top of page

MURAT GECAJ: PËRHERË MES KRIJUESVE TË LETRAVE SHQIPE


Nga e djathta: Bashkim Saliasi, Bajram Gashi, Murat Gecaj, Kadri Tarelli, Viron Kona, Sejdo Harka.

Kadri Tarelli

Siç e njoha unë.

Ky shkrim për Prof. Dr. Murat Gecaj, mikun e të gjithë krijuesve të letrave shqipe, mbase duhet të ishte shkruar kohë më parë, por siç na ndodh shpesh, e shtyjmë për më vonë, duke u marrë me punët e çastit.

U njohëm në rrethana të këndshme, këtu e 20-vjet më parë, kur unë shkoja shpesh në redaksinë e gazetës “Mësuesi”, atëherë në ndërtesën e Ministrisë së Arsimit, për të çuar artikujt e mi kushtuar arsimit dhe shkollës, disa të shtypura më makinë shkrimi e më pas me disketa (mjete të kohës).

Ishte Viron Kona, atëherë drejtuesi i gazetës që, pasi merrte shkrimet, na ftonte për kafe. Kështu u takuam disa herë me Profesor Muratin, bashkë edhe me të tjerë gazetarë, mësues dhe shkrues të artikujve për arsimin dhe shkollën. Na pëlqeu muhabeti dhe u bëmë miq, duke pranuar me modesti një shprehje popullore: “Duhet të jesh mik, që të bësh miq”.

Profesori ishte dhe mbeti mik edhe me shumë të tjerë, me të cilët e kish lidhur jeta dhe puna. Më duhet ta theksoj, se para se të shkonte për vizitë në Suedi, i ftuar nga shoqatat atdhetare të mërgimtarëve shqiptar, ishte njohur dhe bërë mik me disa prej tyre, si Sokol Demaku, gazetar, shkrimtar, poet, drejtues i revistës “Dituria” dhe i Radios dhe Televizionit në gjuhën shqipe, në qytetin Boras, Sadulla Zendel-Daja, shqiptar nga Gostvari, nga të parët mërgimtarë shqiptar në Suedi dhe hartues i disa fjalorëve Shqip-Suedisht dhe Suedisht-Shqip, Hysen Ibrahimi Kryetar i Shoqatës Letrare-Artistike “Papa Klementi XI. Albani” që vepron në Suedi, Saranda Iseni, sekretare e kësaj shoqate, juriste dhe gazetare, drejtuese e talentuar e takimeve dhe kuvendeve, Hamit Gurguri shkrimtar, përkthyes, studiues, Bahtir latifi, shkrimtar dhe poet, Riza Sheqiri shkrimtar, Bajram Muharremi poet, Emine Hoti “Marigoja” e Norvegjisë, stiliste, Osman Ahmetgjekaj veprimtar, Idriz Gashi poet, Fetah Bahtiri studiues, etj, etj. Këta miq i ka pritur dhe shoqëruar në disa takime, kuvende dhe përurime librash, në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe qytete të tjerë. Kur binte fjala për Suedinë, ai fliste me admirim për këta shqiptarë të ditur e të mençur, që veç punës për mbijetesë dhe për të qenë të suksesshëm, përpiqen me të gjitha mundësitë t’i shërbejnë kulturës dhe çështjes shqiptare.

Ai ishte natyrë e qeshur dhe plot humor, fjalë ditur dhe shumë punëtor, me kujtesë të fortë dhe i shpejtë, i saktë, i shkathët në gjetjen e temave, aq sa miku ynë Sejdo Harka, gazetar, shkrimtar e kritik letrar, shkruan me frymëzim: “Murat Gecaj nga Tropoja/ Burim pena e mjaltë goja”. Cilësi që e bënte mik që në takimet e para.

