top of page

MREKULLIA E UJQËRVE


Aleko Likaj

Tregim për fëmijë

Por ai vit i çmendur nuk kishte të mbaruar. Në vjeshtën e dytë, bora erdhi më shpejt se zakonisht. Fushat zunë thinjë e ndër male flokë - flokë gjithçka kishte zbardhur. Mes tetori dhe pa erë. Temperaturat ishin ulur dhe në fshat bagëtia s'kishte dalë më që prej dy ditësh. Nuk kishte se ç'të hanin. Fshatarët i zuri të papërgatitur ajo kohë. Kush e mendonte se dimri do të shfaqej aq shpejt. Poshtë në përruan e pyllit të Zavalinës, që e ndan atë nga zona e Gramshit, ishte disi më ndryshe. Mund të gjejë ndonjë degë të njomë që mbante disa gjethe. Dhe ky ishte një ushqim i mirë për kafshët që qëndronin të mbyllura në shtëpi. I pari që propozoi këtë vend ishte Tiku. Meti, po, ishte gati. Moshatarët tuaj. Prindërit i kishin emigrantë në Greqi. Akoma nuk i kishin mbaruar atje punët e stinës. Për Vitin e Ri ktheheshin. Kështu bënin gjithmonë. Deri atëherë fëmijët kujdeseshin për shtëpinë dhe gjënë e gjallë. -Të mos e zgjasim, - tha Meti që nuk i pritej. - Drekë është, ngarkohemi dhe pas tri a katër orësh jemi këtu. U varën poshtë një bokërime që ishte e zbardhur krejtësisht nga bora dhe u gjendën menjëherë drejt e në përrua. Dhe vërtetë që nuk ishin zhgënjyer. Haje kishte plot. Hoqën sëpatat e vogla nga brezi dhe u kacavarën nëpër pemët e vogla, buzë disa shkëmbinjve. Prenë degë e i lanë aty poshtë. - E pat dhe kjo punë, - tha sërish Meti që kishte përcaktuar tri orë. - E shumta dhe një gjysmë ore dhe pastaj i ngarkojmë. Nesër vijmë përsëri. Që në mëngjes. Bëjmë dy rrugë. Tiku zbriti nga një pemë dhe kërkoi me sy një tjetër aty afër. Pastaj pështyu dy duart dhe i rrotulloi mbi njëra-tjetrën si për t’i ngrohur. Aty nuk të kapte era dhe dukej se ishte më butë se në fshat. Meti ishte futur në një masiv shkurresh dhe priste me shpejtësi. Pranë ishte një lis i trashë dhe i lartë që binte në sy pranë përroit që kishte ngrirë. Nga larg erdhi një ulërimë. Në fillim dukej se vinte pas një bregu, po pastaj u ndie më pranë. Djemtë nuk i vunë rëndësi. Madje, Tiku vuri edhe buzën në gaz. - Ndonjë ujk i vonuar që kërkon ujkonjën e tij. Kaq tha e vazhdoi që të priste dega poshtë lisit. Por bisha erdhi fare pranë. Madje zuri vend përballë dhe ulëriu si egërsirë. Ishte një kafshë e madhe që në një farë mënyrë të fuste frikën. Meti dhe Tiku ishin mësuar me bishat e zonës përreth. Ujku vazhdonte të ulërinte, duke ngritur kokën lart nga qielli i rimtë. Dukej sikur thërriste dikë. Tiku e kuptoi, ndërsa të dy djemtë kishin ndërprerë gjithçka e qëndronin në këmbë me vështrim nga bisha. Mendoi në një çast që ta qëllonte më sëpatë, por ujku ishte më shumë se 50 hapa më tej. Rrinte përballë e kërcënonte herë pas here me dhëmbët jashtë në gatishmëri që të sulej. Ndërkohë një ulërimë tjetër u shfaq befas fare pranë. Ishte një ujk a ujkonjë treqind hapa më tej, e cila ishte sulur, vërtik, drejt e te djemtë. Këta e kuptuan që ishin vërtetë në rrezik. Tiku sikur të kishte kapur mendimin e tjetrit, u hodh shpejt në trungun e lisit. Meti nga ana tjetër ishte ngjitur një metër më sipër. Ujqërit u sulën. Erdhën në buzë të trungut e tentuan që të ngjiteshin lart. Tiku kishte