top of page

Në kujtim të...


DȄGJOJE KENGȄN TIME…

- Në kujtim të jetës dhe veprës së këngëtarit të njohur kosovar Esat Bicurri -

NGA VLASH PRENDI

Kosova, kjo trevë heroike ka nxjerrë nga gjiri i saj djem dhe vajza që i kanë dalë zot fateve të kombit dhe atdheut të tyre, kanë derdhur gjakun dhe kanë dhënë jetën për lirinë e vatanit. Janë pikërisht këto djem, këto yje të pashuara të Dardanisë që e vendosën emrin e Kosovës martire në peidestalin e historisë, nënshkruan me gjakun e tyre lavdinë e këtij trolli të mbrojtur me majën e penës, tingullin e këngës, grykën e pushkës. Një patriot i tillë, një nga bijtë më të dashur dhe të paharruar të Kosovës ishte edhe këngëtari i njohur Esat Bicurri. E kam dëgjuar zërin e tij karakteristik mjeshtror që në rininë e hershme nëpërmjet valëve të Radio Prishtinës, një stacion mjaft i dashur për ne, ku shpesh gjenim prehje dhe qetësi shpirtërore, në ato vite të vështira. Ishte plejada e këngëtarëve të njohur kosovarë, mes të cilëve edhe i madhi Esad Bicurri, që me zërin e tyre, me këngën e tyre të jepnin qëtësi, siguri dhe të çonin shpirtin peshë duke na dhënë shpresa se edhe në kushte të vështira shtypje dhe izolimi, jeta mund të jetohet, sepse ditë më të mira do të vinin. Zëri i tij melodioz dhe tingëllues, tekstet e këngëve mjaft të bukura dhe aktuale, muzika e bukur dhe emocionale mbushnin odat malësore dhe ngrinin peshë zemrat e shqiptarëve anëembanë trojeve të atdhut amë. Kjo ndodhte sepse këngëtari i madh Esat Bicurri e këndonte këngën me shpirtë, i këndonte goja dhe zemra këngëtarit të njohur gjakovar, kënga e tij ishte si kushtrim, ishte himn për atdheun dhe kombin e vet. Esati pati lindur në vitin e vështirë 1948, kur fatet e kombit shqiptar ishin ende në udhëkryq, kur sistemi totalitar komunist kishte shtrirë kërcënueshëm metastazat e tij kriminale në të gjitha trojet etnike shqiptare. Megjithse po kalonte një fëmijëri të vështirë, djaloshi i ri do të vazhdonte shkollën në vendlindjen e tij të dashur. Kështu përfundoi mësimet nga arsimi fillor deri në shkollë të mesme në qytetin e Gjakovës me rezultate të mira. Në vitin 1971 nisi studimet në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në vitin 1976, specializohet pranë Universitetit të Beogradit në fushën e doganave. Por në fakt, në zemrën dhe qenien e tij vlonte dashuria dhe rritej pasioni për këngën e bukur kosovare, dëshironte artisti i madh t’i këndonte vendit të tij të dashur, popullit patriot të Kosovës, heroizmit të tij të pashembullt, përpjekjeve shekullore për liri dhe pavarësi.

Esat Bicurri ishte talent i lindur. Ai u rrit së bashku me këngën, sepse gjithnjë e dëgjoje duke kënduar në shtëpi, në rrugë, në ambiente shoqërore dhe evente të ndryshme. Zëri i tij i bukur dhe dhe plot harmoni, melodia tërheqëse dhe entuziaste, teksti i realizuar artistikisht e identifikonin lehtë si artist të madh. Ishte mësuesi i tij Asllan Kryeziu, i cili zbuloi talentin e padiskutueshëm të tij në lëmin e këngës popullore qytetare. Ishte përseri ky mësues i talentuar që e aktivizoi këngëtarin e ardhshëm në mjaft aktivitete dhe koncerte të ndryshme që organizoheshin në qytetet e Kosovës, duke u bërë shumë shpejt i njohur me këngën e tij, me zërin e tij të embël. Këndoi mjeshtri i këngës Esat Bicurri në skena të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, duke formuar një personalitet thuajse të paarritshëm në këngën popullore qytetare kosovare. Dhe ja pati arritur qëllimit artisti i madh, sepse kishte talentin, zotëronte mjeshtërinë e të kënduarit, kishte elegancën e një personaliteti të shquar të kulturës. Të gjitha këto cilësi, i hapën rrugët e suksesit, rrugën e arritjeve deri në majat më të larta të artit muzikorë, duke e bërë këtë këngëtar të madh të pavdekshëm. Në fillimet e karrierës muzikore e shohim si pjesë të Shoqërisë Kulturore dhe Artistike “Rinia”, ku dha një kontribut të padiskutueshëm në rritjen e nivelit artistik të kësaj shoqërie, madje këngët e tij ndiqeshin me mjaft interes dhe dëshirë. Përmes këngës dhe zërit të tij tingëllues Esat Bicurri kërkonte të edukonte tek masa dashurinë për atdheun e robëruar, ndjenjën e dashurisë dhe unitetit të pathyeshëm mes popullit të kosovës që nuk reshti së luftuari për atdhe, ndjenjën patriotike dhe atdhetare që kombi ynë e ka të kultivuar në gen. E njihnin të gjithë, brenda dhe jashtë Kosovës, e donin pa masë si këngëtar, si krijues dhe si njeri, sepse manifestonte cilësitë më të mira artistike dhe njerëzore.

