TREGIM NGA MYSLIM MASKA
Kandidati i shkencave ekonomike, Vasil Oshtima, sa mori rrogën u ul përsëri në tavolinën e punës. Si për dreq puna s’po i ecte fare. Kishte një brengë, një mërziti të pakuptueshme. Brenga ishte ndoshta nga anullimi i shërbimit për në qytetin e largët jugor për sh
kak të mungesës së benzinës. E priti me shumë kënaqësi këtë shërbim. Prej kohësh nuk qe larguar nga qyteti i tij. Po e mbyste monotonia. Sili ( siç i thërrisnin shokët me përkëdhelje), deshi të merrte me vete dhe Irinin me vajzën, por e shoqja i pati thënë se qe e mbytur gjer në grykë me punë dhe se rruga qe e gjatë sidomos për vajzën. E kish parë në sy me keqardhje dhe e kish përqafuar.
E, po mirë – qe përgjigjjur Vasili. S’qe e thënë. Pas kaq vite martese, le t’a provojmë njëherë se si do të ndjehemi larg njëri tjetrit. Dhe kish vënë buzën në gaz…
Këtë shkoi nëpër mend Vasili, - duke hapur librin.
Ishte plot dyzetë vjeç. Gjashtë vjet punoi në terren dhe kohën tjetër në zyrë. Ishte njeri plot fantazi dhe me logjikë të hekurt. I urtë dhe i qetë, por dhe me shpërthime të rralla , kur bindej plotësisht se po i bënin një padrejtësi. Kishte forcë të çuditshme argumentuese për problemet shkencore dhe në përgjithësi puna i kishte ecur mbarë. Pikërisht për këto cilësi u imponohej dhe kolegëve. Plot dhjetë vjet që mbyllej në zyrë në orën shtatë dhe dilte në orën pesëmbëdhjetë. Tërë këtë periudhë kohe duke shkruar ose duke gërmuar nëpër libra. Kishte korrespondencë me shumë shkencëtarë të profilit të tij, në disa vende të botës. Zotëronte mjaft mirë tri gjuhë të huaja. Qe përgjithësisht njeri pa pretendime dhe kënaqej me ato që i jepte jeta. Kurrë s’përgojonte njeri, aq më tepër gratë. Gratë i respektonte aq shumë, sa gati bëhej qesharak. P.SH. kur hynte në zyrën e disenjatoreve i përshëndeste: Mirëmëngjes ju lutem, si jeni ju lutem etj. Kolegët ia njihnin këtë dobësi dhe më të rrallë, kur deshën të çlodheshin pak , bëheshin dy tre vetë e i futeshin në zyrë. Sajonin aty lloj – lloj anekdotash nga më poshtërueset për grate, saqë Vasili, i skuqur gjer në majat e veshëve, gjente një sebep dhe largohej. Këtë çast në kor e me zë të ulët, kolegët këndonin, kuptohet me tekst të bastarduar, por me të njëjtën melodi, një fragment nga opera “Rigoleta”
Vajzave mos o besoni se ato janë lajkatare
Ty të shtiren si shënjtore në fakt janë mëkatare
Këtë fragment e ndërprenë së kënduari vetëm kur Vasili u martua. Në jetën beqare Vasili ishte i përpiktë në gjithçka. Sa mbërrinte në shtëpi, i hiqte një leckë çimentos, merrte pluhurat dhe fill pas kësaj fërgonte një vezë me pak djath shpejt e shpejt. Më vonë shtrihej në divan për pak dhe duke thithur cigarin ëndërronte. S’e ç’ëndërronte, është e vështirë t’a thuash. Përgjithësisht për rezultatet shkencore, ndonjëherë, shumë rrallë, ashtu vetëtimthi i kalonin nëpër mend gratë. Dhe atëherë s’ndjehej mirë. Ndjente një dhëmbje të lehtë në zemër. Të gjitha këto i zinin gjithsej dy orë. Në orën gjashtë mbasdite kridhej përsëri nëpër libra. Notonte nëpër ta si të ishin liqene të magjishëm, ku zbulonte margaritarë vezullues. Me përjashtim të rasteve kur ishte shumë i sëmurë s’mund rrinte dot pa punë. Kishte si moto: Më mirë të punosh kot se sa të rrish kot. Kështu i paska thënë nëna kur qe gjallë, dhe këtë ai e mbante si një nga perlat e mënçurisë popullore. Punonte plot dy orë dhe fiks në orën tetë dilte nga shtëpia për të ngrënë darkë në një lokal aty afër. Mbas darke, vetëm ose me ndonjë nga kolegët, bënte një shetitje të gjatë, që e shlodhte dhe e përtërinte. Të shtunave darkosej në turizëm, ku turbullosej nga pakëz me raki ose me verë. Vasili mbronte parimin se njeriu duhet t’i njohë të gjitha të fshehtat e jetës, t’i shijojë dhe provojë të mirat dhe të këqiat e saj. Ç’do të dielë e kalonte nga e motra. Lumturohej kur të pestë çamarrokët e rrethonin duke thirrur në kor: “ Erdhi daja, erdhi daja”. Ai u jepte me radhë pufka, karamele, biskota. Vetëm motrën kishte në këtë botë. E donte dhe i vinte keq për të se ishte mjaft hollë nga ana ekonomike. Në një nga këto të diela u njoh me Irinin. Në fakt kjo dukej e organizuar nga e motra. E motra, duke e njohur në thellësi karakterin e tij, duke patur parasysh dhe amanetin e së jëmës, e dinte që ai vetë s’mund të martohej kurrë.
