
NË KOHËN E TIJ
Fatmir Terziu
Hallet në familjen tonë
shkonin gjithmonë nga e para,
ngadalë
duke shkelur barin e heshtjes së vetë.
Ata e lanë emrin
si rrobat e këputura,
të lodhura
dhe të shtrembëruara
nga arnat e tyre.
Ata u futën në kujtimin e thukshëm
të dritës dhe paqes. Prapa
ata na lanë… halle të tjera
të padukshme ...
Le të hedhim një vështrim të gjatë
në atë drejtim.
Ata nuk u thyen prej tyre
edhe hijet i mbetëm Njeriut,
e kujtimeve të lodhura
në kohën e frikërave...
… të mallkuara.
HIJA
E kam ndjerë kohët e fundit
prapa shpinës
hije e errët.
Stisje. Cfilitje. Dridhje.
Jo,
ajo nuk më ka mua hije.
Po largohem më shpejt ...
Frymëmarrja e saj po mbetet pas.
Jo,
nuk është në hapat e mia.
Unë jam duke ikur
te vargu i ri
te përkëdhelja e re
fëmijës i së pakohshmes
në poezi.
Zvarritet drejt meje në pakohë
dhe unë vrapoj pa u larguar nga ajo.