top of page

MOTRA ...


MOTRA E SHKRIMTARIT


Unë, vëllai i saj, jam shkrimtar i njohur. Ajo njihet si motra ime...

Në fillimet, më kujtohet, e trembte çdo gjë e botuar në gazetë me emrin tim. Kishte merak mos zemëroja ndokënd dhe më ndodhte e keqja. Pastaj unë u ngjita. Tashmë ajo i druhej, por edhe përfitonte prej autoritetit tim. Merret vesh, ajo është punësuar si korrektore në gazetë, për hatrin tim. Si motër shkrimtari të madh, s’ka si të mos i bëj dot korrigjimet e shkrimeve të një të përditshmeje lokale.

“Ah, gjuhën ajo e qan...”, thonë redaktorët aty. “Mbase s’gabojmë shumë kur themi se ajo e njeh gjuhën, së paku aq mirë sa i Vëllai...”

Gazetarët mblidhen përqark saj dhe e dëgjojnë sikur të jem unë përballë tyre. Motra ime s’pushon së rrëfyeri, për fëmijërinë, për banorët në Qytezën ku unë e ajo jemi lindur, për karakteret dhe mjediset që unë, Vëllai i saj, shkrimtari pra, i ka përshkruar.

Subjektet e rrëfimeve të saj janë po ato të miat, ne kemi pothuaj të njëjtën moshë dhe të njëjtin imazh për vendlindjen. Librat e mi janë të njohur por kur, po ato subjekte, i dëgjon rrëfyer prej gojës së saj, krijon ndjesinë se rrëfimet e mia zbehen, edhe pse të botuara e reklamuara në të shumtën e gjuhëve të botës.

Ngaqë tjetër është të shkruarit, tjetër të rrëfyerit verbal, në stafin e gazetës janë gati të besojnë se, për sa i përket larushisë së gjuhës, jo ajo nga unë, por unë, shkrimtari, ngjaj nga motra, korrektorja e gazetës.

Dhuntia e përbashkët, që shpjegohet si trashëgimi, tingëllon këndshëm kur Motra tregon histori me lëndë familjare. Merret me mend, në to, unë, edhe pse i famshëm botërisht, shndërrohem si me magji në një fëmijë të allasojtë të një familjeje edhe më të çuditshme nga ç’e kam transfiguruar unë në librat e mi.

E përhënur e tëra në rrëfimet përpara gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të gazetës, motra ime harron fare ç’është shkrimtari për të tjerët që e dëgjojnë dhe kush e di ç’nxjerr nga goja!

“Ja, po e mbaron seancën e sotme të refleksioneve mbi memoriet e fisit tuaj”, më thotë Luli i Kompjuterave, që e thërret, për ta lidhur në skype me mua. Si për ta rivendosur fshehurazi hierarkinë, pasi ia toleroj pyetjet e rëndomta për shëndetin tim dhe familjes sime në ekzil, sërish ia rikujtoj motrës porosinë.

“Shko prapë e hidhi një sy asaj portës së dytë”, i them. E kam fjalën për portën e seksionit të brendshëm të arkivit shtetëror, ku shteti i mëparshëm, pas ekzilit tim në Amerikë, mbylli kujtesën e dëshminë time artistike me dryna të mëdhenj. Më duhet të rri serioz në ekranin on line, duke vigjiluar ndonjë ironi në fytyrën e saj. Si në të shkruarat, edhe me motrën nuk i shpjegoj gjërat deri në fund. Diçka lë të merret me mend. E di që bëhem opak ndonjëherë, por ime motër, si ca e letuar tashmë nga mosha, i merr me mend edhe ato që unë nuk i mendoj.

“Edhe te shtëpia ime, mbase duhet vendosur një portë e fortë, e rëndë. Si ajo e hyrjes te Lidhja e Shkrimtarëve. Se kush e di ç’ndodh aty...”, i them.

