top of page

Motit s'jem pa...


Motit s'jem pa Gabriela Mujaj po do 'shihemi' poetikisht

Prof Dr Fatmir Terziu


"Motit s'jem pa,

Plot trimijë

E shtatëqind vjet!

Asht krijue bot' e re ...."


Me atë varg disa ditë më parë këtë muaj, Gabriela Mujaj, la thuajse gojëhapur sallën konkurruese në Borås të Suedisë, thjesht me një poezi që ndryshoi edhe mënyrën se si poezia u perceptua si një ngjarje publike dhe shtyu kufijtë e asaj që poezia mund të thoshte për lirinë e saj, për të vërtetën, për jetën, për prezencën dhe ekzistencën: atë që TS Eliot e quajti dikur 'fjalë lirie që i thuheshin njeriut të lirë në publik'. Ky prezantim i poezisë „Ka mot s'jem pa“ në Gegërisht, pati dhe një qasje të ndjeshme gjuhësore, pati dhe një duartrokitje të fortë ndjesore, që solli një krahasim, një shtjellë, një vlerë për një udhë të bukur poetike. Një krahasim midis të dyjave ofron një paraqitje të shkurtër, se pse poezia bashkëkohore, po shkon në dy anët dialektore sot, dhe pse ajo flet njësoj sidoqoftë. E kështu kur „Gratë veshin pantallona,/Ka burra që veshin funde/Fëmijët mësojnë turra vrap/Pleqtë marrohen shpejt/Koha e letrave ka ik“ ka një tjëtër udhë, ka një tjetër dimension poetik.

Ka mot s'jem pa“ është dhe nuk është thjesht një poezi thellësisht personale në një nivel. Dedikuar fatit të sotëm të Njeriut, poetja nxjerr përvojën e përbashkët të ndjesisë mendore dhe efektit social, ndërsa në të njëjtën kohë e rrethon lexuesin me një ndjenjë dashurie marramendëse. Thuaj çfarë të duash, poetja na dëshmon, pavarësisht nga përvojat më ndryshuese që jeta mund t'i ofrojë një njeriu, fryma e dashurisë mbijeton për të fisnikëruar jetën tonë nëse kemi zgjuarsi, guxim dhe besim - dhe art! - për të vazhduar…. Poetja Mulaj, nuk shmang asgjë, por e përjeton atë deri në fund. Ajo e përmban atë. E pretendon atë ndryshesë, atë mot që s'jem pa, si të vetën - dhe, ne besojmë, qesh me të dhe ka formë jete të shikoj një kënd të zgjedhur prej saj dhe ta regjistrojë atë dashuri në një poezi të punuar mirë, ku trenat janë modern/Nuk më frymzojnë me shkrue./U ba mot që s'jem pa,/Plot tri mijë e shtatëqind vjet /shkuen./Ç'ka s'ka ndodh qysh at'herë,/Por asgja e re/Pa marak./Kanë lind shumë fe,/Parti/Lidera/Shejten/Moda,/Por veç dashnia jet' e njajtë“.

Por nuk është as dashuria e njajtë që nuk guxon të flasë më në fund emrin e saj, as katalogu i detajuar i tjetërsimit, që e bënë „Ka mot s'jem pa“ himnin poetik të një brezi. „Ka mot s'jem pa“ mund të quhet pa justifikim, një "sulm ndaj vlerave të pavlera" - dhe është ky sulm që mahnit dhe rezonon me gjeneratën e sotme kur harrohet se „Homeri ka shkrue Iliadën/Asht shkru Shkrimi Shenjtë/Agustini Rrëfimet/Dante ka shkrue nji Komedi/Dostojevski Idjotin/Tolstoi Ana Kareninën/Hygoi Të Mjerët/Neruda Poezi/Pushkini Perlat e tij/Buzuku Mesharin/Bogdani Çetën./Martini Shpirtvargjet e Pavdekshme,At' Gjergji Lahutën e Patretshme.“ Pavarësisht nga situata thuajse e frikshme e „Ka mot s'jem pa“ dhe kënaqësisë ndjesore që të jep poetja Gabriela Mujaj (një indulgjencë që ajo nuk e kapërcen kurrë) në misticizmin dhe errësimin ezoterik, poezia është një tronditje cerebrale dhe emocionale e vetë kohës për sistemin. Ajo ia del mbanë në misionin e saj për të sulmuar sepse nuk është thjesht një shaka, por, siç thotë vetë, "E dhimshme deri n'bukuni/E bukur deri n'dhimtë.“

Ka mot s'jem pa“ është e gjallë me ritëm, arsye dhe rrezik, që na fton për të punuar së bashku. Bën atë që shpreson se çdo poezi e mirë duhet të bëjë: troket paksa gjuhën, e kthen gjuhën me arsye të re dhe thotë diçka në atë mënyrë që të bën të heqësh kokën nga faqja dhe të mendosh përsëri për botën. Një dëshmi e fuqisë së „Ka mot s'jem pa“ është se jeta dhe udha e Njeriut të lirë është ende duke u shtypur e poezia e saj me një gjuhë të rregulluar. E megjithatë, ky nocion se një poezi është gjuhë e rregulluar në një formë që ka fuqinë të flasë – të tronditë – përtej personit të afërt është nën sulm të rëndë dhe të vazhdueshëm në qarqet e poezisë bashkëkohore.

Për ironi, është poezia e performancës ajo që po i ha karakteristikat universale të poezisë. Zëri është bërë, jo diçka që është ngjitur në rreshta të gjuhës në një faqe dikur boshe, por një gjë e fetishuar e pronës personale - zëri im, me theksin tim dhe gjithçka që kam për të thënë me këtë zë ka të bëjë me mua, mua… Unë. Kjo është arsyeja pse e vetmja mënyrë që mund ta përjetoni këtë gjuhë është nëse unë personalisht e kryej atë për ju. Por Mujaj thotë se të gjitha janë „gjana pa randësi.../E njajt asht:/Dashnia/Deka/Lindja/Dhimta/Andrra.“ E pra ja pse poezia e Gabriela Mujaj që jeton dhe punon në Austri, „Ka mot qi s'jem pa“ ngeci dhe në memorjen dhe seleksionimin tim në kohë, hapësirë dhe vend, pikërisht në 3 qershor 2023 në Boraås të Suedisë disa kilometra larg Vjenës dhe Londrës, pasi më ndihmoi shumë vargu „Aq sa ja kam harrue fytyren vedit,/Plot trimijë e shtatëqind vjet!/Kurrgja s'asht koha,/E koha asht gjithshka!“ Eh, më ngacmove estetikisht, edhe pse motit s'jem pa Gabriela Mujaj, po do shihemi poetikisht, se ti je poete fine.

71 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page