top of page

NË KEMER



Përshkrime udhëtimi, nga Luan Çipi


Pas Antalies, që është qytet me mbi një milion banorë dhe qendër rajoni, ne vizituam qytetin turistik të Kemerit. Qyteti i Kemerit është vendosur në bregdetin e Mesdheut dhe ndodhet 40 kilometra larg Antalias. Kemeri, para 30 vjetësh, ishte një fshat i vogël, por, me bumin turistik, sipas strategjisë së zhvillimit të shpejt turistik të Republikës Turke, këtu u ndërtuan në forma të ndryshme e deri koncesionare, qendra të fuqishme me mbi 70 hotele gjigandë dhe objektet e nevojshme infrastrukturore, që e kthyen atë në një nga qendrat turistike të rëndësishme të Rivierës Turke. Pas kësaj edhe zona për rreth në prodhimin bujqësor e blegtoral dhe me industrinë e lehte e ushqimore, u vu plotësisht në shërbim të turizmit.

Një nga arsyet kryesore për tërheqjen e turistëve të shumtë në Kemer është bukuria verbuese e natyrës, ku, deti pyjet dhe malet vijnë së bashku, ka ujë deti të pastër, ndërsa pyjet me gjelbërim halor gjithë vitit, që shtrihen buzë detit aty pranë në gjithë gjatësinë detare, me gjethet e tyre të harlisura janë në mbrojtje të plazheve të Kemerit përrallor dhe nën diellin e shumëkërkuar, në gati 300 ditë të vitit.

Gjatë udhëtimit në det me një jaht, apo anije me vela, turistët, që vijnë të dëshiruar nga Rusia, Ukraina, Kazakistani, Armenia nga vendet Baltike, po edhe nga e gjithë bota, të nisur sipas tureve të organizuara nga porti i Kemerit, në detin blu drejt jugut apo veriut, kanë mundësi për të shijuar bukurinë natyrore dhe gjiret më të mirë të Qarkut të Antalias.

Gjatë këtyre tureve, turistët kanë mundësi për pushime të këndshme dhe aktive në disa drejtime të studiuara dhe të organizuara më së miri, që gërshetojnë veprimet e disa agjencive të interesuara këtu. Në këtë drejtim ndihmojnë guidat e organizuara për vizitë me autobusë komod në pikat kryesore turistike me atraktive, si dhe në qendrat kryesore tregtare të qytetit të Antalies. Një shans interesant është për të parë breshkën karakteristike të deti, njohur për madhësinë e saj, si dhe bukuri të tjera natyrore të rralla.

Gjatë udhëtimit aty pranë shihet qyteti i lashtë Olympos, si një nga qytetet port, si dhe ngjitur me të, vendpushimi i njohur Tekirova, që është një tjetër qendër gji, ku ndërthuret deti me një natyrë mahnitëse panoramike dhe të tërhequr nga vlerat historike.

Gjatë një dalje në det anijet me turistë mund të bëjnë një ndalesë për notim në gjiret e Detit Mesdhe, ku udhëtuesit janë të organizuar në aktivitete rekreative, për të parë në vazhdim qytetin e lashtë të Phaselis, fare afër Kemerit, themeluar në vitin 690 para Krishtit dhe që ndodhet 35 km, nga Antalia, në afërsi të fshatit Tekirova.

Vijohet me qendrën tjetër të lashtë portale, Rhodians, të famshëm sidomos për digën 200 metro të lart, që tani më shumë është nën ujë. Phaselis dallohet si një zonë pyjore e pasur, ndërsa Rhodians, ishte një nga portet kryesore të Mbretërisë Antike të Lycia, në fund të shekullit të 17 para Krishtit. Në kohët e lashta qyteti ishte i famshëm për portin e saj, rrethuar me mure e diga ku më e madhja ishte ajo me lartësi 200 metër, që ndodhet në jug-perëndimore, e quajtur Cape. Pjesa më e madhe e digës është dhe sot nën ujë. Në pjesën perëndimore të qytetit duken portat e ndërtuara në kohën e perandorit Hadrian. Në ditët e sotme në qytet, në gjendje të mirë, arriti të ruhet grupi i dyqaneve tregtare përgjatë rrugës kryesore, me një plan urbanistik të pazakontë, me banja sauna dhe gjimnazin.