Miqësinë e vazhduam edhe kur u mbyll gazeta “Mësuesi”, sepse dritaret e shkrimeve nuk u mbyllën. Mbase pak njerëz e dinë, se sa përpjekje bëri ai burrë, për të mos u mbyllur kjo gazetë, që i shërbente mësuesve dhe arsimit shqip, aq sa ndërhyri edhe te kryeministri i kohës. Mbeti i zhgënjyer, pasi i premtuan se nuk do të ndodhte një veprim i tillë. Koha vërtetoi se mbyllja e gazetës u bë shkallë-shkallë, si fillim revistë mujore, e më pas heshti apo hupi fare, siç thonë kosovarët. Ishte një mashtrim i radhës. Nuk e kishte zakon të shante, por ndjehej i mërzitur dhe i trishtuar, kur kujtonte këtë ndodhi të hidhur. Gazeta u mbyll, por dëshira për të shkruar nuk u venit, tashmë jo thjesht qindra artikuj nëpër gazeta të ndryshme dhe portale elektronike, por botime dhe studime, monografi dhe krijime të mirëfillta letrare, shkencore dhe historike, jo pak por 17 libra publicistikë dhe studimor. Është një punë e admirueshme, që kërkon dituri mendimtari, durim skllavi dhe vullnet shkencëtari.

Komenti e zbeh fjalën, aq sa, kurdoherë që Profesor Murati me shokë organizonin takime festive apo përvjetorë, me patjetër do të kisha ftesë edhe unë, madje “Më urdhëronin”, se ndryshe i mbetej qejfi nëse mungoja. Në të tilla takime, në krye ndodhej miku ynë Bardhyl Xhama (Mësues i Merituar), si më i moshuari ndër ne, i cili na sajdiste me nga një shishkë të vogël të mbushur me raki të zgjedhur. I mbanin apo si mbanin rreth 50 gram secila, por ne na vinte mirë për këtë përkujdesje të tij. Profesori Murati bënte apelin dhe kur dikush mungonte, bie fjala: Ibrahim Hajdarmataj, nga Zogaj i Tropojës, apo Bashkim Saliasi që ishte në punë, nën/drejtor shkolle në periferi të Tiranës, apo edhe Bajram Gashi, drejtor i shkollës sw bashkuar Shënavlash Durrës, ne ngrinim dolli për ata, dhe dollinë ua përcillnim me celular.


Profesori, kështu e thërrisja shkurt, ishte në krye të sofrës edhe kur bashkë me shokë të tjerë, vinte në Durrës, i ftuar nga unë, megjithëse shtonte me shaka: “Nuk do të vij më në Durrës, pasi nuk e ha peshkun! Ju në Durrës vetëm peshk gatuani”. Ai vërtet nuk hante peshk, kështu që mish porositnim në lokal tjetër. Pas çdo takimi, ai sapo kthehej në Tiranë, i niste, i ujdiste dhe i postonte shkrimet, ashtu siç dinte ai: “Drekë letrare, në bregdetin e Durrësit:. Tetor 2015. ‘Ne ishim te miqtë tanë, Kadri Tarelli e Bajram Gashi”. Mars 2017. “Na bashkoi  miku ynë, Kadri  Tarelli” Shkurt 2018. Këtu më duhet të shtoj edhe një shkrim vlerësimi, kushtuar librit tim: “Kur lexoj një libër”, etj.

Sa për njohje, dy fjalë për jetën e tij nëpër vite:

Murat Gecaj lindi në fshatin Bujan të Tropojës, më 23 të marsit 1940. U shkollua në UT. Tiranë, por në fillim, pjesërisht në universitetin “Zhdanov” në Shën Petërburg (Ish Leningrad), për dialektologji. Provoi mësuesinë, por u dashurua me gazetarinë, duke “bredhur” në disa organe shtypi, deri sa u ngul për disa vjet me radhë, tek gazeta “Mësuesi”, për të cilën flet me adhurim. Veprimtar i palodhur e studiues i aftë, që në rini i mirëpritur nëpër forume shkencore. Referon kumtesë në Kongresin e Drejtshkrimit. (Tiranë 1972). Është autor i disa zërave për arsimin në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. (Tiranë 1985), bashkë-autor i veprës “Historia e Arsimit dhe Mendimit Pedagogjik Shqiptar”. (Tiranë 2002).

