top of page

MORIS MË THOTË SE TË GJITHË JEMI EMIGRANTË TË RINJ…


MORIS MË THOTË SE TË GJITHË JEMI EMIGRANTË TË RINJ…


Nga Faruk Myrtaj


Kaluar 15 vjet, që s’e kam parë Joze Sllovenin. S’di ku ta gjej dhe as pres që ai kujtohet për mua. Them kështu se, kur e njoha, isha mërgimtar i ri, pra të shumtën e kohës njeri në ngut. Njeriu nuk njihet as çmohet dot kur ai ende s’di ku është, nuk di se si të shfaqet, ka ardhur pa e ditur ku, me gjuhë tjetër. Prandaj nuk e harroj dot Joze Sllovenin. Nuk kam për tu ikur dot rrëfenjave që m’i ofronte, kush e di përse, them ende sot.

“Ndonjëherë, aeroplanin privat të Moris e përdorja edhe unë. Në të vërtetë kjo ndodhi vetëm një herë. Atë rast mora në avion një femër, një bukuroshe që vdiste për gradat, makinat dhe uniformat. Unë s’kisha grada, as uniformë të veçantë dhe avioni nuk mund të konsiderohet aq kollaj “makinë”, por ajo më kandisi dhe e ngjita bukuroshen në të. Edhe pse e dija që ishte diçka e rrezikshme. E dija që edhe vet Moris, pronar firme dhe i këtij avioni, udhëtonte krejt i vetëm me të. S'e mora vesh pse, kur e luta, për herë të parë, dhe kurrë më pas, s’më tha dot jo. Po, ai e dinte, ishte i bindur se isha aviator i mirë, por nuk e mendoi se s’do t’i rezistoja përgjërimit të një bukurosheje si kjo që hipa në avion.

E mora në sy rrezikun jo për ta fshehur që, sapo u takova me Moris, ia tregova paudhësinë time. S’më tha asnjë fjalë, por mbase prandaj s’më shkoi ndërmend kurrë avioni i tij.

Natyrisht, dëgjoja Joze Sllovenin, nuk e njihja hebreun Moris, por padyshim duhej të ishte i veçantë, siç marrëdhënia me Joze Sllovenin, më shumë se e çuditshme. Jose e rrëfente njeri të shkëlqyer, shpirt-bukur, të pakursyer, padyshim edhe ca…misterioz.

“Moris udhëtonte me këtë avion privat, kudo, në North-America. Kurrë s’e pashë të kryente ndonjë gjë të keqe, jashtë rregullave, normave, aq më pak të paligjshme, por as ngutej të më ndalonte mua të bëja shkelje të tilla, mëkate relativisht të vogla, pra që nuk e rrezikonin vet atë.

I vetmi kusht, i pa shkruar, i pa vendosur, as verbalisht, në çamarokllëqet e mia gjatë kohës së punës tek ai, ishte të mos konfirmohej prania e tij.

Në të vërtet takoheshim shumë rrallë, s’mund të thuhej se ai kujdesej posaçërisht të mos ishte dëshmitar në budallëqet e mia prej ballkanasi. Por, betohem, kishte ndodhur të kthente shpinën nga unë, të mbyllte sytë, ose thjesht të priste diku atje tej, për aq sa unë të mbaroja pehlivanllëkun tim.

Nëse, bie fjala, i rrëmbyer nga afërsia që ai më dhuronte tërë bujari, më shkrepej të bëja ndonjë fotografi me të, ai nuk më zemërohej, i bindur që s’bëja asgjë fshehur prej syrit e dijes së tij, por menjëherë dhe pa asnjë mëdyshje ma merrte filmin, duke më vështruar në sy, kthjellët. Më besonte se kjo që po ia dorëzoja, ishte gjithçka. Në kisha zbardhur apo larë ndonjë prej fotografive, ia tregoja, natyrisht, ai priste veten e tij në të, pra hiqte veten prej meje, dhe ma kthente!

S’mërzitej kurrë me mua, e pranoja tërë gaz këtë kujdestari të tij, madje kur e krahasoja veten me Jozenë e parë, të sapo ardhur në kompaninë e tij, isha tjetër fare! Tek e fundit ai, jo unë, ishte lindur me pare të madhe. I kamur, por edhe me jetë krejt të tjetër. Më shumë akoma, e kuptoja se donte të rritej e të mbetej i pasur. Besoja se e dija veten që isha, së paku më mirë se ai timen, shumë më pak se dija jetën e tij. Natyrisht që, qysh kontaktin e parë, ia kisha rrëfyer se isha rritur në varfëri aq të rëndë sa më ishte dashur t’ia mbathja një orë e më parë nga familja dhe Sllovenia, kur isha vetëm 14 vjeç. Në Vjenë nuk më mbajtën por më pyetën ku do doja të shkoja dhe unë zgjodha pikërisht Kanadanë. A thua kisha ndjesinë se ishte vend për jetimët, siç e kisha urdhëruar veten.

Natyrisht s’e shkoja ndërmend me ç’do të merresha kur të arrija, aq më pak se do takoja një njeri si Moris. Edhe gruan hebre e kishte, por jo nga shtresë e pasur. Këtë e mësova dhe e besova më pas. Gjer atëherë, gjer atë ditë- më saktë, mendoja se gjithë hebrejt ishin të pasur, vazhdoi Joze.

Atë ditë shkova në qendër, në zyrat e kompanisë, me makinën time të vjetër. Isha beqar, dhe kisha nisur të hiqja mënjanë ndonjë dyshkë. Veshur pantallona xhins, të shqepura në gjunjët, me gjasa mode. Sapo zbrita atje, gruaja e Moris dërgoi dikë. Më këshilloi ta nxirrja menjëherë makinën, jashtë nga parkingu aty.

E mirëkuptova merakun e saj: makinat e të tjerëve, të gjitha të pastra dhe të markave të fundit. Iu binda porosisë, ardhur prej saj. E kalova makinën në parkun tjetër, që edhe ai, po i tyre ishte. Duke mos I larguar sytë nga pantallonat e mia të tiripsura, i porosituri shtoi me mirësjellje se do të ishte edhe më mirë të mos hyja as vet në atë orë, në atë sallë.

E mora me mend sepse: atje brenda mund të ishin tërë figurat e qytetit.

Nuk kishte asnjë shkak të isha domosdoshmërish atje, s’kishim lënë orë të takoheshim, por si gjithnjë në mënyrë misterioze, Moris e kishte vënë re lëvizjen e makinës sime, pastaj edhe mungesën time në korridoret e jo vetëm në sallë, që më telefonoi. Më sugjeroi ta ktheja makinën time, atë shkarravinën pra, aty, në parkun e parë, me të tjerat.

‘Kur të hysh në sallë ma bëj një shenjë…’, më tha.

Mbeta pa gojë kur, ditën tjetër, e shoqja e Moris, këmbënguli gjatë të dinte ku isha dhe të më takonte. Erdhi vet e më gjeti, dhe më la pa gojë, teksa më kërkoi ndjesë për ç’kishte ndodhur të djeshmen…

“Ende më ndodh ta kuptoj me vonesë…Moris më thotë se në këtë botë të gjithë jemi emigrantë të rinj dhe mua gjithnjë më duket se ai thjesht bën shaka…”

S’di a do ta shoh ndonjë herë Joze Sllovenin dhe, nëse po, a do të më tregonte ende për këtë Moris, por rrëfenja e tij e dikurshme ende më duket e sapo-dëgjuar, e mrekullueshme, madje edhe për ata që nuk kanë provuar të jenë emigrantë…

29 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page