top of page

MU KUJTUA SHAZJA




Kam shtruar një trapez të veçantë për zonja të zgjedhura. Janë ulur krah njëra-tjetrës dhe përballë meje. Kanë ardhur me nga një barrë halle në shpinë. Janë ligur e tretur. U dogjën për jetën e tashmë janë ngjitur lart, si shkëndijat e zjarrit. Të mirat nëna! Janë larguar nga kjo jetë, por unë kam aftësinë për ta bërë një gjë të tillë, për të folur me to, e kam dhuratë nga Zoti. Ndërsa ju s’mundeni. Provojeni po deshët. Po ti thërrisni nuk përgjigjen, po ti kërkoni nuk vijnë. Më dëgjoni me vëmëndje. Të parën që më kërkon syri është mëma ime. Ajo s’mund të mungonte, ka ardhur të çmallet me djalin. Ka vendosur dorën në faqe dhe mundohet ta fshehë pikëllimin. Shumë brenga i kanë mbetur pa thënë. Ka ardhur dhe Gjylo Mata, gruaja e Çelos që i këndohej kënga. Ndërsa Trëndafile Gumeni shikon nipin që s’mundi ta merrte në prehër. Ashtu ka mbetur, me shpirtin e coptuar. Janë ca plagë që s’shërohen, as treten. E lanë të vdiste nga apendesiti, s’i dhanë makinë për ta çuar në spitalin e Tepelenës, sepse e kishte djalin në burg, si armik i partisë dhe pushtetit popullor. Dridhej dhe shtrëngonte dhëmbët buzë rruge. Më shumë se fati e ndëshkoi koha në të cilën jetoi. Porta e shpëtimit ishte mbyllur. Dervie Gjoka ju ndodh pranë në orën e xhanit, ju gjënd si të ishte vajza e saj. Fisnikja Dervie, ishte bijë nga Progonati (Begallajt) dhe nuse në Gusmar. I nxorri dy çarçafë dhe një jatak. Ishin minutat e fundit, ato të lamtumirës. Edhe Elifja, Shanua, Meliqja, janë aty. Vezikua gjithashtu, me lotin në sy, për djemtë e mbyllur në hapsanë. Edhe Sabua sa një mexhite, bijë nga Kuçi; Mazika e Plake dhe Emblihaja, gruaja e Beqirit; Refua, që vazhdon të vajtojë të birin, e shumë të tjera janë grumbulluar. S’po i përmend emër për emër. E di që ju është sosur durimi për të lexuar deri në fund rreshtat e mi. Mes tyre edhe Shazja. Ka një nur bukurie stolisur me buzëqeshje. Po pse ndalova pikërisht këtu? Sepse bota ka nevojë për buzëqeshje si ajo e Shazes. Sepse ajo vjen dhe ikën kaluar në vargjet e një kënge: “Dilni shihni, pa shih shihni, Shazen-o/ Sa me naze, naze more naze, shtruar vallen-o”. Ajo për të cilën flasim ishte bijë nga Kuçi i Kurveleshit të poshtëm, nga Bajajt, dhe nuse në Gusmar, në Qorraj. Nuk di pse më troket vazhdimisht në kujtesë kjo zonjë e gatuar me një materie të veçantë. Ju nuk e dini se kush qendron më afër botës tjetër, asaj të panjohurës, të gjallët apo të vdekurit. Më kot lodhen teologët dhe predikuesit e përjetësisë. Ata mëtojnë të na bindin se jeta në tokë ka filluar nga ëngjëjt e zbritur prej kozmosit. Pastaj u dashuruan me gratë e bukura të tokës dhe u martuan me to. Unë s’mund ta pranoj një arsyetim të tillë, të paktën për vendlindjen time, sepse kisha parë kush qendronte në krahun e atyre zonjave të nderuara. Askush prej burrave s’ngjasonte me ëngjëjt, aq më pak fëmijët e tyre. Unë s’kam njohur burra që vishnin qefinin në vend të parzmores, ata i përkisnin një kohe të largët. Në mungesë të fakteve të gjithë nxitojnë të bëjnë interpretime. Jemi duke folë për gratë, të cilat i bëjnë lartësitë më të larta dhe ultësirat më të sheshta, kështu thoshte Niçja. Të ndalojmë disa çaste në Qorraj. Sa herë që shikoja Shazen, përfytyroja një lule të çelur mes gjëmbave. Dhe kohë pas kohe kërkoja rrënjët e fiseve të fshatit tim. Sipas defterëve osmanë, konkretisht në rregjistrimet e banorëve në vitin 1431, Qorrajt i gjejmë edhe në fshatin Progonat, ndërsa në vitin 1812, me këtë mbiemër gjejmë edhe mes fshatrave në krahinën rrebele të Sulit, d.m.th mes banorëve të Paramithisë. Po kjo është e parëndësishme, ndërkohë që mbiemri për të cilin flasim s’ka ndonjë histori të veçantë krahasuar me fiset e tjera. S’do shkoj më larg, sepse është njëlloj si të kërkosh bijtë e Izraelit që dolën nga Egjipti në kohën e faraonit. Të kthehemi te Shazja, e cila i dha dritë kësaj shtëpie, mbase kështu më dukej mua. E la mbrapa shembëlltyrën e saj, vajzën me emërin Vogëlushe. Fara e zgjedhur s’humbet asnjëherë. Me siguri ndjehej e plotësuar kur shikohej sy më sy me të bijën. Andaj afronte buzëqeshje dhe rrezatonte bardhësinë që i buronte nga shpirti. E kishte mësuar jeta, të mos vriste me zemëratë, por me sjellje qesqine, sepse asnjëherë s’mungonin djallëzitë e të tjerëve që burojnë nga dobësia njerëzore. Ata që të shkaktojnë dhimbje nuk ti lidhin plagët. As unë s’kam njohur njeri të ngrejë duart andej nga vjen drita qiellore dhe të provojë drejtësinë, duke thirrur: “Gjykomë, o Perëndi!”. Një gjë të tillë s’e kishte bërë as Sadushi, Ajazi apo Daka, të cilëve u kisha dëgjuar vetëm emërat, doemos edhe historitë që tirreshin rreth tyre. Në këto rrethana, vetëm gratë e kanë merituar vëmëndjen time. E ç’vlerë ka më tepër altari ku bëhen flijime perëndive, sesa nënat tona prej drite, që meritojnë kujtesën dhe nderimin e përjetshëm? Mos vallë Shazja e bregdetit, të cilës i këndohet kënga, ka merituar më shumë se Shazja jonë? S’dua ta besoj. Prandaj e thërras në emër, jo Teto Shazja, si dikur në rininë time: por me zërat e këngës: “Moj Shaze!”

68 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page