top of page

Monologu i arnës



Monologu i arnës

(Nga vëllimi në botim “Hija e Shën Tjetrit”

Tregim nga Fatmir Terziu


Mos e prek atë, mos..., mos e prek të keqen nana. Ah, të lutem mos ma vë re, biri im. Mos ma vë re. E kam nga lodhja e moshës. E kam nga derti që kam këtu në këtë hapësirë. Nga një boshllëk që më hapet si një govatë e madhe. Si ajo govata, atje prej druri të gdhendur, biri im. Atë e ka gdhendur gjyshi yt. E gdhendi kur linde ti. E gdhendi bashkë me djepin ku të tundëm ty, biri im. E solli në krah nga korija jonë atje tej bregut dhe pasi piu kafenë që i bëra atë mesditë, u ul në një stol druri, dhe e gdhendi ngadalë e ngadalë për disa ditë me radhë. E gdhendte dhe këndonte. Ti ndoshta nuk e di, more bir. Nuk ta kam thënë ndoshta. Ai kishte dëgjuar një këngë të vjetër të treguar nga gjyshi i tij.

Dhe thuhej në atë këngë se po të gdhendej nga druri i malit tonë një djep, ende pa lindur fëmija nga barku i nënës, fëmija do të ishte burrë i shëndoshë, i mençur, i zgjuar dhe i fortë si malet tona. Nëse do të ishte vajzë, do të ishte zana e maleve tona. Dhe ai disi besonte në ato që kishte dëgjuar. Kishte dëgjuar e mbante mend. Thoshte duhen mbajtur mend të gjitha e duhen treguar. Po i lamë këtu brenda ikin bashkë me ne. Esenca themelore e asaj kënge kishte të bënte edhe me një fakt tjetër. Ai që kur ishte i ri kishte ngarë kuajt të furnizonte dyqanin e familjes. Dhe kishte parë edhe andej nga qytetet e tjera. Kishte dëgjuar andej. Kishte dëgjuar se dikur ka pasur një përmbytje të madhe të ujërave. Shirrat kishin ardhur me rrebesh. Gjirizet kulluese nuk kontrolloheshin nga stuhia e madhe. Përmbytje e madhe dhe vërshim. Asgjë nuk kontrollohej. Një njeri pa diçka lundruese në ujë dhe pasi bërtiti të gjithë e kuptuan se ishte një djep. Ai mendoi se foshnja mund të jetë i gjallë, dhe vendosi të hidhej në ujë. Rrjedha ishte shumë e rrëmbyeshme. Kur ai u afrua aty afër, pa se në vend të foshnjës në djep ishte një mace.

Djepi u rrokullis sa andej e këndej në ujë. Macja kolovitej në të dhe e përkundte djepin sa majtas e djathtas. Ai mendoi se macja e bënte këtë për të zbrazur ujin nga djepi që të mos përmbysej. Por kur u afrua dëgjoi të qarën e foshnjës. Menjëherë e rrëmbeu djepin dhe ashtu me mundim të madh e shpëtoi edhe djepin, edhe foshnjën, edhe macen. Kur pushoi stuhia, njerëzit filluan të sillen vërdallë. Familjarët e foshnjës nisën të kërkonin foshnjën e tyre. Pas disa mundimeve mbërritën edhe tek ai që e shpëtoi atë. Ai nisi tu tregonte se çfarë kishte ndodhur. I ati i foshnjës buzëqeshi duke e rrokur në qafë. Është ajo që kisha mësuar nga gjyshi im.

Druri i maleve tona nuk zhytet kurrë në ujëra të pista. Ai të shpëton jetën... Dhe ashtu ai nisi të gdhendte govatën dhe djepin që bëhej gati për ty more bir. I gdhendi të dy për merak. Këndonte se do të bëhej me nip. Me nip, apo mbesë, e ku e dinim ne atëherë. Nuk kishim kësilloj mjetesh që keni ju, ore bir. Nuk i kishim. Por ai se ç’kishte në kokë një parandjenjë...


