Mos prisni të shaj të Tjerët
Nga Fatmir Terziu
Mos prisni të shaj të Tjerët. Mos prisni
kam mbirë mbi një rrënjë të lashtë
bëj kryq e be dhe nëse do të vdisni
thjesht do të them „Ndjesë pastë!“
Mbi këtë rrënjë nuk bëj dot mëkat,
me rrjeta fjalësh të një shpirti të errët,
kështu të gjithë Ju mbeteni me fat
unë nuk shaj sikurse e thashë më herët.
Por Zoti më ka dhënë një talent
të qëndisë një varg fjalësh me art
siç shkëlqen nuri i një Nimfe në det
kur rrezet e bekuara i bien nga lart.
Ndaj mbetem përkitazi me këtë mjet
tres shpirtin tim në vend të Tjetrit
pasi u duhem edhe juve me t'vërtet,
sikurse duhej kryqëzimi i Shën Pjetrit.
E kështu mbes i betuar në këtë pikë,
e them publikisht, jo thjesht mes nesh,
fundja a ka ndonjë kuptim një dritë,
kur prodhon vetëm hije dhe rrebesh?
Mbi këtë betim nuk bëj dot mëkat,
me rrjeta fjalësh të një shpirti të errët,
kështu të gjithë Ju mbeteni me fat
unë nuk shaj, sikurse e thashë më herët.
Urime! Nje poezi me shume kumt miresie. Me pelqen muzika qe i ke dhene vargut dhe fjales se zgjedhur!