top of page

Në kuvend me mjeshtrin e drurit


Kopi Kyçyku Isha ulur në pllajëzën majë Kalasë së Pogradecit, ku u linda, me vargmalet mokrare në shpinë dhe liqenin ngjyrë argjendi përposh, që puthte bregun me buzët e përflakura të muzgut. Ishin çastet kur tokë e ujë më ngjanë si një krijesë e vetme simbiotike (e njësuar, e gërshetuar), që s’ishte veçse dritë. Një dritë, e cila sikur mbante në pëllëmbë tokë e ujë që t’i merrte me vete lart në orbitën e kaltër nga ku na vështrojnë hyjnitë dhe përjetësia. Një dritë mbi të cilën gjithësia ulet në gjunjë që njeriu të ketë mundësi ta mbështesë kokën në supin e saj. Drita që do të ketë parë mbreti ilir kur ngriti sytë drejt qiellit për të shënuar me mure kështjellash limerët e mëmëdheut. Drita, nën rrezet e së cilës një zodiak më ndihmoi të vij në këtë botë. Me çfarë mund ta shlyeja këtë dhuratë përveçse me përpjekjet për t’ua shtënë atë në shpirt edhe të tjerëve? Pranë meje hijeshonte një bisk hollak dhe shtalartë. Flladi i tij hyri në rezonancë me telat e zemrës dhe, pasi ngurrova për herë të parë në jetë, guxova të hedh në një letër të bardhë vargjet: Ndehen kodrat varg, i blerti bekim, / Përmbi kaltërsinë e thellë, e pamatë, / Përhapin freskinë plepat kryelartë, / Kthjelltësi e rrallë je qyteti im! Duke krijuar bindjen se bardhësia e letrës nuk u ndje keq nga e zeza e lapsit tim, falenderova biskun për puhizën frymëzuese dhe për lëndën e parë - letrën e lapsin, që ishin produkte të (njëfarë trashëgimie e) kurmit të sivëllezërve të tij. Ky ishte kontakti (takimi) im më i hershëm me drurin. Vite më pas, megjithse (ndonëse) studimet e larta i bëra për gurë, druri mbeti për mua më e dashura nga të gjitha qëniet jofrymore. Im atë, sa herë merrte në dorë një copë ah a bredh, panjë a dushk, para se ta përpunonte me sharrë a sqepar, sikur i merrte lejë, sikur e pyeste se si duhej të vepronte (sikur i kërkonte falje). Mobiljet, karriket, (shkallët që sikur çonin në hapësira të padukshme e jo thjesht një kat më lart a më poshtë) tavolinat… më ngazëllenin. Ndërkaq, nuk më vinte aspak mirë kur dëgjoja ndonjëherë njerëz nervatendosur që përdornin shprehje fyese, si: „Kokëgdhë”, „Dashka një dru të mirë ky”, „Qënka bërë dru nga pija”, „Rri si hu gardhi”, „Dru i shtrembër” etj, ose gjysmëironike, si: „Druri ka dalë nga xheneti”, meqë dihet se druri - djep ka përkundur brezat e na ka garantuar vazhdimësinë e jetës, druri-vegël muzikore na ka shoqëruar në gëzime, por edhe na i ka lehtësuar hallet, druri-ngrehinë na ka strehuar, druri-armë na ka mbrojtur nga keqdashja, ngado që na ka ardhur, druri-lugë e çanak na ka mbajtur shpirtin gjallë, druri-kërcu na ka ngrohur e na i ka mbajtur vatrat ndezur për vete e për miq, druri-pyll është mushkëria e botës sonë… E ku (Nuk) kanë të sosur mirësitë e kësaj lënde të bekuar dhe fjalët mirënjohëse për të... Por, për qëniet e sendet e dashura, qëllon të shkruajmë me vonesë e rrallëherë. Këtu kam parasysh jo vetëm drurin, por edhe ata që kanë dhuntinë e privilegjin të merren me modelimin e tij. Një i tillë është edhe mjeshtri e artisti Llazi Icka. Njeri i traditës, jo i modave kalimtare, - të cilat i sjell e i merr era sa herë fryn, - ky bir i Pogradecit, ashtu si i gjyshi, Mihali, dhe Spirua, i ati, ka dekada të tëra që është vllazëruar me drurin, e ka skalitur me kujdes si të qënkej gjë e gjallë, ka qarë bashkë me të kur nuk ia ka dalë mbanë t’i japë trajtën e duhur, por shumë më shpesh ka derdhur lotë gëzimi dhe i ka rrokur për qafe