***

-Dëgjo, mirë këtë që po ta them. Do të kemi djalë së shpejti nën këto trarë. Do kërcasë pushka. Do vlojë rakia. Ta dish mirë. -E nga e di ti? Apo kalove njëherë nga ajo peshtemallja? Hë s’ju rri rehat ju burrave... -Hajde moj lëre atë nefes, lëri ato fjalë, por ma shtro njëherë drekën se vajti dielli matanë gavrës. -Ë, de ë, se nuk të vrava, nëse ke shkuar s’ka gjë de. S’ka gjë. Ta bëj hallall. Ajo di të kurvlliqet, se shejtanka nga qyteti u zbraz herët, e njomë këtu, për atë soj mustaqelliu. Pastaj di atë të shkretë filxhani. E qan kur e kthen pas. -E moj, e, për atë filxhan kalova andej. Për atë. Nuk jam unë si ... -Më shkrive. Më shkrive tani. A nuk kalove edhe për të parë se si e kishte zier rakinë? -Rakinë, thua. Po çfarë është kjo mesele tani? -Po ja mbrëmë të vinte goja raki. Ja ashtu kot e thashë. -Dëgjo grua, u plake dhe nuk zure mend. Këtë shejtan muhabeti nga e mbive tani. Apo kishe kohë që e vadisje në kokë? -Ja se si më erdhi kur shoh se ajo kurviçka ende e bën zhur atë flokun e saj të pllavitur, sikur e ka ngjyer tek balta e bardhë. -Po, ti mëso ngapak edhe prej asaj, de, mëso. Mos e bëj harram ditën. -Ashtu ë? Ë plak zevzek... Hiqi duart tani.... Mendjen e ke vetëm aty... -Ë, moj se nuk u bë kiameti. Dorën ta lëshova. -Dorën, dorën, po e ke si pincë atë të shkretë dorë. -E di ti, e di. E di ti si e kam... -E si të mos e di. Kam vite që e kam .. -Ashtu. Po mirë atëherë....


***

Çfarë kishe gjyshe? Çfarë ndodhi me ty? Mos të lëndova diçka padashje? Jo more bir, jo. Janë disa plagë që na troshiten nëpër trup si arna. Ja si arnat e asaj xhakete, si arnat e atyre pantallonave që i laj, i hekuros, i palos si atëherë. Si atëherë more bir... Si atëherë... Kam kohë që flas dhe vetëm ato arna ma dinë atë që kam këtu brenda. Janë arna të hequra ato, more bir. Më shumë se këto që kam këtu në shpirt. Janë arna të palodhura. Duruan shumë. Duruan të shkretat. Duruan duart e mia me kallo, të vrazhda, të vrara. Duruan gishtat e mi të trashë, të vrarë e të bërë si kauçuk. Duruan gjilpërat që shponin pa fund trupin e tyre të dërmuar. Duruan pikat e gjakut që pikonin, por duruan edhe lotët e mi, more bir.

Eh, qenkan të forta, thuaj. Qenkan goxha të forta. Të forta thuaj? Ë, sa të duruara që janë. I solli ato rroba nga qyteti matanë kufirit, more bir. Ishte kohë me vranësira të mëdha. Njerëzit ishin të trullosur. Koha gjithashtu. Kufiri herë matej me metër dore e herë me ca kunja të mëdha. Ne dilnim dhe shikonim vetëm. Pastaj kalonin komisione. Turlilloj muhabetesh. Herë thoshin do ta mbyllin. Herë thoshin do na bëjnë tufë me të tjerët andej matanë. Tokat sapo i kishim mbjellë. Bagëtia ishte gati të lëshohej nga grazhda. Dimri kishte bërë zullum të madh. Dhe ne kishim prerë datën të bënim dasëm. Na ishin ngushtuar hesapet. Nuk bënte njeri nga ne. Kishin kthyer krahë. Edhe ata që i mbajtëm me bukë, edhe ata që i ndihmuam në luftë... edhe ata të tjerët, more bir. Kështu dasma ishte vetëm një sakëlldi.

Ai u nis. U nis herët. Dhe kur u kthye kishte blerë gjithë ato rroba. Edhe atë kostum e kishte blerë atje. Ishte kostumi i tij i dhëndërisë. E kishin qepur goxha mirë për merak disa miq të tij, tregëtarë të vjetër. Dhe kur erdhi e di çfarë bëri? E nisi ta shqepte e ta qepte vetë me dorë. Ishte mjeshtër i gjilpërës. Nuk i kishte pëlqyer ana e shpatullave. Kishte shpatulla të gjëra ai, more bir. Dhe se si i dukej kur i varej xhaketa poshtë. Natën për gjithë natën, ndërsa ditës tjetër vinin daullet, ai e shqepi dhe e qepi me dorë. Kur më erdhi haberi unë u çmenda. Thashë do qeshin me ne.

Pa kostum more bir, ishte turp. Të mbanin njerëzia në gojë. Do thoshin terzinjtë qenkan nakatosur keq. E ku linte ai të bëhej hataja. Jo e jo të linte shkak për gojën e të tjerëve. Dhe dasma u bë si mos më mirë. U bënë të gjitha harxhet. U therr nga bagëtia jonë, u shtruan sofra për kallabëllëk të madh, kishin fis të madh. Haberi erdhi tek unë vetëm kur më hypën në kal. Më tregonte mbajtësi i kalit. Ai ishte kushëri i yni. Dhe çfarë nuk më tregonte. Ishte dasëm e madhe. Pastaj erdhi koha e mbylljes së dhëndërit. Shpatullat e tij nuk i zinte dera. Ishte mjaft i bëshëm. Unë isha si një shkop para tij. Por sa nisi të më afrohej kërciti dera me forcë. Ai ktheu kokën andej dhe e injoroi atë kërcim të fortë. Do të kenë pirë shumë raki, tha dhe vazhdoi në të tijën. Unë rrija ende e turpshme, edhe pse e kisha takuar ndryshe nga të tjerët disa herë në fejesën tonë. Po si më dukej ajo natë. Një natë ndryshe. Pale ai? Ai ishte hata më vete... Kur ne kishim lënë pas dihatjen tonë dera kërciti përsëri më me forcë. Daullet kishin ndaluar dhe një zhurmë e leberitshme kishte mbushur oborrin e madh. Një tufë njerëzish të armatosur ia behën me forcë. E kapën me forcë dhe e torturuan me shkelma e me grykat e pushkëve. E morrën me vete pa thënë asnjë fjalë. Ditës tjetër teksa dridhesha si një purtekë në një qoshe të dhomës, erdhën prindërit e mi dhe më sqaruan çdo gjë. Atë e kishin arrestuar me urdhër të komandës supreme. Ishte një nga të padëshiruarit e sistemit të ri që kishte hyrë në vend. Dhe ashtu më pas koha rrodhi e ngrirë në shpirtin tim.

