top of page

NË KRAHËT E FLUTURËS SË BARDHË...


Sejdi Berisha

(Ose, baladë për pelegrinazhin e zemrës time)

1. Zemrën po e lë në dritare Le ta rrahin erërat dhe acari Zogjtë ta ledhatojnë me cicërimat e tyre Lulet e pranverës ta mbështjellin me aromë

2. Po po Zemrën po e lë në dritare Kush të dojë le ta merr Por mos harroni Njëherë ta dërgoni Te shtëpia e vjetër e babait Edhe tek vendlindja ime Nëse e dini ku është ajo

3. Shëtiteni pak Në tokën e etur e të ndrydhur Kam dëshirë ta dërgoni edhe në Shkodër Se atje ka shumë dashuri Mos harroni Edhe në Pukë ta qoni Migjenin ta takojë me kollën e tij Edhe në kalanë e Ali Pashë Tepelenës Atje vendoseni Le të vështrojë çfarë të dojë Por mos e harroni Edhe Kalanë e Lëkurësit te Saranda

4. Mos e leni të pushojë Por mos ia detyroni as vajin Se është e ndjeshme dhe e mbushur vrer Për këngën e ndrydhur të njeriut Për kuptimin e pastër të lirisë Mos e lejoni as të flasë Se ajo di shumë gjëra e plagët e djegin

5. Në Elbasan atje të Shkolla Normale Dërgojeni zemrën time Vetëm ditarët dhe emrat e nxënësve Lëreni t’i shikojë Se ndoshta Zë vend më mirë pesha e këtij tempulli Shëtiteni edhe në Pogradec E në Korçë shpijeni tek ajo shkolla e parë Se do ta trimëroni për ecjen e njeriut Por, mos e dëshpëroni Më atë se çfarë është arritur deri me sot

6. Zemrës sime Mos i tregoni se njeriu nuk e do njeriun Do çmendet ngase të gjitha i di I ka si në shuplakë dore

7. Te qyteti i Manastirit Shëtiteni gjatë e gjatë Dërgojeni edhe tek ato hapësirat Ku zuri rrënjë alfabeti i gjuhës Por edhe këtu mos i tregoni Për plasaritjet e mendjes as të shpirtit Që kanë ndodhur e po ndodhin Se barrikadë i dalin shumë mangësi Jo vetëm për shkrime e krijimtari

8. Pastaj Shëtiteni nëpër ato vende deri në Shkup Por kujdes se edhe aty Ia shtoni e ia lëndoni plagët Dhembjet dhe padrejtësitë

9. Zemrës sime Në Shkup ia mundësoni Vetë të shëtisë Se edhe tash mund të mësojë shumë gjëra

10. Zemrën time Kthejeni edhe në Kaçanik Por ruajeni se trembet nga ardhmëria Mirë e di ajo zemërimin e Grykës së Kaçanikut Pastaj Ngjituni tokës së vjetër deri në Prishtinë Aty jepini liri të gjendet vetë Në tërë atë mal Me shumë gjemba e me pak lule

11. Pastaj merreni Dhe sertshëm dërgojeni tek Stacioni i trenit Ajo vetë hipë në binarë Dhe do niset për tek minatorët

12. Atje në Mitrovicë Lëreni të pedatet me ndrydhjet e atyre njerëzve Edhe me trimërinë e Azem Galicës Edhe me të atij me xhamadan të kuq E me tirq të zi, Isa Boletinit Nëse e kërkon edhe Shaban Polluzhën Mundësojani pak minuta Të çmallet me rrëfimet e tij

13. Po po Zemrën time dërgojeni edhe në Prekaz Por mos i tregoni për Adem Jasharin As për familjen e tij E di ajo vetë Por edhe nëse plasë si korra e kripës Shëtiteni nëpër çdo pëllëmbë toke Se aty bima zhvillohet Edhe nëse mbrapshtë mbillet Le të flasë me të gjithë Edhe me vetveten po se po...

