top of page

Monokular

Updated: Feb 4, 2021


Monokular

Tregim nga Fatmir Terziu


Ai ishte vetëm fëmijë. Si i tillë nuk e ndjente, atë që të tjerët e shihnin tek ai. Vetëm kur erdhi koha e shkollës, e ndjeu dhe e kuptoi vetë. Kështu, pas kësaj çdo vit, ishte i detyruar të bënte testin e syve. Mjeku i syve, i vetmi në atë qytet, gjithmonë i thoshte: „Më thuaj, kur vija në të majtë mblidhet në një pikë në të djathtë?".

Asnjëherë nuk bëhet e tillë“. Gjithmonë, këtë i thoshte mjekut, dhe çdo vit, mjeku nuk i thoshte asgjë më shumë se ajo fjali. Thjesht kalonte në pjesën tjetër të testit.

Në klasën e 4-të, ai u bë jo rastësisht shoku im. Nëna e tij ishte duke u specializuar në një kurs special për t'u bërë një mjeke psikiatre dhe kështu ne kishim të dy mamatë, që na donin bashkë, pasi fusha e mjekësisë i kishte bërë bashkë dhe ato. Që në fillim mësova se Ai ishte shumë i zgjuar. Në klasë Ai ulej përballë meje. Mësuesja jonë, do t'i kushtonte leximit të librave një pjesë të madhe të kohës së çdo ore mësimi. Secili nxënës nuk kishte një kopje të të njëjtit libër dhe kështu leximi bëhej disi më i komplikuar. Mësuesja do t'i thoshte më me kujdes, se të tjerët atij, „Fillo të lexosh!“. Ndërsa të gjithë fillonim të lexonim, ai menjëherë shikonte që unë isha gati të ktheja faqen e dytë të librit, sepse ne të dy gjithnjë e kishim gjithnjë një libër të ngjashëm. Këtë rast bëhej fjalë për librin „Djemtë e Rrugës Pal“, që ndodhej në dy kopje në bibliotekën e shkollës. Ndërsa ai ishte në gjysmë të rrugës, më dukej se ia niste gjithnjë nga e para. Kjo më çudiste, pasi të dy ishim pak a shumë të barabartë në të mësuar, në çdo lëndë tjetër.

Për shkak se ai ishte pothuajse një nxënës, ku emri i vendosej çdo javë në Tabelën e Nderit të Klasës, nëna e tij vendosi, që ai të aplikonte për të studiuar në një shkollë profesionale, shpesh të konsideruar si shkolla më e aftë e asaj kohe, për të vendosur mbi fatet e nxënësve drejt universitetit, siç do të zbulonte vetë më pas, se ndodhej në shkollën më të mirë të përgatitjeve për mësues. Ai më parë kurrë nuk kishte dëgjuar për të. Shkoi në atë shkollë për të bërë procedurat e regjistrimit. Kur mori rezultatet e para të sprovës së regjistrimit, të gjitha i kishte shkëlqyeshëm, përveç një vërejtjeje në lexim. Nga 15 faqe leximi, ai ishte në gjendje të përfundonte vetëm 3 ose 4 prej tyre. Kështu leximi e la një vit pas të tjerëve në atë shkollë. Nëna e tij vendosi ta stërviste me një mësues në shtëpi. Më pas bëri dhe një tentativë tjetër duke i dhënë mundësi të tjera leximi në Rrethin e Letrarëve të Rrinj të Shtëpisë së Pionierit.

Pas kësaj nëna e tij e ridërgoi në atë shkollë edhe vitin tjetër. E njëjta gjë ndodhi. Dhe për të njëjtën arsye. Ai mbeti përsëri në lexim. Kështu nëna e tij kurseu dhe riprovoi të njëjtat gjëra si më parë. E njëjta gjë ndodhi edhe me ato. I duhej tashmë dy herë më shumë kohë për të lexuar një libër. Pas dy vitesh sprovë e mundim, ai arriti të marrë nota të mira, gjithësesi. Kur nëna e tij shkoi t'a merrte në përfundim të shkollës, mësova prej tij se të dy, nënë e bir, shkuan në zyrën e drejtorit të Shkollës. Nuk e di pse, por kështu u bë. Gjëja e parë, që drejtori i kishte thënë direkt atij, ishte, „nuk e mbaj mend emrin tënd“. „Ne ju kemi pranuar për vjeshtë apo…, apo keni ardhur me ndonjë letër miku?. Më duket se ke ardhur pa bursë, apo e kam gabim?“ – i kishte shtuar drejtori pastaj, i cili kishte humbur shumë kohë nëpër regjistra të gjente ndonjë shënim për të.

