top of page

MYZEJEN KONDURI - INTELEKTUALJA E VLERAVE TË MËDHA


SHPENDI TOPOLLAJ


MYZEJEN KONDURI - INTELEKTUALJA E VLERAVE TË MËDHA


   Sikur të merrte përsipër dikush detyrën për të shkruar rreth veprës së dhjetë grave më të suksesshme në Durrës, ma do mendja se pa tjetër do të përfshinte në të zonjën Myzejen Konduri. E shpreh këtë bindje, pasi ajo më është dukur gjithmonë e denjë për atë thënien e shkrimtares Harriet Beecher Stowe (11 janar 1811 - 1 janar 1896), se “Gratë janë arkitektet e vërteta të shoqërisë”. Kur më është dashur të shkruaj dikur për krijimtarinë e saj letrare, nisur nga kuptimi etimologjik i emrit të saj, kam thënë se ajo nuk ka pasur nevojë të zbukurohet (edhe pse ka qenë nga natyra e tillë), pasi të tillë e ka bërë atë jeta, puna, sjellja dhe kultura e saj. Dhe këtu do të shtoja edhe guximin e rrallë të saj për të marrë nisma vërtetë të domosdoshme, por edhe mjaft të vështira të cilat i ka kryer me sukses të plotë. Myzejeni është lindur në Shijak (ku njihet me mbiemrin Çullhaj), më 6 dhjetor të vitit 1952. Në atë qytet kreu dhe arsimin e detyruar dhe atë të mesmë, ku ra në sy zgjuarsia, serioziteti, pjekuria, energjia dhe sidomos talenti i saj letrar. Pikërisht për këtë i jepet e drejta për të vazhduar studimet e larta në Filialin e Durrësit, Degë e Universitetit “Luigj Gurakuqi” për Gjuhë - Letërsi të cilin e përfundon në vitin 1974 me rezultate mjaft të mira. Pas diplomimit, ajo emërohet mësuese në Katund Sukth, në Fermën e Sukthit dhe më pas në Hardhishtë, ku spikatën jo vetëm aftësitë e saj pedagogjike, korrektesa me nxënës e kolegë, por edhe aktivizimi i saj i jashtëzakonshëm për organizimin dhe zhvillimin e veprimtarive të ndryshme kulturore. Është kjo arsyeja që Myzejeni, ende vajzë e re, në vitet respektive 1973 dhe 1974 dekorohet me medaljet “Për merita Pune” dhe “Për veprimtari Artistike”. Njëkohësisht, ajo nis të shkruajë dhe botojë në shtypin e kohës, kryesisht letërsi për fëmijë, çka e bën të njohur dhe të zgjidhet si punonjëse e Bibliotekës së Shijakut, ku pas pak kohe i besohet drejtimi i këtij institucioni. Qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2000 (ndërsa kishte kryer edhe kualifikimin pasuniversitar për Filozofi dhe gjuhën Frënge), pra për tetëmbëdhjetë vjet me radhë dhe bilanci i veprimtarive të realizuara prej saj është i pashembullt. Përveç botimeve të një serie librash që mbajnë autorësinë e saj dhe që përzgjidhen dhe rekomandohen edhe për nxënësit e shkollave të ndryshme, Myzejeni sjell në Shijak nga kryeqyteti, Durrësi e më gjerë, për takime me nxënës, mësues, lexues e intelektualë një mori njerëzish të shquar nga fusha të ndryshme të shkencës, artit, letërsisë, gazetarisë, historisë etj. dhe që janë 160 të tilla. Bashkëpunon ngushtë me figura të njohura të Shijakut, si Piktori i Merituar Agim Faja, Ritvan Malltezi, Nikolla Sudari, B. Deda, Ll. Xhafa etj. dhe çel 22 ekspozita të ndryshme, 360 vitrina për propagandimin e librit dhe 30 konkurse dhe gjen mundësitë të përçojë këto aktivitete edhe në fshatrat përreth. Dhe të gjithë këtë përvojë të fituar ajo e zhvendosi në aktivitete të llojeve të reja që kërkonte mendësia e kohës, pas fitores së demokracisë, pasi tani edhe vetë kishte ardhur në Durrës, ku ishte martuar me zotin Petraq Konduri, kuadër