Pas dy javëve e sollën atë kostum. Ja siç e sheh unë e arnova e arnova për gati dhjetë vjet. Edhe më pas kur ai u lirua kostumi mbeti ashtu i arnuar në atë musandër. Tani mbyllem në vitet e mia dhe flas me të. Flas me arnat e atij kostumi. Vetëm ato arna e dinë shpirtin tim. Vetëm ato arna e kuptojnë atë arnë të madhe që kam dhe do të kem edhe në botën tjetër. Por, ti more bir, mos i dëgjo këto përrallat e gjyshes. Ju keni ditë të tjera përpara... Po të paktën atë malin tonë, ato drurët tona i bëni kujdes. Djepet e tyre janë janë djepe të pavdekshme. Atyre nuk u bënë gjë as zjarri, as uji, as... Eh, as.... Vetëm atë s’e them dot... Por dije edhe një gjë, more bir. Edhe arnat flasin. Edhe ato kanë gojë. Por kanë gojë dhe fjalë vetëm për ata që i kuptojnë, vetëm për ato që duan të mbajnë në vëmendje monologun e arnës. Eh... moj kohë, moj moshë.... Ë, de, ë, hapeni gojën ju tani. Hapeni. Ja, vetëm jemi, sërrish. Ju në atë sonduk të drunjtë. Unë në këtë minder të drunjtë. Ja bashkë mbi e nën drurë jemi. Ja pra nuk e shihni. Drurë kemi gjithandej. Na kërcasin edhe kockat si drurë të tejtharë. Kohë e drunjtë ka ikur. E ç’them unë. Ku ngeli dru në këmbë. Sëpata, sëpata thuaj, rra andej e u bë mort pylli. E tërhoqën zvarë e kthyen në zgarkë. Ja de, edhe atë korrijen tonë ashtu e bënë. E bënë zullum me urdhërin e tyre nga lart. E kthyen, de, e kthyen në tokë pjellore. Dhe thua ti, na mbiu gruri e na u bë det. Kot more, kot, u bë fushë për gjarpërrinj. Pshurnin dhia e zgjebosur. E, de, e, dhia e zgjebosur. Mos u habitni. U rrudhët ju arnat e mia. U rrudhët. Nuk u dhanë dhive të shkreta asnjë krunde, asnjë kokërr misri.

E çfarë do tu jepnin, moj arna, atyre, çfarë?

Rrethimi? Ai na kishte mbirë si tela me gjëmba deri në grykë. E pastaj edhe ajri ishte nën kontroll. Edhe poshtë hundës, edhe poshtë gjuhës dukej se kishim ndonjë marifet. Na e bënë kapsllëk. Ja pra vetëm juve ju kam nga ajo dita ime. E vetmja që m’u trazua e më ngeli si ju këtu në shpirt. Po ju u hutuat sot. Nuk flisni. Mos u ka ndodhur gjë? Mos jeni pa gjumë? Mos ju kam lënduar?

Ë, de, flisni, se më mërzitët. Apo ka ndodhur ndonjë gjë e keqe dhe nuk ma thoni dot? Keni dëgjuar gjë? Kush vallë është ai që ju ka trazuar? Kush ju ka pëshpëritur juve, arnave të mia? Kush ju ka dërdëllitur?

E kush mund të jetë strukur këtu tani? Kush ju bën të mbyllni gojën? Ju flisnin mirë e lirë. Ju ishin vërtet arna, por cudisnit botën nga fjala juaj, nga mencuaria juaj. Pse xhanëm tani të heshtni? Apo mos ndoshta ua kanë mbyllur gojën edhe juve? E ku ta dish, nëpër këmbë i kemi akoma. Çfarë nuk ndodh? Edhe ajo mund të bëhet? Po, jo mos arna, jo ajo nuk ndodh më. Nuk ndodh sado të përpëliten si hija, sado të mbijnë nga hija e tij. Nga hija e tij.... Ah, ajo hija e tij.

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page