Ishte i dashuruar pafundësisht me këngën popullore kosovare, jaren gjakovare dhe shkodrane, me këngët e Shqipërisë së Mesme. I këndonte me dëshirë dhe mjeshtri këngët e Jusuf Myzyrit, Muharrem Gurrës dhe mjeshtrit të jareve shkodrane, këngëtarit të njohur Bik Ndoja. Ishte viti 1969, sapo i kishte mbushur të 20 vjetët, kur u thirr të drejtonte Shoqërinë Kulturore dhe Artistike “Bajram Curri”, e cila nën drejtimin e tij do të bëhej një nga grupet më të njohura dhe më të ndjekura në trojet shqiptare. Këngët e tij i dëgjoje çdo ditë në valët e Radio Prishtinës dhe më rrallë në ato të Radio Tiranës, ku janë të incizuara më shumë se 85 disqe me këngë të ndryshme, duke krijuar kështu një pasuri të pakrahasueshme të muzikës sonë popullore qytetare. Interpretimi i tij dallohej gjithmonë për një konceptim të sakët artistik me një arkitektonikë mjeshtrore të këngës, me një zbërthim tepër emocional të përmbajtjes së këngës, ku dallohej një pasuri e pafund nuancash artistike dhe shpërthime tingëlluese që tregonin muzikalitetin e interpretimit mjeshtrorë të Esatit. Në kujtesën time ka mbetur zëri i tij, kënga e tij e bukur dhe plot emocion dhe paraqitja e bukur skenike. I kam endë në kujtesë këngët e bukura të Esat Bicurrit, kur nga studio akustike e Radio Prishtinës, gjëmonte si kushtrim zëri i tij me këngën e karakterit epik “Ushton gryka e Kaçanikut”, që tingëllonte me force emocionale në evokimin historic të patriotizmit popullorë të popullit kosovarë, e cila u bë hit për kohën dhe një nga këngët më të kërkuara. Këtë këngë, mjeshtri e këndonte me shpirtë, me zërin e tij të pastër, të ngrohtë dhe kumbues, sepse në tekstin e saj kënga shpaloste trimërinë e treguar nga luftëtarët dardanë në grykën e Kaçanikut me Idriz Seferin në krye, por tematika e saj sintetizonte ngjarjen historike të 7 shtatorit të vitit 1990, kur në Kaçanikun e fushbetejës së dikurshme, në log të kuvendit, u miratua në parim nga delelegatët e Kuvendit të Kosovës Deklarata e Pavarësisë, dokumenti më i rendësishëm historik që përcaktonte fatet e një kombi, ndërsa me 2 korrik të vitit 1990, kjo deklaratë historike u formalizua me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e shpallur këtë shtet të lire dhe të pavarur. Esat Bicurri e pati kënduar këtë këngë - kushtrim vite më pare, në koncertin madhështor që grupi i mirënjohur i Radio Televizionit të Prishtinës pati dhënë në Tiranë në vitin 1987. Kënga la mbresa të thella tëk dëgjuesit, sepse i bënte jehonë një akti historik, një akti të vaçantë që do shënojej në historinë e kombit tone. Me tekst të poetit të njohur Paulin Shtjefni ku thuhej: “Ushton gryka e Kaçanikut / Morën zjarr këta gur’t e malit, / Përmbi çallmat e Anadollit, / Ndizen hutat e shqiptarit! Ref.: Hej Kaçanik o shkamb e gur, / Vritesh e pritesh për flamur! / Për flamurin e Skenderit, / Luftojnë djemt’ e Idriz o Seferit! / Kurr nuk çarten o kullat tona, / Vendit tonë i dalim zot, / Tirq e zhguna e xhubleta, / Thur i kemi o me barot… Sulen trimat nga Kabashi, / Nga Lubizhda e Stagova, / Th’rret me t’madhe Dërgut Pasha: Ndimë Sulltan se sot marova…!”, muzika që kompozuar nga mjeshtri i madh Pjetër Gaci. Kështu, kënga “Ushton gryka e Kaçanikut” e kënduar nga Esat Bicurri me atë diapazonin e zërit të tij, me atë timbrin e çiltër dhe tepër të ngrohtë, duke pasqyruar botën e pasur shpirtërore, bënë që kjo këngë të mbetej përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e dëgjuesëve.