Duke vazhduar udhëtimin turistik me anije ndeshim me qendrën tjetër antike, Bath, ndërtuar në shekullin e 3-të që ruan gjallërinë edhe në vitet pasues. Më në jug është Agora Gate, ndërtuar gjatë sundimit të perandorit Hadrian (117-138), nga ku vijnë edhe statujat e lashta, si dhe teatri me shkallët e gurta me aftësi mbajtëse 1500-2000 spektatorë.

Gjatë udhëtimit me anije në bregdetin Kemer - Antalia të jepet rasti të vizitosh Parkun Ekologjik, ku shihen specie të rralla si pallonjtë,.ketrat, mjellmat, lepujt dhe deri te strucët.

Një kuriozitet i veçantë është Teleferiku, i vendosur në një lartësi prej 2365 metra mbi nivelin e detit në malin Tahtali Kemer të Antalias, që është ndërtuar së bashku nga Turqia dhe Zvicra, dhe që është teleferiku me shina më i gjatë në Evropë dhe i dyti në botë, me gjatësi 4350 ml. Udhëtimi nga baza deri në maj të malit me teleferik zgjat vetëm 10 minuta.. Zona Kemer, me futjen e teleferikut në veprim, vazhdon të zhvillohet shpejt edhe në drejtim të turizmit alternativ. Falë teleferikut, së bashku me sezonin veror turistik, shërbimet ofrohen edhe gjatë sezonit të dimrit.

Në vazhdimi të udhëtimit përgjatë rrugës, rreth 20 minuta pas qendrës Phaselis, kalohet në Ulupynar. Këtu, në një kodër të gjelbër na jepet kënaqësia e veçantë për të ngrënë trofta, ulur në tavolina të rregulluara bukur, nga ku soditen ujërat e ftohta të një lumi.

Agjencitë e specializuara organizojnë edhe udhëtime brenda ditës me automjete të vegjël xhip nga Kemeri në malet Taurus, që ne nuk i provuam, po vetëm sa u informuam: Kushdo, që disponon patentë shoferi dhe me shpirt aventure është i ri dhe i fuqishëm, është i lirë të udhëtojë në një xhip me qira me një udhëzues që merr paraprakisht këtu, dhe nëse dëshiron, mund të bashkohet në kolonën me 20-30 automjete, për të përshkuar rrugë të ngushta dhe të vështira si dhe pengesa me ujë, çka e kthen në një ngjarje gjurmëlënëse dhe fort interesante udhëtimin e guximtarëve të lumtur.

.Gjatë udhëtimit me xhip, agjenci të posaçme organizojnë ndalesë në afërsi të një lumi malor, për ata që duan të notojnë dhe të kthehen përmes Olympos, ndërsa të tjerët mund të kalojnë Urën e bukur antike mbi lum, që mjeshtër muratorë të zgjedhur e kanë rinovuar në përshtatje me origjinalin, që i referohet periudhës së Lycianit super të lashtë.

Rrethi historik Kemer, me plazhet më të mira në Rivierën Turke dhe me det të pastër është një nga vendpushimet më të mirë në zonën e Antalias. Shumica e plazheve në Kemer kanë merituar flamuj blu, shenjë ndërkombëtare e cilësisë së lart të bregdetit, të dhëna nga Ente të Specializuara Ndërkombëtare për pastërtinë dhe sigurinë.

.

Pjesë e Librit të Luan Çipit “Nga Llogoraja në Niagarë

24 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page