Nga: Jusufzija ADEMI
MOTIVE TË LARMISHME, NËN THJERRËZËN E ËNDRRAVE TË IMAGJINUARA
Refleksion rreth librit “Ninullat e hënës” të autores Natasha Xhelili
Kur vendosa që ta bëja këtë vështrim, për librin e tregimeve për fëmijë “Ninullat e hënës”, të autores Natasha Xhelili, që doli nga shtypi gjatë këtij viti (2019), në kuadër të Shtëpisë botuese “Ylberi plus”, nën përkujdesjen e Z. Adem Abdullahut, thënë pa doreza, vendimi m’u duk mjaft i vështirë, sepse e dija që nuk jam specialist i kësaj lëmie, pra i kritikës letrare, andaj, edhe nguroja ngapak. Megjithatë, dëshira dhe vullneti për t’u sprovuar edhe në këtë lëmi, më shtynë që t’i hyja kësaj pune, andaj edhe nëse kam bërë ndonjë rrëshqitje eventuale në këtë drejtim, kërkoj falje edhe nga autorja, po edhe nga ekspertët e kësaj fushe, që janë duke e dëgjuar kët shkrim, si edhe nga ata që do të kenë rastin nesër o pasnesër, nëse ky shkrim do të ketë fatin të botohet në faqet e “Ylberit plus” ose në faqet e “Almanakut”, edhe ta lexojnë. Dhe, pasi e lexova veprën deri në fund, s’do mend se hapi i dytë kishte të bëjë me zgjedhjen e titullit që duhej ta mbante ky vështrim. Dhe, siç dëgjuat edhe në fillim, u përcaktova që ky vështrim ta mbajë titullin: “Motive të larmishme, nën thjerrëzën e ëndrrave të imagjinuara”. U përcaktova për këtë titull, sepse, me përjashtime shumë, shumë të vogla, thuaja se asnjëri nga 33 tregimet e kësaj vepre nuk është i privuar nga magjia e ëndrrave. Pra, ato janë dominante në këtë libër, andaj, edhe titulli m’u duket disi më gjithëpërfshirës. Por, kjo nuk do të thotë se titulli në fjalë e posedon atë forcë që t’i shpjegojë në tërësi gjithë ato ndodhi dhe pamje që shtjellohen brenda kopertinave të këtij libri, sepse, brenda këtyre tregimeve, ekzistojnë edhe tema të tjera, që janë jashtë dioptrisë së ëndrrave, por që janë më të pakët në numër.
Përndryshe, këtë libër autorja e ka ndarë në tri cikle: I. “Ninullat e hënës” (me 18 tregime), II. “Rreth zjarrit” (me 7 tregime), dhe, III. “Pylli magjik” (me 8 tregime), cikle këto të cilat na ofrojnë një botë atraksionesh, na ofrojnë pamje dhe vende të paimagjinueshme, por të cilat, heronjtë e këtij libri i përvetësojnë me lehtësi falë intelegjencës dhe imagjinatës së tyre të bujshme. S’do mend se këta personazhe, sa janë intelegjentë, po aqë rezultojnë edhe të dëgjueshëm, të vemendshëm, të edukuar… të cilët në përpikëri i respektojnë mësimet në bangat shkollore, udhëzimet e të rriturve nëpërgjithësi dhe, sidomos këshillat dhe mësimet e prindërve. Andaj, kur e përfundova së lexuari librin, shumica e tregimeve, sidomos ato të ciklit të parë më lanë një mbresë të atillë, e cila më nxiti që t’i ilustroja me dy sentenca autoriale.