-Po, e kam parë disa herë të shoqëruar me një djalë, - i kishte thënë Vasili.
-Në shkollë janë bashkë djem vajza. Janë shokë dhe shoqërohen. Edhe ti kështu shoqëroheshe dikur…, apo e harrove?
-Pastaj dhe pesëmbëdhjetë vjet diferencë i kemi.
-Burri plak dy gra – i kish thënë e motra duke qeshur. Unë ia kam hedhur një fjalë Irinit dhe prindërve të saj, dhe me ç’ kam kuptuar, nuk besoj të jenë kundër. Pastaj ti je i ri dhe i bukur. Vetëm floku të është rralluar ca. I rregullt e pa vese, me rrogë të mirë, shkencëtar i njohur e me shtëpinë vilë. Ku ka fat më të mirë për atë. Veç në s’ka sy. Ç’do ajo më shumë…
E vërteta ishte pak më ndryshe. Vetë Irini, sidomos muajin e fundit, sa merrte vesh që kishte ardhur Vasili, gjente një pretekst dhe gjendej aty. Irini edhe hapur ia kishte shprehur simpatinë të motrës së Silit.
Irini kishte trup elegant, fytyrë të rrumbullakët, sy e flokëzezë, me hundë të vogël. K ur qeshte, në faqet i krijoheshin dy gropëza të vockla që e lezetonin shumë. Shkurt qe ndjenjandjellëse për djemtë. S’kish as më të voglin dyshim që Sili , si fare pa eksperiencë në këtë fushë dhe duke i quajtur gratë engjëj, do binte brenda pa një pa dy, madje do të verbohej pas saj.
-Dëgjo!- i tha Sili të motrës një pasdite – unë dakord jam por ti duhet t’ua bësh të qartë, se unë s’bëhem qesharak tani, në këtë moshë, të bredh lart e poshtë rrugicave si i fejuar. Prandaj fejesë – martesë njëherësh.
Për çudinë e tij punët shkuan vaj. As kundërshtimi më i vogël, as prej Irinit, as prej njerëzve të afërt të saj. Brënda muajit bëri dasmën. Dasma doli e bukur dhe gazmore, si një darkë familjare. Sili ftoi dhe disa nga kolegët e tij. Petriti, shoku i tij më i afërt, pasi e uroi për martesën, i paskej thënë në intimitet duke parë nga Irini:
-Dëgjo Sili, tani po hapet dhe për ty një botë e re, e panjohur më parë. Mos harro se gratë kanë nevojë për hënë dhe për yje, përgjithësisht për ato gjëra , që ne mund t’i quajmë budallallaqe .
Irini kishte qeshur me gjithë zemër, duke u llastuar si një mace pas Silit. Dasma zgjati gjer afër mëngjesit.
Dy ditë më pas, kur Sili ngjiste shkallët e instuticionit ku punonte, grupi i shokëve që i këndonin fragmentin nga opera ‘Rigoleto’, iu afrua dhe e uruan buzëqeshur. Buzëqeshja e tyre iu duk Silit sikur thoshte: “ Ëhë! Edhe ti s’dole gjë. U dorëzove që u dorëzove. Po bën dashuri, qerrata! Ë ë ë”.
