MOS MA PUTH VAJZËN


Vullnet Mato

MOS MA PUTH VAJZËN

Tregim

Po ta shihje Kazazin me sy të zakonshëm e pa i kushtuar vëmendje figurës së tij, ai të jepte përshtypjen e një fshatari të humbur, i cili sapo i kishte mbaruar punët e mbjelljeve në brazdat e veta dhe po dridhte cigare në heshtje. Pastaj po të pyesje dikë që e njihte, merrje vesh se ai ishte një intelektual me arsim të lartë, që kishte punuar disa vjet në ambasadën shqiptare të Gjermanisë.

Më ra rasti të punoj me të, duke e ndihmuar, për të bërë punët e tij, në mënyrë që ai të merrte rrogën. Sepse nuk ia thoshte fare në detyrën e drejtorit të muzeut, ku e kishin vënë pas kthimit nga Gjermania. Madje më thoshte shpesh për të më dhënë kurajë: “Mua më ke sa të të mbaj me muhabet, të mos mërzitesh, se për punë të tilla jam fare nul. Kur ta shohësh që t’u lodhën veshët e të pengoj, më thuaj pa druajte, ik o Kazaz, mos më çaj kokën më tepër dhe mua nuk më ngel hatri, për kokën e vajzës së vetme !” Kaq i sinqertë, mirënjohës dhe shpirtmirë ishte ai njeri.

Kazazi kishte një vajzë gjashtë vjeç, një manare flokëverdhe e vetullverdhë, si e ëma, e cila e veshur bukur si kukull e ndiqte të atin pas. Ndonëse ai nuk e përkëdhelte asnjë herë dhe nuk lejonte askënd ta bënte këtë gjë. Kur e putha së pari për ta marrë me të mirë e për t’i bërë qejfin të atit, Kazazi më vërejti ashpër dhe pa u rezervuar aspak nga u