top of page

MUZGU NË TEPELENË


Mihal GJERGJI





Fanota e rrënuar del nga terri

Dhe zgjohet ndryshe, bëhet Tepelenë

Karvane s’ka. S’dëgjohen klithma tmerri

Një grup kaçakësh bëjnë sikur flejnë


Atje, ndanë udhe muzgu shtron jatakun

Unë rri si murg , me erën them dy fjalë

Një re e zezë ja fsheh kufirit gjakun

Po dita gdhinë e gjaku prap do dale


Kjo hënë e ngrënë, s’e di ç’kërkon në varre

Nxjerr syrin si kusare, në një breg

Të vdekurit janë futur mes të gjallëve

Një Italian qafohet me një grek


Shikoj një xhind, një tjetër rend kaluar

Këmbejnë udhët, marrin arratinë

Ca veteranë, në strehën e harruar

Mbi plagë të luftës lidhin fort lavdinë


Litar i fjalëve zgjatet tejendanë

Pazare tokash, postesh, mbretërish

Të gjithë i bien gjoksit si kambanë

E duan qesen, ndryshe s’mund të rrish


Një kishë e re, si nuse rri në pritje

Temjan e kryq e Krisht i mban në gji

Një makth i largët zbret e bën dremitje

Mos pret të kthehet zonja Shën Mari?


As Shën Vasiliqia s’paska shkuar

Dhe Hanko Zonja tjetër dhimbje ka

Aliu rend me kokë të prerë në duar

Mëngjezin tjetër zgjohet prapë Pasha


Bajroni më shkel syrin. Hap një derë

E pret Veziri, në prehër perëndish

Të huajt i nderojmë mbi të tjerë

Dhe njëri-tjetrin vrasim pabesisht


Martirët bëjnë roje istikamit

Ja një hero, i heshtur si asket

Dikush ka vjedhur gunën e Selamit

Dhe qënka ngjitur lart në Parlament


Një bujurdi nga larg ma sjell Valiu

Në dy gish letër fjalët si farmak

Dhe Demir Hani, thonë se kështu ngriu

Në lutje e dha shpirtin pak nga pak


-Qytet fantazmë, mallkuar kush të ngriti

Mos e bëfsh qindin..! U shua, ra në gju

Nuk di, nga cili fron rrufeja zbriti

Dhe vetë mëshira lyp mëshirë këtu!


Në vend të gjirit Vjosën pi Hamleti

Se ndryshe s’bëhesh dot, as princ as mbret

-Unë mbaj në shpinë një barrë të rëndë shteti

Dhe nuk kam kohë të flas me një poet!


Tiran ndaj vetes time bëhem prapë

Për gjakun që kam derdhur s’thanë asgjë

Po dhe i vdekur fjalën s’mund t’ua jap

Për tjetër perëndi e kam atë!

132 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page