“Po bëj që ç’ke me të” – kish thënë me vete Sili, ndërsa grupi i shokëve largohej.
Pothuaj një javë më vonë, Irini, tepër e drojtur, e njoftoi Vasilin se kishte ngelur shtatzënë. Për çudinë e saj, gëzimi i Vaslit qe i papërshkruar. E paskej marrë të shoqen në krah dhe duke e puthur e kishte rrotulluar disa herë nëpër dhomë. Madje Irini, me ato veprimet dhelpërake të saj, paska dalluar dhe ca grimca lotgëzimi në qepallat e tij.
E ndjente veten Baba. Qysh atë çast, iu bë se po dëgjonte nëpër shtëpi gugatjen e një pëllunbi ose cicërimat e ëmbla të një dallandysheje. Së shpejti edhe mureve të shtëpisë, atyre mureve të heshtura e të trishtuara prej më se pesëmbëdhjetë vjetëve, qysh nga vdekja e së ëmës, do t’u ndryshonte nuri. Guackave të mureve, gjer tani memece e të zbrazta, të frikshme, me atë memecllëk primitiv, po u krijohej përbrenda një perlë vezulluese. Jeta e tij po ndryshonte. Dhe kjo e mbushte me kënaqësi dhe gëzim të veçantë. Sili, siç filloi t’i thërriste dhe e shoqja, jo vetëm që i qëndronte besnik parimit të tij në lidhje me ndihmën që u duhej dhënë grave, por kaloi pothuaj në ekstrem. S’e linte të shoqen, Irinin, të zinte asnjë punë me dorë. Vetë lante dyshemenë, merrte pluhurat, gatuante, lante rrobat, psoniste. Të shoqes i linte vetëm hekurosjen. Kjo ishte brenda natyrës së tij,se, edhe para martese, qyshkur i kish vdekur e ëma, vetë i kryente.
Ditët rrodhën shpejt. Aty nga muaji i shtatë i martesës Irini u shtrua për lindje të prakohëshme. Megjithë përkujdesjet e mjekëve, dështimi, siç i paskej thënë më vonë ishte mjaft mirë. Shumë nga të afërmit dhe miqtë, duke parë shqetësimin e madh të tij, qënkeshin munduar ta qetësonin, duke treguar kaq e kaq shëmbuj shtatanikësh që ishin bërë diva. Vërtetë vajza ishte si kokrra e mollës dhe doli nga shtëpia e lindjes sikur të kishte lindur normalisht.
-Të betohem që vajzën e ke shumë mirë. Unë po plakem si mjek dhe ky është I vetmi rast që një shtatanik lind me peshë më se normale, - I kish thënë i kushëriri gjinekolog.
Me lindjen e vajzës, Silit iu shtua edhe një punë tjetër. Përkujdesjet dhe perkëdheljet po se po, këto i kryente me kënaqësi e dashuri prindi, por edhe larjen e pelenave të fëmijës.
Vetë ishte tepër i sinqertë. I besonte dhe sinqertetit të së shoqes. Sinqeriteti ishte për Silin virtuti më i shenjtë në jetë. Ndaj të shoqen e donte dhe e respektonte.
Gruas,- i shprehej ai të shoqes,- i duhet krijuar kohë e lirë, që të zhvillojë intelektin dhe personaltetin e saj. Shekuj të tërë ia kanë shtypur shpirtin. Edhe sot shprehej ai, punët e shtëpisë janë pranga për gruan, megjithëse po e lehtësojnë disi mjetet e motoriizuara elektronike. Mosbarazia dhe prepotenca e burrave i kanë ndrydhur ndjenjat e saj të pastra, duke kultivuar tek ajo mosinqeritetin, intrigën, djallëzinë, hilenë, si një baraspeshim për jetën.
-Sa mirë e njeh botën e grave,ti, Sili,- i bënte qejfin Irini.
Sili harronte se liria është shumë më e shtrenjtë. Ai dha një liri dhe humbi të tijën. Krijoi kështu një ekuilibër në krahun e kundërt. Nga ana tjetër, ai nuk e njihte aftësinë e jashtëzakonshme që kanë gratë për të depërtuar deri në pejzat më të holla të shpirtit të burrave ose, më saktë, për të depërtuar dhe parë edhe nënshtresat më të errëta të psikologjisë së tyre, pikërisht për të zbuluar dobësitë. Irini qysh në takimin e parë e kuptoi që ai, zor se kishte puthur ndonjë tjetër para saj. Dhe kjo e gëzoi pafundësisht. Me instiktin femëror e kuptoi që Sili e donte shumë dhe ajo shtirej sikur i përgjigjej kësaj dashurie. Ndryshe qe bërë një farë lodre në dorën e saj. Sili kishte dobësi të madhe për vajzën dhe ajo e shfrytëzoi këtë dobësi.