shaluar një degë dhe po ndihmonte Metin, këmbët e të cilit lëviznin bosh në ajër, pa mundur që të gjenin një mbështetje. Në fund u ngjit edhe ai. Qëndroi pranë Tikut. Poshtë bishat ulërinin me vështrim nga djemtë. Por Metit, nuk i u durua. Nxori sëpatën e vogël e të mprehtë dhe e hodhi mbi ujqërit. Ata lëvizën duke reaguar menjëherë dhe sëpata humbi në dëborën e shkrifët buzë përroit. Tiku e këshilloi që të ishte më i kujdesshëm. Meti merrte frymë shpejt. Dukej që ishte trembur shumë. Të dy egërsirat, ishin bërë me tepër agresive e vinin rrotull poshtë trungut për të gjetur një shteg që të ngjiteshin lart në pemë, deri te djemtë. Pastaj erdhën edhe dy të tjerë. Nuk dukej se nga mbërritën. Madje, Tiku dhe Meti, ndien një frikë me të madhe këtë herë. Ishin bërë pesë. Ujqërit, sikur ta kishin bërë me fjalë, ulërinin njeri pas tjetrit pa lënë një kohë bosh. Përroi nuk i përcillte ulërimat e tyre lart. Madje as në fshat nuk dëgjoheshin ato, edhe pse ishte dy kilometra larg. Boshllëku midis dy bregoreve e përcillte ulërimën poshtë deri në luginën e Zavalinës. Pas më shumë se një orë u duk se humbën edhe shpresat se mund të shpëtohej nga këto bisha që ishin të uritura e kërkonin pre. Meti filloi të ngashërehej. - Do të na zërë nata këtu dhe hajde pastaj bëju ballë këtyre, - tha ai duke treguar me kokë poshtë pemës. Ujqërit dukeshin se nuk ishin lodhur duke ulëritur. Bile, as që kishin ndër mend të largoheshin. Ishin të vendosur të qëndronin aty deri në fund, kur të dorëzoheshin djemtë. Nga fshati, zor se do të kishte ndonjë ndihmë. Dy vjet më parë një kope ujqërish kishin sulmuar një rrugëtar të vonuar në afërsi të "Shkëmbit të Kabashit" dhe e kishin ngrënë. Ngjarja kishte bërë bujë atëherë në të gjithë zonën dhe banorët përreth kishin kuptuar se grabitqari ishte bërë më i rrezikshëm në zonë, këtë herë. Jo vetëm në bagëti. Po kujt t’i qaheshe? Gjatë dimrit njerëzit ishin bërë më të kujdesshëm. Por bora erdhi krejt papritur me ftohjen e motit, pa dalë ende vjeshta e dytë. Kjo do të thoshte se egërsirat kishin mbetur edhe pa ushqim dhe se atë do ta kërkonin duke sulmuar gjithçka. Pas tri orësh, kur muzgu vinte ngadalë e i heshtur duke u ulur nga malet e Mokrës përtej, shpresat u shuan krejt për djemtë. Pas bregut, në krahun e djathtë, u shfaq një njollë e errët. Në fillim nuk e dalluan mirë. Edhe kur u afrua, Tiku dhe Meti nuk mundën që ta përcaktojnë se ç'lloj egërsire do të ishte. Vetëm ato lëviznin në këtë kohë. Kur njolla e errët u shfaq tridhjetë hapa më tej, të pesë ujqërit qëndruan në një çast. Djemtë dëgjuan një hungërimë të lehtë që erdhi si një fëshfërimë. Pastaj njolla lëvizi. Erdhi më pranë. Qëndroi poshtë trungut. U ul në bisht e hungëriu përsëri, duke hedhur vështrimin nga kopeja e vogël e ujqërve që çuditërisht ishin bërë të heshtur. - Është ujk, - tha ngadalë Meti duke treguar me gisht poshtë egërsirën e porsaardhur. Dukej stërmadh e ngjasonte si një kafshë pune. Kishte një ngjyrë të hirtë e veshët i lëvizte pa pushim, sikur të ndiqte gjithë zhurmat përreth. Mbase edhe zërin e Metit atje lart në pemë. Pastaj ngriti për një çast kokën, si për të verifikuar atë që kishte dëgjuar e u kthye