Ai kishte miq e shokë të shumtë që diskutonte dhe bashkëpunonte me ta. Ka kënduar dhe ka dhënë koncerte anë e mbanë trojeve tona me Mazllam Mejzinin, Ismet Pejën, Flora Gashin, Shaban Xhekajn, Liljana Çavollin, Luan Hajrën, Hanife Sejfullariçanin, Ismet Bogujevcin, Muharrem Micin etj. Mbeten të paharruara këngët: “E kujtoj at takim”, “Eja, eja e bardha verë”, “Çka ke djalë?”, “Ushton gryka e Kaçanikut”, “Pasha sytë e mi”, “Zambaku i Prizrenit”, “Nusja jonë e re”, “Një lulishtë me trandafila”, ” Kur të buzëqesh”, “Një ditë diele, ditë zamani”, “Kur filloi dita me dalë”, “Dashuria për atdhe”, “Sytë e mi kurr s’të harrojnë”, “Mblidhen lulet”, “Nji këllef t’artë t’a çova”, “S’ka m’a t’bukur se pranvera”, “Lavdu qoftë perendia”, “Ta dish...” dhe mjaft të tjera, të kënduara aq bukur nga ky personalitet i këngës dhe muzikës shqiptare, të cilat i jepnin freski dhe hijeshi të gjitha aktiviteteve që organizoheshin. Duhet të ketë qënë fillimpranvere i vitit 1981, kur isha me sherbim në Tiranë. Atë vit pati ardhur Ansambli i Radio Televizionit të Prishtinës, ku bënin pjesë këngëtarët më të njohur kosovarë, për të dhënë një koncert me këngë popullore në kryeqytet. Me shumë vështirësi pata gjetur një biletë, kështu që m’u dha rasti që shumicën e këngëtarëve të njohur të këtij ansambli, mes të cilëve edhe Esat Bicurrin t’i shoh në skenë. Ishte një moment historik, një ngjarje e bukur që më pati dhuruar shumë çaste të kendshme dhe të paharruara. Që atëherë pata vënë re se krijimtaria muzikore popullore kosovare është mjaft e pasur, e larmishme, ajo pasqyron traditat e paçmueshme të këtij populli martir të etur për liri. Në këtë krijimtari spikaste madhështia shpirtërore e popullit, epizmi, heroika dhe lirizmi i dukshëm, por njëherit edhe origjinaliteti dhe individualiteti interpretative i mjeshtrit të këngës Esat Bicurri. Që nga ajo kohë, i dëgjoja me endje dhe dëshirë këngët e tij, sepse të mbushnin me gëzim, emocion dhe krenari. Pas rënies së sundimit totalitar, Bicurri së bashku me këngëtarin e mirënjohur gjakovar Ismet Peja qenë bërë shpesh pjesë e aktiviteteve muzikore, sidomos në Shkodër. Kjo edhe për faktin se dy qytetet historike shqiptare Shkodra dhe Gjakova njiheshin për traditën e njëjtë të jareve, madje në festivalin mbarëkombëtar të vitit 1991, Esati qe vlerësuar me çmim të pare me këngën patriotike “Dashuria për atdheun”, pikërisht në qytetin e jareve të mrekullueshme shkodrane.