-Duhet menduar për vajzën, i tha Irini një mbrëmje kur vajza akoma s’e kishte mbushur vitin. Vitet bëhen ujë dhe rrjedhin pa u ndjerë. Duhet t’i heqim diçka mënjanë. Ose për duhanin: “ Të lutem, lëre. Ti vetë thua se duhani të atrofizon mëndjen. Bëje këtë për mua dhe vajzën , në emër të pasionit që ke për shkencën; dhe i nxorri disa revista ku flitej për dëmin e madh të tij. Pastaj, është dhe ana ekonomike. E di, Sili, sa lekë grumbullohen nga lënia e duhanit, kur vajza të jetë tetmbëdhjetë vjeçe? Tamam sa duhen per bursën e katër viteve të fakultetit.
Kështu, gradualisht, ajo i hoqi dhe paratë e kafesë dhe i jepte çdo ditë vetëm gjashtëdhjetë qindarkat e biletave të autobuzit.
Çdo ditë mbas gjumit të drekës, pikërisht nga ora gjashtë deri në tetë, me qëllim që vogëlushja ta linte të qetë babkën e saj të madh per t’u marr me shkencën, dilte shetitje. Këtë fakt Sili e interpretonte si dashuri dhe vlerësim të jashtëzakonshëm, që i bënte e shoqja pasionit dhe punës së tij të shenjtë shkencore.
Kështu Sili u shkëput gradualisht nga të gjithë shokët dhe miqtë. Bënte rrugën shtëpi, - autobus,- zyrë dhe anasjelltas. S’kishte më shëtitje pas darke, se vogëlushja donte të tundej nga babka i saj i dashur. Vizitat tek e motra u rralluan, Një here në tre – katër muaj. Edhe kur vinin niprit tek daja, per t’i rrëmbyer ndonjë akullore , Irini ju thoshte me zemër në dorë: - ju lutem ikni, nuk e shihni se dhe vogëlushen po e nxjerr shetitje edhe kur koha është e keqe? Të më falni! Ka shumë punë Sili, ta lëmë të qetë.
Vetëm një pikë e orarit të veprimeve të jetës familjare ngeli e pandryshuar,
nga jeta e mëparshme. Pikërisht orari i studimit gjashtë deri në tetë mbasdite. Gjithçka tjetër qe fshirë ose dhimbshëm qe strukur thelllë në nënshtresat e kujtesës së tij…
Kështu, pra, anulimi i shërbimit atë ditë rrogash i shkaktoi një
turbullirë shpirtërore. Mendoi t’i bënte një telefon Irinit për anulimin ,por pas kësaj ndërroi mendje. “Më mirë, t’i bëj një surprizë”
. Le të mendoi që jam 200- 300 km. larg saj dhe vajzës dhe befas do t’shfaqem në derën e shtëpisë. Kjo ide i pëlqeu, megjithatë, dëshirë për punë s’kishte. Duke qënë i mbrujtur me pasionin e një shkencëtari, nuk u trëmbej rasteve të tilla. Edhe kur s’e kishte frymëzimin, e kërkonte: Shkruante,griste dhe shkruante përsëri. Rreth orës gjashtë të asaj mbasditeje, pasi mbaroi studimin, I hodhi një sy shpejt e shpejt
dhe e futi në sirtar. Atë çast i zuri syri një zarf me gërma të mëdha në adresë të
tij.
- Ç’është kjo letër?- mendoi duke e hapur.
- “lajmi në të vërtetë është i hidhur , por më mirë i hidhëruar e i ndershëm , se sa i poshtëruar e i lumtur “.- thuhej dhe më poshtë pa dhënë sqarime, shkruhej se e shoqja bridhte me një tjetër!
- Sili e mblodhi letrën shuk dhe e hoddhi në kosh. Shkoi tek tavolina e Petritit, morri një cigare nga paqeta që Ai e linte gjiithmonë aty, e ndezi dhe doli në dritare.