menjëherë nga miqtë e tij që kishin vënë rrethimin për dy djemtë atje lart në pemë. Befas ulëriu. U duk se zëri i tij doli që nga thellësia e një shpelle të fshehur aty pranë. U vu përballë ujqërve të tjerë. Klithi dhe hungëriu si një bishë e vërtetë duke nxjerrë dhëmbët. Të tjerët heshtën. Ishin vendosur në bisht. Ujku i hirtë klithi sërish. Këtë herë më fort. Dukej që ishte i inatosur me shokët e tij. Por nuk mund ta duronte këtë lloj indiference. Atëherë iu sul që të pestëve. Ata në çast ngritën bishtin dhe lëvizën nga vendi. Nuk e kishin më mendjen te gjahu që qëndronte në pemë. Rrethi tyre filloi të zgjerohej e të hapej larg fëmijëve. Bisha shkonte sa tek njeri e tek tjetri. I vuri në lëvizje. Këtë herë drejt kthimit. Andej nga kishin ardhur një çast më parë. Një prej tyre guxoi. Dukej që ishte një ujkonjë e re. Mbase kërkonte ushqim për të rritur këlyshët e saj. Rast me të mirë nuk kishte në këtë dimër që erdhi shumë shpejt. Ishin dy fëmijët që qëndronin të traumatizuar atje lart në pemë. Në një çast të dy egërsirat u vunë përballë. Ujkonja nuk tërhiqej. Hungërinte e nuk luante nga vendi fare. U duk që u përleshën. U kafshuan e u gjakosën deri në dhembje. Madje e pabindura u vu në udhë pastaj, duke rënkuar nga plagët që mori prej bishës së sapoardhur. Të tjerët u dukën se u fshehën pas lisave të gjatë, thellë në pyll. Kishte më shumë se një gjysmë ore që fëmijët nuk po dëgjonin më klithmat e tyre. Atje në pemë ndienin të ftohtin por edhe frikën që ende nuk ishte larguar. U dukej si një mrekulli që kishte ndodhur kështu. Nëse do të ishin të lirë, kjo do të kishte më tepër vlerë. Nuk donin ta besonin. I pari që vendosi të lëviznin që andej ishte Tiku. Por Meti akoma dyshonte. Hajde që t’i mbushje mendjen. Mund të ishte edhe ndonjë kurth i egërsirave. Këtë e shprehu gjithë ndërrojë. Tiku u var poshtë si një atlet i vërtetë. Tjetri u hodh drejt e në qilimin e bardhë të dëborës. -Të ikim, - tha. I trembur, mori bregun që të nxirrte në anën e sipërme të përroit, nga ana e kundërt e pyllit, por u rrëzua në dëborë, duke rënë poshtë si një masë e madhe e bardhë. Tiku e ndihmoi që të ngrihej sërish dhe të dy ia dolën mbanë. Pastaj nxituan në hapësirën e bardhë. Tej mbi fshat dukej hija e rëndë ngjyrë plumbi që pllakoste gjithçka. Po nxitonte errësira nën qiellin gri e të rënduar. Një erë e ftohtë që ngrinte nga fusha puhiza dëbore përplasej në fytyrë, duke të mos lejuar që të merrje edhe frymë. Fshati ishte aty pranë. Më shumë se pesëqind hapa. Mbi çatitë e vogla e të hirta mezi dallohej tymi që dilte shtëllungë në atë fillim errësirë te natës së tetorit. - Shpëtuam. Shpëtuam, Tiku. Vërtetë sot ka ndodhur një mrekulli ujqërish. Dikush ka menduar edhe për ne, - tha me nxitim sërish Meti. Nga gëzimi i shpëtuari rendi e pastaj u rrëzua në dëborë. Klithi si një fëmijë duke lëshuar britma gëzimi. Lëvizte duart në ajër e bënte figura të çuditshme që zor se mund të deshifroheshin ashtu.

Këtë histori, që rrëfeva për ju, shumë vite më vonë ma tregoi Tiku. Ishte në vitin e fundit të pedagogjikes së Elbasanit dhe priste të fillonte si mësues në fshat.

41 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page