mjaft i njohur për aftësitë e tij drejtuese. Nga viti 1998 ajo ka organizuar pareshtur projektin “Gratë e Shquara” me tema nga më të ndryshmet, projekt që e vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe që kanë ngjallur mjaft interes. Ato kanë trajtuar gjithmonë domosdoshmërinë e rolit të gruas në shoqëri, në familje dhe në rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Këto projekte kanë qënë kuptimplota, çka duket qysh në emërtimin e tyre: “”Pranë Jush”, “Kryefjala je Ti”, “Ne Gratë”, “Gruaja dhe Suksesi”, “Gruaja në Karrierë”, “Gruaja dhe Politika”, “Gruaja dhe Biznesi”, “Gruaja Simbol Qëndrese”, “Ne dhe e Ardhmja”, “Fuqi Gruaje” etj. Për tre vjet radhazi ajo përfshihet si kordinatore e shoqatës “MDM” Franceze në 63 fshatra të Qarkut. Dhe projektet që Myzejeni zbaton, nuk janë ndalur këtu; ajo për 20 vjet ka ndjekur punën organizative me fëmijët, duke përfshirë ata të policëve të vrarë, jetimë, romë, me zhvillim të vonuar, në nevojë, ekselentë, të sëmurë, me shtëpi të shkatërruara etj. etj. Për ta, pasi i evidenton, ku nuk kërkon e shpërndan ndihma modeste. Por ajo që e ka bërë këtë grua të dashur dhe të respektuar për këdo është puna e palodhur dhe e jashtëzakonshme për të zhvilluar Konkurset e bukurisë “Miss dhe Mister Durrësi” qysh nga viti 2003 e në vazhdim, gjë që ka sjellë një atmosferë gëzimi dhe vlerësimi për të mirën, të virtytshmen dhe të moralshmen të pandara nga bukuria fizike. Ja të shumtë djemtë dhe vajzat që marrin pjesë në këto veprimtari që nisin qysh te zgjedhja e nxënëseve dhe nxënësave nëpër shkolla. Shpesh ajo punon edhe me familjet e tyre, për t`i bindur për të mirat që ka pjesëmarrja e fëmijëve në këto veprimtari që i mbajnë edhe larg veseve jo të mira të kohës. Kjo ka bërë që Myzejeni ta zgjerojë atë event kombëtar edhe te Miss  e Mister Turizmi, Kavaja, Patosi, Shijaku, Divjaka. Një fjalë goje, por ajo e di sesa vështrirë ka për gjetjen e elementëve, jurive, sallave, veshjeve, muzikantëve, televizioneve, gazetarëve, spektatorëve dhe tek e fundit edhe sponsorizimeve, ku duhet thënë se më së shumti nuk ka munguar edhe gatishmëria e Bashkisë. Vlerë e madhe e Myzejen Kondurit është shkruarja dhe botimi i një sërë librash, ku pesë janë për të rritur: “Engjëlli i Stinëve”, “ Zëri i Heshtjes”, “Lot i Këputur”, “Shtegu i Kujtesës”, “Dritë Mjegulle” dhe dymbëdhjetë të tilla për fëmijë. Aktualisht ka të përfunduar edhe dy libra me ilustrime po për fëmijë që presin të botohen. Për cilësinë e librave dhe shkrimeve të saj studimorë dhe me kritika letrare, ajo është fituese e një seri çmimesh prestigjioze. Kurse për angazhimin e saj qytetar dhe intelektual, ndër vite i janë akorduar disa tituj si “Nderi i Punës”, “Krijuese e Vlerave”, “Mirënjohja e Bashkisë”, “Nderi i Qytetit Durrës”, “Qytetare e Nderit Shijak”, “Simboli i Gruas” dhe së fundi ka marrë titullin “Ambasadore për Paqen”. Ja pse pa asnjë dyshim, personalisht do ta rreshtoja këtë grua, intelektuale, bashkëshorte, nënë dhe sidomos veprimtare, te dhjetë gratë më të shquara të Durrësit ndër vite. Se tek e fundit, Myzejen Konduri, po të perifrazoj autorin e shumë fjalëve të mençura Anthony J. D`Angelo, kudo që shkon, pa marrë parasysh motin, sjell gjithmonë diellin e saj.

10 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page