- “Të jetë shaka? – S’besoj ! S’bëhen shakara të tilla. Nëse qënka mik, siç më thotë,përse më dërgon copra letrash- tha Sili me vete. Me siguri një itrigant, një keqdashës ose ndonjë kundërshtari im. Eh, ç’nuk bënë egoizmi! Bredhka me një tjetër! Dhe kush ? IRINI! –Irini që unë e njoh po kaq mire sa veten time. Njëlloj sikur të më thoshte se unë brethkam me një grua tjetër. PALLAVRA.”
- Pastaj, pa e kuptuar as vetë, e morri përsëri letrën e hedhur në kosh dhe e futi në xhep. Pallavra! Ç’nuk sajojnë të poshtrit! – tha me zë dhe doli në oborrin e ndërmarrjes.
Mbrëmja ishte e bukur dhe e ngrohtë. Qershia e një shtëpie, ngjitur me oborrin e institucionit, ishte veshur me të bardha. Bletët gumëzhinin duke u vërtitur degëve. Sepse ju duk atë çast si pafundësia e planeteve, që vërtiten rreth orbitave të tyre në galaktikë. U mbush thellë me frymë dhe tha me vete: “Bah, sa e bukur është jeta! Ju duk për një moment sikur ai s’po e jetonte. Vërtetë, që kur ishte martuar, s’mbante mend asnjë ngjarjje të rendësishme, qoftë dhe nga më të rëndomtat si p.sh. Një dehje me raki. Monotoni, vetëm monotoni! Mendoi ta bënte me këmbë rrugën gjer në qytet. Shumë kohë që s’kishte bërë një shetiitje. S’mbahej mend. Megjithëse mundohej ta hiqte mendjen nga letra, ajo i shkonte po atje. Dhe dashur pa dashur i kujtoi të gjitha gjërat me radhë qysh nga njohja me Irinin. Pse ranë dakord, xhanëm, si Irini dhe prindërit e saj, të martoheshin sa më shpejt? Mos kishte ndonjë hile në këtë mes? Pse u drojt kur më dha haberiin se ishte shtatzënë? Pëkundrazi, edhe ajo duhej të gëzohej njëlloj si unë, në mos më tepër. Pastaj rrezik dështimi, dështim i pashmangshëm dhe fëmijë shtatanik.
“Unë po plakem si gjinekolog, dhe ky është i vetmi rast që një shtatanik lind me peshë më se normale”, paska thënë dikur i kushëriri.
- Për një çast mendoi se ishte tepër i lodhur, ndaj sajonte budallallëqe. Budallallëqe me brirë! Si ka mundësi që Irini të ketë qënë e tillë? Dhe kush?- Irini, që ai e njihte aq mire dhe që ai e donte po aq sa veten. A ka mundësi vallë që njeriu të jetë i pasinqertë me vetveten? Po këtu s’bëhej fjalë për jetën bashkëshortore, por pak përpara saj. Po pse xhanëm të mos i kish ndodhur Irinit një fatkeqësi e tillë? Apo thjesht se s’i interesonte atij. Sa e sa ngjarje të kësaj natyre kanë ndodhur e po ndodhin çdo ditë. Sa e sa fëmijë ka”në shtëpitë e fëmijve”, fryt i dashurve ose fatkeqësive të tilla. Sili qendroi për pak sekonda dhe shtërngoi fort tëmthat.
A kam të drejtë ?,- mendoi pas pak- që unë, qoftë dhe me vete, po fyej e poshtëroj në dinjitet pikërisht njeriun që e kam adhuruar? Po sikur kjo të jetë e vërtetë?! Jo,jo. Patjetër duhej të ma kishte thënë. Ishte tjetër çështje se si do të vendosja unë. Mund ta quaja atavizëm, imoralitet ose përparim. Kjo më përkiste mua ta vendosja. Po ajo, nëse do të ishte vërtetë e pastër, duhej të ma kishte thënë. S’është se mendja po më turbullohet nga hiçi dhe po sajoj skena të një fantazie të sëmurë.Unë s’po e quaj të vërtetë atë letër. Ajo nuk është një fakt. Për mua si shkencëtar, absolutisht s’është fakt.
Kishte plot një orë që bënte këtë luftë të tmerrshme me vetveten. Lexoi dhe rilexoi qindra herë me mëndje jetën e atyre pesë vjetëve, në mënyrë të veçantë fillimin dhe konkluzioni ishte po ai:- E kishin mashtruar… Me këto mendime u gjend në klub. Bleu një paqetë cigaresh “ D- S” dhe një shkrepse dhe u ul në tavolinën bosh, në krahun e majtë të hyrjes. Mbrëmja kishte mbuluar gjithçka. Dritat kishin kohë që ishin ndezur, por ai s’i kishte vënë re.