Më pas, bazuar në këtë punim, shkroi dhe botoi librin “Pishtarë të Normales së Shkupit”. (Kumanovë, 2002). Ndërsa një vit më parë kishte botuar librin “Nëpër udhët e shkollës shqipe”, Botime me karakter studimor e publicistikë janë librat: “Filologë që nuk harrohen”. (Tiranë, 2002), “Bedri Dedja: Në kujtesën tonë”. (Përmbledhje kujtimesh, (Tiranë, 2010). Ky libër u përurua edhe në Durrës.

Në përfundim në përmbledhje të librave të botuar, nuk e “harronte” atë, që kishte më për zemër, librin jetëshkrimor: “Ëndrrat e “grisura” të jetës sime”. (Tiranë, 2010). Ky libër u përurua në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit.

Në këto dit të trishta, kur profesorin gojë-ëmbël, nuk e kemi më mes nesh, po sjell në kujtesë një shkrimin tim, të publikuar në marsin e vitit 2015, me rastin e 75-vjetorit të tij, ku në kryetitull thosha: “Murat Gecaj! Na prit edhe në 100-vjetorin tënd”, ku më pas shtoja: “Mbaje fjalën, se kështu bashkë do të jemi përsëri”. Besoj se është hera e parë që profesori ynë, nuk e mbajti fjalën. Shkoi sapo mbushi të tetëdhjetat. Por edhe ne nuk e mbajtëm fjalën, nuk u mblodhëm për këtë përvjetor të shënuar. Na bllokoi Virusi dhe karantina, veçse e uruam nga larg me telefon. Na mirëkuptonte.

Me natyrën e tij të gjallë, përherë në lëvizje, nuk e pranonte fjalën “Pension”. Madje në një intervistë që i kam bërë, më thotë: - Pensioni është vetëm për pleqtë, jo për mua, - drejtonte trupin dhe duke qeshur shtonte: - “Kohë kam me bollëk, por s`më mjafton. S`më zenë këmbët dhe, sa në Kosovë, Maqedoni, Mal të ZI, Itali e Suedi dhe nëpër qytetet e Shqipërisë. Aq shumë i ngarkuar jam, sa edhe vetë çuditem, ku e gjej energjinë për t`i përballuar të gjitha. Ndoshta, - përsëri duke qeshur, - është dëshira që të mbetem përherë i ri”. Libri: “Kur lexoj një libër”. Autori.

Nuk e fshihte gëzimin dhe kënaqësinë kur haste, dëgjonte apo lexonte krijimet tona, të shokëve, kolegëve dhe miqve të shumtë, sidomos kur bëhet fjalë për kombin dhe shqiptarët. Nuk mungonte të bënte komente. Ishte natyrë e hapur dhe i thoshte gjërat drejt për drejt. E vura re bukur mirë, kur bashkë ishim pjesëmarrës në dy-tre emisione në Radio-Tirana, të ftuar nga drejtuesja Kozeta Hoxha. Si fillim, për të folur mbi veprimtarinë e mësuesit Elbasanas Sami Domni, i cili edhe si pensionist, nuk i ndahej muzeut të arsimit në Elbasan. Herën tjetër, ishte një kuvendim mbi librin e preferuar të profesorit: “Me zemër në vendlindje…” (Shënime e mbresa, nga Suedia). (Tiranë 2012). Vepër e shkruar pasi vizitoi Suedinë, ku ishte së bashku me shkrimtarin dhe studiuesin Viron Kona. Këtij libri, unë i kisha kushtuar një shkrim me titull: “Një tjetër koleg i dashuruar me “Bukurinë e shpirtit Suesdez”. Profesori ishte mik i vjetër i radios, andaj drejtuese Kozeta, kohë më vonë përgatiti dhe transmetoi një emision të posaçëm për jetën e botimet e tij

Ajo që dua të shtoj është se, Profesori ynë solli diçka të re në letrat shqipe. Janë disa krijime që e bëjnë të dallohej mes të tjerëve, për të cilat kushdo do të ndjehej i përkëdhelur nga fati.

