 11, ku ndodhej Hoteli Altis, me pesë yje. Aty do të kaloja dy javë në një apartament superluksoz. Modestia e Soaresit binte në sy çdo ditë e më shumë: në paraqitjen e ngrohtë që më bënte para auditoreve ku mbaja leksione, në dollitë që ngrinte gjatë drekave e darkave që shtroi për mua e ku merrnin pjesë personalitete të shquara të kulturës e shkencës, e deri në ditën që më përcolli në stacionin hekurudhor.

“Ju pres në Strasburg!” përsëriti disa herë rresht eurodeputeti Mario Soares. Thjeshtësia është bukuria e së vërtetës!

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page