-Ç’urdhëroni?- e pyeti kamariera që atë çast iu duk si një fantazmë.
-Një dopie raki dhe një meze,-tha Sili pa e ngritur kokën.
-Cigari i parë e turbulloi pak, por i dyti i shijoi aq shumë, sikur s’kishte pesë vjet, por pesë ditë që e kishte lënë. S’kishte pirë as gjysmën e gotës me raki, kur dikush i thirri në emër.
Ngriti kokën. Agimi, djali i tezes së tij. Me ca shishe qumështi të mbushura me birrë, po vinte drejt tij duke i thënë: Urime, urime! Paske vendosur përsër ta ndryshosh jetën.
-Si?,- Pyeti Sili i habitur dhe duke u ngritur në këmbë, i zgjati dorën.
-Po ja,- vazhdoi tjetri – paskeni filluar duhanin, rakinë . Dukesh dhe shumë i mërzitur.
-U lodha shumë,- gënjeu Sili. Sa mbarova një studim të mërzitshëm. Do ta mbroj nesër në këshillin shkencor.
-Mbaj mendjen Sili, nuk zbulohen dot njëherash të vërtetat e shkencës. Ne kemi njeriun e afërt, të afërtin fare, e s’ia zbulojmë dot të fshehtat. Pa le pastaj botës.
Silit iu tha pështyma në gojë dhe iu duk se po mbytej. Ndoshta edhe ky ditkërka diçka,- i shkoi nëpër mend atë çast.
-Po Irinin, vajzën si i ke?
- Mirë janë, mirë – tha Sili e buzëqeshi me zor- duke i shtërnguar dorën.
Uh! –ia bëri Sili, sa u largua Agimi, kthehu njëherësh rakinë që i kishte mbetur dhe pagoi llogarinë. Doli nga klubi duke ecur mengadalë nëpër rrugicat e lulishtes. Nata qe transparente, e freskët. Silit iu duk sikur derdhej një shi yjor mbi qytetin e përgjumur, mbi teracat, parqet dhe kopshtet e tij. Ecte ngadalë, i menduar, duke thithur fort cigaren, ndërsa kurorat e pishave i gumëzhinin në vesh. Aroma elulëzimit, rritja e natyrshme e atyre krah pemësh të bulëzuara, që ushqeheshin e shpërthenin nga gjiri i tokës, ja tek qenë këtu, pa u merakosur, pa u dëshpëruar fare as për të vërtetën, as për genjeshtrën, as për fitoren, as për dështimin.
Sili këputi një degëz pishe dhe e vuri ndër dhëmbë.Më tej në një stol, dy hije. Më e thjeshta, më e bukura dhe më e pakuptueshmja gjë në botë. Dy të rinjë po putheshin. Sili ndërroi rrugë e u ul në një stol larg tyre në errësirë. Flaku degëzën e pishës dhe ndezi një cigarë tjetër. Herë pas here vështronte yjet, qiellin ngjyrë blu të thellë plot xixëllime dhe heshtëte, si i zhytur i gjithi në soditjen e asaj mbrëmjeje tmerrësisht të gjallë. Dhe përsëri iu rishfaq rinia, vetmia, më pas jeta familjare, puna cfilitëse shkencore. A thua të jetë e
Vërtetë?,- tha me vete. Si ka mundësi? Po fundja njeriu do bëjë jetën e tij ashtu siç e gjykon ai. Nëse mua më ka shkrepur në mendje të bëj një sakrilegj në emër të shkencës dhe të njerëzve, Irini s’ka as më të voglen arsye të gjykoj kështu. Edhe ajo do të bëj jetën e saj, pikërisht siç e gjykon ajo. Dhe kjo është krejtësisht normale. Tjetër gjë nëse rruga që ka zgjedhur mund të jetë e pandershme. Epandershme, se ka spekulluar me mua. Se unë kam bërë shumë për të, e kam besuar, bile adhuruar. Qe zhbiruar i tëri nga Zhgënjimi. Thellë brënda tij depërtoi një i ftohtë verbues dhe ia pllakosi shpirtin errësira…Befas ndjeu zëra.Në fillim të mbytur e të largët, dhe pas një çasti, të njohur e të afërt. Qenë zërat hokatarë të shokëve të zyrës si vite më parë:
“Vajzave mos u besoni, se ato janë gënjeshtare
Ty të shtiren si shenjtore, në fakt janë mëkatare”
Atë çast çifti u ngrit dhe duke qeshur me zë të ulët, krah për krah po vinin drejt tij. Vasilit iu duk vetja si përgjues dhe nga kjo i erdhi shumë turp, ndaj deshi të largohej pa u vënë re, por, kur mendoi se ishte në errësirë dhe çifti do të kalonte katër pesë metra larg tij, ndërroi mendje. Përballë Silit çifti ndaloi dhe po puthej prapë.
