top of page

Në leximin e Sejdi Berishës tek „Konflikti me Vetveten“


Në leximin e Sejdi Berishës tek „Konflikti me Vetveten


Prof Dr Fatmir Terziu


Sejdi Berisha ka bërë udhën e vetë poetike, krijuese, publicistike, dhe kjo është vënë në dukje me dhjetëra herë nga kritika në të gjithë mjedisn krijues shqiptar e më gjerë, ku ky autor është përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja. Por në fushën shumëplanëshe të fjalës krijuese që përshtat dhe emeton diskursin e konfliktit të personit kundër vetes, Sejdi Berisha shkon në një labirinth, që duket më pak i zhbirueshëm se sa të gjithë krijimet e tij në fusha shumëplanëshe. Ai thuajse mjeshtërisht e fut fjalën e tij të bukur diskursive në një konflikt filozofik, të natyrshëm e të mirëndjeshëm për lexuesit e tij. Në një konflikt person kundër vetes. Në këtë konflikt, një personazh i tij, mund të jetë në konflikt me ndjenjat e tij, ose edhe të ketë dy qëllime të kundërta. Një autor si Sejdi Berisha, ka provuar jo pak herë të mund ta tregojë këtë si një luftë midis së drejtës dhe të gabuarës, ose një luftë midis dëshirave, nevojave po aq edhe pritjeve të kundërta. Për shembull, një personazhi që i qepet dhe turret pena e shkrimtarit Berisha, mund të duhet të zgjedhë midis dy interesave të dashurisë.

Kështu është në fakt kryeradha e fjalës së bukur të penës së Sejdi Berishës tek „Konflikti me Vetveten“ (2016), një libër voluminoz që përmbledh ese dhe shkrime të tjera, në një gjeografi të lëvizshme e gjithëdiskursive në territorin e bukur shqipfolës.

Duke lexuar këtë libër të Sejdi Berishës, natyrshëm të kujtohet thënia e Niçes (Nietzsche) kur u shpreh se „Armiku më i keq që mund të takosh do të jetë gjithmonë vetvetja“. Atëherë duke shkuar më tej mes leximit dhe mes thënies së Niçes nënkuptojmë atë që ndodh kur një personazh imagjinar është armiku i tyre më i keq, pra i personit dhe vetvetes, ku lind ky konflikt. Kjo është kur konsiderohet konflikti kundër vetvetes, pra që është një konflikt që përfshin luftën e brendshme të një personazhi kundër vetvetes. Ky konflikt lëviz si një ndjesi, si një karakter, si një personazh, si një memorje, dhe ngulet tek vetvetja që ka udhëtuar e udhëton në skutën e kujtimeve herë një udhe, e herë një hekurudhe në Pejë, ku shenja përkujdesëse është „kujdes trenin“ dhe dora që përkujdeset është „dora e babait“, e cila është një dorë e rregjur dhe ngajn si „një sholl opinge“.

Në leximin e „Konflikti me Vetveten“ lexuesi kupton qartë se konflikti njeri kundër vetvetes është një nga llojet më bindëse të konfliktit letrar, sepse është lloji që krijon personazhet më komplekse. Kësisoj këtu kuptohet se çdo person ka të meta dhe vetëdyshim, kjo është ajo që na bën njerëz. Lexuesit i duan historitë në të cilat një personazh është i gatshëm të sfidojë paragjykimet dhe të metat e veta, ose kur ata pajtohen me atë që janë në të vërtetë. Në këtë libër, autori Sejdi Berisha shpjegon se çfarë do të thotë termi njeri kundër vetvetes, diskuton disa shembuj të njohur në letërsi na mëson se si ta përdorim këtë lloj konflikti në shkrimet tona, natyrshëm duke marrë shkas takimesh letrare, kulturore, komunitare e më gjerë.

Autori na e vendos kështu njërin nga shatë konfliktet e veprave letrare në një larmishmëri krijimesh dhe shkrimesh, esesh të shumta që të tërheqin për gjuhën, qasjen, dinamikën dhe tematikat e tyre. Kjo shkon më tej, pasi tashmë sikurse cituam konflikti njeri kundër vetvetes, i njohur edhe si personazhi kundër vetë konfliktit, është një nga shtatë llojet e konflikteve letrare, që formon një diskurs të ndjeshëm e një hapësirë të bukur gjuhësore në këtë libër. Në tërësinë e shkrimeve të këtij libri ai i referohet luftës së brendshme të personazhit kryesor, ndoshta më afër asaj që autori e cilëson si një faktor ku „krijimtaria si akt moral dhe pozita e krijuesit“ shkojnë jo pak herë në shina paralele dhe kahje të qëllimshme. Ky lloj konflikti në këtë libër shpesh përfshin një personazh që zgjedh midis dy detyrimeve konfliktuale, duke u përballur me të metat dhe frikën e tyre, ose duke u pajtuar me natyrën e tyre, sikurse ndodh tek „shkrimi drejtuar familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë, shokëve dhe bashkëudhëtarëve të tij, me rastin e ditëlindjes së tij të gjashtëdhjetë e shtatë“ (faqja 101-106).

Më tej, lufta mund të jetë e vogël, si protagonisti që përpiqet të vendosë se çfarë duhet të shkruajë për ditëlindjen e vajzës së tij, për të lënë përshtypjen më të mirë si baba, ose mund të jetë e madhe, si protagonisti të kuptojë se s'ka qenë egoist gjatë gjithë jetës së tij dhe të marrë vendimin e vështirë për të filluar të vendosë të tjerët në vend të parë, sikurse ndodh përgëzimi i krijuesit në faqen 108.

Shpesh, historitë që kanë konflikt njeriu kundër vetvetes kanë edhe lloje të tjera konflikti. Konflikti i brendshëm mund të pasqyrojë, ose informojë konflikte të tjera të jashtme që ndodhin në tregim, sikurse autori shkon tek historia dhe detajon Kullën e Ramë Bllacës si „kryefjalë e një historie“ ose kur ai „ledhaton… fytyrën në bronz të një atdhetari“ (faqja 113).

Në këtë libër njeriu kundër vetvetes mund të marrë forma të ndryshme. Në fakt, pothuajse të gjitha historitë përfshijnë njëfarë konflikti të njeriut kundër vetvetes, sepse konflikti i brendshëm është një përvojë kaq universale njerëzore, sikurse ndodh tek „Rana e hedhur, Shkëmbi i Markanikës dhe parajsa turistike shqiptare“ (faqja 132). Nuk duhet të lëmë mënjanë faktin se konflikti i njeriut kundër vetvetes është një nga disa konflikte që ndodhin në një tregim si tek mikriptja dhe tespishtja e tryzës së mikut letrar, apo tek „forca e mendimit intelektual“ të Triremës së Poezisë Joniane (faqja 135).

Duke përfunduar mund të themi se ky libër i krijuesit gjithëplanësh, Sejdi Berisha, është një risi letrae që ndalet me gjuhën e tij diskursive mjeshtërisht tek konflikti njeri kundër vetvetes, që na jepet të jetë një mjet i fuqishëm për të bërë pyetje tematike dhe për të ngritur tensionin në arsyetimin e shkrimeve të tij. Pra, më në fund, "dëshirat" dhe "nevojat" e personazhit ekskluziv bëhen këtu risi reciproke. Bëhen të qartë këto anë diskursive në faktin se protagonisti i ndjeshëm dhe efikas mund t'i arrijë të dyja. E këtë e bën pena e Sejdi Berishës tek „Konflikti me Vetveten“.

37 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page