
Sa pak oksigjen
Sa shumë sorollatje
Për pak oksigjen
Dhe për frymëmarrje
Në stinën e djegur
Në ecjen vertikale
Në mëkatin e pabërë
Në fushën me gaca shtruar
Të minuar... nga ofkëllimat
Sa shumë lëngatë
Dhe... harroje
Pritjen në katakomb
Dhe
Harroje nusen
Me fustan borali
Të ngrirë në muranë
Të përgjumur nga tymnaja
Të skalpuar nga bisturia
E brinjëve tua
Imzot...
Premtimin e dhënë
Harroje
Siç e kanë harruar
Në një kohë tjetër
... të paardhur
Në një proces – katalizator
Dëshmi
Pa argument
Mos ma zë rrugën
As mos ma vargëto yllin polar
Se të kollofisin katallanët
Eh...
Të isha në një kohë tjetër
Do të tregoja se si mund të jetohet
Dhe të ta nxjerr nga vetja
Krejt këtë tharm jete
Dhe përsëri
...përsëri
Hurbat e tua
Të kenë shije mjalti
Në buzët e thekura
Mos thuaj kurrë
Mos thuaj
Se kurrë më
Nuk do të kthehemi
Me kthimin biblik
Në tokën e djegur
Se Liria ngeli depozitë
e kohës shtatzënë
Mbete Ti ende në nisje
Kur binte shi
kërpnajë
Mos thuaj
Kurrë më... mallkuar qoftë
Fjala e thënë... e pathënë
Në ritakim
Në rindarje