Një mbrëmje pranë lagjes, ku isha rritur, u ula në një transhe, ku papritmas në sheshin e vogël para transhesë, që mbante poshtë saj nën dhé vendstrehimin tonë në rast lufte, apo sulmi të armikut, luanin futboll disa djem më të rritur se ne. Unë atëherë isha 15 vjeç. Afër meje erdhi ai. Ai nisi të më tregonte për një test të syve që kishte bërë një javë më parë. Pas atij testi, më tha kishte shkuar përsëri në një kurs leximi ku kishte lexuar dhe mësuar mjaft gjëra. Gjërat, që kishte mësuar atje më dukeshin interesante. Sa më shumë që i ndante me mua, aq më shumë fillova të ndieja, se ai po fliste mjaft i sinqertë. Më në fund, unë e ndërpreva atë. Unë i thashë: „Ben, ajo që po përshkruan, ajo për të cilën po më tregon, tingëllon njësoj, si ajo që unë e kam parë vetë tek ty“. Unë ia shtjellova më tej. Ai, tha se mendonte gjithnjë, se kishte vuajtur nga shikimi monokular, dhe se ky nuk ishte më specialiteti i mjekut të syve.

„Mos jam gjë ndonjë gen kafshe?“ - u drodh ai.

„Ke për të parë më mirë, më mirë e më mirë“ - më duket sikur i thashë atë moment. Unë e bëra, sidoqoftë shpërthimin e menjëhershëm. Sikur të isha doktori? Po deshët më shani, po kështu e kishin bërë të gjithë. Beni u kishte treguar prindërve, kushërrinjve, disa të afërmve, dhe të gjithë kështu i kishin thënë. Të gjithë kishim luajtur padashje një rol doktori!

Por doktori, si doktor që ishte, i kishte kërkuar takim tjetër. Dhe ky takim tashmë ishte me letër. Ai e pranoi, sado që dukej i pashpresë.

Doktori i bëri një seri tjetër testesh, teste tre orëshe. Testi i fundit, ishte kur ia lidhi të dy sytë veçmas me makinat përcjellëse, që regjistronin në shirit lëvizjet e secilit sy, dhe kur i kërkoi të lexonte një paragraf. Kur mbaroi, mjeku mori kasetat, që kishin regjistruar të dy sytë veç e veç dhe ia tregoi Benit. Shiriti i parë tregonte lëvizjen e syrit të tij të djathtë. Ishte i magjepsur. Kaseta që pa i kujtoi një EKG. Për rreth një milimetër e gjysmë, rrjeshti në shirit tregonte syrin e tij të djathtë duke lexuar, por më pas me rrjesht dukej një ravijëzim, i ngjashëm sikur zemra kur pushon së rrahuri. Pastaj mjeku i tregoi shiritin për syrin e majtë. Pastaj linja tregoi se syri i tij i majtë vazhdonte të lexonte, por jo si një sy normal. Mjeku i tha se syri i tij i majtë po lëvizte „në një mënyrë të dhëmbëzuar“, që do të thoshte, se nuk po funksiononte si duhet.

„Kurrë nuk do ta harroj atë që më tha doktori në atë moment“, - më tha Beni atëherë pas testit duke shtuar një fjali të mjekut, që i kishte mbetur në mendje: „Ben, jam i befasuar që mund të lexosh edhe një libër, e lëre më të kalosh universitetin“.

Ndërsa kthehesha përsëri për në Tiranë nga Aeroporti i Rinasit pas shumë vitesh, mendova për Benin dhe mjekun e tij të syve, të cilin e kisha mbajtur çdo vit në mendje me fjalinë e tij, të cilën e rilexova enkas në një reklamë dygjuhëshe anës rrugës „Më thuaj kur vija në të majtë takon pikën në të djathtë?“.

Dhe ai mjek, nuk u përgjigj kurrë për vite me radhë, derisa kur Beni e kishte tashmë klientin e tij, në studion e vet „Okulistike“. Beni, duke u përqafuar me mua në të hyrë të Tiranës, më tha se i kishte thënë mjekut të syve, se çdo vit i majti dhe i djathti kishin mbetur enigmë në lexim dhe që nuk ishin takuar kurrë, deri sa kishin marrë përsipër të lexonin Diplomën e Doktoraturës me rezlultate të larta … dhe me emrin Ben.

„Kjo gjendje është një simptomë klasike e shikimit monokular.“, ma ktheu ish mjeku im, më tha Beni për ish-mjekun e tij, tashmë pacient i syve të tij.

„Atë, atë mendova, më duket se i thashë ndërsa bëra rrugën për në shtëpi.“, më tha shoku im Dr Beni.

Dhe ashtu bashkë në përmallimin tonë e gjerbjen e kafesë dëgjuam dhe ridëgjuam të kaluarën e leximit. Beni foli më shumë: „Shikimi monokular është shikimi në të cilin të dy sytë përdoren veçmas. Duke përdorur sytë në këtë mënyrë fusha e shikimit rritet, ndërsa perceptimi i thellësisë është i kufizuar.“

Unë buzëqeshja dhe ia shtrëngoja duart: „Eh, Dr. Ben, eh,…kështu është. Sytë e një kafshe me shikim monokular janë të pozicionuara në anët e kundërta të kokës së kafshës, duke i dhënë asaj aftësinë për të parë dy objekte në të njëjtën kohë.“

Ben tundi kokën dhe i shtiu më shumë kripë të qeshurave tona… „

Kafshët janë miq me fat të tillë të pëlqyeshëm, shikojnë, … dhe nuk bëjnë asnjë pyetje. Ato nuk anashkalojnë asnjë kritikë.“- shtoi ai.

„Por shohin dy objekte përnjëherë“- ia ktheva unë.

90 views3 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page