14. Kur vjen koha ta ktheni për në Pejën time Lëreni të përplaset me Reçakun, Izbicën Me Lybeniqin, Çyshkun, Mejën Edhe me shumë vende të tjera Edhe pse damarët do t’i rrahin idhshëm Kurse mendjen e lë Si problem të pazgjidhur matematike

15. Zemrën time Kur ta sillni sërish në Pejë E qoni tek ai Blini im buzë Lumëbardhit Aty, le të qajë të këndoj e le të plasë Se kështu e shprushë jetën time E sheh edhe Grykën e Rugovës Do të përmallet për ujin I cili kohërat i bartë kush e di se ku Por keni kujdes se ka për t’iu detyruar T’i shpjegoni për ushtimën e Lumëbardhit Edhe për atë se pse ai bashkohet Me Drinin e Bardhë E Drini i Bardhë pse e përqafon Drinin e Zi Dhe bashkë i përshkojnë Tokat fushat e malet E pastaj ia hijeshojnë madhështinë Detit i cili flet e nuk flet

16. Por, zemrës sime Shpjegojani injorancën që ka njeriu Që nuk kupton dhe as mendjen se vret...

17. Zemrën time Dërgojeni edhe nën atë lisin shekullor Ku i përjetova drithërimat e para të dashurisë Dhe prej atëherë dashuria U bë etje dhe ëndërr e jetës sime

18. Mos harroni që zemrën time Ta dërgoni edhe atje në Kalabri Për asgjë tjetër Por vetëm ta dëgjojë këngën “Moj e bukura, moreee...”

19. Kam dëshirë ta dërgoni edhe deri në Brazil Tek varri i të dashurës së Serembës Edhe tek varri i Nolit E dikur edhe në Shqipëri Tek varri i eshtrave të Faik Konicës Te varret e Abdyl, Naim e Sami Frashërit E dini vetë pse...

20. Zemrës sime bëjani qejfin Dërgojeni në Prizren te Lidhja e Prizrenit Le të ngopet me historinë dhe bukuritë e qytetit Le të zemërohet me Kalanë Si defter kurrë i pa shfletuar deri në fund E te Kulla e Haxhi Zekës në Pejë Vetë kalldrëmi do t’ia shpjegojë E do t’ia hapi zemrën e Lidhjes së Pejës

21. Ka edhe shumë e shumë për të rrugëtuar Por emrat e Lezhës, të Skënderbeut Të Hasan Prishtinës e të tjerëve I futni në një zarf dhe e mbyllni E i ruani mirë e mirë Se zemra ime di shumë e shumë Për madhështinë e tyre Për zemërplasjen e tyre...

22. Më ra ndërmend Zemrën time Dërgojeni edhe deri tek shkolla fillore Aty ku nisa t’i radhis Gëzimet hidhërimet dhe ëndrrat Me një janxhik me opinga dhe rroba zhguni Kaloni edhe deri tek gjimnazi I vrulleve dhe i rebelimit të rinisë sime Kthejeni zemrën time deri në Prishtinë Aty tek Fakulteti Filozofik Por mos e lëni shumë Se me shekuj ngelet aty Për studimet e mia Botën duke e mallkuar

23. Eh, tash Zemrën time Ma ktheni sërish në dritare ku ishte Zogjtë le ta madhështojnë me këngën e tyre Ajo do t’i çmend me lotët e mi Me qëndresën e pathyer e plot mllef

24. E kur të bie terri Lëreni të fli në dritare Se në mëngjes gjethet e vjeshtës Dynjanë do ta këshillojnë Për gjërat që e kanë plasë e përplasë Zemrën time që herët ua kam falë

25. Por diku herët para agut Një flutur e bardhë Do të bie mbi zemrën time Duke rrahur krahët Si për rrugëtim të gjatë E unë do ta lusë Ta merr zemrën time Le ta hedh në ujë të Lumëbardhit Ndoshta botën do ta përshkojë Tokën do ta urtësojë Me farën tjetër të lumturisë

26. Flutura e bardhë Që gjithmonë e adhuroj Mbi krahët e saj vuri zemrën time Dhe nuk di se kah iku Unë ngela duke i shtrënguar tëmthat Askujt nuk arrita t’i them: Mua tash më ktheni tek libri im “Njeriu ‘pa’ vendlindje”... Se brenda saj është në ujëvarë Me ujin e saj që kurrë nuk shteron Përherë buzët i njomi e shpirtin e freskoj (©S. B.)

31 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page