statujëzat, sendet e zbukuruara të të gjitha trajtave e madhësive… Llazi flet duke heshtur dhe hesht duke folur. I vështruar nga ky kënd, të shkruash për Llazin, ashtu si për çdo mjeshtër të mirëfilltë, është po aq e vështirë sa edhe për yjet: ekziston rreziku që syri të mos depërtojë dot deri në përbërjen e tyre të koklavitur dhe, gjithaq, deri në thjeshtësinë e ndërlikuar të kësaj përbërjeje. Për Llazi Ickën mund të flitet vetëm me sytë (e mendjes e të zemrës) nga gjoli e nga mali, drejt atyre visesh, në të cilët, gjatë historisë, shpirti ka fituar një trajtë njerëzore të vërtetë dhe ku hija nuk e tejkalon përmasën e tabanit të këmbës, duke lënë të hijeshojë shtati njerëzor. Ajo çka bën Llazi është një „shpeditë” dramatike për rizbulimin e njerëzores, e njeriut jo thjesht e vetëm si entitet në vetvete, por si përkatësi në gjithësi. Sepse, sikurse është shprehur poeti i madh Odiseas Elitis, „… njeriu, në çdo rrugë që ta kërkojë të vërtetën, është i detyruar të mbërrijë në natyrë, pa të cilën nuk do të mund të ekzistonim (gjallonim)”. Vetëkuptohet se ky opsion (kjo zgjedhje e jona) për natyrën, për integrimin (shkrirjen) e qënies njerëzore në të, është shprehje e një humanizmi të ri, ku vepra artistike luan rol të dorës së parë. Duke këqyrur me vëmendjen dhe përgjegjësinë e duhur veprat e Llazi Ickës, - janë mbi pesëqind të tilla, me motive nga më të larmet e me funksion jo vetëm zbukurues, por, më shpesh, edhe utilitar (të dobishëm), - krijon bindjen se drita, njeriu, natyra, jeta, bukuria, shpresa, konsonanca (bashkëtingëllimet) patetike, janë elemente themelorë të një barrikade të ngritur në udhën e territ, e mosgjësë, e së shëmtuarës, e mospërfilljes, e mashtrimit... Sepse Llazi është një luftëtar, një misionar. “Pushka” e tij e drunjtë ka fuqinë goditëse të raketës, sepse është e mbushur me “municion” shpirtëror, është e ushqyer nga tradita jonë shumëshekullore, që i jep shpirt drurit, pa le njeriut! Duke dalë nga ateljeja-„galeri” e Llazit, nën tingujt e çekanit të tij, derisa u ktheva në shtëpi më jehonte zëri i bilbilit të drunjtë, të punuar nga duart e këtij mjeshtri modest (të thjeshtë), me ëmbëlsinë e lirës. Nuk dallonte aspak nga kënga e bilbilit që pata dëgjuar ahere majë kalasë. Ai zog qëndronte bash majë biskut që ma pat flladitur frymëzimin djaloshar. Ishte një zë që lidhte tokën me yjet. Ajo pëlhurë trillesh e endte botën sipas përmasave të këngës bilbilore. Në ato çaste munda t’ia kundroja atij zogthi të bekuar flautin e fytit drejt qiejve për t’u dërguar mesazhe (kumte) harmonie botëve të ngrira, duke e ndërprerë për një copëherë heshtjen e paanë, në pritje të një përgjigjjeje nga pafundësia e përlotur e yjeve. Bilbili i Llazi Ickës ishte pa pikë dyshimi binjaku i atij bilbili hipur në biskun, nga një sivëlla i të cilit mjeshtri Llazi ngjizi dhe i dha shpirt e zë. Do të desha, - jam i sigurtë: si mijra bashkëqytetarë e bashkëkombës të mi, - ta dëgjoja oreçast zërin e bilbilit-lirë dhe të të të gjitha krijesave të gjalla të skalitura nga dora, mendja e zemra e Llazi Ickës. Dhe kjo nuk është vështirë të realizohet (arrihet): mjaft që të gjitha veprat e deritashme, por edhe ato që do të krijojë në të ardhmen, jo vetëm Llazi, të futen në në galeri të përhershme. Do të kishim të bënim kësisoj me një „mikropyll” të hareshëm e këngëtar, që, në „duet” me liqenin, do të na i mbushnin papushim mushkëritë e zemrat me freski, mirësi dhe optimizëm.



14 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page