NË KOLOSE
Poezi nga Kozma Gjergji
NA DUHET
Edhe në shekullin njëzet e një
Na duhet ende të luftojmë
Me ata që
Helmuan Sokratin,
Me ata që
Kryqëzuan Jezu Krishtin,
Me ata që
Sollën ferrin e vërtetë në tokë…
Janë po ata
Shpirtra të zinj
(Vetëm emrat, fytyrat
dhe armët kanë ndryshe.)
Me etjen satanike
Për mizori,
Pushtime e sundim.
Janë
Rreziku më i rrezikshëm,
Prandaj na duhet
Domosdoshmërisht
T'i mundim.
NJË ÇAKALL
Tek pa në mengjez
Hijen e tij të stërmadhe
Mendoj gjithë kënaqsi
Të gjuante sa më tepër
Buaj, zebra, drerë, arinj…
Dhe shpejt ia dha vrapit
E trimërisht nisi gjuetinë,
Mirëpo në çdo përballje
Mori veç goditje brirësh,
Shkelma, kafshime…
I raskapitur në mesditë
Ndërsa shikonte
Hijen e tij të stërzvogëluar tha:
Kot lodhem unë
Kur më mjafton dhe një kërmill.
NË KOLOSE
Tronditesh
Kur mëson që këtu
Argëtimi më i preferuar
I kastës së lartë
Ka qenë
Ndeshja gjer në vdekje
E skllevërve
Me tigra e luanë!
NJË BUKURI
Megjithëse e lakmonim tmerrësisht
Asnjëri prej nesh s'ia shprehu dashurinë.
Mendonim që e atillë bukuri
Meritonte veç të famshëm a pasanik.
Kështu vlerësonin dhe plotë të tjerë
Gjersa një ditë ajo befas
Fare pa bujë u kurorëzua
Me një të thjeshtë si dordolec.
Pyetjeve e habitjeve të të gjithve
Ju përgjigj me krenari mbretëreshe:
E pëlqeva për guximin prej heroi
Dhe që ta kem krejt për vete.
PERLAT
Perlat e vesës anembanë
Janë lotët e shenjtë
Të vetë Shën Marisë
Veshur me
Rrobat e zeza të natës
Për gjithë
Fëmijët dhe të pafajshmit
E vrarë në Ukrainë.
FARAONËT
E ngritën Egjiptin
Nga rëra dhe i dhanë
Famën e mumjeve.
Varrosën breza e popuj
Për të ndërtuar
Për vete
Varret më madhështor.
Ç'EPSHE…
Ç'epshe i pollën këta lugetër
Që dhe gjarprinjtë e pafajshëm
I kokolepsën keqas me shoqi-shoqnë!?
ZJARRFIKËSI
Kush i vuri zjarrin pyllit?!
Habitërisht
Kërkimi zbuloi
Dora vetë zjarrfikësin!
SHQETËSIMI
Një bashkëshort ideal
I shqetësuar në kulm
Pyeti doktorin përse
Gruaja i qante shpesh
Krejt pa shkak?!
Mjeku e qetësoi:
Asnjë shqetësim, miku im,
Çdo grua e ka
Qoftë dhe në ëndërr
Një të dashur
Për të qarë.
GRABITQARËT
Me sa gëzim i rrahin flatrat
Shpesët grabitqare
Kur i nxjerrin sytë kufomës!
NJË PJATË
Një pjatë e thjeshtë
E servirur me dashuri
Shijon tejet më tepër
Se një pjatë e pasur
E servirur me urrejtje.
KËNGA
Kënga e detit
S'mbaron në breg,
Por tek zemërat
E atyre që e
Dëgjojnë.
PESHA
Pesha e dashurisë
Që më rëndon në gji
Bëhet më e lehtë
Kur e.mbajmë të dy.
NA GËNJYEN
Na gënjyen pasqyrat
E ditëve
Të turbullta e mjegullore
Duke i treguar
Disa njerëz
Super të mëdhenj.
Kozma Gjergji.
Kozma Gjergji eshte nje poet me qiber te holle, hulumtues dhe kerkues i se vecantes, intimes dhe gjetjeve te thjeshta brilante, qe sic e kam theksuar dhe here te tjera, te ngelen ne mendje.
Poet larg kozmogonizmit, te shtirurit per t'u dukur i "MADH", Me koklavitje e nderlikime absurde
hipokrite, te shtirura, te pakuptueshme.
Keto i deshmon me se miri edhe ky cikel i bukur poetik, transparent, me dhimbje dramatike jetesore per probleme te medha te njerezimit.
Me pelqeu i gjithe cikli poetik, por ne vecantesi poezite: " NA DUHET", " NE KOLOSE", " NJE CAKALL", " PERLAT" ,( Nje mrekulli artistike qe flet me shume se nje poeme), Zjarrfikesit. Grabitqaret, etj, etj.
URIME me arritje te tjera. Te perqafoj,…