Veç këngës, Esat Bicurri kishte pasion edhe mbledhjen dhe kodifikimin e pasurive shpirtërore dhe muzikore të vendlindjes së tij, duke na lënë edhe dy studime me shumë vlera sidomos folklorike si: “Jare… një këllëf me ar ta çova” dhe “Ahengu gjakovar në shekuj”, të cilat janë konsideruar si studimet më me vlerë në këtë fushë. Duke qënë se Gjakova dhe gjakovarët në trojet shqiptare, ashtu si dhe shkodranët, njihen si njerëz gazmorë, ahengëxhinj, këngëtarë, bejtexhinj, mikpritës, hokatarë, ashikë, të cilët i shfaqnin këto cilësi të vyera jo vetëm në rastë festash, dasmash dhe organizimesh të ndryshme, por edhe në jetën e përditëshme. Binin në sy këngët e ashiknisë, ardhur që nga kohët e lashta dhe kënduar plot pasion nga këngëtarët e hershëm. Edhe sot në shumë këngë erotike përdoren termat dylber dhe ashik, sidomos në qytetet e pjesës veriore të Shqipërisë dhe pjesës jugore të Dardanisë. Ndoshta disa nga këto këngë krijoheshin spontanisht nga rapsodët, ashtu si bejtet, por vlerat e tyre të spikatura mbeten të mirëqëna edhe në ditët tona. Ja disa vargje përmes të cilave shfaqet dashuria, por mungon shpresa: ”…Të baj be sa të jam gjall’ / Përmas teje jaran s’du, / Se jam met si peshku n’zall, / Çare s’u gjet derman për mu…”. Në materialin e mbledhur dhe botuar nga Esat Bicurri, nuk mungojnë edhe këngët patriotike, të cilat zënë një vend të rendësishëm në vepër. Materiali në libër trajtohet në kontekstin historik, prandaj përmban një numër të konsiderueshëm këngësh, vjersha humoristike, bejte, këngë rituale etj, duke sjellë deri sot në ditët tona një pasuri me vlera të padiskutueshme dhe duke e radhitur autorin e tyre, ndër më të veçantin në llojin e vet.

Vitet e tmerrshme të luftës në Kosovë e tronditën këngëtarin e njohur. Ai kishte luftuar për liri dhe pavarësi, kishte luftuar kundër pushtuesit shovinist serb me armën e tij, me këngën e bukur patriotike. Po ishte pikërisht kjo armë që kishte shqetësuar qarqet shoviniste të Beogradit, të cilat e kishin regjistruar edhe këngëtarin e njohur në listën e zezë të ekzekutimit, për t’ia ndërprerë përgjithonë këngën, gazin, për të mos ia dëgjuar më zërin e tij të mrekullueshëm. Ishin kohë të vështira. Kosova po digjej nën flakët e luftës për liri, ku mbarë populli heroik kosovar po jepte kontributin e tij për lirinë e atdheut. Edhe Esati kishte dhënë kontributin e tij të padiskutueshëm për këtë çështje. Prandaj me 7 maj të vitit 1999, në banesën e tij në qytetin e Gjakovës ia kishin behur forcat paramilitare serbe, të cilat në shenjë hakmarrje e paten arrestuar së bashku me njëmbëdhjetë bashëqytetarë të tij, mes të cilëve edhe tre vëllezërit e këngëtarit. Për vite me radhe nuk pati asnjë njoftim për jetën e tyre, veçse dihej se ata ishin ekzekutuar nga skuadrat ndëshkimore serbe. Dhimbja për humbjen e tyre qe e madhe, por gjakovarët ishin krenarë, sepse njëmbëdhjetë bijtë më të mire të tyre që ishin ekzekutuar pa mëshitë dhe varrosur në një varr të përbashkët, kishin dhënë jetën për lirinë e atdheut. Në dhjetor të vitit 2003, pas katër vjetësh trupat e tyre u identifikuan dhe me 23 dhjetor u rivarrosën me nderim, mes dhimbjes dhe lotëve. E kujtojnë me mallë miqtë e tij të dashur, korifejtë e këngës popullore shqiptare, ndërsa miku i tij i nderuar Gëzim Uruçi e përjetëson figureën e tij të shquar përmes këtyre vargjeve lapidare: “…Sy shqiponje me za bilbili, / Kur kendoje n’festivale, / Ishe i pari ne melodi, / Për Kosovën hidhje valle. / N' Çarshi t' Madhe po të presin, / Miqt e tu dhe Ismet Peja, / Zen Jetishi e bilbila të t'jerë, / Për ty kendojmë sot kangë të reja. / Kanga lotin nuk e ndal, / Ty vella t'uj të kujtu, / Oh...! Nji kllef me ar t’a çova. / Kush si Ti nuk e ka kendu ! / Jo nuk shuhet sa t'jete jeta, / Zani i yt ndër gëzimet tona, / Në tan trevat e Shqipnisë, / Kanga yte lëshon jehona...”. Vlerësimi për të nuk ka kufi, dhimbja gjithashtu.

Kështu dha jetën për atdhe këngëtari i shquar, njeriu i talentuar dhe personaliteti i pavdekshëm Esat Bicurri, kur ishte ende i ri, vetëm 51 vjeç, në kulmin e karrierës muzikore dhe krijuese, ku mund të krijonte dhe këndonte edhe dhjetra këngë të tjera për atdheun, tashmë në liri. Ai është hero i pavdekshëm lirisë, sepse na ka lënë trashëgim guximin, talentin, këngën, zërin e tij të mrekullueshëm që jehon ende si kushtrim ndër kullat tona, na ka lënë vlerat e tij njerëzore që nuk do të harrohen ndër shekuj.

20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page