E para: “Dashuria e fëmijëve ndaj prindërve është e madhe, kurse dashuria e prindërve ndaj fëmijëve është kolosale ” dhe, e dyta: “Fëmija është i vogël sepse i përgjigjet moshës, kurse i rrituri është i vogël kur sillet si fëmijë” (J.A). E bëra këtë me bindjen se këto dy sentenca , tregimeve të këtij libri, u shkojnë mjaftë për shtati, ngase brenda rreshtave të këtyre tregimeve vërehen një sërë raportesh të ndërsjella, të cilat dashurinë e prindërve ndaj fëmijëve dhe anasjelltas e bëjnë të pashtershme, e bëjnë të pakontestueshme… Fryma e kësaj dashurie shihet në një sërë tregimesh. Në tregimin “Kujtimet e një dite me shi”, djaloshi që ndjek kursin për violinë në një qytet larg venlindjes, përpiqet që t’i respektojë në përpikëri këshillat dhe udhëzimet e prindërve, madje, edhe këshillat e babait, një ish violinist, i cili ka ndërruar jetë. Kulmi i këtyre ndjenjave, pra i ndjenjave të dashurisë, djaloshit i shfaqet pas interpretimit të një pjese me violinë, kur i bëhet sikur babai ia shtrëngon dorën dhe e përgëzon: “Jam krenar për ty, biri im!” Po ashtu, edhe letrën që ia ka dërguar e ëma, e mban në xhep dhe sa herë që përmallohet për atë, e nxjerr nga xhepi dhe e lexon duke e kujtuar atë se si e ka lënë të vetmuar në shtëpi. Në tregimin vijues “Ëndërrimi i këndshëm” Renalda në shtrat sheh ëndrra, por kur e zgjon e ëma, ajo përfundon në përqafimin e saj. Një gjahtar që e vret një Ujkonjë dëmtore, pendohet kur sheh se ujkonja ka lënë një këlysh pas, i cili e ka humbur t’ëmën. Gjahtari zotohet ta ruajë këllyshin e ujkonjës. (“Gjahtari”). Tek tregimi “Ninullat e hënës”, Ana me imagjinatën e saj të bujshme, ngjitet në krahun drapër të hënës. Atje, ku u gjend, lakmoi që ta ketë edhe shoqen e saj Lelën. Por, kur i ik ëndrra, lakmia i kthehet tek familja, që asaj i duket se i ngjet pemës me rrënjë të forta dhe me lule të bukura. Një gjysh që shoqërohej me fëmijët e lagjes, sillej si ata, i këshillonte, ua ndante drejtësinë gjatë lojës… Po kur sëmuret dhe shtrihet në spital, shokët e vegjël e vizitojnë atje dhe i dërgojnë lekë për kurim, por ai, ndjehet i mallëngjyer pa praninë e nipërve dhe konsideron se pa ata, lekët shumë pak i hynë në punë (Gjyshi)… Se bashkimi bënë fuqi, këtë e dinë të gjithë, por se kjo ndodh edhe në botën e florës, autorja e ilustron në tregimin “Hithra dhe bima gjethegjerë”, bimë këto të cilat gjejnë gjuhë të përbashkët për t’i ndihmuar njëra tjetrës, për të mos ia uzurpuar rrezet e diellit, ajrin. Madje, të bashkuara ato i ndihmojnë edhe lepurit që të strehohet nën degët e tyre dhe të shpëtojë nga kanxhat e dhelprës. Te tregimi “Dhelpërushja”, ujku i kërcënohet dhelpërushes se ajo nuk donte ta njohë autoritetin e tij, i cili “Pyllin e lejlekut” donte ta emërtojë “Pylli i ujkut”. Por dhelpërushja e korupton ujkun e uritur dhe e shpëton kokën. Në fund tregimin autorja e përfundon me sentencën: “Uria është armik i keq. Para saj trimëria dhe burrëria shkojnë për dreq”. Edhe tek tregimet tjera të ciklit të parë shquhen elemente ku adhurohet shtëpia, ku përgatiten befasi për ditëlindjen e ndonjë shoku a shoqeje, ku dëgjohen me vemendje përrallat e gjyshes, ku vërehen sprovat e fëmijëve për të ushtruar veprime akrobatike, ku bëhen gara për përdorimin e celularit… Më tej autorja vazhdon për të na sjellë edhe pamje të bukura të mëngjesit, të diellit që ndriçon gjithçka. Pastaj flet për nxitjen e voglusheve nga imagjinata për t’u ngjitur mbi re, për djaloshin e autobusit që ndihmonte pleqtë dhe plakat për t’i bartur valixhet, por flet edhe për fëmijë të mbrapshtë që e ngacmonin një djalosh të sjellshëm, i cili, abuzimet e tyre ia tregonte vetëm ditarit të tij, se mbase ata një ditë pendoheshin për gafat e bëra. Eteni, emrin e të cilit e mban tregimi i fundit i ciklit të parë, ishte një djalosh i mirë, por jetim, sepse nëna i kish vdekur, kurse babai e kish braktisur. Ai jetonte me gjyshen, por që një ditë ajo vendoset në shtëpinë e pleqve kurse Etenit shokët i bëjnë vend në shtëpitë e tyre, duke e shndërruar kështu humanitetin e tyre në vepër.
Comments