-O zot! Ç’po ndodh kështu,-tha Vasili me vete.
Ishte Irini! Irini me atë djaloshin që Sili e kishte parë të shoqërohej shpesh para se të martohej. Diçka e shkundi në tërë trupin si një rrymë elektrike. Duhma e gjakut dhe e llahtarit, ajo ndjenja e fjetur e instiktit të hakmarrjes stërgjyshore, i vërshoi në kokë. Sytë iu veshën. Ndoshta bëri një lëvizje të pakontrolluar dhe shkaktoi zhurmë, aq sa Irini me djaloshin u veçuan të trëmbur dhe vrapuan në drejtime të ndryshme. Trupi po i dridhej. Një dhimbje e madhe i shtërngonte tëmthat, ballin.Ndjeu një zhaurimë nervore, një si shtrydhje të të gjitha qelizave të tij trupore.Muskujt iu tkurrën si nga një atakt. Po i dukej sikur ishte mbi një varkë, diku në oqean dhe stuhia e vërtiste sipas qejfit. Kjo gjëndje zgjati për dy-tre minuta dhe pastaj trupi iu shkreh. Ai qe i zemëruar dhe tërbuar si një bishë! Qante pa vetëdije…Pse, moj jetë, e shpërbleke kështu njeriun e mirë?- tha me vete duke ndezur cigarin.Por fundja, më mirë kështu. Bukur thuhej në atë letër : “Më mirë i hidhëruar , por i ndershëm”. Kushedi sa do më kenë mëshiruar, - tha duke marrë përsëri rrugën e klubit. Kamerieres i qënkej shprehur me ca fraza të pakuptueshme e absurde si : Imoraliteti është relativ e i shpikur nga moralistët e një kohe të caktuar, ose, nëqoftëse dje u vranë e u therën për imoralitet, sot ose nesër, nipërit ose stërnipërit e tyre, për të njëjtën gjë, do të marrin çmime kombëtare apo ndërkombëtare, dhe se njeriu njëherë vjen në jetë, prandaj duhet ta jetojë atë, ashtu siç e gjykon ai vetë dhe jo siç do t’ia imponojë grupi etj. etj…
Thonë se atë mbrëmje Sili ishte bërë tapë. E kishin parë si lëkundej majtas dhe djathtas, tek ecte rrugës për tek shtëpia e motrës, por e kishin parë gjithashtu tek ecte drejt shtëpisë së tij. S’dihet saktë nëse fjeti tek motra, në shtëpinë e tij, apo diku në një stol lulishteje. Veç një gjë qe më se e saktë. Të nesërmen, i qetë e i rregullt si zakonisht, në orën shtatë e pesë, e kishin parë në tavolinë duke konspektuar një libër voluminoz ekonomie në zyrën e institucionit ku punonte.
Falnderoj perzemersisht Z. Klironomi dhe Z. Gjergji per vleresimin e
tregimit tim: "NE KURTHIN E GRAVE".
Me respekt
Myslim Maska
Kisha kohë pa lexuar nga miku im i veçantë Myslimi, dhe ja, tek erdhi me krijimin më të ri: Një tregim dramatik, psikologjik e meditativ. Sili, një karakter i goditur që zhbirohet nga autori e vetëzhbirohet. Qoftë me cilësit e me ndonjë të metë njerëzore dhe aq më tepër për atë çfarë i ndodhi të bën ta simpatizosh. E thotë shumë bukur dhe z.Klironomi!
Urime mik i çmuar e kurdoherë me të tjera krijime sa më kulmore.
Kozma Gjergji.
Edhe pse titulli është larg tregimit, trajtimi ka fituar vlerat e njëshqetësimi me zgjidhje të pranuar; jo si dobësi.
Urime Myslim.
Vasil Klironomi