Si fillim e kam fjalën për librin “Dorela”, më i dashuri për “Heroin” tonë, kushtuar mbesës së tij Dorela, e cila tashmë është rritur. Një botim disi i veçantë në letërsinë tonë, ku ai me fjalët e ngrohta, siç dinë të flasin vetëm gjyshërit, sjell përvojën e tij në marrëdhëniet gjysh-mbesë. Është një libër me vlera njohëse, pedagogjike dhe mësimore, pasi secili gjysh apo gjyshe, ka ç`të mësojë nga “Babushi” Murat.

Së dyti, janë dy libra. “Kur flasin zemrat”, kushtuar krijueseve, vajzave dhe grave shqiptare, këtu dhe në trojet etnike arbërore e në diasporë. Është një tjetër buqetë me lule shumëngjyrëshe, që autori i shton librit “Për ju krijuese”, botuar pak kohë më parë. Do të desha të isha i gabuar, por Profesor Murati, besoj se është i pari me këto dy krijime, që i solli publikut shqiptar një vepër studimore me vlera të mirëfillta letrare, artistike, ideore e kritike, kushtuar krijueseve tona, zemërarta e fjalëzjarrta, si shenjë nderimi dhe mirënjohje për femrën shqiptare, si motër, grua, nënë dhe veprimtare.

Besoj se mikut tonë, Murat Gecaj, më shumë se kujtdo, i shkojë përshtat këto fjalë të Mit’hat Frashërit, drejtuar shkrimtareve dhe gazetarëve, në vitin 1924: “Çdo shkrimtar është një këshilltar, po gazetari është edhe më tepër akoma: është një predikonjës”…… “Gazetarit i bie mbi supat barra më e madhe. Roli i tij është i komplikuar, se duhet të jetë edhe një mjek që shëron sëmundjen, edhe një meshtar që përkujdeset për shpirtin, edhe një avokat që i mpron të drejtat, edhe një gjykatës që i ndan gjyqin”. Libri “Plagët tona. Çë na mungon? Çë duhet të kemi?

Profesor, Dr. Murat Gecaj, fizikisht prehet në parajsë, por me veprat që na ka lënë do të jetë kurdoherë mes nesh, mes shkrimtarëve, gazetarëve dhe krijuesve të shumtë, si model dhe udhërrëfyes i përsosur.

Ai në letrat shqipe, i ngriti vetes edhe piedestalin edhe monumentin, ndërsa ne me shkrimet tona vetëm e kujtojmë, e përshëndesim, e përkëdhelim dhe e nderojmë në përjetësi.

Kadri Tarelli

Durrës. Korrik 2020.

26 views2 comments

2 Comments


kadritarelli
Jul 24, 2020

Pershendetje dhe faleminderit z. Resmi! Na iku nje mik dhe shok i vyer, pavaresisht se do te mbetet ne kujtesen tone, qofte edhe vetem per nje bisede ne kafe. Ai meriton me shume se nje shkrim, apo artikull gazete.

Like

Resmi Osmani
Resmi Osmani
Jul 24, 2020

Babushi, i buzeqeshur, fjalembel, plot dashuri e miresi, i ditur e i gjindshem me kedo, dashamires me talentet e reja premtuese, keshtu do te mbetet per mua ne kujtese ,perpara filxhanit te kafese.Iken njeriu, mbetet pas kujtimi.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page