Ime-motër hiqet pak mënjanë, por ia ndjejë kukurizmën, ia dëgjoj fjalët që i thotë nën-zë Lulit të Kompjuterave.

“Ka frikë mos i vjedhin librat, vëllai i motrës! Po kush ka ngè për librat e tu këtu! Njerëzia i thonë të tëra nëpër gazeta tani, tallen me nëntekstin që përdorje ti më herët! Këta duan të bëjnë para, ti vazhdon të qorrohesh mbi libra, o vëllai im!”

Kështu më qorton ime motër, por pak ditë më pas më raporton: “Porta te Arkivi i Shtetit është në vend, vëlla! Edhe portën te shtëpia jote ta bëri motra jote! Librat i ke të sigurt. Lekët që më dha Gazeta, si honorar për intervistat me ty, i kam vënë mënjanë. Mos të të shkojë mendja për keq: nuk t’i ngatërroj me ato që m’i kishe borxh para se të ikje, jo! Mjaft të më kthehesh si kokërr molle, për të tjerat ke motrën tënde këtu...”.

Ata të gazetës, përveç Lulit të Kompjuterave, nuk e dinë se Motra s’m’i tregon të tëra: Paratë e mia, bashkë me ca të sajat, i kishte futur në Skemat Piramidale.

“Pse të mos bëj edhe unë ca para, përderisa tërë të tjerët bëjnë?!” kishte menduar ime motër.

Jam i sigurt se ajo nuk i do lekët për veten. Sikur ta di e ka bërë plan të më befasojë mua, Vëllanë, kur unë të vendos të kthehem nga Bota. Motra ëndërron të më presë me dhuratë të madhe, aq të madhe sa unë të bindem më në fund sa shumë më shumë më do ajo, motra...

“Edhe unë vetë e mora vesh me vonesë, rastësisht”, më tregoi, më pas, Luli i Kompjuterave.

Si korrektore e parë në gazetë, tërë lënda shkonte për t’u korrektuar nga ajo. Lajmet për kursin e parasë, valutat, por edhe paralajmërimet për dështim të mundshëm të Skemave Piramidale, domethënë, të parave që shumoheshin pa punë, shkonin te ajo. Për disa ditë, motra ime i shoi tërë lajmet e zymta.

Me një Delete, i thoshte rrezikut të humbjes së parave sikter! Kështu, besonte ajo, duke mos u botuar në gazetë, dyshimet nuk do bëheshin realitet, paralajmërimet nuk do realizoheshin, Skemat Piramidale nuk do binin, paratë e saj dhe të vëllait të saj të dashur, futur nga ajo tek firmat, do shtoheshin. Kur të kthehesha unë, Vëllai, do të m’i dhuronte. Të shumë-shumëfishuara.

Në të vërtetë, në një farë mënyre, ajo ua kishte thënë atyre të gazetës: Vëllai im s’e prish paranë, por vdes ta ketë! Ata e kishin dëgjuar si kureshtí familjare, por nuk e kishin menduar se kishte lidhje me Piramidat që u rrëzuan pak më vonë...

Fytyra e mençur e Lulit të Kompjuterave, teksa ma rrëfente aventurën e sime motre, sidosi, e kishte një trishtim të lehtë. Nuk e ngarkonte dot veten me ndonjë faj, as motrën time, që tek e fundmja, një fjalë edhe mund ta kishte thënë për lojën me Delete, ku ishte futur naivisht. Ajo i shoi për disa ditë;

Paralajmërimet për Piramidat nuk u botuan në atë gazetë lokale, por botoheshin në gazeta të tjera të mëdha, në kryeqytet. Hileja që bënte motra ime për mua Vëllain e vet mbeti gjer në fund e pashkruar.

Ajo s’është më tashmë, dhe unë ndjehem keq që s’dita t’ia shihja lëndimin që mbante si plagë për mua.

(nga libri "Kepuce per Gjyqin e fundit", UEGEN, 2021)

33 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page